Promovohet rrëfimi trilogjik “Kthimi” i autorit Dodë Gjergji
Me tingujt e pianos dhe të violinës kënga “Songs my Mother tought me”, të interpretuar nga studentët e akademisë së muzikës Anamarija Nulleshi dhe Mal Limani, filloi manifestimi kulturor i promovimit të rrëfimit trilogjik “Kthimi” i autorit Dodë Gjergji, në pranin e miqve e dashamirëve të librit në Qendrën Bogdanipolis, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Manifestimi i organizuar nga Shtëpia Botuese “Drita”, botuese e kësaj trilogjie, në bashkëpunim me botimet “55” të Tiranës, u përshëndet nga botuesit, z. Don Fatmir Koliqi, drejtor i Dritës, i cili e cilësoi “Kthimin” një vademekum të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor, që do të mbetet i tillë për kohë të gjatë, dhe falënderoi bashkëpunëtorët e tij që e kanë realizuar këtë vepër, posaçërisht z. Valdet Hashani, për pikturat e ballinës, Gojart Sejdiun për dizajnin dhe shtypshkronjën, ndërsa z. Fahri Balliu, përgjegjësi i “55”, u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e botimit të kësaj vepre të rëndësishme që bartë mesazh për rilindje në identitet dhe për të vërtetën e shqiptarëve.
Në pjesën e përshëndetjes ishin përfaqësues të bashkësive fetare që përgëzuan me fjalë këtë festë të kulturës; kryegjyshi botëror dhe kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Sh. T. Haxhi Edmond Brahimaj, pastori z. Fehmi Cakolli, kryetar i Unionit të Kishave Protestante Ungjillore të Kosovës dhe SH. T. Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension.
Pas këtyre fjalëve miradije e dashamirësie dhe këngës “Ave Maria” e kënduar nga vokalistja Ekzona Hoxha, e shoqëruar në piano nga Anamaria dhe Mali në violinë, u bë prezantimi i rrëfimit nga dy shkrimtar të njohur të letrave shqipe.
I pari prezantues ishte z. Gani Mehmetaj, shkrimtar, publicisit, laureat i çmimit letrar “Kadare 2021” për romanin e tij “Zogjtë e qyqes”, i cili vlerësoi se “Romani “Kthimi” i Dodë Gjergjit, në tri vëllime që autori e quan rrëfim, me temën e vet është ndër veprat më tronditëse për shpirtëri e tragjedi në një cep të Dardanisë. Por është edhe rrëfim për të kaluarën dhe të tashmen tonë: identitetin kombëtar e shpirtëror, fatin e fatkeqësinë. Kush jemi dhe kush ishim? Rrëfimi të mbanë pezull, është dinamik, shpalon pjesë nga historia jonë e dhimbshme, ka një galeri protagonistesh, fatet e të cilëve ndërthuren, ka shumë detaje të njohura e më pak të njohura, ka dramën që zhvillohet para teje me shpejtësi filmi.” Kumtesën e plotë të z. Ganiut mund ta lexoni në këtë link: http://www.drita.info/2021/06/18/roman-per-burrat-e-beses-martiret-e-kardakut/.
Prezantuesi i dytë ishte shkrimtari i njohur z. Ibrahim Kadriu, autor me më shumë se 40 vepra letrare, i cili e konsideroi veprën “Kthimi” si roman të ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv për rrënjët identitare të popullit tonë. Edhe kumtesën e tij të plotë mund ta lexoni në këtë link: http://www.drita.info/2021/06/18/roman-i-ndergjegjesimit-individual-dhe-kolektiv-per-rrenjet/
Këtë festë të librit e pasuruan një grup i studentëve të Pastoralit studentor të Prishtinës, të cilët kënduan këngën “Mos u tremb”, të shoqëruar në piano nga Don Shtjefën Dodes.
Në fund të prezantimit, foli edhe autori Dodë Gjergji, i cili falënderoi bashkëpunëtorët e tij që e kanë inkurajuar dhe mbështetur, kurse prezantuesit për fjalët vlerësuese për veprën e tij.
Krejt në fund ishte e rezervuar një kohë për diskutim dhe pyetje nga pjesëmarrësit, nga audienca. Kjo festë e bukur e librit, e cila u transmetua livestreaming në faqen e Dritës në facebook dhe nga mediet tjera të vendit tonë, përfundoi me një koktej rasti në Agorá të Qendrës, gjatë së cilës pjesëmarrësit kanë uruar autorin dhe kanë patur mundësi të marrin firmën e tij./drita.info
[masterslider id=”6″]