E diela 34 gjatë vitit – viti A – Krishti Mbret i Gjithësisë
Leximi i parë Ez 34, 11-12.15-17
Mbreti dhe të fuqishmit e popullit të Izraelit pretendojnë të garantojnë drejtësinë, por të vegjlit, të sëmurët, të braktisurit paguajnë pasojat dhe populli bëhet gjithnjë e më shumë një grigjë e trajtuar keq dhe e shfrytëzuar. Atëherë Hyji ndërhyn dhe rimerr në dorë qeverisjen e popullit: Ai vigjëlon mbi shëndetin e të sëmurëve, kuron të plagosurit, largon barinjtë e këqinj.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti Hyj: “Ja, unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vet do t’i mrizoj – thotë Zoti Hyj. Të treturën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligështuarën do ta kërthnes, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t’i ruaj me drejtësi. Kurse juve, o grigja ime, kështu ju thotë Zoti Hyj: Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshve e cjepve.” Fjala e Zotit.
Psalmi 23
Ref: Hiri dhe mirësia jote do të më përcjellin, o Zot.
———————————————
Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta,
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
——————————————-
Po edhe në kalofsha
nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
—————————————-
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
———————————————
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
——————————————-
Leximi i dytë 1 Kor 15, 20-26.28
Shën Pali tregon që të gjithë vdesin në Adamin, të gjithë njerëzit jetojnë mënyra të ndryshme vdekjeje. Por, një njeri u çlirua nga tirania e vdekjes dhe e mundi. Jezu Krishti, i Ngjalluri, jo vetëm ka fituar për vetveten mbi vdekjen, por ka bashkëndarë fitoren e tij me të gjithë njerëzimin. Në fund të historisë do të fitohet mbi vdekjen.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. E kur t’ia ketë nënshtruar të gjitha, edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Unë jam Alfa dhe Omega, Ai që është, që ishte dhe që po vjen: ruajeni me qëndrueshmëri dhuratën e fesë deri në kthimin tim.
Aleluja.
Ungjilli Mt 25, 31-46
Tregohet gjykimi përfundimtar. Fati ynë nuk vendoset në botën e përtejme: por pikërisht tani në kohët e sotme duhet që të vendosim për të qëndruar me Krishtin apo kundër tij. Do të gjykohemi mbi shërbimin e dashurisë. T’i shërbesh Krishtit dhe të shkosh në kërkim të atyre që kanë nevojë dhe të varfërive njerëzore. Është më e rëndësishme të kuptosh se sot bota ka më shumë nevojë për ne sesa të pyesim mbi gjykimin përfundimtar të Hyjit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. Atëherë para tij do të mlidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën. Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’ Të drejtët atëherë do t’i përgjigjin: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.’ Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’ Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm a shteg-tar, a të zhveshur, apo të sëmurë, ja në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’ Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Sot përfundon viti liturgjik, duke shpallur Jezu Krishtin, Mbret i gjithësisë. Fjala e Zotit tërheq vëmendjen tonë mbi marrëdhënien mes përfundimit të kohërave dhe jetës sonë, mbi sjelljen tonë ndaj të afërmve në bazë të së cilës do të gjykohemi nga Krishti Mbret.
Fati ynë përfundimtar varet nga mënyra e të jetuarit të sotëm. Do të gjykohemi për sjelljen tonë të sotme ndaj të afërmit. Masa e gjykImit është bamirësia e jetuar në sjellje të thjeshta: t’i japësh të hajë e të pijë, të ndihmosh, të jesh afër atij që vuan, që është i përjashtuar. Jezusi është një mbret dhe bari që bën të hyjë në mbretërinë e Atit grigjën e tij: ata që kanë ushtruar bamirësinë ndaj vëllezërve më në nevojë.
Në fund të jetës sonë ne do të gjykohemi mbi dashurinë. Jezusi fshihet në fytyrën e çdo të varfëri dhe të braktisuri. Është i pranishëm në të varfërit dhe në të vegjlit: është mbrojtësi i të drejtave të tyre dhe akuzuesi i atyre që i shtypin ata.
Duhet të duam, pra, deri në fund Hyjin dhe njeriun: kurrë Hyjin pa njeriun, kurrë njeriun pa Hyjin. Me gjykimin Hyji shfaq të vërtetën e fundit të njeriut, e për ta vendosur Ai do të shqyrtojë marrëdhëniet e mia me të varfërit e të fundit.
Hyji e ka lidhur shpëtimin tim me pak bukë, me një gotë ujë, me një veshje të dhuruar, me vizitën e një të burgosuri: jo me gjërat, por me zemrën. Nëse ka diçka të amshuar brenda nesh, nëse diçka e jona mbetet kur nuk mbetet asgjë, kjo gjë është vetëm dashuria.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër, kremtojmë në mënyrë ma-dhështore pushtetin mbretëror të Krishtit. Për të kuptuar mirë kuptimin e festës së sotme duhet që shpirti i lumturisë të depërtojë në ne. Të lutemi së bashku dhe të themi:
O Zot, Mbreti i gjithësisë na dëgjo.
L. Për Kishën, Mbretëria e Zotit mbi tokë: që të kryejë më kënaqësi shërbimin për njerëzimin mëkatar e të sëmurë, nën shembullin e Krishtit që erdhi mes nesh për të shërbyer e jo për t’i shërbyer. Të lutemi.
L. Për drejtuesit e shteteve: që të respektojnë të drejtat e njerëzve e të punojnë me zell për drejtësi e paqe në mes popujve. Të lutemi.
L. Për të varfërit, të uriturit, të braktisurit: që të gjejnë në bashkësitë e krishtera një ndihmë konkrete për nevojat e tyre. Të lutemi.
L. Për katekistët dhe teologët: që të dinë të prezantojnë Krishtin me guxim dhe sinqeritet për një ungjillëzim të vërtetë. Të lutemi.
L. Për ne këtu të pranishëm: që jemi në shërbim të Krishtit Mbret e gjykatës, të dimë të jemi, në mjedisin në të cilin jetojmë, dëshmitarë të besueshëm të së vërtetës, të drejtësisë e të paqes. Të lutemi.
M. O Atë i mëshirshëm, dëgjoje lutjen tonë e bëj që sipas shembullit të Krishtit, Birit tënd, që ka mundur mëkatin e vdekjes, të dimë të jemi dëshmitarë të së vërtetës e të mirësisë. Ti që jeton e mbretëron, në shekuj të shekujve. Amen.
(ecclesia.al)