JEZUSI: Bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë!

E diela VII gjatë vitit – viti C

 

Leximi i parë   1 Sam 26, 2.7-9.12-13.22-23

Mbreti Saul do të vrasë të riun David. Një natë Davidi ka mundësi të hakmerret ndaj persekutuesit të tij, por nuk e bën. Ai nuk i përgjigjet urrejtjes me dhunë, i druhet Hyjit, dhe refuzon ligjin e hakmarrjes. I takon Hyjit të gjykojë, ndërsa neve na është dorëzuar ligji i faljes dhe i dashurisë.

 

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Në ato ditë, Sauli u çua dhe zbriti në shkretëtirën Zif dhe me të tre mijë veta, burra të zgjedhur të Izraelit, për ta gjurmuar Davidin në shkretëtirën Zif. Erdhën, pra, Davidi e Abisai natën tek ushtria dhe e gjetën Saulin duke fjetur në gjumë brenda rrethit. Heshtën e kishte të ngulur në tokë te kryet e vet, kurse Abneri e populli tjetër po flinin përreth tij. Atëherë Abisai i tha Davidit: “Hyji sot ta ka lëshuar në duar të tua armikun tënd: tani po e përshkoj me heshtë e po e mbërthej për tokë me një të rënë të vetme, të sjell një herë tjetër s’do të kem nevojë.” Por Davidi iu përgjigj: “Ruaj se e vret! Cili shtriu dorën e vet mbi të shuguruarin e Zotit e do të jetë i pafajshëm?” Kështu, pra, i mori Davidi heshtën dhe brokën e ujit, që ishte te kryet e Saulit, dhe u larguan. Askush nuk i pa, askush s’diti gjë, askush nuk u zgjua. Të gjithë flinin: një gjumë i rëndë i dërguar prej Zotit i kishte pushtuar të gjithë. Kur kaloi Davidi në anën e kundërt, u ndal në maje të malit, mjaft larg, në një largësi mjaft të madhe. Atëherë Davidi e thirri mbretin dhe tha: “Ja ku është heshta e mbretit! Le të vijë një djalosh e le ta marrë. Zoti shpërbleftë gjithkënd sipas drejtësisë së vet e besnikërisë. Zoti sot të lëshoi në duar të mia, por unë s’desha të çoja dorën time mbi të shuguruarin e Zotit.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   103

 

Ref: Zoti është i mirë dhe i madh në dashuri

——————————————-

Bekoje, shpirti im, Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im, Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

——————————————–

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

——————————————-

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë,

as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

——————————————-

Sa është lindja larg perëndimit,

aq larg i tret prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet,

ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

——————————————–

 

Leximi i dytë   1 Kor 15, 45-49

Pali do të pohojë se njeriu, krijesë e lindur nga toka ka si fatin e vet qiellin. Ai që ka marrë pagëzimin është bërë si Krishti dhe është përfshirë në të, për këtë i përket Krishtit të ngjallur. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, kështu është edhe shkruar: ‘Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; Adami i fundit, Shpirti që jep jetën. Por nuk qe më parë qenie shpirtëror, por qenie lëndor, e atëherë u bë qenie shpirtëror. Njeriu i parë është nga toka, tokësor; njeriu i dytë nga qielli. Si është njeriu tokësor, të tillë janë edhe tokësorët; si është njeriu qiellor, të tillë janë edhe qiellorët. Sikurse kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor, ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 6, 27-38

Në diskutimin në mal Jezusi paraqet kërkesat themelore për të qenë dishepull i tij. Sot na kërkohet dashuria për armiqtë që trondit pak të gjithë. Është dikush që në emër të Ungjillit e miraton dhunën dhe dikush tjetër që e dënon. Ky ndryshim do të kalojë kur ai që miraton apo dënon dhunën do të besojë me të vërtetë në ligjin e dashurisë, duke u angazhuar t’i shërbejë të afërmit në të drejtat e tij themelor pa interes, me vërtetësi dhe drejtësi.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Po ju them juve që më dëgjoni: Duani armiqtë tuaj, bëhu mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë. Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe të tjetrën! Atij që ta rrëmbën pallton, mos ia ndal as këmishën! Secilit që lyp prej teje, jepi; e atij që merr gjënë tënde, mos kërko ta kthejë!  Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjni edhe ju atyre! Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. Edhe nëse, pra, u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. E në qoftë se u huajoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç’shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huajojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë.  Por ju duani armiqtë tuaj, bëni mirë e huajoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve. Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sjetull tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”  Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ungjilli i sotëm na propozon të heqim dorë nga hakmarrja dhe dhuna. Jezusi urdhëron dishepujt e tij të mos i përgjigjen të keqes me të keqe, por me dashuri.

“Duani armiqtë tuaj”. Janë fjalë kërkuese dhe të vështira; duaj armiqtë, mos i mallko, ofroi tjetrit faqen tjetër nëse të ka dhënë një shpullë, mos protesto nëse dikush merr atë që është e jona.

Shpjegimi i këtyre urdhrave gjendet në fjalët e Jezusit:Jini të mëshirshëm, ashtu siç është i mëshirshëm Ati juaj”. Ai nuk u kërkon të varfërve të hakmerren ndaj të pasurve, por të imitojnë veprat e Atit. Kthimi që Jezusi do të plotësoje në ne konsiston në një ndryshim thelbësor. Dashuria ‘e re’ që Jezusi do të ndërtojë mes njerëzve vjen nga përvoja që Ai jeton me Hyjin Atë, që mirëpret këdo, të mirë e të këqij, që bën të ndriçojë dielli mbi të mirët e mbi të këqijtë.

Dashuria duhet të kërkojë të mirën e tjetrit pavarësisht asaj që ai bën për ne, pasi e tillë është dashuria e Hyjit për ne. Ai është i mëshirshëm jo vetëm me të mirët, por me të gjithë, madje edhe me ‘mosmirënjohësit dhe të ligjtë’.

“Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëni edhe ju atyre!”. Nëse dua të më respektojnë, duhet të respektoj; nëse dua të më duan, duhet të dua. Kjo kërkon që qendra e jetës të mos jetë “uni egoist”, por “ti-ja” që takoj.

“Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni!”. Nëse nuk do të dënohesh, mos dëno! Nëse do të jesh i falur, fal! Mos prit që tjetri të dojë, fillo ti të duash.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, të vetëdijshëm që duhet të falim gjithmonë, edhe armiqtë, t’i drejtohemi Hyjit Atit tonë që na ka dashur i pari dhe në Krishtin na ka falur.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na fal, o Zot, për dashurinë e emrit tënd.

L. Që Kisha të jetë në botë shenjë e dukshme e dashurisë pa interesa dhe universale të Hyjit dhe burim shprese për njerëzimin. Të lutemi

L. Që të gjitha kombet e tokës të shkatërrojnë pengesat e urrejtjes dhe të dhunës dhe bota të njohë më në fund një kohë vëllazërie dhe paqeje. Të lutemi

L. Që ata që në shoqërinë tonë angazhohen në fronte të ndryshme për të eliminuar çdo formë racizmi, dhune dhe diskriminimi, të kenë vlerësimin tonë dhe shpërblimin e Zotit. Të lutemi

L. Që në familjet tona, në ambientet e punës dhe në shoqëri të realizohet falja e ndërsjellë, duke dashur ne në radhë të parë dhe pa kushte. Të lutemi

M. Na bëj, o Atë, persona sinqerisht të hapur ndaj faljes, për të bërë të mundur realizimin e një shoqërie më të drejtë dhe mikpritëse. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: