LITANITË LAURETANE: 9. STREHË E MËKATARËVE

“Falja, po të lutem, mëkatin këtij populli në saje të mëshirës sate të pakufi… Dhe Zoti i tha Moisiut: ‘Po ia fal në fjalën tënde!’” (Nr 14, 19-20), “se s’ka hije të mos ta dëgjoj kërkesën” (1 Mbr 2, 20).

“Të dëbuarit e Moabit bëj strehim te ti të gjejnë! Ji për ta strehim përballë shfaruesit! Sepse fund mori skllavëruesi, shpartallimi mori fund, nga vendi ndrydhësi u zhduk. ” (Is 16, 4).

“Në mesditë bëje si natë hijen tënde, fshehi të ikurit, mos tradhto të arratisurit.” (Is 16, 3).

“Merrni zemër, o bijtë e mi… sepse shpresa ime është në të Amshueshmin, që Ai do t’ju shpëtojë; dhe gëzim më ka ardhur nga i Shenjti, për shkak të mëshirës që do t’ju vijë nga Shpëtimtari ynë i amshuar. Sepse e keni zemëruar Hyjin, jeni dorëzuar në duart e armiqve tuaj. Sepse e keni zemëruar Atë që ju krijoi, Hyjin e amshuar… Keni harruar Hyjin që ju rriti… Merrni zemër, o bijtë e mi, dhe thirrni Zotin; sepse Ai do t’ju kujtojë… sepse ashtu si mendja juaj ishte të largoheshit nga Hyji, kështu kur të ktheheni, do ta kërkoni Atë dhjetëfish më shumë” (khs. Bar 4).

 

“Strehë e mëkatarëve.” Ah, ja një titull që ndoshta ka tërhequr më shumë se çdo tjetër pranë dhe në përqafim të Marisë. Sepse të gjithë jemi mëkatarë dhe prandaj të gjithë, herë pas here, në ikjen tonë nga kapja e shkatërruesit, ndiejmë nevojën për një vendstrehimi ku mund të pushojmë pak dhe të marrim veten nga plagët që kemi marrë; ku, gjithashtu, shpresojmë të gjejmë dikë që do të mbrojë çështjen tonë para Hyjit, hirin e të cilit e kemi shpërdoruar dhe zemërimin e drejtë të të cilit e kemi merituar.

Dhe Ai, për të cilin Kisha e Shenjtë thotë në lutjen e së Mërkurës së Përhime se “i mbyll sytë para mëkateve të njerëzve për hir të pendesës”, e nxit me dashuri Nënën e tij të bekuar në këtë vepër mëshire. Mund ta përfytyrojmë duke thënë: “Ji për ta strehim përballë shfaruesit! …”. Mjetet që ka përdorur Satani, ai shpirt krenar, princi i kësaj bote, për të lidhur viktimat e tij të mjera, nuk kanë pasur plotësisht sukses, përndryshe ata nuk do të kërkonin tani ndihmë prej teje, Nëna ime. Bëje hijen tënde si natën në mesditë; fshehi ata që ikin, që vdekja të mos i zërë para se të pajtohen me mua. Dhe mos i tradhto ata që enden.

Ah! O Zot i dashur! Ka pak nevojë për këtë urdhër të fundit. Nëna jote është vepra e duarve të tua dhe ti ke vendosur në zemrën e saj aq shumë nga shpirti yt dhe nga bujaria jote madhështore, sa që ne nuk kemi pse të kemi frikë se ajo do të tradhtojë ndonjëherë dikë që hidhet në mëshirën e saj. Jo, përkundrazi, a nuk mund të themi: “Ajo u bë për ta mbulesë freskimi e natën dritë ndriçuese yjesh”… “Ajo e ruajti prej armiqve”… I qiti gënjeshtarë ata që iu shpifën dhe ia dhuroi lavdinë e përhershme” (Ur 10). Po, ajo i fitoi hirin e pendimit, që ai të mund të vishte përsëri petkun e dasmës dhe të zinte vend ndër të ftuarit e Mbretit.

O Mari, sa shumë ke kthyer kështu në hir! Sa shumë kanë ardhur tek ti duke qarë dhe, duke u hedhur te këmbët e tua, kanë thirrur: “Unë jam ai që kam mëkatuar, kam bërë keq!” (2 Sam 24), “Mos më braktis plotësisht!” (Psalmi 118). Dhe ti ke hapur zemrën tënde për ta dhe u ke pëshpëritur fjalë të buta e ngushëlluese, duke thënë: “Biri im, jepi lavdi Zotit… rrëfehu dhe më trego çfarë ke bërë; mos e fsheh” (Joz 7). Dhe ai i penduari i varfër ka përgjigjur me përulësi: “Me të vërtetë kam mëkatuar kundër Zotit… kështu e kështu kam bërë” (Joz 7). Dhe atëherë ti ke derdhur mbi të gjithë butësinë e dashurisë sate amtare, i ke dhënë këshillë të mirë dhe e ke inkurajuar të shpresojë në mëshirën e Hyjit dhe të kthehet në rrugë më të mira.

“Mos ki frikë,” i ke thënë; “edhe pse i keni bërë të gjitha këto të këqija, mos u largoni nga Zoti, por shërbejini Zotit me gjithë zemrën tuaj!” (1 Sam 12). Nëse kthehesh te i Plotfuqishmi, do të rindërtohesh dhe do të largosh padrejtësinë… I Plotfuqishmi do të jetë kundër armiqve të tu… atëherë do të gëzohesh në Zotin dhe do të ngresh fytyrën drejt Hyjit. Do t’i lutesh Atij dhe Ai do të të dëgjojë… dhe drita do të shkëlqejë në rrugët e tua… sepse ai që është përulur do të jetë në lavdi (khs. Jb 22). Por prano padrejtësinë tënde, se ke mëkatuar kundër Zotit (khs. Jer 3).

Kështu Maria e ngushëllon mëkatarin dhe, ndërsa këmbëngul në nevojën e rrëfimit, i jep shpresën e kthimit në hirin e Hyjit, të pasurimit shpirtëror dhe të lavdisë së amshuar. Por, sa shumë janë ata që nuk vrapojnë tek ajo, dhe që ajo duhet t’i kërkojë vetë! Madje edhe atëherë nuk pranojnë gjithmonë se janë mëkatarë, prandaj ajo i fiton me butësi, duke i quajtur “të pamend” dhe duke u thënë: “Ejani”. Dalëngadalë, nëse mund t’i mbajë pranë vetes, ajo u tregon se mëkati është marrëzia më e madhe.

Të rrethuar siç jemi nga shumë rreziqe në këtë botë, le t’i drejtohemi shpesh Marisë. Nuk duhet të kemi frikë t’i afrohemi. Shën Bernardi përshkruan bukur ëmbëlsinë dhe butësinë e saj dhe e quan atë “shkalla e mëkatarëve drejt qiellit”.

Bijtë e mi të vegjël, kjo është shkalla e mëkatarëve drejt qiellit; kjo është shpresa ime më e madhe; kjo është arsyeja e plotë e shpresës sime. Sepse si mund ta refuzojë Biri i saj? A mund të mos e dëgjojë? Engjëlli i tha: “Ke gjetur hir para Hyjit.” Ajo gjithmonë do të gjejë hir tek Ai, dhe hiri është gjithçka që na duhet, sepse me hir shpëtohemi. Çfarë tjetër na duhet? Le të kërkojmë hirin përmes Marisë, sepse kush kërkon, gjen. Le të kërkojmë hirin tek Hyji, sepse ndër njerëz “favori është i rremë” (khs. Fu 31). Le të tjerët të kërkojnë merita, por ne të kërkojmë hir. Sepse “nga mëshira e Zotit nuk jemi shkatërruar” (khs. Vaj 3).

Teksti është marr nga: https://devotiontoourlady.com/meditations-on-the-litany-of-our-lady.html

Përkthimi dhe përshtatja për revistën “Drita” nga Adelina Palushi

Shpëndaje: