TË NJOHIM MË SHUMË GJUHËN E ZEMRËS

Nga m.Franciska (Suzana)Lekaj

 

Çdo ditë përballemi me ndryshime të mëdha, pothuajse në të gjitha aspektet e jetës. Këto ndryshime reflektohen edhe në vlerësimin që i bëhet njeriut si individ më vete, ku vihet re një vëmendje e madhe, jo më për sjelljen, edukatën, apo për mirësinë e tij, por më shumë për vlera të tjera që karakterizojnë karakterin dhe qenien e tij, siç janë ato që vënë në dukje zgjuarsinë, bukurinë, forcën, famën, suksesin, arritjet profesionale. Sigurisht, një vlerësim ky që duket i plotë, sikur mos të liheshin mënjanë ato anë të karakterit që nxjerrin në pah më shumë formimin dhe botën e brendshme, identitetin dhe personalitetin e tij.

Pothuajse të gjithë e vlerësojnë një person me disa nga karakteristikat e mësipërme, por askush nuk vëren, nuk vlerëson, nuk flet për bukurinë e zemrës së tij, që është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme për formimin e individit në tërësi. “Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën” (1 Sam 16,  7). Sigurisht, Zoti është Ai që sheh, njeh, dhe vlerëson drejtë, zemrën e njeriut në thellësi dhe nuk ndalet vetëm në dukjen e tij të jashtme.

Lind pyetja: çfarë dobie ka njeriu nëse zotëron anën  intelektuale, bukurinë, forcën fizike dhe morale (çka në realitet nuk është vetëm meritë e tij por është dhuratë e Zotit),  nëse i mungon zemra e pastër dhe e shëndoshë?  Sigurisht, vetëm këto veti nuk janë të mjaftueshme për një jetë të mirë,  të shëndoshë, dhe të suksesshme, sepse nëse njeriu  zemrën nuk e ka të pastër, nuk mund të shohë larg, dhe nuk mund të shohë atë që vetëm zemra sheh. Zemra përveçse është më e rëndësishme se intelekti dhe bukuria e njeriut, ajo më fort se çdo aspekt tjetër njerëzor është pjesa më e shenjtë, është qendra e ekzistencës së tij. “Me më të madhin kujdes ruaje zemrën tënde, sepse prej saj burimin e ka jeta.”( Fu 4,23).

Për këtë arsye, shpesh  kërkohet që t’i japim jetë, pra t’i japim zemër çdo situate dhe përvoje, t’i japim  emocion, ndjenjë, dashuri, ashtu siç vetëm zemra di të bëjë. Pikërisht sepse ajo tek disa njerëz shpesh mungon, çdo gjë dhe çdo situatë është dhe shihet ndryshe. Vërtetë që mungon vlerësimi ndaj njerëzve me zemër të pastër, të shëndoshë, e zemërgjerë, por nuk do të thotë që njerëz të tillë nuk ekzistojnë, përkundrazi ka shumë prej tyre, që punojnë, dhurojnë, e veprojnë në heshtje. Sepse gjuha e zemrës tregohet në heshtje dhe në qetësi, ajo nuk bën zhurmë.

Kuptohet se flitet për zemrën si themeli i shpirtërores, ku lind dashuria, forca, guximi, lutja, bekimi, shpresa, urimi, vlerësimi, si dhe vendi ku ruhen përvojat, kujtimet etj.  Mirëpo në zemër zë vend  edhe urrejtja, xhelozia, frika, hakmarrja, dyshimi, siç na tregon edhe ungjilli i Markut, ku thuhet: “Prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të flligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorthyrjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë,  krenia, marrëzia. Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun  të papastër.” (Mk 7,21-23) Pra, gjithçka varet nga ne dhe nga se me çfarë e ushqejmë zemrën tonë, se cilat janë parësitë tona dhe sa të pastër e mbajmë neve atë.

Zemra pra, e parë kështu, ka një funksion të rëndësishëm jo vetëm biologjik për jetën e njeriut, por edhe shpirtëror.“Sikurse uji është pasqyrë për fytyrë, ashtu zemra e njeriut është për njeriun” (Fu 27, 19). “Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin.” (Mt 5,8). Ashtu sikurse njeriu kujdeset për mirëqenien fizike, për pamjen e jashtme, po aq shumë duhet të kujdeset për pastërtinë e zemrës së tij, pasi vetëm atëherë do reflektojë e do shkëlqejë bukuri së jashtmi.

Por, pastërtia e zemrës arrihet duke bërë një ecje shpirtërore çdo ditë, duke u ndalur dhe reflektuar. “Pastroni zemrat, o njerëz dy mendjesh!”( Jak 4, 8). Sigurisht,  zemra nuk konsiderohet e shkëputur nga njeriu,  por përmes saj i referohemi qenies së tij në tërësi. Ajo është qendra prej nga burojnë ndjeshmëria, emocionet, dashuria. “Zemra e gëzuar bën të lulëzojë jeta” (Fu 17, 22). Pra, ajo  është ura lidhëse që krijohet me veten tonë,  Zotin, dhe me tjetrin.

Sa herë duam të tregojmë dashuri, mirënjohje, falënderim, përdorim shenjën e zemrës, por për një qëllim të tillë ama, asnjëherë nuk e përdorim shenjën e trurit, madje as kur duam të shprehim apo të nënkuptojmë arsyetim, gjykim, mirëkuptim. Pse vallë ndodh kjo? Ndonjëri prej jush është ndalur të reflektojë mbi psenë e kësaj sjelljeje? Besoj se jo. Gjithsesi, sa mirë do ishte që ta njohim zemrën e të dimë më shumë mbi gjuhën, urtësinë dhe mençurinë e saj. Sepse, gjuha e zemrës është plotë ndjenja, emocione, dashuri, ndjeshmëri, mëshirë, falje… Pra, zemra është ajo që i pranon gjërat, i ndjen e nuk i analizon, nuk bënë pyetje, sepse gjuha e saj është heshtja dhe veprimi konkret. Këtu na vjen në ndihmë thënia: “Zemra nuk ka sy, por ka duar dhe këmbë”. Me një fjalë, ajo nuk di të bërtasë, ta ngrejë zërin, të bëjë analiza dhe supozime. Por, ajo reagon shumë shpejt, nuk pret të arsyetojmë, por vihet menjëherë në veprim. Kështu që, nëse doni të jeni njerëz sa më pozitivë dhe të reflektoni pozitivitet, duke filluar nga familja dhe aty ku jetoni dhe punoni, duhet që të bashkëpunoni sa më shumë që të jetë e mundur me zemrën tuaj. Sepse, ajo aq sa është delikate dhe e brishtë,  njëkohësisht është edhe e fortë, sepse  aty fillon guximi dhe forca.

Njerëzit i drejtohen kardiologut sa herë që ndjejnë shqetësime dhe dhimbje në zemër. Por jo gjithmonë dhimbja apo shqetësimi është thjesht fizike, ndaj shpesh flitet edhe për thyerje zemre, për zemër të lënduar, të plagosur, të ngarkuar, të lodhur, etj. Në raste të tilla,  kujt i drejtohemi? Në të shumtën e rasteve në fakt mbyllemi në vetvete, dhe fillojmë të dyshojmë tek çdo njeri, në çdo gjë, ose thjesht nuk duam të merremi me gjendjen tonë shpirtërore. Pikërisht në momente të tilla, mos harroni se kjo gjendje e zemrës nuk duhet injoruar, nuk duhet lënë mënjanë, por duhet kërkuar ndihmë tek Zoti, feja, besimi, “Ai i shëron zemrat e copëtuara i lidh plagët e tyre!” (Ps 147, 3) dhe tek personat që mund të na ndihmojnë. Sa kohë mendime dhe ndjesi të tilla mbeten vetëm në mendje, efekti negativ i tyre mund të themi se nuk është aq shqetësues kur kemi parasysh thënien “ndërron mendje”, por nuk mund të themi të njëjtën gjë nëse ato depërtojnë në zemër, pasi asnjëherë nuk e kemi dëgjuar shprehjen “ndërron zemër”.

Pra, duhet shumë kujdes kur mendimet dhe ndjenjat futen në zemrën tonë, sepse aty askush nuk mund të ndërhyjë përveç Zotit, e kjo ndodh vetëm atëherë kur njeriu do dhe e lejon një gjë të tillë, sepse Zoti respekton lirinë e njeriut, edhe se çdo gjë që bëhet me zemër, nuk bëhet me dhunë. “Unë do t’ ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurt e do t’ ju jap një zemër mishi.” (Ez 36, 26 )

Sa të jetë e mundur, duhet të përpiqeni të mos jeni individë që krijojnë dallgë, plagë, thyerje, zhgënjime, tradhti, lëndime në  zemrën e tjetrit. Por, lejoni që  zemra juaj të jetë një barkë shpëtimi për të ndihmuar të tjerët, që edhe ata t’i përballojnë dallgët e jetës së tyre, dhe të mund të kalojnë në bregun tjetër.

Lejo që zemra jote të jetë ilaç për të shëruar plagët, lëndimet, lejo që zemra jote të jetë siguri për të kthyer besimin e humbur, të jetë balsam për të rregulluar çdo thyerje, plasaritje, që  ajo të jetë mundësi për të forcuar shpresën, dhe të jetë  karrige ku të ulen të lodhurit. Lejo që  zemra jote të jetë shtëpi për t’i pranuar e ndihmuar të tjerët, të jetë këshillimore për t’i këshilluar të tjerët, dhe të jetë shkop për t’u mbajtur tjetri. Lejo që ajo të jetë shkallë për t’u ngritur lart, dhe vatër ku të edukohet e mësohet tjetri.

Lejo që zemra jote të jetë krah për të përqafuar, të jetë  dorë për të përkëdhelur dhe të jetë melodi për të qetësuar shpirtin. Bëj që zemra jote të jetë vetëm zemër për të dashur./drita.info

 

————————————–

Referenca

Chiara Amirante, La guarigione del cuore, Piemme,  Milano, 2019 

Tomaš Špidlik, L’arte di purificare il cuore, Lipa, Roma, 2015

Shpëndaje: