KRIPTOKATOLIKËT E KARADAKUT NË PRAG TË TANZIMATIT: Letra e Jakë Mazrekut (Giacomo Masarechit), 10 janar 1836

Përkthim në gegnishten e sotme dhe analizë historike

 

Nga Zef Noka

 

Studimi i një dokumenti të tillë, si letra në fjalë,[1] kërkon që dëshmia e autorit të lexohet njëkohësisht si burim i kohës së vet dhe si pjesë e një historie ma të gjatë. Letra e Jakë Mazrekut (Giacomo Masarechi)[2] e 10 janarit (kallnorit) 1836 ka vlerë pikërisht sepse na jep një pamje konkrete të kriptokatolicizmit në Karadak para Tanzimatit: jo vetëm si dukuri fetare, por si realitet familjar, shoqnor dhe pastoral, i lidhun me katunde, numra familjesh, largësi, sakramente dhe me dëshirën për me e dëshmue fenë haptas.

Kriptokatolicizmi ndër shqiptarë ishte dukuri shumë ma e hershme se ngjarjet e Stubllës të viteve 1845–1846. Hulumtuesi Albert Ramaj[3]  e përshkruen atë si një formë të jetës së dyfishtë fetare, ku individë ose familje para autoriteteve paraqiteshin si myslimanë, ndërsa në rrethin familjar vazhdonin me ruejtë besimin e krishtenë, emnin e krishtenë dhe lidhjen me sakramentet e Kishës. Kjo e vendos dëshminë e Mazrekut jo në fillimin e fenomenit, por në një fazë të dokumentueshme të vazhdimësisë së tij në Kosovë dhe në trevat e Argjipeshkvisë së Shkupit.

Edhe hierarkia kishtare ishte marrë me këtë çashtje shumë kohë para vitit 1836. Ramaj kujton trajtimin e kriptokatolicizmit në Koncilin shqiptar të vitit 1703, enciklikat e Benediktit XIV të viteve 1744 dhe 1754, si dhe dekretin e Kongregatës Propaganda Fide të 19 shkurtit 1774; sipas tij, këto dokumente lidhen në mënyrë të veçantë edhe me laramanët e territoreve të sotme të Kosovës dhe Maqedonisë. Kështu, letra e Mazrekut duhet lexue si një hallkë konkrete lokale brenda një problemi që prej kohësh ishte i njohun edhe në nivelet ma të nalta kishtare.[4]

Pozita kronologjike e dokumentit, letrës, asht veçanërisht domethanëse. Mazreku shkruen më 1836, tri vjet para Hatt-ı Şerifit të Gülhanes dhe afërsisht një dekadë para përballjes së hapun të laramanëve të Karadakut me strukturat sidomos lokale shqiptare të shtetit osman. Kjo nuk do të thotë se letra e vitit 1836 e parashikon apo ma mirë me than e parandjenë krizën, por se ajo na lejon me pa disa prej tensioneve që ekzistonin para saj.

Në këtë pikë merr randësi të veçantë fjala “palesemente” në letër, e cila do me thanë haptas, publikisht, që Mazreku përdor për dëshirën e familjeve me e dëshmue fenë e tyne. Kur kjo dëshmi krahasohet me zhvillimet e viteve 1845–1848, del një vijë historike që meriton vëmendje: prej dëshirës së dokumentueme për dalje nga fshehtësia më 1836 te përpjekja konkrete për deklarim publik dhe pasojat e saj disa vjet ma vonë.  Pikërisht për këtë arsye, ky punim e merr letrën e Mazrekut si burimin qendror.

 

I. Letra e Giacomo Masarechit në gegnishten e sotme

 

Pra, shumë i dashtuni im Zotni Don Pietro

Letra e Zotnisë Sue, shumë e dobishme dhe e çmueshme, e datës 10 dhjetor 1835, m’u dorëzue kur gjindesha në Shkup. E kam kuptue krejt përmbajtjen e saj dhe ajo ma ngushëlloi shpirtin aq shumë, sa plot gëzim këndova Te Deum-in.

Këtë e bana, në të vërtetë, për dy arsye: së pari, sepse e pashë veten të nderuem, për herë të parë në jetën teme, me shkrimin tuej fisnik; së dyti, sepse shoh se ju, ashtu siç don dhe urdhënon Zoti, jeni plot me zell hyjnor, me dashni të sinqertë dhe me zjarr të krishtenë për këto anë.

Tashma janë 26 vjet që gjindem në këtë famulli të Cernagorës, ku baj një jetë gati si eremit. Këtu kam gjetë 80 familje të fshehta, të cilat gjithmonë i kanë kërkue dhe vazhdojnë me i kërkue sakramentet e shenjta të fesë së Jezu Krishtit. Ato nuk janë shkëputë prej fesë në asnjë mënyrë dhe natë e ditë nuk pushojnë së lutuni Zotit që t’ua japë hirin, që një ditë të munden me e dëshmue haptas fenë e tyne të shenjtë.

Ato e dinë mirë se me e mbajtë fenë e Jezu Krishtit vetëm fshehtas nuk asht gjendje e mirë, as e përshtatshme dhe as e dobishme për shpirtin. E po i lamë këtu pa përmendë dëmet, frikën, robninë dhe të këqijat tjera që u kanosen.

Këta njerëz e kanë ndërrue emnin e krishtenë, që asht shenja e fesë, dhe janë detyrue me iu përshtatë ligjeve, zakoneve dhe mënyrës së jetesës së të tjerëve. Megjithatë, kur mendojnë për mundësinë që një ditë ta dëshmojnë fenë haptas, mbushen me trishtim dhe me lot në sy, sepse pengesa kryesore asht frika prej qeverisë dhe tiranisë së saj.

Në të vërtetë, i dashtuni im Don Pietro, sunduesit tanë janë despotikë, armiq të mëdhenj të Kryqit e të krishtenimit dhe tiranë të egër. Prandaj, për me i shpëtue këto familje, nevojitet një krah i fortë dhe një fuqi që mundet me i marrë nën mbrojtje.

Krerëve të këtyne familjeve ua kam tregue letrën e Zotnisë Sue. Ata janë gëzue aq shumë, sa të gjithë me një gojë kanë premtue me ju bekue. Njëkohësisht ju luten që të bani për ta veprën ma të mirë që mundeni, në mënyrën ma të mençme dhe ma të përshtatshme, veçse kjo të bahet pa u shkaktue asnjë dam atyne dhe familjeve të tyne të vorfna.

Këto 80 familje, për të cilat fola, gjinden në krahinën e Moravës, nën qeveritarin e Gjilanit, dhe janë të shpërndame në disa katunde:

    • 33 familje në Stubëll, rreth gjysmë ore larg famullisë teme të Zarnagorës;
    • 6 familje në Binçë, rreth dy orë larg;
    • 1 familje në Podgornj/Potgorc, rreth gjysmë ore;
    • 5 familje në Stançiq, rreth dy orë;
    • 5 familje në Dunav, rreth dy orë e gjysmë;
    • 1 familje në Subë (Zubaj), rreth tri orë;
    • 12 familje në Sefer, rreth tri orë;
    • 15 familje në Depce, rreth tri orë larg.

Ka edhe rreth 200 shtëpi ose familje të Karadakut, të cilat dikur e kanë pasë fenë katolike. Mirëpo, me kalimin e kohës, për shkak të mungesës dhe mospranisë së misionarëve apostolikë, ato janë largue prej saj.

Por, sikur këto 80 familje të përmenduna të mundeshin me e dëshmue fenë e tyne haptas, me ndihmën e dikujt dhe pa pësue dam, atëherë këto familje do të mund t’i tërhiqnin edhe ato 200 familje drejt fesë.

Sepse edhe në ato 200 familje ka mbetë ende njëfarë drite e fesë së vjetër. Ato vazhdojnë me ndezë qirinj për nder të shenjtnive dhe në festat e Shën Kollit, Shën Gjergjit, Shën Mhillit, Shën Rokut, Shën Gregorit Nazianzen, Shën Anës, si dhe në festën e Të Ngjitunit të Zojës së Bekueme në Qiell dhe të Lindjes së Zojës së Bekueme, e në festa tjera. Në ditët e këtyne shenjtnive shtrojnë edhe sofra e dreka të pasuna ndërmjet veti.

Meqë Zotnia Jue më pyetni nëse udhëheqësit tanë janë angazhue ndonjëherë për çashtjen e këtyne familjeve, nuk e di dhe nuk mundem me dhanë një përgjigje të sigurt. Për të ndjerin Imzot Mateo Mazreku (Matteo Masarech) e di se shkonte ndër këto familje, i nxiste dhe i forconte në të vërtetën e fesë. Pasardhësi i tij, Imzot Mateo Krasniqi (Matteo Crasnichi), mbajti një qëndrim shumë ma neutral.

Në pothuejse çdo famulli gjinden familje të tilla të fshehta: në famullinë e rezidencës së Prizrenit, në famullinë e Gjakovës, në atë të Pejës dhe të Janjevës.

Famullia e Janjevës asht rreth tetë orë larg prej famullisë teme të Carnagorës; Prizreni rreth pesëmbëdhjetë orë; Gjakova rreth njëzet e dy orë dhe Peja rreth njëzet e shtatë orë.

Për këtë arsye, unë nuk mundem me përshkrue me saktësi as numrin, as gjendjen, as rrethanat e këtyne familjeve në famullitë e përmenduna. Për këto duhet me dhanë dëshmi secili famullitar për famullinë e vet.

Pra, shumë i dashtuni im Zotni Don Pietro, më lejoni edhe dy fjalë ngushëllimi. Imzot Francesco Benigno duhet ta marrë me zemër një vepër kaq të madhe, kaq të devotshme dhe kaq fisnike: me çue drejt shpëtimit mijëra shpirta dhe me i nxjerrë prej hijes së djallit e prej rrezikut të humbjes.

Kjo asht një vepër apostolike dhe shpërblimi i saj asht në qiell. Me ndihmën e Zotit, nëse doni, mundet me u çue përpara drejt një përfundimi të mirë.

Jam shumë i detyruem ndaj Zotnisë Sue dhe ju mbetem gjithmonë besnik.

Letnicë, më 10 kallnor 1836

M’i bani të fala prej meje Imzot Francesco Benignos, të cilit, si shërbëtor i përvujtë, ia puthi skajin e petkut dhe kambët.

Shërbëtori dhe miku juej, ma i përvujtë, ma i devotshëm dhe ma i dashtun,

Jakë Mazreku

Famullitar i Carnagorës

 

II. Letra në kontekstin e kohës dhe rrethanave

1.      Dokumenti në kohën e vet

Për leximin e dokumentit duhet dallue kriptokatolicizmi prej sinkretizmit fetar ose prej huazimit të zakoneve ndërmjet bashkësive. Te 80 familjet e Mazrekut kemi, sipas vetë letrës, kërkim të sakramenteve dhe dëshirë për deklarim publik; te rrethi tjetër prej rreth 200 familjesh lidhja me fenë e vjetër paraqitet ma e dobët dhe ruhet kryesisht në rite, festa e kujtesë. Ky dallim do të ndiqet edhe në analizën e mëposhtme.

Letra e 10 janar 1836 i përket viteve të fundit para Tanzimatit. Në këtë rend shoqnor e juridik, përkatësia fetare kishte pasoja që shkonin përtej jetës shpirtërore. Pikërisht në këtë kuadër duhet kuptue gjendja që Mazreku përshkruen: familje që në jetën publike paraqiteshin ndryshe, ndërsa në rrethin familjar vazhdonin me ruejtë lidhjen me katolicizmin dhe me klerin.

 

2. Randësia e datës 1836

Njëkohësisht, 1836 nuk duhet marrë si pikënisje e kësaj historie. Burimet kishtare të përmenduna ma sipër tregojnë se kriptokatolicizmi kishte një histori ma të gjatë. Prandaj letra e Mazrekut ka vlerë si hallkë dokumentare ndërmjet kësaj historie të hershme dhe daljes së hapun të çashtjes së Karadakut në vitet 1840.

Viti 1836 ka randësi sepse dokumenton bashkësitë e Karadakut para krizës së viteve 1845–1846. Familjet që ma vonë dalin haptas si katolike nuk shfaqen papritmas në burimet e mesit të viteve 1840: së paku sipas Mazrekut, ato njiheshin prej klerit dhe ishin pjesë e rrjetit pastoral katolik, edhe pse jo përherë me vëmendjen e mjaftueshme,  qysh në vitin 1836. Një element që ia shton dukshëm peshën burimore kësaj letre asht vetë pohimi i Jakë Mazrekut se, në kohën kur po shkruente më 10 janar 1836, kishte 26 vjet që shërbente në famullinë e Cernagorës (Carnagorës).[5] Kjo do të thotë se prania dhe veprimtaria e tij baritore në këtë trevë shkon afërsisht deri rreth vitit 1810.[6]

Ky fakt asht me randësi për vlerësimin e informatave që ai jep. Mazreku nuk po përshkruente një trevë që e kishte njohë rishtas dhe as një gjendje të vërejtun gjatë një vizite të shkurtë. Në vitin 1836 ai fliste prej përvojës së një kleriku që kishte jetue dhe veprue në të njëjtën hapësinë për ma shumë se një çerek shekulli. Për rrjedhojë, kishte pasë mundësi me i njohë nga afër katundet, familjet, marrëdhëniet ndërmjet tyne, praktikat fetare dhe ndryshimet që kishin ndodhë gjatë kësaj periudhe.

 

3. 80 familje të fshehta

Mazreku flet shprehimisht në letrën e tij për “80 famiglie occulte” – pra, “80 familje të fshehta”. Randësia e këtij formulimi qëndron në faktin se ai nuk përshkruen individë të veçuem që ruenin zakone ose praktika të krishtena, por flet për familje, të lokalizueme në disa katunde dhe të identifikueshme prej tij si pjesë e këtij realiteti të fshehtë katolik.

Dokumenti nuk na jep një numër të saktë të personave që përfshiheshin në këto 80 familje. Prandaj, vetëm mbi bazën e kësaj letre, nuk mund të përcaktohet me siguri numri i përgjithshëm i tyne. Megjithatë, termi “familje” ka randësi të veçantë për vlerësimin e përmasave të dukurisë. Duke pasë parasysh strukturën tradicionale familjare dhe praninë e familjeve të zgjerueme në shoqninë shqiptare të kësaj periudhe, 80 familje mund të kenë përfaqësue një numër dukshëm të madh individësh.

Pikërisht për këtë arsye, shifra 80 duhet lexue si numër njësish familjare. Nëse këto kanë qenë familje të mëdha, siç ishte e zakonshme në shumë bashkësi rurale shqiptare të kohës, numri real i njerëzve të përfshimë mund të ketë qenë disa herë ma i madh se numri i familjeve. Megjithatë, pa të dhana demografike plotësuese, çdo përllogaritje numerike duhet trajtue vetëm si vlerësim dhe jo si fakt i dokumentuem.

Edhe ma domethanës asht fakti se Mazreku i paraqet këto familje si një bashkësi që mund të identifikohej dhe të lokalizohej gjeografikisht. Kjo e forcon përshtypjen se në vitin 1836 nuk kemi të bajmë me raste të izolueme të ruajtjes së fshehtë të besimit katolik, por me një dukuri familjare dhe bashkësi të caktueme, të cilat famullitari i njihte dhe i përfshinte në përshkrimin e tij, por, fliste se raste të tilla kishte edhe në famullitë tjera t`Kosovës, por nuk kishte të dhëna.

 

4. Feja publike dhe feja private

Një prej fjalëve kyçe të letrës asht fjala italiane “palesemente”, e cila domethanë “haptas”, “botnisht” ose “publikisht”. Ky formulim ka randësi të veçantë, sepse nxjerr në pah tensionin ndërmjet identitetit fetar publik dhe besimit të ruejtun në jetën private e familjare.

Sipas dëshmisë së Mazrekut, këto familje nuk mjaftoheshin vetëm me ruejtjen e fshehtë të lidhjes së tyne me katolicizmin. Ato kërkonin sakramentet e Kishës katolike dhe, çka asht edhe ma domethanëse, shprehnin dëshirën që fenë e tyne ta dëshmonin “palesemente” – haptas.

Kjo e ndryshon ndjeshëm mënyrën se si duhet lexue dokumenti. Këtu nuk kemi të bajmë vetëm me mbijetesën pasive të disa zakoneve të krishtena në rrethin familjar, por, së paku sipas Mazrekut, me njerëz që e njihnin veten si të lidhun me fenë katolike dhe që dëshironin me e kapërcye ndamjen ndërmjet asaj që besonin privatisht dhe asaj që mund ta deklaronin publikisht.

Në këtë kuptim, fjala “palesemente” mund të shihet si një prej çelësave interpretues të krejt letrës së vitit 1836. Ajo dokumenton një dëshirë për dalje prej fshehtësisë dhe për një përputhje ndërmjet identitetit fetar privat dhe atij publik. Pikërisht kjo e ban dëshminë edhe ma domethanëse kur lexohet në dritën e zhvillimeve të viteve 1845–1846, kur çështja e deklarimit të hapun të fesë do të merrte përmasa shumë ma të randa.

 

5. “200 familjet e Karadakut” dhe gjurmët e besimit të vjetër

Përveç 80 familjeve të fshehta, Mazreku përmend edhe rreth 200 shtëpi ose familje në rajonin e Karadakut, të cilat, sipas tij, kishin qenë dikur të besimit katolik dhe vazhdonin me ruejtë disa rite e festa të traditës së krishtenë. Ndër to ai përmend kremtimin ose kujtimin e festave të Shën Kollit, Shën Gjergjit, Shën Mhillit, Shën Rokut, Shën Gregorit Nazianzen, Shën Anës, si dhe të festave kushtue Zojës së Bekueme.

Dëshmia e Mazrekut len me kuptue se te këto familje lidhja me katolicizmin ishte dobësue dhe se ato, sipas këndvështrimit të tij, po largoheshin gjithnjë e ma shumë prej fesë së të parëve. Megjithatë, kjo shkëputje nuk duket se kishte qenë e plotë. Në jetën dhe kujtesën e tyne vazhdonin me mbijetue rite, festa dhe zakone që Mazreku i lidhte me të kaluemen e tyne katolike.

Në një kuptim figurativ, mund të thuhet se “qiri i besimit të vjetër” ende nuk ishte shue krejt. Ai vazhdonte me u “ndezë” në disa prej këtyne familjeve, tashma jo domosdoshmërisht si shprehje e një jete të plotë sakramentale katolike, por si kujtesë, traditë familjare dhe zakon i trashëguem që nuk ishte harrue.

Vetë letra na paraqet kështu së paku dy shkallë të ndryshme të lidhjes me katolicizmin. Në njanën anë qëndrojnë 80 familjet e përshkrueme si katolike të fshehta, të cilat kërkonin sakramentet dhe, sipas Mazrekut, dëshironin me e dëshmue fenë e tyne haptas. Në anën tjetër qëndron një rreth shumë ma i gjanë, prej afërsisht 200 familjesh, te të cilat lidhja institucionale me katolicizmin dukej ma e dobët, por ku vazhdonin me u ruejtë elemente të kujtesës dhe praktikave të krishtena.

Ky dallim asht me randësi për interpretimin historik të dokumentit. Ai tregon se kufijtë ndërmjet përkatësisë katolike, kriptokatolicizmit, islamizimit dhe ruajtjes së zakoneve të vjetra nuk ishin domosdoshmërisht të prerë. Përkundrazi, sipas letrës, Mazreku na paraqet një shtrirje të lidhjeve me fenë e vjetër, prej familjeve që vazhdonin me kërkue sakramentet katolike deri te ato ku prej saj kishin mbetë kryesisht festa, rite dhe kujtime të trashëgueme.

 

6. Gjuha e frikës dhe kufijtë e burimit

Këtu fiton peshë edhe çashtja e një efekti ma të gjanë. Vetë Mazreku shkruen se, po të mundeshin 80 familjet me e dëshmue fenë haptas pa pësue dam, ato mund t’i tërhiqnin drejt fesë edhe rreth 200 familjet e tjera. Literatura e mëvonshme e lidh po ashtu reagimin ndaj deklarimit publik me frikën se shembulli mund të përhapej ndër laramanë të tjerë. Kjo përputhje asht domethanëse, sepse, sidomos autoritetet shqiptare lokale osmane, tregojnë një agresivitet shqetësues.

Zhvillimet e viteve 1845–1848 tregojnë se frika prej pasojave të deklarimit publik kishte bazë reale. Megjithatë, nuk mund të thuhet se Mazreku e kishte “parashikue” përndjekjen. Ma saktë, letra dokumenton një tension tashma të dukshëm: dëshirën për me dalë prej fshehtësisë dhe frikën se një hap i tillë mund të sillte pasoja të randa.

Gjuha e Mazrekut ndaj autoriteteve asht e fortë dhe e ngarkueme me ndjenjë rreziku. Ajo dëshmon brengën e një famullitari që kërkonte mbrojtje për bashkësinë e vet. Vlera e saj qëndron pikërisht në faktin se na tregon se çka shihte Mazreku si rrezik dhe sa seriozisht e perceptonte gjendjen më 1836.

 

7. Stublla në qendër të listës

Viti 1836 tregon se, gati një dekadë para internimit, në Stubëll ekzistonte një bashkësi e konsiderueshme që Mazreku e njihte si pjesë të katolicizmit të fshehtë. Dokumenti nuk e paracakton krizën e ma vonshme, por e vendos Stubllën në një vazhdimësi të dokumentueshme: para përndjekjes, bashkësia ishte tashma e identifikueshme, e lidhun me klerin dhe e përfshime në dëshirën për deklarim publik.

Në listën e Mazrekut, Stublla paraqitet me numrin ma të madh: 33 familje. Ky fakt merr peshë të veçantë kur krahasohet me zhvillimet e viteve 1845–1848, kur Stublla u ba nji prej qendrave kryesore të përndjekjes së katolikëve që kërkuen me e dëshmue haptas përkatësinë e tyne fetare. Banorët e saj përjetuen nji dramë të randë, e cila u ngulit thellë në kujtesën kolektive dhe vazhdon me u ruejtë ndër breza deri në ditët e sotme. Dhimbja bahet edhe ma e madhe kur dihet se në përndjekjen e tyne morën pjesë edhe pushtetarë lokalë shqiptarë të administratës osmane, të cilët ndërmorën masa përndjekëse dhe dëbimin e banorëve nga vendlindja e tyne, vetëm pse kishin vendosë me e deklarue haptas besimin e krishterë.

 

8. Disa vrojtime tjera

Një hollësi metodologjike duhet ruejtë në çdo botim kritik të këtij dokumenti. Masarechi flet për gjithsej 80 familje, ndërsa shuma e shifrave që lexohen në listë jep 78 familje (33 + 6 + 1 + 5 + 5 + 1 + 12 + 15 = 78). Kjo mospërputhje nuk duhet korrigjue në heshtje. Mund të kemi të bajmë me një gabim aritmetik të autorit, me një pasaktësi gjatë hartimit të raportit, ose me një problem paleografik në leximin e njanës prej shifrave. Derisa të sqarohet përmes një rileximi të dorëshkrimit, të dyja të dhanat duhen ruejtë dhe shënue në mënyrë transparente.

Edhe shënimet e Masarechit për largësitë – “gjysmë ore”, “dy orë”, “tri orë” – kërkojnë kujdes në interpretim. Këto janë para së gjithash kohë udhëtimi në kushtet e gjysmës së parë të shekullit XIX, të përshkueme zakonisht në kambë ose me kafshë transporti, si kali apo gomari, dhe të ndikueme prej terrenit, shtigjeve dhe kushteve të udhëtimit.

Për këtë arsye, shënimet e largësive kanë edhe një vlerë tjetër burimore: ato na ndihmojnë me rindërtue rrezen praktike të veprimtarisë së famullitarit. Lista e Mazrekut mund të lexohet kështu jo vetëm si regjistër familjesh dhe katundesh, por edhe si një lloj harte të rrjetit pastoral të Cernagorës – Letnicës së sotme – dhe të hapësinës përreth saj.

Një çashtje tjetër që del prej letrës asht mënyra se si Mazreku e mendon mbrojtjen e këtyne familjeve. Ai nuk flet në gjuhën e barazisë moderne qytetare, por kërkon një “krah të fortë” dhe një fuqi që mund t’i marrë nën mbrojtje. Kjo formulë duhet kuptue në kulturën politike e kishtare të kohës dhe hap pyetjen për rolin e strukturave katolike dhe të mbrojtjes diplomatike europiane.

 

  1. Përfundim

Përdorimi shkencor i dokumentit kërkon me ruejtë dallimin ndërmjet asaj që Mazreku dëshmon drejtpërdrejt, mënyrës se si ai si klerik e interpreton realitetin dhe përfundimeve që historiani mund të nxjerrë përmes krahasimit. Pikërisht ky dallim ia ruen letrës vlerën burimore dhe njëkohësisht e lejon me u vendosë në historinë ma të gjatë të kriptokatolicizmit dhe të Stubllës.

Për Stubllën, 33 familjet e regjistrueme më 1836 e vendosin bashkësinë qartësisht në hartën e kriptokatolicizmit para ngjarjeve të viteve 1845–1848. Kjo e ban letrën një hallkë të randësishme në parahistorinë dokumentare të krizës: jo një parashikim të saj, por një dëshmi se disa prej kushteve dhe tensioneve që do të shfaqeshin ma vonë ishin tashma të pranishme.

Letra e Jakë Mazrekut e 10 janarit 1836 asht nji dëshmi e hershme dhe e pasun me të dhana për jetën fetare të Karadakut para Tanzimatit. Ajo jep numrin e familjeve, emnat e katundeve, largësitë ndërmjet tyne, praktikat fetare, marrëdhaniet me klerin dhe, mbi të gjitha, dokumenton tensionin ndërmjet besimit të ruejtun në fshehtësi dhe dëshirës për me e dëshmue atë haptas. Njikohësisht, kjo letër përban nji hallkë të randësishme për me kuptue historinë e këtyne bashkësive përpara vendimit të tyne për me e deklarue publikisht përkatësinë fetare, në rrethanat e reja juridike dhe politike që u krijuen me reformat e Tanzimatit. Megjithatë, këto reforma nuk sollën menjëherë nji liri të plotë të deklarimit fetar. Në këtë proces vërehet edhe qëndrimi armiqësor dhe veprimtaria përndjekëse e disa përfaqësuesve shqiptarë të administratës lokale osmane ndaj këtyne banorëve. Pasojat e këtyne ngjarjeve nuk mbetën të kufizueme vetëm në kohën kur ndodhën, por lanë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të bashkësisë, të cilat ruhen deri në ditët e sotme./drita.info

 

———————————–

[1] Letra e Giacomo Masarechit (Jakë Mazrekut), e datës 10 janar 1836, na asht dhanë në dispozicion prej Albert Ramajt. Ajo mundet me u gjetë edhe nën këtë signaturë: Letër e priftit të Cernagorës të Arqipeshkvisë së Shkupit drejtuar Misionit Françeskan në Shkodër, mbi rrezikun që paraqitej për të kaluar nga feja katolike në atë myslimane të një numri fshatarësh të atyre anëve, në qoftë se nuk merreshin masat përkatëse, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), Fondet e Klerit, F. 133, Urdhni Françeskan, D. 54, 10.01.1836.

[2] Në burimet historike hasen forma të ndryshme të mbiemnit Masarechi/Massarechi/Maserechi.

[3] Albert Ramaj, “Laramanizmi apo kriptokrishtenizmi tek shqiptarët – përkatësisht në Kosovë në shek. XIX e XX”, në Poeta nascitur, historicus fit – ad honorem Zef Mirdita, 2013, f. 549.

[4] Ramaj, “Laramanizmi apo kriptokrishtenizmi tek shqiptarët”, f. 550.

[5]  Giacomo Masarechi (Jakë Mazreku), letër e 10 kallnorit 1836: “Tashma janë 26 vjet që gjindem në këtë famulli të Zarnagorës…”.

[6] Jakë Mazreku (Jacobus/Jakob Mazarek, Giacomo Massarech, rreth 1769–pas 1836), meshtar katolik nga Janjeva, ishte stërnip i kryeipeshkvit të Shkupit, Matej Mazarek (1758–1808). Më 2 gusht 1784 hyri në Kolegjin Ilirik të Loretos në Itali, ku studioi gramatikë, filozofi dhe teologji. Më 1793 dokumentohet si student i teologjisë. Pas shugurimit meshtarak, më 1809 përmendet ndër klerikët e Kryedioqezës së Shkupit, ndërsa më 1819 dëshmohet si famullitar. Në letrën e 10 janarit 1836, Giacomo Massarech pohon se kishte 26 vjet që shërbente në famullinë e Cernagorës (Zarnagorës), çka e vendos fillimin e shërbimit të tij aty rreth vitit 1810. Frok Zefi, Matej Mazarek: Nadbiskup skopski 1758–1808, Zagreb, 2023, f. 90–91, 210–211; ASCPF, Collegi Vari, vëll. 36, ff. 556, 564, 688; Nikola Čolak – Ive Mažuran, Janjevo, Zagreb, 2000, f. 132, 134.

Shpëndaje: