
Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci organizoi një akademi solemne kushtuar jetës, veprës dhe mesazhit të Shën Nënë Terezës, duke bashkuar përfaqësues të lartë diplomatikë, institucionalë, klerikë dhe bashkatdhetarë shqiptarë.
ZAGREB – Më 14 nëntor 2026, në Zagreb të Kroacisë, Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci organizoi Akademinë Solemne kushtuar Shën Nënë Terezës, një veprimtari e veçantë kulturore, shpirtërore dhe përkujtimore, e cila u karakterizua nga një program i pasur me ligjërata, fjalë përshëndetëse dhe pika artistike muzikore.
Në fillim të akademisë, të pranishmëve iu drejtua me fjalë përshëndetëse misionari i Misionit Katolik Shqiptar në Kroaci, Don Marjan Loreci. Në fjalën e tij, ndër të tjera, ai theksoi se porosia dhe shembulli i Shën Nënë Terezës janë sot më të nevojshëm se kurrë për popullin tonë, për familjet shqiptare dhe për Kishën. Ai nënvizoi rëndësinë e dashurisë, solidaritetit, përkushtimit dhe shërbimit ndaj njëri-tjetrit, vlera që Nënë Tereza i mishëroi gjatë gjithë jetës së saj.
Kjo akademi u nderua edhe me praninë e ambasadores së Republikës së Shqipërisë, znj. Donika Hoxha, e cila në fjalën e saj përshëndetëse foli për jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës, duke vënë në pah rëndësinë e figurës së saj të jashtëzakonshme për kombin shqiptar dhe për mbarë njerëzimin.
Po ashtu, në mesin e të pranishmëve ishte edhe ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Martin Berishaj. Në fjalën e tij, ai vlerësoi lart figurën e Nënë Terezës dhe rëndësinë e saj të veçantë në botë, si dhe vendin e përhershëm që ajo zë në historinë, identitetin dhe krenarinë e popullit shqiptar.
Akademinë e nderoi gjithashtu edhe znj. Marija Vrhovski, e dërguara e kryetarit të Parlamentit të Kroacisë dhe e Qeverisë kroate, e cila shprehu kënaqësinë dhe nderin që ishte pjesë e kësaj veprimtarie solemne.
Pjesa ligjëruese e akademisë u pasurua me dy ligjërata të veçanta. Biografi i njohur i Shën Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, mbajti një ligjëratë kushtuar jetës, veprës dhe mesazhit të saj shpirtëror. Përmes fjalës së tij, ai solli para të pranishmëve momente dhe dimensione të rëndësishme të jetës së kësaj figure të madhe të njerëzimit, duke theksuar përkushtimin e saj të pakufishëm ndaj Zotit dhe shërbimin e saj ndaj më të varfërve, të braktisurve dhe atyre që kishin më së shumti nevojë për dashuri e përkujdesje.
Ndërsa znj. Maja Petranović, përfaqësuese e shtëpisë botuese Kršćanska Sadašnjost, foli për botimet e kësaj shtëpie botuese kushtuar Shën Nënë Terezës, si dhe për rëndësinë e njohjes dhe përhapjes së jetës, veprës dhe shenjtërisë së saj përmes librit dhe fjalës së shkruar.
Një atmosferë të veçantë akademisë i dhanë edhe pikat muzikore, të cilat e shoqëruan programin në fillim dhe pas secilës pjesë të tij. Interpretimet me piano, flaut dhe këndimi solo i këngës “Oj e bukura More” i dhuruan kësaj mbrëmjeje solemnitet, emocion dhe një ndjenjë të veçantë të identitetit e të traditës sonë kombëtare.
Kjo Akademia kushtuar Shenjtëreshës sonë, Shën Nënë Terezës, që organizohet përvjetshëm nga Misioni, në kuadër të Ditët e Nënë Terezës, me aktivitete të ndryshme shpirtërore dhe kulturore, ishte një rast i bukur bashkimi, reflektimi dhe përkujtimi, ku përmes fjalës, muzikës dhe dëshmive u risoll në vëmendje figura e një shqiptareje që u bë simbol i dashurisë, paqes, mëshirës dhe shërbimit për mbarë njerëzimin.
Mesazhi i saj mbetet gjithmonë aktual: dashuria e vërtetë nuk matet me fjalë, por me vepra dhe me përkushtimin ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.
Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, nëpërmjet kësaj akademie, dëshmoi edhe një herë rëndësinë e ruajtjes së vlerave shpirtërore, kulturore dhe kombëtare, si dhe të përcjelljes së trashëgimisë së Shën Nënë Terezës te brezat e sotëm dhe ata që vijnë.

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

