Veshja – pasqyrë e personalitetit, vetëvlerësimit dhe vlerave të brendshme

Nga m.Franciska (Suzana) Lekaj

 

Veshja nuk është thjesht një nevojë biologjike për të mbrojtur trupin nga kushtet e jashtme, por një formë e fuqishme dhe e heshtur e komunikimit që pasqyron identitetin, karakterin, vlerat dhe qëndrimet tona. Ajo është një gjuhë e trupit, një mënyrë për të treguar se kush jemi, pa thënë asnjë fjalë. Përmes saj, shprehim mënyrën se si e shohim dhe e vlerësojmë veten, duke reflektuar edhe gjendjen tonë emocionale dhe shpirtërore. Mënyra se si vishemi është një zgjedhje e përditshme që flet më shumë se shumë fjalë. Është një element që formon përshtypjen e parë dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndërpersonale dhe profesionale. Pra, veshja mbetet një element i rëndësishëm në jetën e individëve. Ajo është një reflektim i mënyrës se si e shohim veten dhe mund të ndikojë në mënyrën se si të tjerët na perceptojnë.

Një aspekt shumë i rëndësishëm i veshjes është lidhja e saj me personalitetin dhe vetëvlerësimin. Mënyra si vishemi flet për mënyrën si e shohim veten. Stili i veshjes, sidomos kur është i kujdesur dhe në harmoni me individualitetin, është një shprehje e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit. Ai pasqyron që një person e njeh veten, e respekton dhe nuk ka nevojë të fshihet pas maskave për të kërkuar vëmendjen apo aprovimin e të tjerëve. Në të kundërt, kur veshja diktohet nga moda ose presioni shoqëror, ajo rrezikon të shndërrohet në një mjet për të fshehur pasiguritë, duke çuar në një humbje të identitetit personal. Veshja duhet të jetë autentike, një zgjatim i brendësisë sonë, jo një mburojë që synon të kënaqë vështrimet sipërfaqësore të të tjerëve. Sepse, një veshje dinjitoze dhe e rregullt është një tregues i vetëvlerësimit. Një veshje e pastër, e rregullt dhe e përshtatshme për situatën flet shumë për edukatën dhe vetëdijen që ka një individ për veten dhe për shoqërinë. Rrobat e papastra, të grisura apo të pamenduara shpesh tregojnë një mungesë respekti ndaj vetvetes, por edhe për një shpërfillje të asaj se si ndikojmë tek të tjerët. Kur e nderon trupin tënd përmes veshjes, tregon se e nderon edhe shpirtin tënd. Një psikolog ka theksuar, “Çdo detaj i jashtëm është një pasqyrë e asaj që ndodh brenda“.

Psikologjia e veshjes, një fushë që po zhvillohet gjithnjë e më shumë, analizon mënyrën se si ndikon veshja në ndjenjat, qëndrimin dhe sjelljen tonë. Një veshje e rehatshme, që përshtatet me stilin personal, ka fuqinë të përmirësojë disponimin tonë, të rrisë vetëbesimin dhe të na ndihmojë të përballemi me sfidat e përditshme. Në të kundërt, një veshje e cila nuk përfaqëson vlerat tona, apo është e sikletshme, mund të shkaktojë ankth, veçanërisht në situata ku duhet të jemi të sigurt në vete, si intervistat për punë apo paraqitjet publike. Studimet tregojnë se kur njeriu ndjehet mirë me pamjen e jashtme, ai reflekton pozitivitet dhe krijon marrëdhënie më të shëndetshme me të tjerët.

Gjithashtu, një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i veshjes është ndikimi i saj në shëndetin tonë mendor dhe emocionale. Sigurisht, ajo që veshim ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si ndihemi dhe tregon sjellja që kemi. Të vishemi në një formë që na përshtatet dhe na bën të ndihemi të sigurt është një mënyrë për të menaxhuar emocionet dhe për të ruajtur një gjendje të qetë mendore.
Përveç ndikimit në ndjenjat dhe vetëvlerësimin tonë, veshja ndikon edhe në mënyrën si na perceptojnë të tjerët. Një person i veshur me kujdes dhe me një stil të përshtatshëm shpeshherë krijon një përshtypje të besueshmërisë dhe seriozitetit, ndërsa një veshje e papërshtatshme mund të krijojë një perceptim negativ dhe të zvogëlojë mundësinë për të pasur marrëdhënie të mira profesionale dhe personale. Pra, veshja është edhe një formë komunikimi social. Ajo tregon, pa fjalë, se kush jemi, çfarë vlerash kemi, çfarë qëndrimesh përfaqësojmë. Për këtë arsye, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për kontekstin ku ndodhemi dhe të zgjedhim me maturi mënyrën si vishemi. Një veshje për plazh nuk i përshtatet një aktiviteti zyrtar apo një ceremonie të veçantë. Kjo nuk është vetëm çështje stili, por edhe respekti për të tjerët dhe për normat që mbajnë shoqërinë të bashkuar. Veshja e përshtatshme tregon vëmendje, ndjeshmëri dhe etikë personale.

Pra,  veshja përfaqëson dinjitetin tone, është simbol i identitetit dhe tregon atë që është në zemrën e njeriut. Kërkohet kujdes që të mos bëhemi viktima të modës, sepse njeriu nuk është për modën, por moda është për njeriun. Sigurisht, se moda nuk është e keqe në vetvete, por duhet ndjekur me vetëdije dhe në harmoni me vlerat personale. Është shumë e rëndësishme të veshim atë që na përshtatet, çfarë na shkon dhe me çfarë ndihemi rehat, sepse jo gjithçka është modë dhe jo gjithkujt i shkon moda. Moda shpesh tregon se çfarë është aktualisht e njohur dhe e pëlqyer në një periudhë të caktuar. Megjithatë, është e rëndësishme të kuptojmë se moda nuk duhet të na diktojë mënyrën se si vishemi. Veshja jonë duhet të jetë një shprehje autentike e vetvetes, jo një mundësi për t’u përshtatur me rregullat e momentit. Këtu qëndron rëndësia e modestisë dhe etikës në veshje. Njerëzit shpesh gabojnë kur ndjekin modën vetëm për të qëndruar në harmoni me atë që është aktuale, por nuk është gjithmonë e nevojshme të kopjojmë stilin e të tjerëve për t’u ndier të vlerësuar.

Gjithashtu, edhe në traditën biblike, veshja merr një dimension më të thellë shpirtëror. Ajo shihet si një pasqyrim i zemrës dhe përkushtimit moral. “Stolia juaj të mos jetë e jashtme – flokë të gërshetuar, stolisje me ar, veshje petkash luksi, por mundohuni të stolisni zemrën me shpirt bukurie të palëkundshme, të butë e të ëmbël, që është e çmueshme para Hyjit“(1 Pjt 3,3-4).    “Gjithashtu, dua që gratë, të veshura si ka hije, të stolisen me turpshmëri dhe me urti, jo me gërsheta, me ar, me perla dhe me petka luksi, por me vepra të mira,  si u ka hije grave që i kushtohen përshpirtërisë” (1Tim 2,9-10). Në këto pjesë të shkëputura përmendet modestia, thjeshtësia dhe pastërtia si cilësi që duhen reflektuar në veshje. Theksohet se nuk është zbukurimi i jashtëm ai që ka vlerë, por virtyti i brendshëm. Veshja e thjeshtë është tregues i një përshpirtërie të thellë dhe i një përkushtimi ndaj vlerave dhe ndaj vetvetes.

Një veshje modeste është ajo që pasqyron respekt dhe vlerësim për trupin dhe personalitetin tonë, dhe që nuk është e dizajnuar për të tërhequr vëmendjen në mënyrë të pavend. Një grua që zgjedh të vishet modestisht, duke u kujdesur për pastrinë dhe kujdesin ndaj detajeve, ka një ndjenjë të lartë vetëvlerësimi dhe është më e qetë me veten. Kjo është një shenjë e fuqisë dhe dinjitetit të saj, sepse ajo e di se nuk ka nevojë të ekspozojë trupin për të tërhequr vëmendje.

Mirëpo, sot, në shoqërinë moderne, është bërë e zakonshme që veshja, sidomos te gjinia femërore, të humbasë ndjenjën e modestisë dhe të etikës. Mungesa e përmbajtjes dhe ekspozimi i tepërt nuk e rrisin vlerën e gruas përkundrazi, e reduktojnë atë në një objekt. Një grua që respekton trupin dhe mendjen e saj nuk do të lejojë që moda apo presioni social ta kthejë në diçka që nuk është. Ajo zgjedh të vishet me dinjitet, duke pasqyruar forcën e saj të brendshme, inteligjencën, ndjeshmërinë dhe besimin tek vetja. Sepse bukuria e vërtetë nuk qëndron në të dukshmen, por në qëndrimin që përçon përmes mënyrës si vishet dhe si sillet.

Sigurisht, kujdesi për modestinë dhe etikën në veshje është veçanërisht i rëndësishëm për shoqërinë moderne, sepse paraqitja fizike ka një ndikim të madh. Disa individë mund të ndihen të shtyrë nga mediat dhe shoqëria për të pasur një pamje të caktuar, por është e rëndësishme të mos humbasim identitetin dhe të respektojmë veten.

Pra, veshja është më shumë se pamje e jashtme ajo është një pasqyrë e personalitetit, vetëdijes dhe vlerave që mbartim brenda vetes. Ajo ndikon në mënyrën si e shohim veten dhe si na perceptojnë të tjerët, duke ndërtuar ose minuar vetëbesimin tonë. Për këtë arsye, është thelbësore që të vishemi në mënyrë autentike, në përputhje me vlerat, karakterin dhe rrethanat ku ndodhemi. Modestia dhe kujdesi në veshje nuk janë kufizime, por forma dinjitoze të vetërespektit dhe ndërgjegjësimit shoqëror. Le të vishemi për të nderuar veten  jo për të ndjekur verbërisht modën apo për të kërkuar miratimin e botës./drita.info

 

—————————-

Referanca

Carolyn Mair, The Psychology of Fashion (The Psychology of Everything), Routledge, London, 2024.

Susan B. Kaiser, Social Psychology of Clothing: Symbolic Appearances in Context, Macmillan, New York, United States, 1990.

Bethel Grove, Beyond Your Wardrobe: A Biblical Approach to Understanding Modesty, Bethel Grove Publications, Illinois, United States, 2020.

Shpëndaje: