
E diela VIII gjatë vitit – Viti C
Leximi i parë Sir 27, 4-7
Profeti Oze përdor imazhin e dashurisë mes bashkëshortëve për të përshkruar dashurinë e Hyjit për Izraelin. Shpesh Izraeli dje dhe Kisha sot shfaqen të pabesë ndaj dashurisë së Hyjit. Por profeti e di se Hyji është më i madh se zemra jonë. Përtej pabesisë, Hyji sot ashtu si dje vazhdon t’i ofrojë popullit të tij mundësinë e një kthimi të vërtetë.
Lexim prej Librit të Siracidit
Nëse s’e mban veten në frikën e Zotit, së shpejti do të përmbyset shtëpia jote. Sikurse kur tundet shosha, mbesin zonakët, kështu edhe mungesat e njeriut dalin në pah në të folur. Enët e vorbëtarit i sprovon furra, njerëzit e drejtë i sprovon vuajtja. Si u punua një pemë e dëftojnë frutat, kështu edhe fjala e zbulon mendimin e njeriut. Mos e lavdëro njeriun para se të dalë në pah në të folur. Fjala e Zotit.
Psalmi 92
Ref: Është bukur t’i këndojmë emrit tënd, o Zot
———————————————–
Është punë e mirë të shpallim dashurinë në mëngjes
e gjatë natës besnikërinë tënde,
se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,
kënaqem për veprat e duarve të tua.
—————————————-
I drejti lulëzon si palma,
rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në shtëpinë e Jakobit
lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.
————————————-
Japin fruta edhe në pleqëri,
janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë:
Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!
——————————————-
Leximi i dytë 1 Kor 15, 54-58
Palit i vihet në dyshim veprimtaria e tij misionare dhe korintianët arrijnë deri në atë pikë sa t’i kërkojnë të demostrojë që ai është apostull. Pali përgjigjet: “Letra ime e besueshme jeni ju vetë. Nëse Kisha juaj është me të vërtetë një bashkësi e frymëzuar nga Shpirti, nëse ju jetoni në bashkim me Hyjin, kjo do të thotë që puna ime baritore ka qenë një punë jete dhe jo vdekjeje”.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, kur ky trup i shkatërrueshëm të veshë pashkatërrueshmërinë, dhe ky trup i vdekshëm të veshë pavdekshmërinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e Shkrimit shenjt: ‘Vdekja u përpi në fitore. O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?’ Thimthi i vdekjes mëkati; fuqia e mëkatit ligji. Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, të jeni të qëndrueshëm, të palëkundshëm, e përparoni vazhdimisht në veprën e Zotit, të vetëdijshëm se mundi juaj nuk mbetet i pafryt në Zotin. Fjala e Zotit.
Aleluja
Hape, o Zot, zemrën tonë, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.
Aleluja
Ungjilli Lk 6, 39-45
Jezusi tregon që Ati ka përgatitur për Birin e tij tryezën martesore. Krishti, i biri e paraqet vetveten si dhëndër, burim dhe arsye gëzimi. Prania e Jezusit bën të fillojë një situatë e re fetare. Personi i tij bëhet rregulli i gjithçkaje, në Të gjithçka është e re dhe gjithçka është e amshuar. E reja e krishterimit qëndron në vetë jetën e Jezusit që dhuron Shpirtin e tij në historinë e të gjithë neve.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “A mund t’i prijë i verbëri të verbërit? A thua s’do të bien të dy në gropë? Nuk është nxënësi më i aftë se mësuesi; por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar do të jetë si mësuesi i vet. Po pse e shikon lëmishten në syrin e vëllait tënd e nuk e sheh traun në syrin tënd? Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Vëlla, ndal ta heq lëmishten që ke në sy’, ti që nuk e sheh traun në syrin tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd. Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë. Çdo pemë njihet prej frytit të saj. Nuk mblidhen fiq nga murrizi, as nuk vilet rrush nga ferra. Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet; njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq; sepse goja i qet çka i ka zemra.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Të jemi të krishterë do të thotë të jemi dishepuj, që dëgjojnë dhe imitojnë Mësuesin. Jezusi në këto tre shëmbëlltyra na mëson të jemi dishepuj.
Shëmbëlltyra e të verbërit, i cili prin një të verbër tjetër u drejtohet atyre që në bashkësi mendojnë se janë zotëruesit e së vërtetës dhe superior ndaj të tjerëve. Ato janë udhëzime të verbra, sepse nuk dinë të dallojnë frymëzimin e Shpirtit me frymëzimin të botës.
Në Shëmbëlltyrën dishepull-mësues Jezusi shpallet mësues dhe jo profesor. Në lashtësi profesori na mësonte koncepte dhe nuk jetonte me nxënësit, ndërkohë mësuesi jeton me nxënësit, duke u dhenë atyre mësime jete dhe duke u bërë model për ta ndjekur në vështirësi dhe tundime.
Në shëmbëlltyrën e lëmishtes në syrin e vëllait, Jezusi na kërkon të njohim defektet tona, të cilët na bëjnë të verbër, para se të pretendojmë të ndihmojmë të tjerët për të eliminuar defektet e tyre.
Me shëmbëlltyrën e pemës që jep fryte të mira, Jezusi na fton në realitetin e sotëm: na tregon se të besosh vërtetë në Të do të thotë të jesh i frytshëm me vepra të mira, duke dashur të mirën e tjetrit dhe jo interesin vetjak. Secili do të gjykohet mbi atë që ndodh në zemrën e tij: kthimin, ndryshimin i zemrës së tij. Çdo njeri duhet, përgjatë jetës së tij, të identifikohet si dishepull i Jezusit: ta ndjekë dhe ta dëgjojë, me qëllimin që të vërë në praktikë mësimin e tij i cili na udhëheq në jetë.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër dhe motra, të bashkuar me besim për të kremtuar Eukaristinë, t’ia drejtojmë Atit lutjen tonë, që të na frymëzojë me mendime e qëllime të shenjta.
L. Të lutemi së bashku duke thënë: Mbështete, o Zot, Kishën tënde.
L. Për Kishën: që t’u prezantojë njerëzve të sotshëm Lajmin e Mirë me një mënyrë të përshtatshme, por pa e hequr mesazhin e Krishtit. Të lutemi.
L. Për kryetarët e shteteve: që ta kuptojnë se janë edhe ata përgjegjës të mirëqënies së popujve, e të kërkojnë të zhdukin ndryshimin e thellë në mes të pasurve e të varfërve. Të lutemi.
L. Për të krishterët, që duke i qëndruar besnikë shpirtit të Koncilit të Vatikanit të dinë të veprojnë në botë, pa lënë pas dore vlerat në të cilat besojnë. Të lutemi.
L. Për popullin hebre, që të kuptojë gjithnjë e më shumë të renë dhe plotësinë e sjellë nga Krishti, Mesia dhe Shpëtimtari i të gjithë njerëzve. Të lutemi.
L. Për bashkësinë e famullisë sonë: që ritet fetare që bën të jenë shprehje e një feje të jetuar e të një dashurie konkrete ndaj Zotit e të afërmit. Të lutemi.
M. Plotësoji, o Atë, lutjet e bijve të tu, të bashkuar në besimin e ngjalljes së Krishtit. Bëj që të eksperimentojmë në jetën e përditshme praninë e Shpirtit Shenjt që ripërtërin gjithçka. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)