E diela XVII gjatë vitit (B)
Leximi i parë 2 Mbr 4, 42-44
Profeti Elizeu, ashtu si profeti Elia, ka detyrën për të rizgjuar ndërgjegjen e popullit, në momentin në të cilin zotat paganë kthehen në modë. Ai shumon bukët dhe u kujton të gjithëve që Hyji është burimi i vetëm i jetës dhe i pjellorisë, e bujaria e tij nuk ka kufij. Buka me bollëk është simbol i Eukaristisë.
Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve
Në ato ditë, erdhi tek Elizeu një njeri prej Baalsalisës dhe i solli njeriut të Hyjit bukë të fryteve të para: njëzet bukë elbi dhe grurë të ri në duqet e veta. Elizeu i tha shërbëtorit të vet: “Ndaju njerëzve të hanë!” Shërbëtori iu përgjigj: “Si t’ua vë para këto njëqind njerëzve?” Por ai i tha sërish: “Jepi popullit të hajë! Sepse kështu thotë Zoti: ‘Do të hanë dhe do t’u teprojë’!” Ua shtroi, pra, dhe ata hëngrën dhe u teproi sipas fjalës së Zotit. Fjala e Zotit.
Psalmi 145
Ref: Hape dorën tënde, o Zot, dhe ngije çdo gjallesë
—————————————
Le të lavdërojnë, o Zot,
të gjitha veprat e tua,
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd.
—————————————
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty:
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde,
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
—————————————
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre
që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
—————————————
Leximi i dytë Ef 4, 1-6
Pali i nxit të krishterët të kalojnë çdo ndarje dhe të ecin drejt njësisë me një jetë të përvuajtur, të ëmbël dhe të durueshme. Jeta jonë e krishterë është e themeluar mbi njësinë e besimit të pagëzimit, në të cilin njihet një Zot i vetëm dhe një Hyj i vetëm, Atë i të gjithëve. Hyji është mbi të gjitha ndarjet tona dhe është i pranishëm në ata që jetojnë si bij të Hyjit.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!
Aleluja.
Ungjilli Gjn 6, 1-15
Jezusi thyen bukën për të ushqyer njerëzit e uritur. Kjo mrekulli tregon që akoma sot është Ai që ngop atë uri, e cila gjendet në zemrën e njeriut. Ungjilltari sheh në këtë shenjë themelimin e Eukaristisë, në të cilën Krishti vetë do të bëhet buka e njerëzve. Njerëzit të mahnitur nga kjo mrekulli brohorasin Jezusin si Moisiun e ri, por Ai nuk dëshiron të keqkuptohet dhe fshihet. Jezu Krishti shuan urinë e popullit, por nuk përfiton prej të varfërve për t’i zotëruar ata: është një i varfër si ata.
Leximi i Ungjillit së shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve. Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?” Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte. “As dyqind denarë bukë – i përgjigji Filipi – nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.” I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit: “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?” Jezusi u tha: “Thoniu njerëzve të ulen.” Në atë vend kishte shumë bar. U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. Jezusi mori bukët, u falënderua dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqish – aq sa deshën. E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukëve elbi. Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm. Fjala e Zotit.
POROSIA
Çdo person duhet të jetojë një përvojë personale me Mësuesin, për të mos mbetur anonim mes turmës. Duhet të pranojmë Atë e të mos kënaqemi me gjërat materiale që nuk mund të mbushin nevojën e jetës që njeriu ka brenda vetes.
“Jezusi u ngjit në një kodër”. Jezusi do që turma të rijetojë përvojën e popullit në shkretëtirë si në kohën e Moisiut. Mali është vendi i përvojës së Hyjit, tani Jezusi e bashkëndan me dishepujt e tij.
“Ishin afër Pashkët”: Pashkët janë kujtesa e gjallë e përvojës së Hyjit që çliron popullin e tij, e ushqen, e do. Është festa e bashkësisë që rilind.
“Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”. Jezusi e dinte atë që do të kryente e vë në provë Filipin, që mbetet i mbyllur në logjikën ekonomike të ‘të blerit’. “As dyqind denarë bukë nuk do të dilnin mjaft… ”. Edhe Andrea që shënon praninë e një djaloshi që ka pesë bukë elbi e dy peshq, mendon ashtu si Filipi:
“Por, çka janë këto për kaq njerëz?”. Këtu jemi përballë logjikës së njeriut që bëhet zot i historisë së tij, blen gjithçka e të gjithë, për të zotëruar e mbizotëruar, e në logjikën e Jezusit që paraqet njeriun si subjekt i një marrëdhënie dashurie, i aftë për të bashkëndarë e shumuar.
Mrekullia e madhe nuk është heqja e urisë së një turme, por ajo e shfaqjes së lavdisë së Hyjit, zbuluar në Jezusin, Fjala e bërë njeri. E njëjta turmë që sot e shpall, nesër do të refuzojë zbulimin e tij si biri i Hyjit. As mrekullitë nuk janë të mjaftueshme për besimin.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, t’ia drejtojmë me besim lutjet tona Zotit, që, si një Atë i kujdesshëm, ka në zemër mirëqenien dhe shpëtimin e çdo njeriu.
L. Të lutemi së bashku duke thënë:Mbushe me të mira popullin tënd, o Zot.
L. Jepi, o Zot, Kishës sate fuqi e ngushëllim në shtegtimin e saj tokësor: që e mbështetur nga buka e jetës, të dijë të kthehet nga ty, e pasur me vepra të mira. Të lutemi.
L. Drejtoje, o Zot, shikimin tënd të mirësisë drejt të varfërve të kësaj bote: dhe atyre që kanë përgjegjësi qytetare, të angazhohen që të gjithë të kenë bukën e përditshme. Të lutemi.
L. Mbështeti, o Zot, ata që vuajnë në trup e në shpirt: që të gjejnë në ne të krishterët një ndihmë e një shembull. Të lutemi.
L. Udhëhiqe, o Zot këtë bashkësi të bashkuar në emrin tënd: dhuroji asaj çdo plotësi të hirit, që të dijë të rritet në dashuri e në mirësi. Të lutemi.
M. O Hyj, Zot i historisë dhe i kohës, dëgjoji lutjet tona: edhe pse jemi nën peshën e lodhjes së përditshme, na jep një shikim besimplotë për të ardhmen, e duar punëtore të afta të ndërtojnë me ty mbretërinë që vjen. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)