Përvujtëria – virtyti që të lartëson!

E diela XXXI gjatë vitit – viti A

 

 

Leximi i parë   Mal 1, 14 – 2, 2.8-10

Profeti Malakia fton bijtë e Izraelit që të jenë besnikë në zbatimin e ligjit të Zotit. Më parë se të kryejnë veprime të jashtme, Zoti do nga njerëzit një mendim të ndershëm dhe një sjellje që dëshmon Fjalën e tij. Ky mesazh i përket mbi të gjitha kremtimit të liturgjisë dhe i drejtohet mbi të gjitha priftërinjve që janë bërë shërbëtorë të një kulti formal pa shpirt.

 

Lexim prej Librit të Malakisë profet

Unë jam Mbret i madh – thotë Zoti i Ushtrive – dhe Emri im është i tmerrshëm ndër kombe! E tash ky urdhër është për ju, o priftërinj! Nëse nuk do të dëgjoni, nëse nuk do të jeni në kujdes t’i jepni lavdi Emrit tim – thotë Zoti i Ushtrive – do ta çoj mallkimin mbi ju e do t’i mallkoj bekimet tuaja! Po, do t’i mallkoj, sepse nuk patët farë kujdesi! Porse ju rrugën e latë, me mësimin tuaj shkandulluat shumë, e zhbëtë besëlidhjen e Levit – thotë Zoti i Ushtrive.  Këndej dhe unë ju bëra të përbuzur e të përulur, nga të gjithë popujt, pse s’i mbajtët rregulloret e mia e u bëtë pajambajtës në mësimin e ligjit. Pse a s’e kemi të gjithë vetëm një Atë? Pse a nuk na krijoi të gjithëve një Hyj i vetëm? Pse atëherë secili prej nesh sillemi me dredhi ndaj vëllait të vet duke e prishur besëlidhjen e etërve tanë? Fjala e Zotit.

 

Psalmi   131

 

Ref: Më mbaj afër, o Zot, në paqen tënde

—————————————–

O Zot, nuk krenohet zemra ime,

as s’madhështohen sytë e mi,

as nuk jepem pas punëve të mëdha,

as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.

—————————————–

Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët,

si foshnja e mëkuar në parzmen e nënës,

si kërthi është shpirti im në mua.

—————————————–

Le të shpresojë Izraeli në Zotin

tash e përgjithmonë e jetës.

Më mbaj afër, o Zot, në paqen tënde

—————————————–

 

Leximi i dytë   1 Sel 2, 7-9.13

Ungjilli përmban këtë plan të mrekullueshëm të Hyjit: thirrja e të gjithë njerëzve për një jetë dashurie dhe bashkimi. Apostulli Pal fton besimtarin që të jetë përgjegjës ndaj Hyjit dhe vëllezërve. Ai është gati t’i ofrojë Hyjit jetën e vet që t’i ndihmojë njerëzit për të arritur shpëtimin. Gëzimi i tij qëndron në faktin që besimtarët kanë pranuar Fjalën e Hyjit që i jep kuptim jetës së tyre.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, ne qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen e kujdeset për fëmijët e vet. Këndej, prej dashurisë që kemi për ju, ishim të gatshëm t’ju shpallim jo vetëm Ungjillin e Hyjit, por t’ju jepnim edhe jetën tonë, kaq ju kemi pasur për zemër. Dhe vërtet, vëllezër, patjetër do t’ju bien ndër mend mundimi dhe vuajtjet tona: kemi punuar natë e ditë që të mos i bëheshim ndokujt barrë dhe ju predikuam Ungjillin e Hyjit. Prandaj edhe ne, prej anës sonë, pa pushim i falënderojmë Hyjit për ju që, kur e morët fjalën e Hyjit, të dëgjuar prej nesh, e morët jo porsi fjalë njerëzish, por shi ashtu si në të vërtetë është: porsi fjalën e Hyjit, që vazhdimisht vepron në ju që besoni. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Rrini zgjuar e lutuni në çdo moment, që të mund të qëndroni para Birit të njeriut.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mt 23, 1-12

Ungjilli i sotëm i shkund njerëzit nga plogështia e zemrës dhe nga dyfytyrësia që pengojnë takimin me Zotin. Farisenjtë ishin bërë simboli i degjenerimit fetar. Në fakt siguria e tyre mbi besimin, lidhja e fortë me të kaluarën i mbyllte përballë realiteteve të reja dhe të vërteta. Këto tundime janë të pranishme akoma edhe sot në Kishën e Krishtit; por dënimi që u bën Jezusit disa traditave në kundërshtim me njeriun dhe që fyen Hyjin, vlen akoma edhe sot.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet: “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të mbarten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Mandej të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thakët. Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’. Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë, sepse keni vetëm një Atë, atë që është në qiell. Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës, sepse keni vetëm një Udhëheqës: Krishti. Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. Sepse kush krenohet, do të përvujtërohet; e kush përvujtërohet, do të lartësohet.” Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Çfarë do të thotë të jesh i krishterë? Të shkosh në Meshë, të martohesh në kishë, të pagëzosh fëmijët e tu, të marrësh kungimin për Pashkë?

Në Ungjill Krishti na zbulon fenë e rreme të farisenjve, të cilët: 1. thonë dhe nuk bëjnë; 2. lidhin barrë të rënda mbi shpatullat e të tjerëve, por ata nuk i prekin as me një gisht; 3. duan të quhen mësues, të jenë të duartrokitur dhe të admiruar; 4. i bëjnë njerëzit dishepuj për t’i bërë pastaj bij të ferrit. Jezusi i porosit apostujt të kenë kujdes nga skribët dhe farisenjtë, përderisa sjellja e tyre nuk është për t’u shërbyer të tjerëve, por për të sunduar mbi të tjerët.

Dishepujt përderisa janë vëllezër, dhe të barabartë mes tyre, secili duhet të vihet në shërbim të të gjithëve, nën shembullin e Jezusit, sidomos ata që kanë përgjegjësi. E vetmja e vërtetë e vlefshme për të gjithë është kjo: të kryesh veprat e dashurisë! “Ejani të bekuar, kisha uri, më dhatë për të ngrënë, kisha etje, më dhatë për të pirë”. Do të gjykohemi mbi atë që kemi bërë. “Në fund të jetës do të gjykohemi në bazë të dashurisë”. 

Ungjilli na kujton: “Kush krenohet, do të përvujtërohet; e kush përvujtërohet, do të lartësohet”. Përvujtëria sot nuk është sigurisht e kërkuar nga njerëzit, por ungjilli pohon që ajo është virtyti, pas bamirësisë, që na bën të hyjmë në Mbretëri. Zoti na i fal të gjitha gabimet tona, por mungesa e përvujtërisë është pengesa më e madhe që na pengon për të realizuar një bashkim me Hyjin e me të tjerët.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. O Zot, ndërsa njohim kufinjtë tanë dhe dobësitë tona, të drejtohemi ty, që me hirin tënd të mund të të ndjekim me besnikëri të madhe dhe me gatishmërinë e shpirtit.

L. Të lutemi së bashku duke thënë: Na dëgjo, o Zot.

L. Për Papën, ipeshkvijtë dhe të gjithë klerin: që të kryejnë misionin e tyre të besuar nga Krishti, me përvujtëri dhe me një dëshmi besnike jete. Të lutemi.

L. Për ata që udhëheqin fatet e të gjithë popujve: që të dinë të luftojnë egoizmin, përfitimin personal dhe të dinë të jenë në lartësinë e duhur në detyrën që atyre u është besuar për të udhëhequr popujt drejt të mirës së përbashkët. Të lutemi.

L. Për katekistët: që të jenë udhëheqje e vëllezërve, në varësi të plotë nga Krishti, i vetmi mësues. Të lutemi.

L. Për mësuesit: që të ndihmojnë nxënësit në rritjen njerëzore dhe të jenë të hapur ndaj vlerave të vërteta. Të lutemi.

L. Për ne, këtu të pranishëm: që të njohim me përvujtëri defektet tona, që të ndjejmë nevojën për faljen e Krishtit dhe me lutjen e kthimin e vazhdueshëm ta bëjmë më të shenjtë Kishën e Zotit. Të lutemi.

M. O Zot Jezus, të vetëdijshëm që pa Ty nuk mund të bëjmë asgjë, kërkojmë ndihmën tënde, për të kryer gjithmonë vullnetin e Atit. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: