Në Llapushnik u zbuluan bustet e Skënderbeut, Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit

Nga Nikollë D. Ukaj

Në Kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik, më 22 nëntor, u mbajt një akademi solemne, gjatë së cilës u zbuluan bustet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit.

Programi nisi me interpretimin e himnit nga mezzosopranoja Besiana Mehmedi, e shoqëruar në piano nga Magdalena Sedaj. Pas himnit, moderatori i akademisë, gazetari Nikollë D. Ukaj, përshëndeti të pranishmit dhe hapi programin.

Fjalën e parë përshëndetëse e mbajti kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai foli për tri figurat dhe kontributin e tyre në historinë shqiptare: Skënderbeun si simbol të qëndresës dhe lirisë, Pjetër Bogdanin si dijetar dhe autor të veprës “Çeta e profetëve”, si dhe Adem Jasharin si figurë të luftës për lirinë e Kosovës. Lladrovci përmendi edhe përpjekjet e Bogdanit për bashkimin e shqiptarëve në luftën kundër Perandorisë Osmane, ndërsa bustet i cilësoi simbole të dijes, humanizmit, trimërisë dhe sakrificës.

Pas fjalës së tij, aktori Xhevat Limani interpretoi “O Flamur Shkabë”. Më pas, të pranishmëve iu drejtua nikoqiri i akademisë, Dr. Don Anton Uka, famullitar i Kishës së Shën Abrahamit dhe vikar ipeshkvor. Në mesazhin e tij, ai theksoi lidhjen mes besimit dhe atdheut, si dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit, bashkimit dhe përgjegjësisë. Duke iu referuar tri figurave, përcolli mesazhet: “Mos e humbni shpirtin e kombit”, “Bashkimi bën fuqinë” dhe “Bëhuni të denjë për lirinë”.

Pas fjalëve përshëndetëse, Besiana Mehmedi interpretoi këngën “Hej ju maje”, e shoqëruar në piano nga Magdalena Sedaj. Në kumtesën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Kosova”, historiani Paulin Zefi trajtoi lidhjet e Kastriotëve me hapësirën e Kosovës. Ai foli për tezat mbi prejardhjen e familjes, zotërimet e Gjon Kastriotit dhe lidhjen me Prizrenin, si dhe për dëshmi historike që lidhen me rrugëtimin e Skënderbeut nëpër Kosovë, Manastirin e Deçanit dhe humanistin Martin Segoni nga Novobërda.

Programi vijoi me këngën “Fanar”, të interpretuar nga Besiana Mehmedi me shoqërimin në piano të Magdalena Sedajt. Shkrimtari Ndue Ukaj, në kumtesën “Pjetër Bogdani dhe vepra e tij shëlbuese kulturore”, foli për veprimtarinë shumëdimensionale të Bogdanit dhe rëndësinë e veprës “Çeta e profetëve”, botuar në Padovë më 1685 në shqip dhe italisht. Ai vuri në pah ndikimin e saj në zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe identitetit shqiptar.

Xhevat Limani interpretoi më pas “Skënderbeu”, ndërsa profesori dhe historiani Blerim Latifi mbajti një kumtesë për Adem Jasharin dhe qëndresën e familjes Jashari në Prekaz, në mars të vitit 1998. Latifi foli për idealin e lirisë dhe solli thënie të Hamëz e Adem Jasharit, ndër to: “Kjo tokë nuk e duron askënd tjetër, përveç kambës së shqiptarit.” Pjesën artistike në kishë e përmbylli Besiana Mehmedi me këngën “Në legjenda”, sërish e shoqëruar në piano nga Magdalena Sedaj.

Në vijim, në oborrin e kishës u zbuluan bustet e Skënderbeut, Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit. Programi artistik në oborr u përmbyll nga këngëtari Shkodran Tolaj, i cili interpretoi “Albulena”, “Komandant” dhe “Fjalët e qiririt”.

Akademia u ndoq nga shumë qytetarë e veprimtarë, të cilët e përcollën aktivitetin me emocion dhe krenari. Në përfundim, Famullia “Shën Abrahami” shtroi një koktej në Qendrën Pastorale të famullisë për të gjithë të pranishmit.

Akademia përkujtoi tri figura të periudhave të ndryshme të historisë shqiptare, të bashkuara nga qëndresa, dija dhe sakrifica për liri.

Shpëndaje: