Libër për modelet e prozës moderne shqipe

Nga fjala e recensentëve…

Libri “Proza moderne shqipe (Koliqi, Pashku, Hamiti)” i Agnesa Beqirit është strukturuar në katër kapituj: I. Proza moderne shqipe, II. Proza e Ernest Koliqit, III. Romani i Anton Pashkut, dhe IV. Romani i Sabri Hamitit.

Sipas këtij përshkrimi, kuptohet se në këtë libër, nën përcaktimin Proza moderne shqipe, trajtohen proza letrare e Ernest Koliqit, romani “Oh” i Anton Pashkut, si dhe romani “Njëqind vjet vetmi” i Sabri Hamitit, si prova empirike të prozës moderne shqipe, madje si modele përfaqësuese të saj.

Vërejmë se autorët e zgjedhur janë të tre brezave të ndryshëm dhe se vepra e tyre ngjan e veçohet, ashtu siç ndodh rëndom me veprat letrare që me ngjashmëritë u takojnë poetikave të caktuara, ndërsa me veçantitë dëshmojnë për poetikat individuale, si manifestime të rëndësishme të modernitetit letrar.

Ernest Koliqi, me “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh” dhe “Pasqyrat e Narçizit” është zgjedhur për studim, meqë ai është themeluesi i prozës moderne shqipe, ndërsa Anton Pashku, me romanin “Oh”, meqë, me formën e tij, kjo vepër romanin shqiptar e bën të krahasueshëm me atë evropian. Më tej, Beqiri vëren e nënvizon se krijimtaritë letrare si ajo e Pashkut dhe e Hamitit e largojnë letërsinë shqipe nga poetika e socrealizmit dhe e rikthejnë në rrugën e modernitetit.  Agnesa Beqiri Në secilën prej veprave të trajtuara, Beqiri ka kërkuar karakteristikat themelore që ato vepra i bëjnë moderne.

Pas trajtimit përgjithësues të prozës moderne shqipe, në kapitullin e dytë, Beqiri analizon prozën e Ernest Koliqit, duke e përvijuar analizën nëpër simbolet kryesore, të cilat interpretohen nga perspektiva e psikanalizës, me përqendrim te përsëritja e tyre dhe e motiveve në tregimet e Koliqit të të dy librave tregimtarë, “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh”.

Po ashtu, Beqiri ka analizuar edhe dualitetin tematik e ideologjik mal-det të Koliqit. Por fokusin kryesor analiza e Beqirit e vë te “Pasqyrat e Narçizit”, vepër e poetikës simboliste.

Më tej, në kapitullin e radhës, Beqiri prozën simboliste shqipe e kërkon te romani i Pashkut, të cilin e vë krahas prozës së Koliqit, madje duke parë pasqyrat e Narçizit në romanin “Oh”. Po ashtu, meqë këtë roman e konsideron një sintezë situatash, analizon situatat surreale të tij, prandaj edhe lidhjet e ndarjet e kësaj vepre me surrealizmin. Duke pasur parasysh statusin prej sinteze e montazhi tekstor të romanit të Pashkut, kjo vepër analizohet e lidhur edhe me f ilmin. Në fund, Agnesa Beqiri ka analizuar intertekstin dhe simbolet biblike të romanit “Oh”, analizë që e plotëson, nga një perspektivë tjetër, kërkimin e poetikës së këtij romani.

Kapitulli i fundit i punimit përqendrohet te romani “Njëqind vjet vetmi” i Sabri Hamitit. Agnesa Beqiri, me durim, ka evidentuar dhe analizuar përsëritjen e simboleve dhe të motiveve të poezisë së Hamitit në romanin e tij. Kështu, vepra e Hamitit është konceptuar dhe analizuar si një sistem, si një vepër e projektuar dhe e lidhur në tërësinë e saj, me vetëdijen se sistemi është një karakteristikë thelbësore e modernitetit letrar.

Më tej, Beqiri studion karakteristikat narrative të romanit të Hamitit dhe kapitullin e mbyll me shqyrtimin e “Njëqind vjet vetmi” si roman mbi personalitetin dhe vetënjohjen.

Në thelb, “Proza moderne shqipe (Koliqi, Pashku, Hamiti)” analizon veprat e autorëve të njohur të modernitetit letrar shqiptar, të tre brezave, duke pasur parasysh vetëdijen letrare të këtyre autorëve, si dhe pikëpamjet e tyre për letërsinë. Në rrafsh krahasues, veprat janë analizuar kryesisht për ngjashmëritë ndërmjet tyre, ndërsa dallimet kane mbetur në plan të dytë.

Përfundimisht, Beqiri ka: Identifikuar dhe analizuar karakteristikat e prozës moderne shqipe; Ka veçuar karakteristikat e prozës moderne të Koliqit, Pashkut dhe të Hamitit; Ka arritur të paraqesë ndikimet e tregimeve të Ernest Koliqit në veprën e Anton Pashkut dhe të Sabri Hamitit; Ka analizuar sidomos ngjashmëritë që kanë romani i Anton Pashkut me romanin e Sabri Hamitit./drita.info

(Titulli i shkrimit është i redaksisë sonë)

Shpëndaje: