Botohet Ditari personal i Papa Françeskut: zbulohet jeta shpirtërore dhe fytyra e tij mistike

Libri i ri, botuar sot, më 24 nëntor, nga Libraria Botuese e Vatikanit (LEV), nën kujdesin e kardinalit Víctor Manuel Fernández, sjell shënimet personale të Jorge Mario Bergoglios, të shkruara nga viti 1992 deri në vitin 2024.

 

Është një ndjesi e veçantë, e përzier mes habisë dhe mallëngjimit, ajo që të shoqëron teksa, dalëngadalë, nis të zbulohet «zemra» e Papa Françeskut. Një botë e brendshme deri më tani e ruajtur në heshtje, ku marrin formë frikërat, reflektimet, mendimet më të thella, si dhe gjykimet e tij për veten dhe për veprimtarinë. Por në këtë botë intime gjenden edhe përjetime të jashtëzakonshme shpirtërore: vegimi i Zotit që i buzëqesh me mëshirë, apo prania kërcënuese e djallit. E, bashkë me to, edhe krizat e thella të shpirtit, ndër të cilat një përvojë e ngjashme me atë që Shën Gjoni i Kryqit e përshkruan si «nata e errët». Një përvojë që nuk nënkupton largimin nga Zoti, por zhveshjen e shpirtit nga gjithçka e tepërt, për t’u bashkuar me Të në një mënyrë edhe më rrënjësore.

Kësaj bote të pasur dhe të ndërlikuar shpirtërore, Jorge Mario Bergoglio i jepte zë përmes shënimeve të shkurtra, të hedhura me një shkrim dore të imët e të pjerrët në faqet e një agjende me kapak plastik të zi. Ishte agjenda e viteve të tij në Buenos Aires, të cilën më vonë e ruajti në Shtëpinë e Shën Martës.

Tashmë, ky thesar i vogël kujtimesh dhe përjetimesh hapet para botës përmes një libri, duke na mundësuar të njohim më nga afër fytyrën më intime të një Pape që, edhe pse kishte folur shpesh për veten, kishte ruajtur gjithmonë një hapësirë të thellë të heshtjes dhe të intimitetit. Libri mban titullin «Ditari personal i Papa Françeskut». I botuar nga Libreria Editrice Vaticana, ai vjen këto ditë për lexuesit në pesë gjuhë dhe do të shpërndahet në 94 vende të botës.

Përgatitja e këtij vëllimi i është besuar kardinalit Víctor Manuel Fernández, mik i vjetër dhe njeri i besuar i Françeskut, i cili në vitin 2023 u thirr nga Argjentina në Romë për të marrë drejtimin e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë.

 

Një udhëtim drejt thellësisë shpirtërore

Pikërisht marrëdhënia e besimit dhe e miqësisë mes të dyve bëri të mundur që këto shënime krejtësisht personale të dalin sot në dritën e botimit. Në parathënien e librit, kard. Fernández rrëfen një episod domethënës: një pasdite, në Shtëpinë e Shën Martës, kishte vënë re një «agjendë të vjetër». Françesku ia kishte lënë në dorë me një shprehje të thjeshtë, por domethënëse: «Do ta shihni ju».

Më vonë, kardinali Fernández e diskutoi këtë mundësi me Papën Leonin XIV dhe mori miratimin e tij për botimin e shënimeve. Kështu, pas një viti pune të kujdesshme, Fernández e përfundoi përzgjedhjen e teksteve, duke ruajtur ato që, sipas tij, mund t’u «ofrojnë lexuesve njëfarë ndërtimi shpirtëror».

Në këtë mënyrë, shënimet që dikur ishin vetëm një dialog i heshtur i Bergoglios me vetveten dhe me Zotin, bëhen sot një mundësi për të gjithë: të hyjnë në thellësinë e shpirtit të tij dhe të ndjekin nga afër udhëtimin e tij njerëzor e shpirtëror./ Vatican News

Shpëndaje: