Nga Don Fatmir KOLIQI
Festa dhe pajtori i mesazhit
Për çdo 24 janar – ditën e komunikimeve sociale apo masmedias – ditë kjo e shpallur nga Kisha Katolike, e kujtojmë Shën Françeskun e Salesit, pajtorin e mjeteve të komunikimeve sociale: të gazetarisë, të gazetarëve dhe të gjithë operatorëve mediatik. Pak kush e di faktin se Kisha, ka caktuar një ditë të cilën ia kushton botës së medieve – e aq më pak – ka një shenjtë mbrojtës dhe ndërmjetësues të gazetarëve. Kjo ditë e veçantë tregon rëndësinë dhe përkrahjen e madhe shpirtërore të Kishës Katolike për çdo punëtor në botën e medias.
Për çdo 24 janar, Ati i Shenjtë shkruan një mesazh, të cilin iu drejtohet operatorëve të komunikimit. Sivjet Papa Françesku ka zgjedhur temën: “Komunikimi dhe mëshira: një takim i frytshëm”, në të cilin, ka dashur të vendos dhuratën e mëshirës në komunikimin e gjithëmbarshëm, nga ai informativ deri te ai politik, ekonomik dhe kulturor. Me një fjalë: çdo komunikim të bartë njerëzì, intencion të shëndosh e të pastër në ndërtimin dhe fisnikërimin e njeriut krijues dhe pranues të mesazhit.
Dita e komunikimeve sociale, pa dyshim, është rast i volitshëm për ta kthyer vëmendjen kah masmedia dhe gazetari – si një subjekt komunikator dhe informues për publikun. Sa herë që flitet për masmediat, është e domosdoshme të ngritët pyetja mbi subjektin e komunikimit dhe profilin e tij. E kam fjalën për pyetjen që përplotëson pasqyrën reale të medias, pra, preket një dimension që, përveç përmasës juridike rreth të drejtave dhe rivendikimeve të njëpasnjëshme për krijimin e kushteve ekonomike, gati, askush nuk pyet kush është subjekti që i kërkon këto të drejta, personi që do të bëhet bartës i këtyre të drejtave dhe kushteve për punë.
Çdo qytetar i Kosovës, e në mënyrë të veçantë, ata që merren me komunikologji, duhet të shtrojnë këto pyetje ekzistenciale: kush e informon dhe si informohet qytetari i Kosovës? Janë dy pyetje bazike e të rëndësishme që prekin faktorin deontologjik (“D”) të gazetarisë dhe gazetarit. Në fakt, është palca e mediumit, e cila, gjendet dhe krijohet nëpërmjet një ndërthurjeje esenciale: krijuesit të mesazhit (mediumit) dhe pranuesit të mesazhit (publikut).
Çka është media-mediumi-massmedia?
“Mediumi është mesazh(i)”, është thënia më e revolucionare, e cila ka dalë nga goja e Marshall Mcluhan, njërit prej etërve të medias moderne. Në thelb, kjo nënkupton se mediumi bartë/është mesazh(i) në vetvete, zgjatje e vetvetes, intenca e të qenunit të saj. Në qoftë se pajtohemi me Mcluhan, atëherë shtrohet pyetja: a mund të merret e njëjta, për ta konsideruar media-n imazhin e një vendi, populli, shoqërie, shfaqje e fytyrës së tij, kulturës së tij individuale dhe bashkësiore? Nëse i mbesim besnik M. Mcluhan, atëherë media mund të merret si pasqyra e një vendi dhe shoqërie, sepse mesazhi si i tillë, krijohet, përpunohet dhe bartet nga qytetarët (subjekti i medias), që kanë një mendësi e botëkuptim (kulturë, formim, edukim) që formëson njeriun dhe shoqërinë e një vendi të caktuar, në të gjitha përmasat e saja. E në të vërtet, impakti i saj është i madhe edhe te ata që e krijojnë, por edhe te ata që e pranojnë, pasi media krijohet dhe merr shtat nga një kornizë apo matricë kulturore ekzistuese.
Ja pse media dhe parashtesa e saj mass, sipas botëkuptimit bashkëkohor, nuk mund të quhet mjet në kuptimin e ngushtë të fjalës. Media është mesazh(i) që përcakton në vetvete një (anti) vlerë. Media asnjëherë nuk mund të jetë asnjanëse, neutrale, që të mos ketë një vend dhe një hapësirë përmbajtjesore dhe deontologjike. Mesazhi është marrëdhënie e kulluar që ndër-preket me indin dydimensional: krijim dhe përdorim, krijues dhe pranues…
Kush e informon sot qytetarin e Kosovës?
Pas viteve 2000, masmedia në Kosovë ka pasur një zhvillim të hovshëm. Ajo tashmë është bërë fenomen, ka arritur të bëhet një pushtet që ndikon fuqishëm në krijimin e opinionit publik. Nuk di të ketë vend në Kosovë që akoma s’ka qasje në mjetet e informimit, madje edhe të atyre të new media, që ka bërë të mos qëndrojnë disa barriera shoqërore: ta kujtojmë vetëm internetin si një rrjet global dhe shkrirës i shtresave shoqërore. Ky fakt dhe ky fenomen tashmë global, s’mund të merret si indikator i vetëkuptueshëm se komunikimi social-masmedia, ka mbërritur nivelin e duhur kualitativ dhe se opinioni publik, që krijohet prej saj, është në favor të zhvillimit ndërnjerëzor, kulturor dhe social të qytetarëve të vendit. Sasia apo numri i madh i TV-ve, gazetave, portaleve dhe blogjeve (private e publike), mund të jenë edhe kundër-cilësi, indikator për një gjendje krize, madje dhe degradimi mediatik.
Faktor i rëndësishëm, që do ta tregonte gjendjen reale mediatike të një shoqërie, pa mëdyshje është ai i a. q. “D” – faktori deontologjik. Për këtë arsye, është e nevojshme të analizohet profili i njeriut-subjektit që e informon qytetarin e Kosovës, nga shumë aspekte: profesionale, kulturore, psikologjike dhe deontologjike (etike). Madje, tregohet si çështje e domosdoshme të merret në shqyrtim subjekti komunikues – gazetari apo operatorët mediatik –, ai/ata që sot konsiderohen një ndër faktorët e krijimit të opinionit publik, pasi profili i tij/i tyre krijon mesazhin, imazhin që e shfaq si realit dhe atë imazh e bartë në aeropag-un dhe agorà-n vendore (dhe ndërkombëtare). Kategoria e gazetarit, njëra ndër më të pranishmit e pasluftës tek ne, ka nevojë m’u “pa n’sy”, me ia pa shpirtin që e nxitë me shkrue, kulturën që e bënë me kanë i tillë dhe intencën që e bënë me veprue.
Është interesant fakti se në vendin tonë ende nuk kemi një studim të mirëfilltë të gazetarit! Përveç atyre studimeve në aspektin ligjor mbi lirinë e fjalës, të drejtën e pluralitetit të shprehjes, mbrojtjes së gazetarëve dhe gjendjes financiare etj. etj, mungon hulumtimi i kualitetit, cilësisë, pikërisht profili kulturor, etik (deontologjik) i gazetarit. Entuziazmi i madh, e nganjëherë frenetik, për të pasur ligjin, ka lanë anash përmasën thelbësore: se ligji s’e jep lirinë dhe cilësinë, por liria joformale dhe përmbajtjesore prodhon ligjin për ta mbrojtur të drejtin e për të paaftësuar të keqin në veprimtarin e tij. Faktori deontologjik/etik ngelet në themel të mishërimit të lirisë, i cili, siguron që mos të devijohet në lirinë e pashpirt, inerte, të burgosur në kurthin e vet; që mos të gllabërojë gjithçka fisnike e të mos shndërrohet në një apati kafkiane kundrejt vlerës që e ka në vetvete. Fragmentimi i një fenomeni kaq të rëndësishëm për një shoqëri demokratike, siç është masmedia, apo fokusimi vetëm në një përmasë, është tendencë e rrezikshme dhe ngulfatëse e të tërës dhe shuan çdo nostalgji për komunikim human.
Po ashtu, një hulumtim i ngjashëm duhet të bëhet për profilet e fakulteteve dhe pedagogëve të gazetarisë, komunikimit dhe kulturës mediatike, pasi jo pak raste te ne kanë shfaqur dyshimin se edukimi i gazetarëve bëhet nga subjekte/pedagogë me matricë kulturore të diskutueshme dhe me mendësi kundërthënëse, të cilat e vejnë në pikëpyetje kredibilitetin e (burimit të) kulturës komunikative në Kosovë. Prej këtyre studimeve nga fusha e kulturës komunikative, do të shpaloseshin një mori çështjesh fondamentale që qarkullojnë ndër vite e të paqarta në mesin tonë: nga background-i formativ e kulturor deri te diskursi gazetaresk. Kjo ndërmarrje, duket të jetë urgjente, madje, pasi ka shumë opinion leader, të zhveshur nga përgjegjësia private dhe publike e me një ndikim frikshmërisht të madh e manipulues për destinatarin, që edhe nga profili i këtij të fundit, kuptohet të jetë jashtë të qenit i aftë të dallojë intencat komunikative të mass-mediave, si pasojë mungesës së media education.
Analizat e kësaj natyre do të ishin shpëtuese dhe si të tilla do ta lironin qytetarin nga ankthi i iluzioneve, nga mashtrimet e “ëmbla” që ia mbysin sensin kritik për të njëmendën, për realen. Ngase informimi (mediatik), informacioni është vital për funksionimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Por informacioni do ta merr këtë kuptim, pra është vitalitet fondamental për një shoqëri, vetëm nëse ai është i vërtetë. Informacioni fals, de-formacioni është negacion i informacionit. Për më tepër, është një antitezë ekstreme e asaj që do të duhej të ishte. Nëse do të donim ta ilustronim me një analogji, ajo do t’i ngjante një artikulli të skaduar që rrezikon të bartë viruse të rrezikshme për trupin e njeriut.
Gazetari, përgjegjësia dhe mesazhi
Botëkuptimi është një vizion i mbjell në njeriun nëpërmes një procesi edukativ e formues, i cili e ndihmon personin përkatës t’i krijojë “sytë” për ta parë botën. Ky, mandej bahet edhe njëlloj kodi veprues personal dhe ndërpersonal, komunikues.
Ne e komunikojmë atë që, në fakt, jemi, ne bëhemi mesazh apo mesazhi është imazhi ynë, fytyra jonë. Nëse e kthejmë po të njëjtën në një këndvështrim ndryshe sipas Mcluhan, atëherë mund të thuhet se gazetari është medium. E kur marrim në shqyrtim profilin e gazetarit, atëherë pyesim për mediumin.
Është jetike për gazetarin të jetë medium i vërtetë, real e me sy të kthjellët, i lirë nga liria e tij, të veprojë me ndërgjegje profesionale. Kryerja e punës me profesionalizëm, është njëfarë mënyre etikë, nëse profesionalizmin e kuptojmë si kryerje e punës përkatëse me ndërgjegje, pa qenë i ndikuar nga “bossi”, nga ideologjia… Profesionalisti etik, nuk negocion me ndërgjegjen.
Dua të mbyll këtë përsiatje, me një grishje prej ati të Papa Françeskut, drejtuar gazetarëve: “Ka gjëra që ju mund t`i thoni – ligji këtë jua lejon – por ju s`do të duhej t`i thoni, si çështje qytetërimi. Kur nëna jote të thoshte “kujdes gojën”, ajo s`po përpiqej të shfuqizonte Amendamentin e Parë (të kushtetutës së SHBA, vër. – F.K.).
Liria e fjalës lulëzon vetëm në shoqëritë që kanë një kulturë themelore të diskursit qytetar. Të vrasësh njerëz për shkak të ideve të tyre, është fyerja më e madhe e mundshme kundër qytetërimit. Por, t`i lëndosh njerëzit me dashje, është gjithashtu një fyerje. Një fyerje më e vogël, sigurisht, por gjithnjë një fyerje. Nuk mund ta ndërtosh një shoqëri civile duke i poshtëruar, rrënuar anëtarët e saj.”/drita.info