Grishje për të gjetur epifani të reja të së bukurës

“Artistë:

jeni rojtarë të së bukurës në botë”

Papa Pali VI

 

Nga Don Fatmir Koliqi

 

Botimi i Letrës së Papa Gjon Palit II dërguar artistëve në gjuhën shqipe është moment i mirë për të rikujtuar raportin e frytshëm shekullor të Kishës dhe artit, dhe kulturës në përgjithësi. Ky raport bart një intencion të natyrshëm, pasi që edhe njëra, edhe tjera kanë për mision të bukurën, e shfaqur si një alfabet simbolesh që mundëson të tregohet e të bëhet e dukshme përvoja e padukshme e misterit. Këtë alfabet e gjejmë që nga vizatimet e afresket e katakombeve në shekujt e parë të krishterimit, katekizmat vizual të pikturave në bazilika e katedrale mesjetare, e deri te katedralet rrokaqiellëse të gotikes evropiane; nga këndimi gregorian e te muzika klasike e ditëve tona, që kanë vend-lindjen në koret e kishave katedrale; nga arti i bukurshkrimit i murgjve të kuvendeve dhe letrat e bukura në poezi e prozë të kolegjeve dhe universiteteve, vatra këto të artit, kulturës dhe qytetërimit… e deri te arti bashkëkohor me gjitha degëzimet e saja, Kisha ka ushqyer artin në kraharorin e saj si bijën më të bukur të privilegjuar në kumtin e mesazhit ungjillor për ta fisnikëruar dhe lartësuar shpirtin e njeriut. Ungjilli – që është Fjala e Jetës – është bërë narracion në art e arti është bërë shpallje e ungjillit.

Në këtë relacion të pashkëputur, Papa Gjon Pali II, me Letrën e tij vjen, jo vetëm për ta vazhduar traditën e lashtë e të pasur dialogjike Kishë-art, por për t’u bërë  ndërmjetësues i kohës sonë në ripërtëritjen e këtij dialogu mes Kishës dhe artit, me qëllimin që bashkërisht të gjenden epifani të reja të së bukurës në shpalljen e Fjalës që u bâ njeri/njëri ndër ne, e matanshmja e padukshme u bâ e këtushmja e dukshme (khs. Gjn 1, 1-18). Me një fjalë, është grishje e Papës për të bërë ungjillizim përmes artit, kulturës. E, sipas meje, kjo është rruga e vërtetë e ungjillizimit, e ndoshta e vetmja e vërtetë në botën e sotme post-shekullare të shfytyrimit të njeriut. Me art të vërtetë të kumtohet Jezusi, Fytyra (ikona, figura) e Hyjit të padukshëm, Hyj që shfaqet, duket në fytyrën e njeriut, që është shëmbëllesa dhe përngjasimi i Tij, kryevepra e krijimit, që Zanafilla na tregon se gjithçka ishte krijuar, ishte shumë e bukur, e mirë, pikërisht atë që helenët e lashtë, shumë shekuj më vonë, do e gjakonin, e për të cilën edhe e krijuan fjalën e tyre: καλοκαγαθία  (kalokagathia)[1], e bukura e mira. Gjakimi për të bukurën e mirë, pra nuk është vetëm një mision i besimit, por mision i njeriut si i tillë.

Artistët – sipas Gjon Palit II – janë  shpallës të kësaj Fytyre nëpërmjet punëve të duarve të tyre, e kështu i përngjajnë Hyjit Krijues, Artistit Hyjnor, kur e pati bërë veprën e tij artistike në fillesat e rruzullit. Papa ju drejtohet me dashamirësi artistëve si arkitektë të së bukurës: “Askush më mirë se ju, artistë, arkitektë gjenialë të së bukurës, nuk mund të parandiejë diçka nga ai pathos-i, me të cilin Hyji, që në ag të krijimit, e shikonte veprën e duarve të tija. Janë të panumërta çastet, kur dridhërima e atij emocioni është shprehur në shikime, me të cilat, ju, sikundër edhe artistët e të gjitha kohëve, jeni mbushë me admirimin për shkak të forcës së mistershme të tingujve dhe të fjalëve, të ngjyrave dhe të trajtave, duke u mahnitur e duke medituar për veprën e frymëzimit tuaj të brendshëm, duke e ndjerë, së andejmi, jehonën e fshehtësisë së krijimit, me të cilën Hyji, i vetmi krijues i të gjitha gjërave, dëshironte, që, në një mënyrë, të ketë shoqëri me ty.” (Letra, nr. 1).

Papa Gjon Pali II, në personin e tij prej artisti, e ka hetuar mirë se ungjillizimi nëpërmjet të bukurës është ajo përmasë kumti që krishterimi duhet me e rujt si sytë e ballit, nuk duhet ta humbë kurrë, sepse atë ditë kur e humb, do ta humbë aspektin estetik të misionit të saj, krahët e saj për t’u lartësuar, alfabetin e saj, brushën e saj dhe pendën e saj. E, ky mision i përgjithshëm prej njeriu e besimtari, na grish të gjithëve të angazhohemi për të krijuar të bukurën në të gjitha sferat e jetës, të jemi artistë të jetë (estet), se e bukura është mision, jo një shtesë e papërfillshme e jetës. Se, Arti, e kultura në përgjithësi, do të na shpëtojnë nga ekstremizmat e çdollojshëm e nga skllavëri të mendjes dhe shpirtit.

Afërmendsh, e bukura, bukuria, si art e si stil i ekzistencës në përmasën më të lartë të saj, nuk është vetëm një dukje, një shprehje a një harmoni e jashtme. Ajo, mbi të gjitha, është një e cilësi e (për)brendshme, një përvojë shpirti që e brumë qenien në vlerat e saja humane e hyjnore, është një çështje e intensitetit të së shenjtës që lindë vetëm nga një thellësi e vërtetë (est)etike, në të cilën hiri dhe morali mbeten gjithmonë të pandashëm, por lidhja e të cilit, të paktën në këtë botë, shfaqet çdo herë misterioze dhe e paarritshme deri në fund. Është ajo e bukura dostojevskiane, e cila do ta shpëtojë botën, pra, e bukura e mirë që ka fuqinë e shpëtimit.

Raportin mes së bukurës dhe të vërtetës, si cilësi e përbrendshme e njeriut, më së miri e ka shprehur Joseph Ratzinger – Benedikti XVI, kur ka thënë: “E bukura është pa dyshim njohje, një formë superiore e dijes pasi ajo e godet njeriun me gjithë madhështinë e së vërtetës… Njohja e vërtetë goditet nga shigjeta e së bukurës që plagos njeriun… Të goditesh dhe të pushtohesh nëpërmjet bukurisë së Krishtit është njohuri më reale dhe më e thellë, sesa një deduksion racional.”[2]

Në këtë kuptim, Papa Wojtyla grish katolikët dhe njerëzit vullnetmirë të shpallim të bukurën për ta shpëtuar njeriun e sotëm nga kiçi shumëdimensional, material dhe shpirtëror. Këtë ftesë ai e rimerr nga Papa i Koncilit II të Vatikanit, Papa Pali VI, nismëtar i një epoke të re mes Kishës dhe artistëve, i cili në përfundim të Koncilit, përmes një letre të shkurtër, por të ngjeshur me dashamirësi, e grishje prej Ati, i ftonte artistët në dialog, në bashkëpunim për t’u angazhuar në misionin e madhe të shpëtimit, në mbrojtje të së bukurës në botë: “Kjo botë në të cilën jetojmë ka nevojë për të bukurën për të mos ra në humnerën e dëshpërimit. E bukura, ashtu si e vërteta, është ajo që sjell gëzim në zemrat e njerëzve, është ai fryt i çmueshëm që i reziston tjetërsimit të kohës, që bashkon brezat dhe i bën ata të komunikojnë me admirim. Dhe kjo falë duarve tuaja...”[3] Dhe vazhdon me të njëjtën vlerësim të lartë për artistët: “Mos harroni, ju jeni rojtarët e së bukurës në botë”. [4]

E bukura sjell gëzim – thekson Papa Montini – ashtu sikur ungjilli vetë është gëzim. E pra, gëzimi (ungjilli) qenka art i të jetuarit, përmasë personalogjike e të qenit dhe stil i pakontestueshëm ungjillor.

Për këtë arsye krishterimi dhe katolikët nuk duhet të heqin dorë kurrë nga gëzimi, kjo përmasë konstitutive ungjillore, artistike, ekzistenciale, sepse do të pushonin të dhuronin tërheqjen, atraksionin e shikimit, do të pushonin të dhuronin hirin e bukur të Krishtit. Krishterimi pa art e pa kulturë shndërrohet në një religjion ritualist monoton, anakronik, një spiritualizëm bajat e ekspoze kiçi, pa epifani. Prandaj, të krishterët  nuk duhet të pushojnë të jenë të kujdesshëm ndaj artit të mirëfilltë, kultivues e tij dhe promovues të tij në bashkësitë e tyre, që të mos realizohet pohimi sarkastik i filozofit francez Jean de Saint-Cheron, nga Instituti Katolik i Parisit, i cili në esenë polemike, por plot humor, Les bons chrétiens (shq. Të krishterë të mirë)  thotë: “Sot Palestrina, Van Eyck ose Racine janë më të admiruar nga një elitë mikroskopike që nuk beson në Zot, sesa nga katolikët. E një faqe e Molierit, një pikturë nga Van Gogh, një skenë e Chaplin-it priren më shumë drejt së vërtetës, sesa një gjellë spiritualiste, nga e cila pi subkultura e krishterë bashkëkohore.” S’do mend, neglizhenca e tepruar si pandjeshmëri dhe pakujdesi për të bukurën bëhet kundër dëshmi ungjillore.[5] Me fjalë të tjera, një shpallje pa art e kulturë, në përgjithësi, bëhet si një “cimbal tingëllues”, një shpallje pa mesazh, kumt pa mundësi të brumjes së qenies.

Letra dërguar artistëve e Papës Gjon Palit II, e shkruar në prag të mileniumit të tretë, mban vitin 1999, me të cilën atëbotë ftonte artistët të jenë mjeshtër dhe promovues të së bukurës në një epokë sfidash e kalimesh nga një mijëvjeçar në një mijëvjeçar të ri. Kur kjo Letër u shkrua nga Ati i Shenjtë, në Kosovë ishin vitet e mbijetesës, arti dhe artistët persekutoheshin e vriteshin në mënyrën më brutale. Në zemër të Evropës, në kontinentin djep i artit, i kulturës të së bukurës dhe të dashurisë, ushtrohej dhuna dhe kryheshin vrasje, të nxitura nga urrejtja dhe shëmtia.

Në këtë kohë e gjendje ekzistenciale, artistët e vendit tonë, e ne bashkë me ta, as që mundëm ta dëgjojnë e ta shijojmë letrën e drejtuar atyre prej një artisti i ulur në Selinë e Shën Pjetrit, mik dhe dashamir i popullit tonë, një zë i autoritetit moral në botë për çështjen tonë kombëtare dhe kulturore.

Sot, kur këtë Letër po e botojmë në serinë “Zëri i Kishës”, nëpërmjet saj duam të shprehim konsideratën tonë për të gjithë artistët shqiptarë, mjeshtër e rojtarë të së bukurës (Papa Pali VI), si në pikturë e skulpturë, muzikë, poezi e prozë, teatër e film… Përkundër periudhave të vështira dhe plot dhembje ekzistenciale që kanë përjetuar, ata arritën ta mbajnë të gjallë artin, kulturën, shkrimin, e kështu të bëhen dëshmitarë të vërtetë të atributit ontologjik të njeriut shqiptar; se e bukura (pulchrum), bashkë me të mirën (bonum), është pjesë konstitutive e njeriut, e cila prodhon vizione humaniteti e shprese. Arti është shprehja më e mirë e lirisë, e guximit për të shpresuar të ardhmen edhe kur ajo na duket e frikshme me dritëhijet e saja!

E, që kjo grishje e Papës të mund të lexohet në gjuhën shqipe, u mundësua falë shkrimtarit Prend Buzhala, i cili e përktheu dhe shkroi komentin, që gjendet në mbarim të Letrës. Për këtë punë të vlefshme i shpreh falënderim të përzemërt. Uroj që kjo Letër e Papës, artist e mik i shqiptarëve, të nxisë bashkëpunim të mirëfilltë mes Kishës dhe artistëve të të gjitha fushave, për të ndërtuar një shoqëri të së bukurës dhe të së mirës./drita.info

(Shkrimi është hyrje e librit)

 

————————————————-

[1] καλοκαγαθία (kalokagathia), fjalë e përbërë prej dy mbiemrash, καλός (kalòs – e bukur) dhe κἀγαθός (agathòs – e mirë), e bukura e mira, një puthitje e natyrshme të së bukurës dhe të së mirës:

[2] Joseph Ratzinger, La bellezza. La Chiesa, LEV-Itaca, Roma-Castel Bolognese 2005, f. 11-26.

[3] Papa Pali VI, Mesazhi i Atit të Shenjtë Palit VI drejtuar artistëve, në përmbyllje të Koncilit II të Vatikanit, nr. 4., në: I grandi messaggi del Concilio: Agli artisti (8 dicembre 1965) | Paolo VI (vatican.va).

[4] Ibid., nr. 5.

[5] Khs. Roberto Righetto, Dibattito. Perch i cattolici faticano a rispondere alle sfide sulturali?, në:  Perché i cattolici faticano a rispondere alle sfide culturali? (avvenire.it).

Shpëndaje: