
Nga Robert Schuman te Papa Leoni XIV
Nga Dom Mikel Sopi
Vizita e Papa Leonit XIV në Metz: shkas për reflektim
Nga 25 deri më 28 shtator 2026, Papa Leoni XIV do të vizitojë Francën. Dita e fundit e këtij udhëtimi apostolik nuk do t’i kushtohet Parisit apo institucioneve politike, por do të ketë karakter të veçantë evropian. Programi i publikuar nga Selia e Shenjtë e cilëson atë si Journée européenne – Dita Evropiane. Në qendër të saj do të jetë Metz, qyteti i lidhur ngushtë me jetën dhe veprimtarinë e Robert Schuman, njërit prej etërve themelues të projektit të bashkimit evropian.
Sot, kur kontinenti përballet me luftë në kufijtë e tij, polarizim politik, krizë demografike, pasiguri kulturore dhe zbehje të besimit në institucionet demokratike, kjo vizitë tejkalon vetë itinerarin papnor. Ajo rikthen te pyetja themelore: Mbi cilat vlera mund të ndërtohet e ardhmja e Evropës?
Në këtë kontekst, figura e Schuman fiton aktualitet të ri. Jo vetëm si burrë shteti dhe arkitekt i rendit të ri evropian, por edhe si njeri që besonte se politika, kur mbështetet mbi ndërgjegje të formuar nga e vërteta dhe përgjegjësia morale, mund të bëhet një prej formave më fisnike të shërbimit ndaj njeriut dhe shoqërisë.
Kush ishte Schuman dhe pse mbetet themelor
Sot, kur flitet për BE-në, mendja shkon zakonisht te euroja, tregu i përbashkët, institucionet dhe politikat ekonomike. Më rrallë kujtohet se ndër arkitektët kryesorë të projektit evropian ishin burra të formuar thellësisht nga tradita e krishterë: Robert Schuman, Alcide De Gasperi dhe Konrad Adenauer.
Ata nuk e përdorën fenë si slogan elektoral dhe as si instrument të pushtetit. Përkundrazi, besimi ishte pjesë e formimit të ndërgjegjes së tyre. Ishin katolikë praktikues, e ushqenin jetën shpirtërore me lutje dhe e kuptonin përgjegjësinë publike si detyrim moral përpara Hyjit dhe njeriut. Në këtë kontekst, Schuman zë një vend të veçantë.
Robert Schuman (1886-1963) lindi në Luksemburg, në familje me rrënjë franceze dhe gjermane. U formua në një hapësirë kufitare ku ndërthureshin gjuhë, kultura dhe identitete të ndryshme. Pikërisht kjo përvojë do ta ndihmonte më vonë të kuptonte se dallimet kombëtare nuk duhet domosdoshmërisht të prodhojnë përçarje, por mund të bëhen hapësirë takimi dhe bashkëpunimi.
Përvoja tragjike e dy luftërave botërore e bindi se Evropa nuk mund të vazhdonte të ndërtohej mbi logjikën e hakmarrjes dhe të ekuilibrit të frikës. Schuman pati guximin politik të mendonte atë që për shumëkënd dukej e pamundur: jo një Evropë të fituesve dhe të mundurve, por një Evropë të pajtuar.
Më 9 maj 1950, si ministër i Jashtëm i Francës, ai paraqiti deklaratën që sot mban emrin e tij. Propozimi për vendosjen e prodhimit francez dhe gjerman të qymyrit dhe çelikut nën një autoritet të përbashkët ishte shumë më tepër se një marrëveshje ekonomike. Nga ky vizion lindi Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, një nga themelet institucionale të procesit që do të çonte drejt Bashkimit Evropian.
Në thelb qëndronte një intuitë e thjeshtë, por revolucionare: popujt që lidhin interesat e tyre jetike dhe ndërtojnë së bashku e bëjnë luftën ndërmjet tyre jo vetëm të padëshirueshme, por praktikisht të paarsyeshme. Për Schuman, politika ishte kështu një formë shërbimi, ndërsa besimi nuk ishte thjesht çështje private, e izoluar nga përgjegjësia publike, por burim prej të cilit ushqehej ndërgjegjja e tij politike.
Në veprën Pour l’Europe, Schuman formuloi bindjen se: “Demokracia do të jetë e krishterë ose nuk do të jetë; një demokraci antikristiane do të jetë një karikaturë që do të fundoset ose në tirani, ose në anarki.” Ky pohim nuk duhet interpretuar si projekt për një shtet konfesional. Ai shpreh bindjen se demokracia nuk mund të mbijetojë vetëm përmes mekanizmave juridikë dhe procedurave elektorale. Ajo ka nevojë për një themel etik: dinjitetin e personit, drejtësinë, përgjegjësinë, solidaritetin dhe respektin. Nëse këto vlera humbin, demokracia rrezikon të mbetet vetëm teknikë e ushtrimit dhe shpërndarjes së pushtetit.
Në këtë kuptim, Schuman mishëron atë që tradita e mësimit shoqëror të Kishës e përshkruan si dashuri shoqërore (caritas socialis): dashuri kjo që nuk kufizohet në marrëdhëniet ndërpersonale, por shndërrohet në përgjegjësi për ndërtimin e institucioneve më të drejta. Ai nuk kërkonte triumfin mbi kundërshtarin, por pajtimin me të. Nuk e ndërtonte Evropën kundër dikujt; kërkonte të ndërtonte ura ndërmjet popujve që deri pak vite më parë kishin luftuar kundër njëri-tjetrit.
Schuman në rrugë drejt altarit
Më 19 qershor 2021, Papa Françesku njohu heroizmin e virtyteve të Robert Schuman, duke i dhënë titullin I Nderuar (Venerabilis). Për vazhdimin e procesit drejt beatifikimit kërkohet njohja e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të tij. Ky fakt mbart një domethënie që shkon përtej vetë biografisë së Schuman-it. Kisha nuk e paraqet atë si model thjesht sepse ishte një prej arkitektëve të Evropës së bashkuar, por sepse përgjegjësinë politike e jetoi në dritën e virtyteve të krishtera.
Sot, kur politika perceptohet shpesh si hapësirë e interesit, karrierës dhe pushtetit, çështja e kanonizimit të Schuman sjell një perspektivë tjetër: edhe politika, diplomacia dhe shërbimi publik mund të bëhen vende të shenjtërimit të njeriut, nëse përgjegjësia ushtrohet si shërbim ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe së mirës së përbashkët.
Leoni XIV dhe vazhdimësia e magjisterit të Kishës për Evropën
Vizita e Papa Leonit XIV në Metz nuk është vetëm homazh ndaj një figure historike. Ajo mund të lexohet brenda vazhdimësisë së reflektimit që papët kanë zhvilluar për dekada mbi identitetin, krizën dhe të ardhmen e Evropës.
Në Santiago de Compostela, më 1982, Shën Gjon Pali II i drejtoi kontinentit thirrjen e famshme: “Evropë, gjeje përsëri vetveten! Ji vetvetja!” Benedikti XVI paralajmëroi vazhdimisht për rrezikun e një lloj amnezie historike, në të cilën Evropa harron burimet kulturore dhe shpirtërore që e kanë formësuar. Papa Françesku, duke iu drejtuar Parlamentit Evropian në Strasburg më 2014, kujtoi se projekti evropian nuk mund të reduktohet në ekonomi, burokraci dhe tregje, por duhet ta vendosë përsëri personin njerëzor në qendër.
Në këtë vazhdimësi, vizita e Leonit XIV në qytetin e Schuman mund të shihet si një kapitull i ri i të njëjtit reflektim magjisterial. Ajo kujton se projekti evropian nuk lindi vetëm nga interesa ekonomike. Në themelin e tij qëndronte edhe një vizion etik: bindja se paqja nuk është vetëm mungesë lufte, por fryt i drejtësisë, bashkëpunimit, solidaritetit dhe pajtimit.
Edhe emri papnor Leoni XIV evokon një traditë të rëndësishme të mësimit shoqëror të Kishës, veçanërisht Leonin XIII dhe enciklikën Rerum Novarum të vitit 1891, dokument që shënoi një etapë themelore në zhvillimin modern të doktrinës shoqërore katolike. Ndërkohë, edhe një përkim simbolik meriton të përmendet: emri i pagëzimit i Papës aktual është Robert. Pa i dhënë kësaj rastësie një kuptim që nuk e ka, ajo mbetet një lidhje e bukur simbolike: një Robert në krye të Kishës dhe një Robert ndër etërit e Evropës së bashkuar.
Rëndësia për Ballkanin dhe për shqiptarët
Fjala politikë, sidomos në hapësirat tona lidhet gjithnjë e më shpesh me fushata elektorale, korrupsion, privilegje dhe interesa personale. Besimi në politikë është zbehur deri në atë pikë sa është bërë e vështirë ta përfytyrojmë politikanin edhe si njeri të integritetit moral. Për këtë arsye, për shoqëritë e Ballkanit reflektimi mbi Schuman nuk është vetëm histori. Ne vazhdimisht po flasim për Evropën: për integrimin, fondet, standardet, reformat, legjislacionin dhe kapitujt negociues. Të gjitha këto janë të rëndësishme. Por shumë më rrallë shtrohet pyetja për kulturën morale dhe politike që e bëri të mundur Evropën e pasluftës.
Evropa nuk u ndërtua vetëm mbi traktate. Ajo u ndërtua edhe mbi njerëz me karakter; mbi politikanë që e kuptonin pushtetin si përgjegjësi; mbi burra e gra të aftë ta vendosnin të mirën e përbashkët mbi interesin personal dhe ta shihnin kundërshtarin jo domosdoshmërisht si armik për t’u eliminuar, por si bashkëbisedues me të cilin duhej kërkuar një rrugë e përbashkët.
Prandaj, integrimi evropian nuk mund të matet vetëm me hapjen e kapitujve negociues, me fondet e përfituara apo me përafrimin formal të legjislacionit. Ai kërkon edhe formimin e ndërgjegjes, respektin për dinjitetin e çdo personi, kulturën e dialogut, përgjegjësinë morale dhe aftësinë për ta vendosur të mirën e përbashkët mbi interesin individual apo partiak.
Ne mund t’i përshtatim ligjet pa e ndryshuar kulturën politike. Mund t’i ndërtojmë institucionet pa ndërtuar besimin. Mund t’i përmbushim standardet formale, ndërsa vazhdojmë ta kuptojmë pushtetin si privilegj dhe jo si shërbim. Këtu qëndron një prej sfidave më serioze të shoqërive tona: asnjë reformë nuk mund ta zëvendësojë karakterin; asnjë ligj nuk mund ta kompensojë mungesën e ndërgjegjes; asnjë institucion nuk mund të funksionojë gjatë nëse njerëzit që e drejtojnë nuk jetojnë sipas vlerave që vetë i shpallin.
Në këtë kuptim, kriza e politikës bashkëkohore nuk është vetëm krizë programesh apo institucionesh. Ajo është, para së gjithash, krizë besueshmërie: mungesë njerëzish të gatshëm jo vetëm të premtojnë vlera, por t’i mishërojnë ato në mënyrën se si jetojnë, vendosin dhe ushtrojnë pushtetin. Pikërisht këtu Schuman mbetet jashtëzakonisht aktual edhe për Ballkanin dhe për shqiptarët: Evropës mund t’i afrohemi me ligje dhe reforma; por evropianë, në kuptimin më të thellë, bëhemi vetëm kur ndërtojmë edhe kulturën morale që u jep kuptim atyre.
Evropa përballë vetvetes
Vizita e Papa Leonit XIV në Metz para së gjithash është një mundësi për ta rilexuar Evropën duke u kthyer te burimet e saj më të thella. Duke u ndalur në vendet e lidhura me Robert Schuman, Papa rikthen në vëmendje një vizion të politikës në të cilin liria nuk ndahet nga përgjegjësia, pushteti nga shërbimi, demokracia nga ndërgjegjja dhe paqja nga pajtimi.
Kthimi te Schuman nuk është nostalgji, por pyetje për të ardhmen. Përtej figurës së njërit prej arkitektëve të integrimit evropian, ai mbetet dëshmitar i një politike që buron nga ndërgjegjja, besimi dhe përgjegjësia morale. Fakti që Kisha e ka shpallur të Nderuar nuk është dekoratë për karrierën e tij politike, por pohim se edhe jeta publike mund të bëhet rrugë virtyti dhe shenjtërie.
Sfida më e madhe e Evropës sot nuk është vetëm të mbetet e bashkuar, e fuqishme dhe konkurruese, por të dijë përsëri përse dëshiron të jetë e bashkuar dhe cilin njeri dëshiron ta mbrojë. Nëse Schuman kërkoi ta ngrinte Evropën nga rrënojat e luftës, Leoni XIV e fton atë të ruhet nga një rrezik tjetër: të ketë gjithçka që i nevojitet për të funksionuar, por të harrojë atë që i nevojitet për të pasur kuptim.
Prandaj, qyteti Metz i shtatorit 2026 është më shumë se një ndalesë në një udhëtim papnor dhe më shumë se një lajm kishtar. Është ftesë që Evropa, përballë vetvetes, të rizbulojë jo vetëm rrënjët e saj, por edhe shpirtin që mund t’i japë drejtim së ardhmes.
Referencat
- Robert Schuman, Für Europa, Nagel, Hamburg-Genf-Paris, 1963 [botimi gjerman i Pour l’Europe].
- Papa Leoni XIII, Enciklika Rerum Novarum, 15.05.1891.
- Gjon Pali II, Atto europeistico a Santiago de Compostela, 9.11.1982.
- Papa Benedikti XVI, Ansprache an die Vertreter aus der Welt der Kultur im Collège des Bernardins, Paris, 12.09.2008.
- Papa Françesku, Discorso al Parlamento Europeo, Strasburgo, 25.11.2014.
- Dikasteri per Çështjet e Shenjtërve (Dicastero delle Cause dei Santi), Decreto sulle virtù eroiche del Servo di Dio Robert Schuman, 19.06.2021; shih edhe Bollettino della Sala Stampa della Santa Sede, nr. 0395, 19.06.2021.

Postimi i Mëparshëm
