E diela I pas Krishtlindjes – Familja e Shenjtë – viti B
Leximi i parë Zan 15, 1-6; 21, 1-3
Çifti i pleqve, Abrahami dhe Sara, merr nga Hyji shpërblimin e besimit të vet, Izakun, Birin e premtuar. Në qendër të historisë së shpëtimit qëndron realiteti i besëlidhjes që fillon me Abrahamin. Lindja e Izakut është një ngjarje biologjike që realizon planet dhe kohërat e Hyjit. Nga pasardhësit e Abrahamit do të lindë Mesia, Krishti Jezus, Shpëtimtar i njerëzimit.
Lexim prej Librit të Zanafillës
Pas këtyre ngjarjeve, fjala e Zotit i qe drejtuar Abramit në një vegim. I tha: “Abram, mos ki frikë! Unë jam mbrojtësi yt! Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh”! Abrami u përgjigj: “O Zot, Hyj, ç’më duhen dhuratat e tua, pasi shkoj i shuar pa pasardhës dhe trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri prej Damaskut”. Dhe Abrami vazhdoi: “Ja, po sheh se nuk më dhe pasardhës dhe ja, një rob i shtëpisë do të më trashëgojë”. Atëherë Zoti i tha këto fjalë: “Ky nuk do të jetë, trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje”. Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroji yjet, po munde”! Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu”. Abrami i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi. Zotit iu kujtua çka i kishte thënë Sarës dhe bëri ashtu siç i kishte premtuar. Sara ngjizi dhe Abrahamit i lindi djalë në pleqërinë e tij, po në atë kohë, siç e kishte paracaktuar Hyji. Abrahami djalit që lindi Sara ia ngjiti emrin Izak. Fjala e Zotit.
Psalmi 128
Ref: Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që e druan Zotin
————————————-
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh.
————————————-
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
————————————-
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
———————————–
Leximi i dytë Heb 11, 8. 11-12. 17-19
Autori i shenjtë, duke i bërë lëvdata besimit të etërve, kujton Abrahamin, atin e besimtarëve, që i besohet Hyjit kur Ai i kërkon jetën e të birit. Në besim Abrahami ofron Birin duke shpresuar kundër çdo shprese. Edhe Maria e Jozefi do të privohen prej të vetmit bir, por Hyji i të gjallëve nuk i braktis ata që i besohen Atij.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Hebrenjve
Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e la vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. Me anë të fesë – edhe vetë Sara beronjë – fitoi mundësinë të bëhej nënë – megjithëse i kishte kaluar mosha – sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një njeriu – dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit. Me anë të fesë, Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi – dhe qe një shëmbëlltyrë. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja. Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet!
Aleluja.
Ungjilli Lk 2, 22-40
Populli hebre edhe pse priste Mesinë nuk ka e ka kuptuar kur Ai ka ardhur. Plaku Simon është simboli i pritjes së gjatë mesianike, dhe shpall misterin e këtij Fëmije që do të takojë kundërshtime nga ana e atyre që duhet ta pranonin. Mundimet do të jenë kulmi tragjik i këtij refuzimi. Jezusi nuk ka ardhur për të ndarë njerëzit, por prania e tij zbulon ndarjen dhe errësirat të pranishme në zemrat e secilit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, Jozefi dhe Maria e çuan Jezusin në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, – sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ – dhe për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit ‘një parë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’ Në Jerusalem aso here jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Tempull. Kur prindërit e sollën Jezusin foshnjë për të kryer rregulloren e ligjit mbi të, Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe, sikurse the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Driten që bën të njohin Ty paganët, e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.” Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të. Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do të i kundërshtojnë. Edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin, që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.” Ishte aso here edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet, jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet, kurse si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetë e katër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë. Shi në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit. Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret. Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti; dhe hiri i Hyjit ishte në të. Fjala e Zotit.
POROSIA
Familja e shenjtë e Nazaretit, është familja e Hyjit e mishëruar në kraharorin virgjëror të Marisë. Kjo familje është familja e familjeve, domethënë është modeli i përsosur i çdo familjeje të krishterë. Fëmija lind për virtyt të Shpirtit Shenjt nga Maria, nëna e virgjër dhe nusja e Jozefit, që merr pjesë në këtë lindje duke e përfshirë Birin e Hyjit në historinë e vjetër të Izraelit.
Leximi i parë dhe i dytë nënvizojnë besimin e Abrahamit dhe të Sarës. Besimi është t’i besohen Hyjit e të mos dyshojnë se Ai do ta mbajë premtimin për tu dhuruar atyre një fëmijë me pasardhës të shumtë, pavarësisht se ata janë të vjetër dhe Sara është beronjë. Izaku, biri i premtimit të Hyjit dhe i besimit të prindërve, është figura e Jezusit. Izaku nuk do të flijohet, por në vend të tij do të ofrohet një dash. Ndërsa në Kalvar Jezusi nuk do të zëvendësohet dhe do tיi ofrojë jetën e vet Atit për shpëtimin e të gjithë njerëzve.
Në Ungjill Jozefi dhe Maria shkojnë në tempull për t’i paraqitur Hyjit Birin Jezus. Simoni dhe Ana arrijnë të rinjohin në këtë Fëmijë Dritën e botës dhe Shpresën e njerëzimit.
Në jetën e çdo familje, ashtu si në historinë e Familjes së Nazaretit fshihet një plan i Hyjit, akoma “i errët”, i ndërthurur me prova të dhimbshme, që kërkon prej nesh praktikimin e virtyteve të Familjes së Shenjtë: kërkimin e vullnetit të Hyjit, ofrimin e vetvetes, dashurinë ndaj Hyjit që kthehet në dashuri ndaj të afërmit.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, sot liturgjia na bënë të kundrojmë familjen tokësore të Birit të Zotit. Zotit Atë i kërkojmë që familjet tona të ecin nën shembullin e Familjes së Shenjtë, të bashkuara gjithmonë në mirëkuptim e në marrëveshje.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo o Zot
L. Që paqja e Zotit të shfaqet në familjet, duke i ndihmuar për të tejkaluar çdo përçarje e vështirësi. Të lutemi.
L. Që prindërit të jenë edukatorë të mirë, në rritjen njerëzore e të krishterë të fëmijëve të tyre.Të lutemi.
L. Për të rinjtë: që të përgatiten për të formuar një familje me urti e besim në Zotin.Të lutemi.
L. Për këtë asamble liturgjike: që t’i japë rëndësi familjeve të reja, me shenja simpatie e solidariteti. Të lutemi.
M. O Zot i madh e i mëshirshëm, Ti ke dashur që Biri yt, i bërë njeri, të lindte në familjen e Nazaretit. Mbështeti familjet tona që të jetojnë në dashurinë tënde e të jenë brumë i ri në shoqëri e në Kishë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)