Për të bërë më të kapshëm dhe më të kuptueshëm historinë e Krishtlindjes, duhet të kemi një përqasje historike për të zbërthyer ngjarjen e ngjarjeve që është lindja e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Në këtë drejtim, do të na shërbente një udhëtim i këndshëm në kohë, duke shkuar tek origjina e ngjarjeve, dhe përtej kësaj zanafille biblike që na flet për lindjen e Krishtit, duke futur të gjitha ato detaje, që i kemi si njohuri historike, letrare, si dhe kristianizime në kontekstin socio-kulturor të asaj epoke.
Por, para se gjithash, Krishtlindja është thjeshtësia dhe përvujtëria e Trinisë Shenjte – është ngjarje Trinitare, në të cilën manifetohet, shpaloset dhe shpërfaqet e gjithë ekonomia e shpëtimit në kulmin e saj. Krejt është Plan i Atit, përmes Krishtit, në Shpirtin Shenjt. Është një “kenosis” e Trinisë së Shenjtë. Mishërimi i Zotit, në përkulje të tillë drejt njeriut, konsiston në faktin që Ai lejoi të kundrohet dhe meditohet natyra e Tij e lavdishme Trinitare, në veshjen njerëzore. Mishërimi është mbi të gjitha një “zhveshje” e parë që profetizon një të dytë, e që është vet arsyeja e saj, ajo në kryq. Pra, është një udhëtim nga shpella/grazhdi i Betlehemit, e deri tek ankthi i njeriut, varri. Nga një dorëzim i këtillë krejtësisht i Birit ndaj Atit, konsistojë në ngjallje, duke u bërë (Kyrios) Zot. Pra, Krishti është shëmbëllesa e Hyji të papashëm (Kol 1,15) në Të mori njeriu formësim nga deformimi që i kishte bërë mëkati. Prandaj, në saje të veprës së Tij shëlbim-prurëse, Krishti është kuptim i njeriut dhe përgjigja e pyetjeve më të ankthshme antropologjike që e kanë shkundur historikisht njeriun. Si pyetjet; Protologjike – nga kam ardhur? Antropologjike – kush jam? pse ekzistoj? Dhe Eskatologjike – ka jetë pas vdekjes? ekziston ferri-parajsa? Të gjitha këto pyetje kanë një përgjigje, e Ai është Jezu Krishti, Zot i vërtetë dhe njeri i vërtetë. Ai është Toka e premtuar. Ai është shpëtimtari ynë. Në këtë drejtim kuptohet mishërimi/krishtlindja, pra, përmes kryqit dhe ringjalljes. Dhe, jo rastësisht etërit lindor dhe perëndimor na flasin për tri lindjet e Jezu Krishtit, apo tri ardhjet e Tij. Ai ka ardhur në herën e parë, duke hyrë në kohë dhe hapësirë, duke marrë natyrën tonë njerëzore (1Gjn 4,2), Ai vjen, përmes Kishës dhe sakramenteve, pra në shpirt dhe në shpresë (Lk 1,17), Ai do të vijë, pra, ardhja e fundit, ashtu siç themi në credon tonë apostolike; “për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit dhe mbretëria e tij nuk do të ketë fund.” Ndërkoha, së kësaj ardhje përmes kishës dhe pranisë mistike të Trinisë së Shenjtë, lidh ngushtësisht ardhjen e parë dhe të fundit. Në të parën Krishti ishte shpëtimi ynë (1Kor 1,30), në të fundit, do të shfaqet si jeta jonë (Kol 3,4). Këtë gëzim në thellësinë e ekzistencës sonë na jep vet Shpirti Shenjt.
Një ipeshkëv lindor, Ignatios Hazim, në këtë kuptim pneomatologjik thoshte: “Pa Shpirtin Shenjt Zoti është larg, Krishti mbet në të kaluarën, ungjilli një letër e vdekur, Kisha një organizatë e thjeshtë, autoritet si dominim, misioni propagandë, jeta e krishterë një moral skllevërish. Por, me Shpirtin Shenjt, ungjilli është shkëlqim i së vërtetës, misioni është gëzim i mirënjohjes, jeta e krishterë ekzistenca e dashurisë.”
Ja, pra, sa e rëndësishme është kjo përgatitja jonë, për të pranuar Krishtin çdo ditë në Betlehemin e errët të zemrës sonë dhe të mbarë njerëzimit. Me plot të drejt, një mistik i shek. XVII, Angelo Silesio thoshte; “sikur të lindte Jezusi edhe mijëra herë në Betlehem, nëse nuk lind brenda teje, gjithçka është e padobishme.” Prandaj, Krishtlindja është ose do të duhej të ishte gëzim, kapërcim i egos, mendjemadhësisë, vetmjaftueshmërisë dhe përqafim i Krishtit, Tjetrit dhe Vetvetes. Akoma më tepër në këtë linjë, Krishtlindja, është fe në Zotin, Shpresë në veten dhe Dashuri në Tjetrin. Është kundrim në heshtje përballë kësaj madhështie e paraqitur në vogëlsi, që shpreh më së miri kujdesin e Zotit ndaj nesh. Jo rastësisht thoshte Shën Nënë Tereza, “krishtlindje është sa herë që rrinë në heshtje për të dëgjuar tjetrin.” Dhe mund të vazhdojmë në këtë mënyrë duke thënë është krishtlindje, kur lëmë hapësirë për lutje, hapësirë që Jezusi të lind në ne. Ky gëzim është i plotë vetëm kur ky realizimi harmonik i jetës tonë zbatohet në hapjen e sinqertë ndaj Zotit, të “kraharorit të shenjtë”, nga ku lulëzojë fillimi i ekzistencës sonë. Çdo kohë e shenjtë liturgjike, na thërret në pendesë, kthim dhe lutje. Prandaj, të penduar t’i kthehemi Zotit tonë Jezu Krishtit, që është burimi i shpëtimit, gurra ku buron dhe shndrit e vërteta, që na bënë të lirë, të drejtë, që na liron nga çdo frikë dhe nga çdo egoizëm. Jemi të thirrur ta njohim Jezu Krishtin, jo vetëm në katër muret e Kishës, por në Kishën e gjallë që jemi ne si bashkësi motrash dhe vëllezërish, që na bashkon një thirrje e vetme, dashuria e Krishtit, pra, vet shenjtëria.
PROFECIT MESIANIKE – BIBLIKE
E gjithë historia para Ardhjes së Jezusit ishte përgatitje, për dëftimin e Mesisë, si Bir, Shenjt dhe i Lavdishëm. Zoti përgatiste ardhjen e Tij, duke treguar dashurinë ndaj një populli, duke krijuar një besëlidhje dashurie dhe lirimi. Zoti për dashuri ndaj këtij populli ua dha ligjin e dashurisë Torahin apo Pesëlibërshin, si mësim për të jetuar në dashuri me të tjerët dhe për të kumbuar dhe jehuar zëri se është një Zot i vetëm. Por, ky popull ishte i paaftë për t’i qëndruar besnik kësaj besëlidhje dashurie. Andaj, Zoti nuk ndaloi të dërgoi profetë, për të shpallur ardhjen e Mesisë dhe për të dënuar idhujtarinë-mëkatin. Gjithçka ishtë një përgatitje për lajmin e mirë “prepatio evangelica”. Kështu, në këtë përndritje të shpirtit edhe filozofët, si Platoni, thoshin; “i drejti dhe i vërteti është Ai, edhe pse ishte besnikë ndaj të vërtetës dhe drejtësisë, preferon më shumë që të ndëshkohet duke vdekur për të drejtën dhe drejtësinë, se sa të bëhet bashkëpunëtor duke vepruar kundër drejtësisë dhe të vërtetës.” Pra, i drejti që vuan për të padrejtët.
Në tekstet biblike, konkretisht dhe në mënyrë të veçantë, në Besëlidhjen e Vjetër, duke u përqendruar tek profetët dhe profecitë e tyre, për ardhjen, lindjen e Mesisë janë një varg i pashkëputur i profecive mesianike. Duke filluar që nga libri i Zanafillës, e deri te profeti i fundit, Shën Gjon Pagëzuesi. Më poshtë, do të vendosi një paralelizëm nga dy besëlidhjet e Shkrimit të Shenjtë, për të pasur një përqasje më të kapshme të linjës profetike. Kjo për faktin, se është një vazhdimësi e asaj që është thënë shekuj më parë, plotësohet dhe përmbushet në personin e Krishtit, që është Mesia, i lyeri, i shuguruari. Termi Mashiach “mesia” nga hebraishtja dhe nga greqishtja Christòs (Krishti) do të thotë “i lyeri”. Pra, “Jezus Krisht” do të thotë “Jezus i lyeri” ose “Jezus Mesia”.
Në kohët biblike, një person shpesh lyhej duke i derdhur vaj në kokë për t’i dhënë një detyrë që kishte autoritet të veçantë (Lev 8,12; 1Sam 16-13). Hyji e emëroi Jezusin si Mesia, duke i dhënë kështu një pozitë me autoritet të madh (Vap 2,36). Megjithatë, Ai nuk e vajosi me vaj, por me Shpirtin Shenjt (Mt 3,16). Prandaj, ardhja e Krishtit në botë shpreh qartësisht dhe në mënyrë absolute dashurinë e Zotit kundrejt njeriut, që nga zanafilla, kur njeriu bëri “Kafshimin e padëgjesës” (Shën Agustini), duke i premtuar se do të vinte shëlbuesi përmes gruas (Zan 3,15). Ky shpëtimtar, do të lindte në Betlehem (Mik 5,2; Mt 2,1). Mesia do të lind nga një Virgjër, (Is 7,14). Pra, nga Zoja e Bekuar, e Tejet Shenjta, Virgjëra Mari, (Mt 1, 22-23; Lk 1, 26-31). Virgjëra Mari, ishte e përzgjedhura e Atit, si një botë e madhe e Tij. Ajo është një galaktikë që shpreh më së miri dashamirësinë e Atit ndaj botës. Pra, përmes Zojës, u shpalos kjo vegëz profetike, si përmbushje e Planit të Atit ndaj njerëzimit. Madje, ajo është parajsa në tokë e Adamit të Ri (Novissimus Adam) ku është mishëruar për të bërë mrekulli të papërshkrueshme (Shën Leoni i Madh). Mesia, Jezu Krishti është PRIFT (Ps 110,4; Heb 5, 5-6) PROFET (Lp 18,15; Vap 3, 20-22) dhe Mbret (2 Sam 7,12-13; Rom 1,3). Në të u plotësuan të gjitha profecitë, këtë gjë edhe vet Jezusi e dëshmoi nxënësve për në Emaus, do të duhej të ndodhnin këto ngjarje Mesisë që të hynte në lavdinë e vet si dhe për tu plotësuar çfarë thotë Shkrimi Shenjt dhe Profetët për Të (Lk 24, 26-27). Sepse ai është Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, të tij janë kohët dhe shekujt. Ai është Zot i vërtetë dhe njeri i vërtetë, që na liroi nga mëkati (Is 53, 5-12; Rom 5, 6-8).
HISTORIA E KRISHTLINDJES – 25 DHJETORI
Nga të dhënat biblike shohim që nuk ishte traditë të festohej dita e lindjes, por me krishterimin mori vëmendje më shumë ditë-vdekja, për këtë arsye në liturgjinë kishtare, shenjtërit kremtohen në ditën kur kanë vdekur, e jo në ditën e lindjes së tyre. Kjo ka një kuptim të thellë teologjik si dhe eskatologjik, ku vdekja nuk është një fund, por një fillimi i ri – i një jete me Zotin. Pra, një ditëlindje metafizike. Kështu ngjau edhe me bashkësinë e parë, ata nuk u ndalën shumë në lindjen e Mesisë, por në Pashkën e Tij, pra, në mundimin, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, pa të cilën, siç thoshte Shën Pali, feja jonë nuk do të kishte kuptim (Kor 15, 1-58). Të gjithë sinoptikët edhe Shën Gjoni, na japin një serë ngjarjesh dhe mrekullish të cilat, po të shkruheshin do të duheshin të shkruheshin shumë libra (biblion/bibliotekë) thënë vet nga nxënësi i dashur i Krishtit (Gjn 21, 25). Jeta e Krishtit në tokë ka qenë e karakterizuar me shumë mrekulli, ku shëroi të verbrit, të çalët, të gërbulurit, ngjalli të vdekurit, bëri shumimin e bukës, largoi djaj. Pra, me Të filloi të numërohej koha, vendosi themelin e qytetërimit të dashurisë, në të cilën do të mbështetej e gjithë bota. Nga ky revolucion i ardhur nga Krishti lindi kisha – kisha mishërojë mësimin e Krishtit, që solli kulturë, art, muzikë, rite, liturgji, etj.
Por, paraprakisht, Jezu Krishti thirri rreth vetes dymbëdhjetë apostujt, që të rrinin me Të dhe pastaj t’i dërgonte në botë për të shpallur dhe dëshmuar përvojën e tyre që kishin me Zotin. Prandaj, të ftuar dhe të dërguar më këto fjalë të Krishtit: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell dhe në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Biri e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës!” (Mt, 28, 18-20).
Dishepujt e Tij të forcuar nga Shpirti Shenjt, dolën për të kryer misionin e tyre, të cilin ua kishte besuar Jezusi, që është kuptimi i jetës dhe i vdekjes (Blaise Pascal). Një dashuri e tillë nuk i ndalojë asgjë apostujt për të shpallur Krishtin, madje, deri në tokat e Iliricum Sacrum – duke u bërë edhe ne populli shqiptar, një popull biblik, falë Shën Palit i cili predikojë në këto troje, duke u shprehur edhe vet me fjalët e tij; “Kështu, qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”(Rom 15,19). Në këtë mënyrë, krishterimi u shtri në katër anët e botës dhe ishin të shumtë prej atyre që pranonin fenë në Jezusin Zot. Kështu, feja në Krishtin, u takua edhe me ata persona që ishin pagan, nuk besonin në Zotin e vërtetë, por besonin në shumë zota, mite, legjenda, pra një besim poleteist. Prandaj, Kisha apo bashkësitë e para të krishtera, disi edhe duhej të mbërrinin tek ata në një formë apo në një tjetër, duke i dhënë kuptim gjithçka në Krishtin. Ai që nuk ka ardhur për të fshirë asnjë ligj, por për t’ju dhënë kuptimin e vërtetë (Mt 5, 17-20). Në këtë kontekst, ishin dy ngjarje si faktorë historik që përcaktuan edhe festën e Krishtlindjes dhe gjithë atë pasuri që solli me vete kisha:
- Përhapja e shpejtë e krishterimit edhe pse persekutohej
- Edikti i Milanos (313) nga Konstadini
Feja e krishterë, u përhap në mënyrë marramendëse, shpallte një jetë të virtytshme, të moralshme, të drejtë, një jetë për njëri-tjetrin. Dëshmonte dashurinë e Zotit që është manifestuar krejtësisht në Personin e Krishtit, i cili na dëftojë Zotin si Atë të dashur dhe të mëshirshëm. Të gjithë u mahnitnin dhe u mrekullonin nga dëshmia e të të krishterëve. Mbeteshin të shokuar nga veprat e apostujve si dhe dishepujve të tyre, që vazhdonin veprën e mrekullueshme në Shpirtin Shenjt, duke shëruar të sëmurët, duke ndihmuar të varfrit, nevojtarët, te mënjanuarit. Predikonin faljen, jo vetëm të atyre që i donin por gjithashtu edhe ndaj atyre që mbaheshin si armiq. Kështu, i kishte mësuar Jezusi (Lk 6, 27-35) kështu vepruan ata. Kështu filloi koha e hirit, në këtë mënyrë i drejtuan njerëzit drejt shëlbimit, drejt pikëpamjes së Zotit, e kjo pikëpamje e Tij, ishte Krishti, i cili është e vërteta. Të gjithë e pranuan Jezusin si Rruga e Vërteta dhe Jeta (Gjn 14,6). Nuk adhuronin më idhuj dhe perandor, por, adhuronin mbretin e vërtetë, Jezu Krishtin. Kjo forma mentis, pra, e të menduarit dhe e të vepruarit të të krishterëve ngjalli frikë dhe pasiguri te perandorët romak, andaj, edhe filluan t’i përndjekin, t’i martirizonin, t’i vritnin me idenë që kjo gjë do të shuhej, por nuk e dinin që sa më shumë jepnin jetën për Krishtin, aq më shumë forcoheshin në fe, shpresë dhe dashuri. Ja, pse, me plot të drejt do të thoshte Tertuliani; “Gjaku i martirëve, ishte fara e të krishterëve.” Kështu, për disa shekuj krishterimi u përndjek në të gjitha mënyrat dhe në të gjitha format, për hir të dashurisë ndaj Krishtit. Jezusi, për të gjitha këto ngjarje i kishte përgatitur, duke ju thënë; do t’ju shajnë, do t’ju frushkullojnë, do t’ju pandehin në gjyqe, por ju mos kini frikë, unë e munda botën, bota me urreu, do t’ju urrejë edhe juve (Gjn 16, 28-33).
Prandaj, do të duhej të pritej vendimi i perandorit me prejardhje ilire, Konstadini, me Ediktin e Milanos, të vitit 313, që do të ndryshonte qëndrimin ndaj krishterimit, kësaj historie të së bukurës, drejt përcaktimit të lirisë fetare dhe krishterimi do të shpallej zyrtarisht si fe e perandorisë. Me këtë aktvendim, Konstadini bëri një unifikim dhe njësim religjioz dhe politik të perandorisë gjatë qeverisjes së tij. Kështu, filloi lulëzimi dhe bukuria e krishterimit, ku të gjithë pa frikë pagëzoheshin, pa frikë shpallnin dhe dëshmonin se ishin të Krishtit. Kështu, Kisha nga e vrarë u ngjall, nga e vdekur erdhi për të dhënë jetë. Por, me dhënien e lirisë filluan edhe shtrembërimet apo keqinterpretimet teologjike dhe kristologjike mbi të vërtetat e besimit të krishterë. Përgjatë një dekade linden herezi të ndryshme që shqetësuan udhëheqësit e Kishës, u deshtë që të intervenohej dhe të shikoheshin më saktësisht se cilat ishin këto devijime të cilat qarkullonin si mësime të vërteta. Kështu, perandori Konstadin, thirri koncilin e parë ekumenik të Nikesë, më 325. Në këtë koncil morën pjesë të gjithë ipeshkvijtë dhe në mënyrë të veçantë edhe prelatët e botës ilire, ipeshkvijtë nga Dardania Antike, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e “Besojmës Apostolike”. Përtej shkapetjeve dhe debateve trinitare, kristologjike dhe teologjike në përgjithësi të etërve konciliar, njerëzve të thjeshtë u interesonte figura e Krishtit, prej secilës u mrekullonin dhe u mahnitnin. Kështu, shumë u pagëzuan dhe e pranuan Jezusin si Zot të jetës së tyre. Mirëpo, me kalimin e kohës të krishterët e rinj ishin të ndikuar edhe nga idhujt që të parët e tyre kishin jetuar dhe nuk ishte krejt e lehtë dhe e menjëhershme një shkapje nga ajo botë pagane si dhe nga festat e tyre. Largimi nga këndvështrimi poletist, do të vinte më vonë, kur Kisha do të kristianizonte një festë pagane, me lindjen e Krishtit. Por, çka ishte më konkretisht kjo festë?
Historianët nxjerrin në pah një dokument të lashtë, kronografi të vitit 354, dokument ky që dëshmon ekzistencën e një feste pagane, pikërisht më 25 dhjetor, e quajtur; “Natalis Solis Invicti” të cilët festonin agimin apo fillimin e zgjatjes së ditës, pra “festa e diellit të ri.” Në këtë festë pagane adhuroheshin idhujt, sepse perandoria romake, dhe pjesë të tjera të botës, kishin një besim poleteist, bazuar në legjenda dhe zota. Gjithë kjo përkonte edhe me festat e Saturnit, ku perandori i lironte të gjithë skllevërit si dhuratë për të jetuar atë ditë të lirë si të gjithë qytetarët tjerë.
Për t’i larguar njerëzit nga idhujt e ndryshëm që adhuroheshin në këtë festë, të krishterët i dhanë një kuptim tjetër. Kështu, duke u mbështetur në Shkrimet e shenjta dhe me ndihmën e të dhënave historike, 25 dhjetorin e caktuan datën e Krishtlindjes, për të shpalosur dhe për të treguar, që Jezusi është DIELLI I VËRTETË, ai që është Drita e pambaruar, që rrezaton shpirtin e njeriut. Në këtë perspektiv u shprehnin në mënyrë analogjike edhe Etërit e Kishës; Kisha është “hëna”, e Krishti është “dielli”, sikur hëna që ndriçon falë rrezeve të diellit, ashtu edhe kisha shkëlqen falë Krishtit (Misterae Lunae). Krishti është shndritja që erdhi në botë për të mësuar njeriun se kush është njeriu, sepse Ai është pasqyra e vërtetë e njeriut. Ai është çelësi, qendra dhe qëllimi i gjithë historisë së njerëzimit: “Në të vërtetë, vetëm në misterin e Fjalës së mishëruar gjen dritën e vërtetë misteri i njeriut. Faktikisht, Adami, njeriu i parë, ishte prototip i atij të ardhshëm (Rom 5,14), e pra i Krishtit Zot. Krishti që është Adami i Ri, pikërisht duke zbuluar misterin e Atit dhe të dashurisë së Tij, ia zbulon plotësisht edhe njeriun vetë njeriut dhe i tregon thirrjen e tij tejet të lartë” (Gadium et Spes nr 22)./drita.info
(Një përmbledhje e diskutimeve me të rinjtë e Famullisë së Prizrenit me rastin e festës së Krishtlindjes, të udhëhequr nga Don Samuell Ramaj, i cili është edhe përgatitës i këtij teksti.)