Kard. Parolin: Udha e Shqipërisë, nga Zoja e Këshillit të Mirë drejt Evropës

Selia e Shenjtë riafirmon lidhjen historike e shpirtërore me Shqipërinë, mbështetjen për rrugëtimin e saj evropian dhe nevojën për një shoqëri të ndërtuar mbi dialogun, mirëkuptimin, paqen dhe bashkëjetesën harmonike. Kështu tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 35-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

 

Në fjalimin e tij të mbajtur, mbrëmjen e 24 nëntorit, në Romë, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 35-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, vuri në pah tri dimensione të rëndësishme të marrëdhënieve mes dy vendeve: lidhjen e lashtë shpirtërore të popullit shqiptar me Zojën e Këshillit të Mirë, mbështetjen e Selisë së Shenjtë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe nevojën për ndërtimin e një rendi shoqëror të mbështetur në dialog, mirëkuptim, bashkëjetesë harmonike dhe respekt të ndërsjellë.

Duke rikujtuar historinë e përbashkët dhe rolin e Kishës në shërbim të së mirës së përbashkët, Kardinali Parolin përcolli mesazhin se paqja, urtësia dhe solidariteti mbeten vlera thelbësore për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe për forcimin e miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Më poshtë, teksti i plotë i fjalimit të Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, mbajtur në pritjen për Festën Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, më 24 nëntor 2026, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 35-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

 

Fjalimi me rastin e pritjes për Festën Kombëtare të Republikës së Shqipërisë

24 nëntor 2026

 

Zoti Ministër i Punëve të Jashtme,

Zonja Ambasadore,

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Dëshiroj që në radhë të parë t’i përcjell urimet më të përzemërta Shkëlqesisë së Saj, znj. Majlinda Frangaj, Ambasadore, anëtarëve të Misionit Diplomatik dhe mbarë komunitetit shqiptar të pranishëm këtu, me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Lidhja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë i ka rrënjët në një histori të lashtë, e cila nis me predikimin e parë apostolik në Iliri dhe vijon deri në marrëdhëniet tona diplomatike. Që nga rivendosja e marrëdhënieve në vitin 1991 dhe ngritja e Nunciaturës Apostolike, e deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së vitit 2002 dhe takimet e nivelit të lartë, marrëdhëniet tona janë forcuar vazhdimisht në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të kërkimit të së mirës së përbashkët.

Në këtë kujtesë të përbashkët shkëlqejnë vizitat historike apostolike: ajo e Shën Gjon Palit II në vitin 1993, e cila shënoi rithemelimin dhe rilindjen e hierarkisë kishtare në Shkodër, pas dekadave të errëta të regjimit totalitar, si dhe vizita e Papës Françesku në vitin 2014, dëshmi e gjallë e inkurajimit dhe e dashurisë së thellë për mbarë Kombin.

Në këtë kremtim solemn të Festës suaj Kombëtare, është e udhës të kujtojmë një tjetër lidhje të thellë shpirtërore dhe historike që bashkon Shqipërinë me Selinë e Shenjtë. Kjo lidhje gjen shprehjen e saj më të lartë në përkushtimin ndaj Zojës së Këshillit të Mirë, mbrojtja e së cilës për Kombin u propozua nga Ipeshkvijtë shqiptarë në vitin 1895 dhe u sanksionua zyrtarisht nga Papa Leoni XIII me shpalljen e saj Pajtorе të Shqipërisë.

Përtej vlerës së saj të thellë historike, kjo na kujton një parim universal me aktualitet të jashtëzakonshëm: në kërkimin e vazhdueshëm të së mirës së përbashkët dhe në drejtimin e shoqërisë, ka dhe do të ketë gjithmonë një nevojë thelbësore për «këshillën e mirë», të kuptuar si ndershmëri, urtësi dhe gjykim i përbashkët, të domosdoshme për ndërtimin e një të ardhmeje në paqe, të një bashkëjetese harmonike, të pluralizmit konfesional dhe të unitetit e përparimit për popullin shqiptar, edhe në momentet e përballjeve të ashpra politike dhe shoqërore.

Në vazhdën e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet Kishës dhe Shtetit, në shërbim të njeriut dhe të së mirës së përbashkët, komuniteti katolik shqiptar synon të vazhdojë të japë kontributin e vet me përkushtim. Në veçanti, nëpërmjet një angazhimi të vazhdueshëm në fushën e formimit dhe të arsimit, të hapur për të rinjtë e çdo përkatësie fetare, si edhe në sektorët e mbrojtjes së shëndetit dhe të përkujdesjes ndaj personit, Kisha ecën me bindje përkrah familjeve dhe institucioneve vendore.

Duke parë drejt së ardhmes, Selia e Shenjtë ripërtërin inkurajimin e saj të thellë për të ndjekur me vendosmëri rrugën e drejtësisë, të dialogut, të paqes dhe të solidaritetit, duke përballuar me vendosmëri sfidat shoqërore dhe dinamikat komplekse të migracionit të kohës sonë.

Nga ana e saj, Selia e Shenjtë nuk do të mungojë ta mbështesë vendin në rrugëtimin drejt bashkimit të plotë të familjes së popujve evropianë, në mënyrë që trashëgimia e pasur kulturore, etike dhe shpirtërore e Shqipërisë të mund ta pasurojë familjen e madhe evropiane në promovimin e vlerave themelore të dinjitetit njerëzor.

Me urimin që marrëdhëniet miqësore ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë të vazhdojnë në rrugën e vlerësimit dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë, lutem me gjithë zemër që, me ndërmjetësinë e Zojës së Këshillit të Mirë, Zoti të derdhë bekimin e Tij mbi këtë Komb të dashur dhe mbi popullin e tij.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Nga Vatican News

Shpëndaje: