MEMENTO MORI

Ditën e parë dhe të dytë të nëntorit, varret e të krishterëve dekorohen në mënyrë të veçantë me lule të bukura, krizantema, dhe ndizen qirinj. Janë ditë të shënjuara, në të cilat përkujtohen të vdekurit, të dashurit tanë që kanë kaluar nga kjo jetë e na kanë paraprirë në amshim. Atyre u kushtohet kujtimi ynë, nderimi dhe lutja jonë drejtuar Zotit që ata të prehen në paqen e Tij.

Në gjitha varrezat e katolike nëpër Kosovë këto ditë janë të mbushura me njerëz, pleq e të rinj, burra e gra, fëmijë e të rritur, që në heshtje takohen rreth varreve të të dashurve të tyre. Janë këto çaste kur të gjallët sikur bashkohen me të vdekurit përmes kujtimeve të paharruara, me lutje e heshtje. Moria e njerëzve nëpër varre, kudo nëpër botë, është shfaqje e fesë, e shpirtit të lutjes dhe të shpresës për jetën e pasosur në Hyjin e Gjallë.

 

Nga Don Fatmir KOLIQI

 

Kalendari liturgjik i Kishës Katolike me 2 nëntor përkujton Ditën e besimtarëve të vdekur, Ditën e shpirtrave të Purgatorit apo edhe Ditën e të Shumave. Një mënyrë të veçantë kjo ditë i bashkon të gjallët në vendpushimin e të vdekurve (varret), “eshtrat” e të cilëve në qetësi presin për t’u shndërruar në jetën e re, për t’u ringjallur në Zotëriun e tyre, Jezu Krishtin.

Besimtarët i vizitojnë varret, i dekorojnë, sjellin atje buqeta lulesh, krizantema e qirinj për t’i ndezur. Kështu, të përqendruar në kujtimin e të dashurve të tyre, lusin për ta Zotin, që ai të jetë i mëshirshëm e t’i pranojë në Mbretërinë e tij në qiell.

Varret këto ditë i bashkojnë të gjallët, besimtarë e jo besimtarë, të pasur e të varfër, pushtetarë e njerëz të thjeshtë. Sikur të vdekurit i bashkojnë të gjallët; sikur fakti i përkohësisë i bashkon për një çast të gjithë dhe i liron nga intrigat e pakuptimta, armiqësitë, ndarjet e përçarjet. Aty pranë varreve, të heshtur, të gjithë e shijojnë faktin e të mosqenit të përjetshëm në botë.

Dita e Purgatorit na vetëdijeson për vdekësinë tonë, tejkalon iluzionin e njeriut për përjetshmërinë në tokë. Njashtu është thirrje për ta kuptuar jetën në tërësinë e saj, që ajo të planifikohet me urti. Është i urtë ai që vdekja nuk e befason. Ai që rron duke e pranuar ligjin e vdekjes, ai vërtet jeton. Sepse të jetosh do të thotë edhe të vdesësh. Për të përkujtuar këtë njëmendësi njerëzore, rregulltarët trapistë morën si përshëndetje të përditshme thënien: Memento mori – kujto vdekjen!

 

Historia

Dita e Purgatorit si përkujtim në Kishë, lidhet ngushtë me festën e të Gjithë Shenjtërve. Në traditën e krishterë që në shek. IV kremtohet Dita në kujtim të martirëve të shenjtë. Papa Gregori IV, në vitin 835 e caktoi 1 nëntorin Ditë e të Gjithë Shenjtërve për të gjithë Kishën Katolike. Pasi Kisha i kremton me një ditë të gjithë shenjtërit, ata që e gëzojnë praninë e Zotit në qiell, ajo po ashtu do t’i kujtojë edhe ata që nuk janë të shpallur shenjtër, ata që ende nuk e gëzojnë lumninë e Hyjit, përkatësisht ata që mund të jenë në Purgator, në gjendjen e pritjes për të fituar jetën e pasosur. Kisha si Nënë e mirë, dëshiron t’i dalë në ndihmesë asaj kishe në Purgator, kishës në pritje për shëlbim.

Shën Odili, abat benediktin nga Cluny, më 998 kishte caktuar që 2 nëntori të jetë në abacinë e vet ditë përkujtimi për të gjithë besimtarët e vdekur. Kjo u vendos edhe në të gjitha abacitë benediktine të Europës, që e kishin një ndikimin të madh të abacisë së Cluny-it. Kjo do nënkuptuar shtrirjen në një pjesë të madhe të Europës, ku ishin abacitë benediktine. Pas një praktike të tillë që u tregua shumë e dobishme për kishën, në vitin 1311 pranohet edhe nga Selia e Shenjtë për të qenë ditë e shënjuar në kalendarin liturgjik të Kishës, si ditë e posaçme kur përkujtohen të gjithë besimtarët që kanë kaluar nga kjo jetë “në shenjë të fesë”. Që atëherë besimtarët e krishterë, një ditë pas Të Gjithë Shenjtërve, i përkujtojnë të dashurit e tyre të vdekur, në lutje, në takime eukaristike për të përgjëruar tek Zoti për shpirtrat e tyre.

Kjo ditë, mund të thuhet me plotë kuptimin e fjalës, është edhe një ditë e fesë së besimtarëve në Ringjallje, se jeta nuk mbaron me vdekjen, por ajo shndërrohet, ashtu si na ka premtuar Zoti ynë Jezu Krishti.

Nderimin e të vdekurve dhe lutjen për shpirtrat e tyre e gjejmë qysh në Besëlidhjen e Vjetër te Libri i Makabejve, kur Juda Makabé kushtoi fli për shpirtrat e të vrarëve: “E si i mblodhi nga secili burrë dy mijë drahma të argjendta, i dërgoi në Jerusalem të kushtohet flija për mëkate duke vepruar kështu shumë mirë e bujarisht, i shtyrë nga mendimi i ringjalljes. E, njëmend, po të mos kishte shpresuar se do të ngjallen ata që u vranë, do të kishte qenë e tepërt dhe e kotë të luteshin për të vdekur. Pastaj ai e kishte parasysh se një shpërblim tepër i bukur i priste ata që vdesin në hirin e Zotit: mendim ky i shenjtë e i përshpirtshëm. Ja, pra, dha të kushtohet fli shpërblimi, që të çlirohen nga mëkati.” (2 Mak 12, 43).

 

Halloween – Nata e shtrigave?

Në disa shtete të Evropës Perëndimore dhe në SHBA, e, kohën e fundit, edhe në vendin tonë, më 31 tetor festohet Nata e shtrigave apo Halloween. Ka shumë njerëz që këtë festë pagane e lidhin me Ditën e të Gjithë Shenjtërve, por ajo nuk ka kurrfarë lidhje me festën e Kishës Katolike të Gjithë Shenjtërve as me Ditën e Purgatorit. Vërtet, vetë fjala Halloween është përfitimi nga kombinimi i fjalës angleze All Hallowes Eve apo All Hallowes Day (apo edhe All Saints Day), që me këtë emërtim anglishtfolësit katolikë e quajnë Ditën e Gjithë Shenjtërve.

Por vetë festa është pagane, që ka prejardhjen prej fisit Gal e Kelt të Irlandës dhe Britanisë veriore. Origjina e Halloween e ka burimin në “Samhain” – zoti i të vdekurve, kur keltët natën e 31 tetorit shënjonin fundin e vitit dhe fillimin e një viti të ri.

Keltët i frikoheshin kësaj nate, i frikoheshin “samhain-it” dhe, në mënyrë që ta kënaqnin atë, Druidistet (priftërinjtë kelt) bënin rite trishtuese me zjarr të madh e sakrifica si nderim ndaj tij. Ata i digjnin të gjallë kriminelët, të burgosurit dhe kafshët. Derisa i vështronin ata duke u djegur, druidistët shihnin shenja për të ardhmen, të mira e të këqija. Druidistët i besonin shumë kësaj nate, sepse mendonin se shpirtrat ishin më të fuqishëm dhe më të egjër dhe u lejohej të bridhnin të lirë dhe nëse ata ishin të trajtuar mirë, atëherë ata do t’i ndihmonin druidistët që të parashohin të ardhmen. Nëse shpirtrat i injoronin, atëherë ata do t’i dënonin keltët. Druidistët besonin se përveç shpirtrave të fuqishëm e mizorë, kishte edhe të këqij. Kjo është arsyeja pse populli kelt vishte kostume gjatë festës së samhain-it. Qëllimi i kostumeve ishte që t’i frikësonin shpirtrat e këqij dhe arsyeja e dytë, që shpirtrat s’do të mund t’i njihnin ata.

 

Ndër vorre

Po shkoj sot ndër varre, Jezus,

s’është vend i këndshëm, e di,

më rrëqeth ky vend i heshtur,

ky vend ku ka veç zi.

 

Po shkoj për njerëzit që më deshën,

që ishin, por që shkuan,

po shkoj t’u shpreh mirënjohjen

për gjithçka më dhuruan.

 

Po shkoj t’ua pëshpërit shpresën time.

Po shkoj t’u pëshpërit se besoj,

në atë jetë mbi të cilën vdekja

askurrë nuk triumfoi.

 

Po shkoj t’u çoj një lule

simbol bukurie që duhet.

Po shkoj të ndez një qiri

simbol i zjarrit që s’shuhet.

 

Po shkoj të prek një fytyrë

mes kryqeve pa fund,

po shkoj të të takoj Ty,

Jezus që vdekjen mund.

 

Sot jam i fokusuar krejtësisht në kujtimet e shenjta për të dashurit e mi që s’arrij t’i përqafoj fizikisht. Por, sot kur do ta kremtoj Meshën e Shenjtë – Eukaristinë, do ta përqafoj Krishtin që të mund ta ndjej përqafimin e tyre. Faleminderit, o Jezu, që më jep këtë mundësi që nëpërmjet Teje t’i përqafoj ata që më mungojnë fizikisht në këtë botë./drita.info

Shpëndaje: