
Në Audiencën e Përgjithshme të kësaj të mërkure, 25 nëntor, Papa Leoni XIV u ndal te mësimi i Koncilit II të Vatikanit mbi ndërtimin e paqes. Ati i Shenjtë dënoi garën e armatimeve, luftërat gjithnjë e më çnjerëzore dhe përdorimin e teknologjive të reja në konflikte, duke u bërë thirrje të krishterëve të jenë protagonistë të pajtimit, dialogut dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.
Paqja nuk është një realitet që mund të konsiderohet i arritur një herë e përgjithmonë, por një vepër që kërkon angazhimin e vazhdueshëm të njerëzimit. Ky ishte mesazhi qendror i Papa Leonit XIV gjatë Audiencës së sotme Përgjithshme, mbajtur në Vatikan, ku vijoi katekezën mbi kapitullin e pestë të Kushtetutës baritore të Koncilit të Dytë të Vatikanit Gaudium et spes, kushtuar promovimit të paqes.
Duke iu referuar vizionit të Koncilit II të Vatikanit, Papa Leoni XIV kujtoi planin e Zotit për njerëzimin: që të gjithë, në Jezu Krishtin, të bëhemi një familje e vetme, familja e bijve të Hyjit. Një thirrje që nuk përfshin vetëm njerëzit, por mbarë krijimin, pasi, siç shkruan Shën Pali në Letrën drejtuar Kolosianëve, nëpërmjet Krishtit janë pajtuar të gjitha gjërat, si në qiell, ashtu edhe në tokë.
Paqja që buron nga kryqi i Krishtit është dhuratë e Zotit për të gjithë popujt, por njëkohësisht edhe përgjegjësi që duhet jetuar çdo ditë. Në këtë kuptim, Papa kujtoi fjalët e Jezusit në Ungjillin sipas Mateut: «Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit» (Mt 5, 9).
Paqja kërkon angazhimin e vazhdueshëm të të gjithëve
Ati i Shenjtë Leoni XIV gjatë audiencës së sotme përgjithshme theksoi se mësimi i Gaudium et spes nuk e shpërfill realitetin e mëkatit dhe të dhunës njerëzore. Përkundrazi, ai na fton të mos dorëzohemi përpara idesë se lufta dhe dhuna janë të pashmangshme.
Duke cituar dokumentin konciliar Gaudium et spes, Papa nënvizoi se paqja «nuk është kurrë diçka e arritur një herë e përgjithmonë, por është një ndërtim që duhet ngritur vazhdimisht».Në këtë perspektivë, Leoni XIV kujtoi se ndryshimet në karakterin e luftërave moderne i detyrojnë të krishterët ta shqyrtojnë këtë realitet me një mendësi të re, duke e lexuar historinë në dritën e Ungjillit.
Teknologjia e re po ndryshon mënyrën e zhvillimit të konflikteve
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe ndikimit të revolucionit digjital në luftërat bashkëkohore. Papa vuri në dukje se, krahas konflikteve të dukshme, po përhapen gjithnjë e më shumë forma hibride të luftës, si sulmet kibernetike, manipulimi i informacionit, fushatat e ndikimit dhe automatizimi i vendimeve strategjike.
Duke iu referuar pastaj dokumentit Magnifica humanitas, Leoni XIV paralajmëroi se teknologjitë e krijuara për mbrojtje mund të shndërrohen shumë shpejt në mjete sulmi, duke e bërë gjithnjë e më të paqartë kufirin ndërmjet mbrojtjes dhe agresionit.
Sipas Papës, konfliktet e sotme po bëhen gjithnjë e më çnjerëzore dhe shkatërrimtare, duke shtuar urrejtjen, padrejtësitë ndërmjet popujve dhe duke dëmtuar bukurinë e krijimit.
Gara e armatimeve një plagë e rëndë për njerëzimin
Duke kujtuar thirrjen profetike të Koncilit II të Vatikanit, Papa Leoni XIV shprehu shqetësimin për garën e armatimeve, e cila rëndon veçanërisht mbi popujt më të varfër.
«Gara e armatimeve është një nga plagët më të rënda të njerëzimit dhe i dëmton në mënyrë të patolerueshme të varfrit», kujtoi Papa, duke cituar Gaudium et spes. Këto fjalë, theksoi ai, tingëllojnë sot si një paralajmërim edhe më urgjent, si klithma e popujve që vuajnë, e fëmijëve të vrarë dhe të gjymtuar dhe e familjeve të shkatërruara nga luftërat.
Ati i Shenjtë Prevost bëri thirrje për një kthim të mendjeve dhe zemrave drejt Krishtit, Mbretit të Paqes, duke theksuar nevojën për të thyer zinxhirët ideologjikë dhe ekonomikë që i mbajnë njerëzit të robëruar nga logjika e luftës.
Nevojiten institucione ndërkombëtare në shërbim të paqes
Leoni XIV kujtoi se Koncili II i Vatikanit kishte shprehur dëshirën për një epokë në të cilën të mund të ndalohej plotësisht çdo përdorim i luftës, pa mohuar të drejtën e ligjshme të shteteve për vetëmbrojtje. Për këtë qëllim, Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë e organizmave ndërkombëtarë të aftë për të ndërhyrë në mënyrë efektive, për të rivendosur drejtësinë e shkelur dhe për të mbrojtur ata që janë të shtypur.
Nevojitet, sipas Papës, ndërtimi i një rendi politik dhe ekonomik botëror të bazuar në bashkëpunim, dialog dhe ndarjen e burimeve kulturore e materiale ndërmjet kombeve, në funksion të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor.
Të krishterët të jenë protagonistë të ndërtimit të paqes
Në përfundim të katekezës së audiencës së sotme të përgjithshme, Leoni XIV u kujtoi të krishterëve përgjegjësinë për të qenë «kripa e tokës dhe drita e botës», duke mos pasur frikë të angazhohen në rreshtat e parë të ndërtimit të paqes dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.
Ky angazhim, theksoi Papa, duhet të shprehet si nëpërmjet lutjes së vazhdueshme, ashtu edhe përmes zgjedhjeve konkrete shoqërore dhe politike. Shpallja e Ungjillit nuk kufizohet vetëm në fjalë, por kalon përmes formimit të ndërgjegjeve, kthimit të zemrave dhe jetës sakramentale.
Në përshëndetjen përfundimtare gjatë audiencës së sotme përgjithshme, Ati i Shenjtë Leoni XIV ftoi besimtarët t’i kërkojnë Zotit forcën për ta ndriçuar botën me dëshminë e Ungjillit, i cili është fjalë pajtimi dhe shëlbimi për të gjithë popujt.
«Të mos lodhemi kurrë së kërkuari dhe së ndari me të tjerët atë paqe të vërtetë, e cila është njëkohësisht dhuratë e Zotit dhe fryt i një angazhimi të pandërprerë njerëzor», ishte thirrja e Papës.
Në fund të audiencës së sotme përgjithshme, Ati i Shenjtë Leoni XIV ia besoi Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Paqes, çdo përpjekje për të mirën, duke kërkuar ndërmjetësimin e saj për një botë më vëllazërore dhe paqësore./ Vatican News

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër
