
I publikuar me rastin e Ditës së 100-të Botërore të Misioneve, që u kremtua të dielën, më 18 tetor, me temën “Një në Krishtin, të bashkuar në mision”, raporti mbi statistikat e Kishës Katolike është përgatitur nga agjencia Fides. Studimi, i hartuar nga Luca Mainoldi, mbledh dhe analizon të dhënat e marra nga botimi i fundit i “Annuarium Statisticum Ecclesiae” (Vjetari Statistikor i Kishës). Numri i katolikëve në botë është rritur me 16.690.000 krahasuar me vitin 2023, duke përbërë 17,8% të popullsisë botërore.
Numri i katolikëve në botë po rritet, ndërsa numri i meshtarëve ka rifilluar të rritet, ndonëse lehtë. Ndërkaq, vazhdon rënia e numrit të rregulltareve dhe të seminaristëve të mëdhenj, kurse po forcohet kontributi i misionarëve laikë dhe i katekistëve. Këto janë disa nga të dhënat që dalin nga dosieri mbi statistikat e Kishës Katolike, i përgatitur nga agjencia Fides me rastin e Ditës së 100-të Botërore të Misioneve, e cila u kremtua të dielën, më 18 tetor 2026, me temën “Një në Krishtin, të bashkuar në mision”. Pas të dhënave të përgjithshme botërore shfaqen realitete të ndryshme në pesë kontinentet: Afrika shënon rritjen më të madhe të numrit të të pagëzuarve dhe është kontinenti i vetëm ku rritet numri si i rregulltareve, ashtu edhe i seminaristëve të mëdhenj.
Ka rritje në të gjitha kontinentet
Dosieri, i përgatitur nga Luca Mainoldi, mbledh dhe analizon të dhënat e marra nga botimi i fundit i “Vjetarit Statistikor të Kishës”, i publikuar këtë vit, dhe paraqet një pasqyrë të pranisë katolike, të strukturave baritore dhe të veprimtarive arsimore, shëndetësore dhe të përkujdesjes sociale.
Të dhënat për popullsinë dhe të pagëzuarit i referohen datës 30 qershor 2024, ndërsa të dhënat e tjera janë të datës 31 dhjetor të po atij viti. Ndryshimet tregojnë krahasimin me të dhënat e mëparshme, që i përkasin vitit 2023.
Më 30 qershor 2024, popullsia e regjistruar në Vjetar arrinte në 7.995.573.000 banorë. Numri i katolikëve ishte 1.422.144.000, me një rritje prej 16.690.000 krahasuar me vitin paraprak. Përqindja e tyre në raport me popullsinë e përgjithshme botërore mbetet 17,8%.
Rritja e numrit të të pagëzuarve vërehet në të gjitha kontinentet. Rritja më e madhe regjistrohet në Afrikë, me 7.580.000 katolikë më shumë, e ndjekur nga Amerika (+6.992.000), Azia (+968.000), Evropa (+911.000) dhe Oqeania (+239.000). Kështu, në Evropë konfirmohet rritja e vërejtur edhe në raportimin e mëparshëm.
Amerika mbetet kontinenti me numrin më të madh të katolikëve: 678.869.000, që përbëjnë 64% të popullsisë së saj. Në Afrikë numri i të pagëzuarve arrin në 288.312.000, duke tejkaluar atë të Evropës, ku numërohen 287.240.000 katolikë. Pas tyre vijnë Azia, me 156.166.000 katolikë, dhe Oqeania, me 11.557.000.
Përqindja e katolikëve në raport me popullsinë e secilit kontinent është 19,9% në Afrikë, 39,7% në Evropë, 3,3% në Azi dhe 25,9% në Oqeani.
Meshtarët: një rimëkëmbje e lehtë, me dallime nga një kontinent në tjetrin
Për herë të parë në pesë vjet, sipas dosierit, numri i përgjithshëm i meshtarëve shënon sërish rritje: gjithsej janë 407.421, ose 425 më shumë krahasuar me të dhënat e mëparshme. Bilanci pozitiv vjen si rezultat i rritjes në Afrikë (+1.676), në Azi (+1.065) dhe në Amerikë (+199), e cila kompenson rënien në Evropë (-2.483) dhe në Oqeani (-32). Kështu, Amerika kalon nga rënia e regjistruar në vitin paraprak në një rritje të numrit të meshtarëve.
Numri i meshtarëve dioqezanë arrin në 279.238 (+496), ndërsa ai i meshtarëve rregulltarë zbret në 128.183 (-71). Pavarësisht rritjes së lehtë të numrit të përgjithshëm të klerit, rritet edhe numri mesatar i katolikëve për meshtar, duke arritur në 3.491, pra 38 besimtarë më shumë krahasuar me të dhënat e mëparshme. Ky raport rritet në Amerikë, Evropë dhe Oqeani, ndërsa ulet në Afrikë dhe Azi.
Numri i ipeshkvijve arrin në 5.525, me një rritje prej 95 vetash: 4.365 ipeshkvij dioqezanë dhe 1.160 ipeshkvij rregulltarë. Vijon gjithashtu rritja e diakonëve të përhershëm, të cilët arrijnë në 52.102 (+669), kryesisht falë shtimit të tyre në Amerikë (+424) dhe në Evropë (+236).
Rregulltaret dhe seminaristët: vijon rënia në nivel botëror
Numri i rregulltareve në botë është 580.131, me një rënie prej 9.292 krahasuar me të dhënat e vitit paraprak. Afrika është kontinenti i vetëm që shënon rritje (+2.190). Rënia vërehet në Evropë (-6.473), Amerikë (-4.432), Azi (-320) dhe Oqeani (-257). Ndërkaq, numri i rregulltarëve jo-meshtarë është 48.511 (-237): ai rritet në Afrikë dhe Azi, ndërsa ulet në kontinentet e tjera.
Ulet gjithashtu numri i seminaristëve të mëdhenj, dioqezanë dhe rregulltarë: nga 106.495 në raportimin e mëparshëm, numri zbret në 103.604, me një rënie prej 2.891. Rritje shënohet vetëm në Afrikë (+786), ku numërohen 35.710 seminaristë të mëdhenj. Rënia më e theksuar regjistrohet në Azi (-2.733), e ndjekur nga Evropa (-701), Amerika (-227) dhe Oqeania (-16).
Numri i seminaristëve të vegjël zbret në 94.041 (-980). Në këtë kategori, rritje shënohet në Afrikë (+132) dhe Oqeani (+20), ndërsa rënie në Evropë (-872), Azi (-182) dhe Amerikë (-78).
Rritet kontributi i misionarëve laikë dhe i katekistëve
Dosieri shënon rritje të numrit të misionarëve laikë, të cilët arrijnë në 463.079, me 18.473 më shumë krahasuar me vitin paraprak. Rritja përqendrohet kryesisht në Amerikë (+20.492); shtim regjistrohet edhe në Afrikë dhe Oqeani, ndërsa numri ulet në Azi dhe Evropë.
Numri i katekistëve arrin në 2.889.336 (+22.370). Rritjet më të mëdha regjistrohen në Amerikë (+16.515) dhe Azi (+13.616), të cilave u shtohet edhe rritja në Oqeani (+48). Ndërkaq, numri i tyre ulet në Evropë (-7.603) dhe, në një masë më të vogël, në Afrikë (-206).
Njësitë administrative kishtare në mbarë botën janë 3.047, gjashtë më shumë krahasuar me të dhënat e mëparshme. Qendra misionare janë gjithsej 111.602: prej tyre, 4.187 kanë një meshtar rezident, ndërsa 107.415 nuk kanë asnjë meshtar rezident. Krahasuar me vitin paraprak, numri i qendrave të para është rritur (+987), ndërsa ai i qendrave pa meshtar rezident është ulur (-12.162).
Rrjeti arsimor, shëndetësor dhe i përkujdesjes sociale
Në fushën e arsimit, institucionet dhe strukturat e Kishës Katolike mbështesin 75.448 kopshte, të cilat frekuentohen nga 7.480.373 fëmijë; 103.666 shkolla fillore, me 36.314.935 nxënës; dhe 51.810 shkolla të mesme, me 20.340.808 nxënës. Këtyre u shtohen 2.685.027 studentë në institucionet e arsimit të lartë dhe 4.091.087 studentë në institucionet universitare që i përkasin Kishës Katolike.
Krahasuar me të dhënat e mëparshme, është rritur numri i kopshteve, por ka rënë numri i fëmijëve që i frekuentojnë ato; ndërkaq, janë shtuar si institucionet, ashtu edhe nxënësit e shkollave fillore. Në arsimin e mesëm kanë rënë të dy treguesit. Afrika regjistron numrin më të madh të nxënësve në shkollat fillore katolike, me 21.292.853 nxënës të regjistruar.
Institucionet shëndetësore, bamirëse dhe të përkujdesjes sociale janë gjithsej 101.110. Ato përfshijnë 5.397 spitale, 13.646 ambulanca, 468 leprosariume, 16.263 shtëpi për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe personat me aftësi të kufizuara, 8.138 jetimore, 10.352 çerdhe, 10.624 qendra këshillimi bashkëshortor, 3.194 qendra të edukimit ose të riedukimit shoqëror dhe 33.028 institucione të llojeve të tjera.
Afrika ka numrin më të madh të spitaleve dhe të ambulancave, ndërsa në Evropë përqendrohet pjesa më e madhe e shtëpive për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe personat me aftësi të kufizuara. Ky rrjet i gjerë e plotëson praninë baritore të Kishës me një angazhim të përditshëm në fushat e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe përkujdesjes sociale./ Vatican News

Postimi i Mëparshëm
