Nga Don Viktor Sopi
Puna e Caritas Kosova është e motivuar, e orientuar dhe e përcaktuar nga Shkrimi i Shenjtë, mësimi dhe tradita e Kishës Katolike dhe një takim personal me dashamirësi me njerëzit në nevojë. “Caritasi është dashuria e Kishës për njerëzit e saj” dhe mishëron alternativë preferenciale për dhe me ata që janë të varfër, të përjashtuar ose të margjinalizuar. Caritasi përpiqet të sigurojë zhvillimin integral të personit në tërësi, dhe të lehtësoj vuajtjet e shkaktuara nga katastrofat, konfliktet dhe padrejtësitë.
“Kodi i Etikës” është i bazuar dhe përmbledh në një deklaratë normative vlerat dhe parimet të cilat përfshijnë kornizën etike gjithëpërfshirëse, të cilës të gjithë anëtarët dhe stafi pritet t’i përmbahen. Në të gjithë punën e vet, Caritasi dhe stafi i saj aspirojnë të mishirojnë këto vlera dhe parime dhe duke vepruar kështu të jenë dëshmitarë aktivë të dhembshurisë së Krishtit, në punë dhe në botë.
“Kodi i Sjelljes për Stafin” përshkruan sjelljen që pritet nga i gjithë stafi i Caritasit.
Caritasi është i bindur se stafi i saj vepron me ndërgjegje dhe integritet të madh, dhe ilustron vlerat dhe parimet e këtij Kodi të Etikës, pa nevojë për deklarata eksplicite. Ky dokument është normë udhëzuese për stafin e Caritasit në të gjitha nivelet. Sidoqoftë, me anë të këtij Kodi të Etikës, ne sigurojmë një qartësi dhe qëndrueshmëri më të madhe mbi të gjitha në identitetin dhe misionin tonë.
Ky Kod është përfshirë në politikën e Burimeve Njerëzore të Caritasit, dhe stafi ynë duhet të marrë një kopje të tij, të trajnohet për këtë Kod dhe pritet që t’a respektoj atë.
Vlerat dhe Parimet:
E gjithë jeta njerëzore është e shenjtë që nga ngjizja deri te vdekja natyrore. Të krijuar në imazhin dhe ngjashmërinë e Zotit, të gjitha gratë dhe burrat janë krijuar me dinjitet unik sepse ato/ata “qëndrojnë mbi të gjitha gjërat dhe të drejtat dhe detyrat [e tyre] janë universale dhe të pacenueshme”. “Nga natyra e tij e brendshme njeriu është një qenie shoqërore, dhe nëse nuk lidhet me të tjerët ai nuk mund të jetojë as të zhvillojë potencialin e tij”.
Rendi shoqëror kërkon përmirësim të vazhdueshëm. Duhet të bazohet në të vërtetën, të ndërtohet mbi drejtësinë dhe të animohet nga dashuria; duhet të rritet çdo ditë në liri drejt një ekuilibri më njerëzor”. Dinjiteti njerëzor dhe natyra sociale e njeriut janë themeli dhe frymëzimi për një vizion moral të shoqërisë i cili do të arrihet nëse jetojmë sipas vlerave dhe parimeve vijuese:
Vlerat:
- Drejtësia
- E mira e përbashkët
- Zhvillimi integral i njeriut
- Dhembshuria
- Opsioni preferencial për dhe me të varfrit dhe të shtypurit
- Respekti
- Solidariteti
Parimet:
- Partneriteti
- Subsidiariteti
- Pjesëmarrja
- Fuqizimi
- Pavarësia
- Mbikëqyrja dhe Përgjegjësia
- Barazia, universaliteti, paanshmëria dhe hapja ndaj të gjithë popujve
- Mbrojtja
- Ekonomitë Lokale
- Kujdesi për krijimin dhe vëmendja ndaj ndikimit në mjedis
- Koordinimi
- Avokimi
- Mësimi dhe Zhvillimi i Stafit
- Kujdesi për Stafin
Vënia e Vlerave tona në Praktikë:Kodi i Sjelljes Për Stafin e Caritas Kosova
Ky Kod i Sjelljes specifikon qëndrimet dhe sjelljen që i gjithë stafi i Caritasit pritet të mbajë. Kodi i sjelljes rrjedh nga, dhe lidhet ngushtë, me Kodin e Etikës të Caritasit, i cili përshkruan vlerat themelore dhe praktikat institucionale të organizatave të Caritasit. “Individët që kujdesen për ata që kanë nevojë së pari duhet të jenë profesionalisht të aftë: ata duhet të jenë të trajnuar siç duhet në atë se çfarë bëjnë dhe si e bëjnë, dhe të angazhohen për kujdes të vazhdueshëm. Megjithatë, ndërkohë që aftësia profesionale është një kërkesë kryesore dhe thelbësore, ajo e vetme nuk mjafton. Kemi të bëjmë me qeniet njerëzore dhe qeniet njerëzore gjithmonë kanë nevojë për diçka më shumë sesa vetëm për kujdesin e duhur teknik. Ata kanë nevojë për humanitet. Ata kanë nevojë për shoqërim të përzemërt”.
Ky Kod është i ndarë në katër fusha kryesore për lehtësim të referimit.
I gjithë Stafi i Caritasit pritet të:
- Vlerat, Sjellja dhe Etika
- përmbahen, ose të paktën, të kuptojnë dhe respektojnë vlerat shoqërore dhe morale dhe mësimet e Kishës Katolike
- sigurohen në çdo kohë që sjellja e tyre personale dhe profesionale është e standardeve më të larta, dhe shihet se është e tillë
- veprojnë me mirëbesim dhe t’i trajtojnë njerëzit e tjerë me dinjitet dhe respekt, duke krijuar një mjedis që kultivon diversitetin
- respektojnë të gjitha të drejtat e njeriut dhe të sfidojnë diskriminimin, ngacmimin, abuzimin, neglizhencën dhe shfrytëzimin që cenojnë të drejtat e të tjerëve
- shmangin “imponimin (e) besimit të dikujt mbi të tjerët… Kuptojnë që dashuria e pastër dhe bujare është dëshmia më e mirë për Zotin në të cilin ne besojmë dhe nga i cili jemi të nxitur të duam”
- refuzojnë të bëjnë deklarata raciste, seksiste ose ndryshe ofenduese në mënyrë publike ose private
- ndërmarrin veprime të arsyeshme për të mbrojtur të tjerët nga dëmtimi
- respektojnë ligjet e vendit në të cilin ata punojnë, brenda kufijve të ndërgjegjes
- respektojnë dhe janë të ndjeshëm ndaj zakoneve dhe kulturës lokale, vishen në përputhje me rrethanat
- sigurohen që ata, dhe çdo staf që ata menaxhojnë, të veprojnë në përputhje me udhëzimet e shëndetit, mbrojtjes dhe sigurisë dhe të përpiqen të mbrojnë të tjerët
- sigurohen që reputacioni i Caritasit të mos dëmtohet
- ruajnë konfidencialitetin e çdo informacioni ose njohurie të fituar gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në Caritas
- kryejnë detyrat e tyre me kompetencë dhe me dashuri, pa paragjykime ose diskriminim të asnjë forme, dhe mbajnë opsionin preferencial të Caritasit për të varfrit
- mbajnë në mend ndjeshmërinë lokale kur shprehin dhe ushtrojnë besimet e tyre përkatëse
- mirëpresin, dhe ndërtojnë solidaritet dhe bashkëpunim me njerëz nga organizata të tjera të Caritasit
- Konflikti i Interesit, Detyrimi dhe Korrupsioni
- shmangin përdorimin e pozitave të pushtetit të dhënë nga rolet e tyre si punonjës të Caritasit për të ushtruar presion, ose për të nxjerrë favore ose përfitime personale në aspektin ekonomik, profesional, politik ose seksual
- deklarojnë me shkrim çdo konflikt interesi të mundshëm ose të vërtetë (financiar, personal ose familjar) në çështjet që kanë të bëjnë me punën e Caritasit tek mbikëqyrësi i tyre ose menaxheri tjetër i lartë
- nuk pranojnë asnjë favor, ryshfet ose forma të tjera të pasurimit personal nga përfituesit, partnerët ose kontraktuesit në asnjë rrethanë
- Mbrojtja e pronës së Caritasit dhe ushtrimi i kujdestarisë
- të sigurohen që pasuritë dhe pronësia intelektuale e Caritasit nuk keqpërdoren, ato mbrohen nga vjedhjet, mashtrimet apo dëmtimet tjera
- të mbajnë standardet e duhura të sinqeritetit dhe integritetit në llogaridhënien financiare
- Sjellja Personale
- të mos mbajnë armë në punë ose ndonjë pronë të Caritasit (me pronësi apo me qira) duke përfshirë akomodimin/zyrën/ automjetet, etj.
- të mos përdorin droga rekreative ose konsumojnë sasi të tepërt të alkoolit
- të sigurohen që sjellja e tyre seksuale është e përshtatshme gjatë gjithë kohës
Zbatimi i Kodit të Sjelljes – i gjithë stafi i Caritasit është i obliguar të respektoj Kodin e Sjelljes.
Mekanizmi i Ankesave – është zhvilluar në kuadër të Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të të Rriturve të Cënuar dhe shumë shpejt pritet të aprovohet.
Detyrimi për të raportuar – çdo anëtarë i stafit ka për detyrë të raportojë menjëherë për çdo dyshim apo shqetësim lidhur me shkeljet e këtij Kodi.
Shkeljet e Kodit – do të hetohen dhe mundë të çojnë në masa disiplinore.
Dhe krejt ne mbarim, ju ofroj si meditim:
I punësuari në Caritas nuk ka mundësi që të gjithëve të ju bëjë mirë, por ka mundësi që askujt mos t’i bëje keq./drita.info