Në gjurmët e besimit dhe të martirizimit

Sirnach, 21 nëntor 2026 — Me kumtesa, muzikë dhe poezi, Misioni Katolik Shqiptar në Thurgau (CH) organizoi në Sirnach një veprimtari kushtuar besimit dhe martirizimit në historinë e popullit shqiptar. Takimi u mbajt me rastin të 130-vjetorit të kushtimit të popullit shqiptar Zojës së Këshillit të Mirë dhe 180-vjetorit të internimit të shqiptarëve të Karadakut në Turqi.

Programi u hap nga moderatorja Saranda-Teresa Ademi. Të pranishmit i përshëndeti Don Marjan Demaj, misionar i Misionit Katolik Shqiptar në Thurgau, duke hapur një mbrëmje që ndërthurte kujtesën fetare me atë historike e kulturore.

Kori “Zemra e Krishtit” interpretoi këngën “Zoja e Këshillit të Mirë”, ndërsa procesioni me figurën e Zojës i dha veprimtarisë një dimension të veçantë shpirtëror. Më pas, Don Artur Jaku, rektor i Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, paraqiti kumtesën mbi rëndësinë e kushtimit të popullit shqiptar Zojës së Bekuar.

Muzika dhe fjala poetike sollën në vëmendje edhe kujtimin e martirëve të Karadakut. Menuejtin e interpretoi në piano Alisia Marku. Kori “Zemra e Krishtit” interpretoi këngën “Martirët e Karadakut”. Ndërsa për martirët foli Monsinjor Lush Gjergji, postullator dioqezan i procesit të kanonizimit.

Nëpërmjet kumtesave dhe pjesëve artistike, veprimtaria solli së bashku dy përvjetorë që lidhen me kujtesën dhe identitetin e katolikëve shqiptarë: përshpirtërinë ndaj Zojës së Këshillit të Mirë dhe dëshminë e martirëve të Karadakut. Programi u përmbyll edhe me një inteprrtim në piano nga Antonia Demaj dhe në fund me një koktej i begatshëm i përgatitur për të pranishmit nga Bernardi.

Mbrëmja në Sirnach ishte një rast për të kujtuar se besimi dhe qëndresa e brezave të mëparshëm mbeten pjesë e trashëgimisë shpirtërore e historike shqiptare.

Fotografitë Arben Preka

Shpëndaje: