TRASHËGIMIA DARDANE NË FOKUS TË TAKIMEVE KULTURORE “PENA E DRITËS” NË BIBLIOTEKËN “ERNEST KOLIQI” NË PRISHTINË

Nga Bruna Gosa

Dëshmitë e reja arkeologjike, shtrirja historike dhe vazhdimësia kulturore e dardanëve mblodhën studiues, studentë dhe dashamirës të historisë në një mbrëmje ku shkenca u ndërthur me artin dhe bashkëbisedimin e hapur.

Trashëgimia e lashtë e Dardanisë, dëshmitë e reja arkeologjike dhe vazhdimësia kulturore e saj ishin tema bosht e ligjëratës “Dardanët: historia, arkeologjia, vazhdimësia…”, të mbajtur më 26 nëntor, në orën 19:00, në ambientet e bibliotekës “Ernest Koliqi” në Prishtinë. E zhvilluar në kuadër të ciklit të takimeve kulturore “Pena e Dritës”, ngjarja solli para publikut një qasje të plotë, ku hulumtimi shkencor bashkëjetoi me frymën artistike.

Ligjërues i ftuar i mbrëmjes ishte Prof. ass. dr. Ilir Culaj, na Departamenti i Antropologjisë  në Universitetin e Prishtinë.

Para të pranishmëve, studiuesve, studentëve dhe dashamirësve të historisë, ai ofroi një vështrim të gjerë shkencor mbi shtrirjen historike të dardanëve, duke u ndalur veçanërisht te zbulimet e fundit arkeologjike në territorin e Kosovës. Për t’i dhënë edhe më shumë peshë fakteve historike, ligjërata u shoqërua me pamje ekskluzive dhe shpjegime të detajuara mbi artefaktet dhe vendbanimet antike, duke e bërë të prekshëm lidhjen mes së kaluarës antike dhe kujtesës sonë kolektive.

Mbrëmja nisi me tingujt e pianos nga pianistja Medina Latifi, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e përqendruese, për të vijuar më pas me prezantimin e biografisë së profesorit. Gjatë zhvillimit të programit, ndërthurja e ligjëratës akademike me pikat muzikore të sopranos Anjeza Begu i dha takimit ritëm dhe gjallëri, duke e shndërruar atë në një përvojë të plotë kulturore përtej një ligjërate të zakonshme.

Mbrëmja kulturore vazhdoi me një koktej në ambientet e Agora-s, duke bashkëndarë prurjet e ligjëratës së pasur mes të pranishmëve.

Shpëndaje: