Papa përfundon vizitën e tij apostolike në Afrikë: nisem nga Afrika me një thesar feje që pasuron shërbesën time

Në fund të Meshës së kremtuar në stadiumin e Manabos, Papa u drejton të pranishme një fjalë mirënjohjeje për udhëtimin e kryer në Afrikë, një tokë që mund të ofrojë shumë “për shenjtërinë dhe karakterin misionar të popullit të krishterë”.

 

“Largohem nga Afrika me një thesar të paçmuar feje, shprese dhe dashurie. Një thesar i madh i përbërë nga histori, fytyra dhe dëshmi të gëzuara e të vuajtura, që pasurojnë në mënyrë të jashtëzakonshme jetën time dhe shërbesën time si Pasardhës i Pjetrit”. Kështu u shpreh Papa Leoni XIV në përfundim të Meshës së kremtuar në Malabo, në Guinenë Ekuatoriale, ngjarja e fundit e udhëtimit apostolik në Afrikë.

Në spanjisht, gjuha e zemrës së misionarit Robert Prevost, Leoni XIV përshëndetet me Guinenë Ekuatoriale, ndalesa e fundit e udhëtimit të tij të tretë apostolik ndërkombëtar, duke falënderuar Zotin për këtë mundësi e dhuratë të çmueshme. Ati i Shenjtë Leoni XIV u përshëndet me Afrikën duke falënderuar “kryeipeshkvin dhe ipeshkvijtë e tjerë, meshtarët dhe të gjithë ju, popull i Zotit në ecje në këtë tokë, e cila që prej 170 vitesh mirëpret farën e mirë të Ungjillit”.

 

Thesari i paçmueshëm

Fjalë të pasuara nga duartrokitje dhe valëvitja e flamujve të vegjël të verdhë e të bardhë që kanë ngjyrosur stadiumin e Manabos. Papa Leoni falënderon edhe “autoritetet e vendit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar “për mbarëvajtjen e mirë të vizitës sime. Nisem nga Afrika me një thesar të paçmueshëm feje, shprese dhe dashurie: një thesar i përbërë nga histori, fytyra, dëshmi të gëzueshme dhe të dhimbshme që pasurojnë shumë jetën time dhe shërbesën time si Pasardhës i Pjetrit”, tha Ati i Shenjtë Leoni XIV.

 

Afrika misionare

Njerëzit e takuar, jetët e përmbledhura në letra, në gjeste, në fjalë të thëna në përshëndetje të ndryshme: një lum njerëzish që Papa ka takuar gjatë udhëtimit të tij; një thesar për Kishën universale dhe për botën. “Ashtu si në shekujt e parë të Kishës, Afrika sot është e thirrur të japë një kontribut vendimtar për shenjtërinë dhe karakterin misionar të popullit të krishterë. Ndërmjetësimit të Virgjërës Mari ia besoj, me gjithë zemër, ju të gjithë, familjet tuaja, bashkësitë tuaja, kombin tuaj dhe popujt afrikanë”.

Pak para përshëndetjes, Papa Leoni pati pranuar thesare të tjera që ofron Afrika. Para tij, gjatë Meshës, ishte një procesion ofertash, frytet e tokës, pasuria e madhe e kontinentit afrikan shpesh e fyer nga shfrytëzimi i pakontrolluar. Fryte të sjella nga populli, ato fytyra njerëzish që e kanë prekur Papën me freskinë e tyre, gëzimin, buzëqeshjen, shprehje e një populli që nuk dorëzohet kurrë përballë vështirësive dhe që lavdëron me këngë, muzikë, vallëzim dhe shpirt Zotin e jetës./Radio Vatikani

Shpëndaje: