E diela XIX gjatë vitit (B)
Leximi i parë 1 Mbr 19, 4-8
Profeti Elia përplaset me një qeveri të dhunshme dhe kërcënuese dhe me ankthin dhe frikën e vet. Do të donte të braktiste gjithçka, por Hyji vetë e ngre dhe e mbështet me një ushqim që na kujton manën e shkretëtirës. Arratisja e Elisë shndërrohet në një shtegtim drejt Hyjit. Ai ashtu si Moisiu arrin në malin Horeb ku do të takojë Hyjin e besëlidhjes.
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në atë kohë, Elia vetë mori rrugën e shkretëtirës e udhëtoi një ditë rrugë. Kur mbërriti, u ul të pushojë nën një dëllinjë, i dëshiroi vetes vdekjen e tha: “S’mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi!” Atëherë ra e fjeti nën hijen e dëllinjës. Por ja, e preku engjëlli dhe i tha: “Çohu e ha!” I hapi sytë, kur qe, te kryet e tij një bukë e pjekur dhe një katrovë me ujë. Elia hëngri e piu dhe përsëri ra e fjeti. Porse engjëlli i Zotit u kthye edhe të dytën herë, e preku dhe i tha: “Çohu e ha; sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë.” Elia u çua, hëngri e piu. I forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb. Fjala e Zotit.
Psalmi 34
Ref: Ushqimi yt, o Zot, i forcon skamnorët në udhën e tyre
———————————————
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
———————————————
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
———————————————
Shikojeni atë e do të ndriçoheni,
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
———————————————
Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
———————————————
Leximi i dytë Ef 4, 30 – 5, 2
Të jesh i udhëhequr nga dashuria do të thotë të jetosh dialogun e vërtetë me Atin e mëshirshëm; do të thotë t’i lejosh Hyjit të vulosë praninë e tij në botë. Të jesh i udhëhequr nga dashuria do të thotë, që nën shembullin e Krishtit, të kryesh një kalim të madh (Pashkët), pra të dalësh prej vetvetes për t’u dhuruar.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit. Le të flaket larg jush çdo pikë-llim, zemërim, hidhërim, britmë, shamje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin. Përngjani Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli që jep erë të mirë.Fjala e Zotit.
Aleluja.
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit, thotë Zoti: kush ta hajë këtë bukë do të jetojë për amshim.
Aleluja.
Ungjilli Gjn 6, 41-51
Farisenjtë nynykasin kundër Jezusit, janë të shurdhër ndaj mësimit të Atit, nuk dëgjojnë Ungjillin e tij, përçmojnë Jetën që u flet atyre. Jezusi na ofrohet neve si Buka e jetës, jo vetëm nëpërmjet besimit, por edhe nëpërmjet Eukaristisë. Është e nevojshme të jemi të tërhequr prej Atit: e gjitha kjo është hir, dhe jo fryt i forcave tona.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Judenjtë nynykatnin kundër tij pse tha: ‘Unë jam buka që zbriti prej qiellit.’ Ata thoshin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit? Po, a nuk ia njohim babën e nënën? Si mund të thotë tani: ‘Kam zbritur prej qiellit’?” Jezusi u përgjigji: “Mos nynykatni njëri me tjetrin! Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit. Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra, e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën mannën në shkreti dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Njeriu i të gjitha kohrave, jo gjithmonë, është në kërkim të ushqimit të vërtetë për të kënaqur nevojat e jetës. Shumë herë njerëzit kërkojnë ose ushqehen me “ushqime” që nuk ngopin shpirtin e tyre e i largojnë nga përgjegjësitë e tyre.
“Judenjtë nynykatnin kundër tij”. Judenjtë nuk besojnë në Të e skandalizohen prej tij: për ta Jezusi është thjesht Biri i Jozefit. Për ta njohur me të vërtetë nuk mjafton njohja e mishit, duhet ajo e besimit.
“Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq”. Besimi është dhuratë që rrënjoset në dashurinë e Atit. Beson në Jezusin vetëm ai që dëgjon Fjalën e Atit dhe e vë në praktikë. Nga besimi varet jeta e amshuar e besimi konsiston në të dëgjuarit dhe të ngrënit e Jezusit, buka qiellore që dhuron jetën e amshuar.
“Etërit tuaj hëngrën manën në shkreti dhe vdiqën”. Jezusi flet për manën e shkretëtirës, shpjegon mrekullinë e bukës së shumuar, për të arritur trupin e tij dhuruar si ushqim për jetën e amshuar. Buka është trupi i tij, e njerëzimi i Krishtit është pikërisht buka që dhuron jetën e amshuar! Vetëm kur njerëzimi i tij do të ofrohet mbi kryq për jetën e botës, trupi i tij do të bëhet buka e vërtetë që ushqen të gjithë njerëzit.
“Nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim”. Të hash trupin e Krishtit domethënë të përvetësosh fjalën e Birit dhe të përvetësosh personin e tij me një jetë besimi, të bësh tëndin personin e Jezusit, e vërteta dhe zbulimi i përsosur i Atit.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, jemi sot të ftuar të kundrojmë misterin e Eukaristisë. I kërkojmë Zotit dhuratën e fesë që t’i afrohemi denjësisht këtij sakramenti të madh.
L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot i jetës, na dëgjo.
L. Që Kisha, me shpalljen e Fjalës dhe kremtimin e Sakramenteve, të vazhdojë gjithmonë t’u ushqejë njerëzve të Krishtit, Bukën e jetës. Të lutemi.
L. Që njerëzit të mos kënaqen vetëm nga buka që mbaron, por të kenë edhe uri për bukën e jetës që është Krishti. Të lutemi.
L. Për ata që ndihen të paguximshëm të mos kenë frikë t’i besohen Krishtit, Fjala dhe Buka e jetës. Të lutemi.
L. Që buka të cilën e shijojmë në çdo Eukaristi të na bëjë të ngjashëm me Krishtin dhe të na tërheqë drejt Atit. Të lutemi.
M. O Atë, edhe pse banon në qiell, Ti je më afër nesh sesa vetja jonë, pranoji thirrjet që dalin nga zemra jonë e na bëj të aftë të jetojmë me mirënjohje bijsh praninë tënde të dashur në jetën tonë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)