“NËNA TEREZE, DASHURIA NË VEPRIM”, NJË UDHËTIM I SHKURTËR JETËSHKRIMOR I DON LUSH GJERGJIT

Libri “Nëna Tereze, Dashuria në veprim” e risjell autorin Don Lush Gjergji në një rrafsh më të gjerë komunikimi gjuhësor. Si rrjedhojë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup si dhe Revista “Drita”, si botues të këtij libri, shpalosin para një publiku tregjuhësh një grusht margaritarësh në formë reminishencash jetësore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, të latuara nga dora mjeshtërore e teologut, shkrimtarit, biografit e filozofit Don Lush Gjergjit.

Autori na e risjell figurën e Nënës Tereze në një trajtë të përpunuar të rrugës jetëshkrimore të saj, duke ndarë këtë rrugë në katër pjesë: a. Gonxhe Bojaxhiu – jeta familjare (1910-1928); b. Motra Tereze (1929-1948); c. Nëna Tereze Bojaxhiu (1948-1997); d. Përshpirtëria e Nënës Tereze. Një libër si ky nuk mund të shkruhet pa dashuri dhe përkushtim dhe kur këto dy komponentë kombinohen, atëherë gërmimi në shtresat e dukshme dhe të padukshme të një botë komplekse brenda trupit të një gruaje me shpirt të madh, është më shumë se një aventurë hermenutike e filozofike.

Që në kapitullin e parë të kësaj aventure (Nëna e botës së mjerimit, Nëna Tereze (1910-1997), autori as pas pas tridhjetë vjetëve të hulumtimit, të njohjes dhe të miqësisë me Nënën Tereze, nuk mjaftohet me pyetje shtesë të karakterit biografik, filozofik, teologjik, gnoseologjik, që ndërlidhen me fillimin dhe mbarimin e jetës tokësore të kësaj shenjtoreje.

Duke shtruar pyetje, Don Lush Gjergji e sprovon veten në ballafaqimin më qenësor me të thënat dhe të pathënat e korpusit të madh tematik e përmbajtjesor të jetës dhe veprës së Nënës Tereze.

Nëse për shumëkënd, si edhe për shumë gazetarë, shkrimtarë, Nëna Tereze ishte dhe mbeti një “kështjellë” e mbyllur, enigmatike, që nuk ka parapëlqyer shumë të flasë për vetveten dhe të kaluarën e saj, megjithatë para Don Lush Gjergjit, siç e thotë edhe vetë ai, ajo ishte paraqitur krejt ndryshe: e hapur, miqësore, si një nënë e vërtetë.

Për një lexues me njohuri të pamjaftueshme mbi jetën e Nënës Tereze, sidomos mbi fëmijërinë dhe vendlindjen e saj, ky libër është një minienciklopedi që ofron të dhëna autentike dhe përmbledhëse mbi jetën familjare të Gonxhe Bojaxhiu brenda periudhës së viteve 1910-1928.

Duke filluar nga shpjegimi i emrit të saj të fëmijërisë, autori jep shpjegime etimologjike, duke sqaruar se Gonxhe apo edhe Anjeze, është emri familjar dhe i pagëzimit për Nënën Tereze, dhe si i tillë ky emër ka një kuptim simbolik – lulja në “zbërthim” apo edhe në “lulëzim”, ndërkaq Bojaxhiu është mbiemri i

Nënës Tereze, duke u ndalur në zbërthimin treshtresor të kuptimit të këtij mbiemri.

Në vazhdim të librit, autori na e paraqet portretin e Kolë Bojaxhiut (1873-1919), duke sjellë edhe një kujtim të Nënës Tereze për babanë e saj: “Baba Kolë më thoshte: “Bija ime, mos e merr e mos e ha asnjë kafshatë të gojës pa e ndarë me të tjerët”. Ose: “Egoizmi është një sëmundje shpirtërore, që të robëron dhe nuk të lë të jetosh dhe t’u ndihmosh të tjerëve!”.

Saga familjare e Bojaxhinjëve në këtë libër do të ishte e paplotë pa Dranen, nënën e Gonxhes, plasticiteti shpirtëror e njerëzor i së cilës na bëhet më i qartë përmes vetë gojës së Nënës Tereze: Nëna Tereze tregonte: “Kurrë nuk e harroj nënën time. Ajo ishte tërë ditën e zënë me punë, por pastaj, në mbrëmje, pasi t’i kryente të gjitha punët, e kishte zakon ta priste babanë tim… Ne, atëherë nuk e kuptonim, nganjëherë edhe qeshnim, bënim hoka me të. Sot, nuk mund të mos e kujtoj atë takt madhështor, të cilin ajo e përdorte për trajtimin e tij. Çfarëdo që ndodhte, ajo ishte e gatshme ta priste me buzëqeshje…”.

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910, si fëmija i tretë i kësaj familjeje, dhe të njëjtën ditë qe pagëzuar nga Don Zef Ramaj në kishën e “Zemrës së Krishtit” në Shkup. Thuhej se këtë emër e kishte zgjedhur baba Kolë, shkruan autori në pjesën mbi fëmijërinë dhe rininë e Gonxhe Bojaxhiut.

Duke shkuar gjurmëve të jetës së Nënës Tereze, autori nxjerr në pah dimensionin e saj shpirtëror, teksa na e bën më të përafërt Farën e thirrjes përmes vetë Gonxhes, e cila autorit i kishte treguar: “Isha ende shumë e re, kisha afro 12 vjet, kur në rrethin familjar e kam hetuar për herë të parë dëshirën për t’iu kushtuar tërësisht Zotit. Kam menduar dhe jam lutur gjashtë vjet! Ndonjëherë më dukej se nuk kisha fare thirrje. Së fundi u binda se më kishte ftuar vetë Zoti. Në këtë kërkim, më ka ndihmuar shumë Zoja e Letnicës, apo si e quanim ne me shumë dashuri në gjuhën shqipe “Zoja Cërnagore”.

Vendimin përfundimtar e mori në Letnicë, para Zojës së Bekuar, natën e festës, më 14 gusht 1928, shkruan autori.

Gonxhe Bojaxhiu po bëhej gati shpirtërisht të nisej për mision në Indi dhe kjo do të bëhet e mundur pasi që ajo kishte arritur t’i shndërrojë në aksioma shenjtërie tri shprehje: Të dalësh – të shkosh – të nisesh, të cilat, siç e thotë autori, për Gonxhe Bojaxhiun, kishin kuptimin e realitetit të ri të thirrjes misionare, sepse ajo po e ndiqte thirrjen e Zotit, për t’u bërë motër misionare e rregullit “Motrat e Loretos” me seli në Irlandë.

Përshkrimin më autentik që i atribuohet formimit të Gonxhe Bojaxhiut në vitet e saja fëmijërore dhe rinore, autori na e pikturon përmes një skalitje brilante fjalësh që i përshtaten karakterit të personazhit të tij: “Gonxhja e kishte “kryer shkollën e “mirësisë” në rrethin familjar dhe famullitar, sepse kishte lindur dhe ishte rritur në një familje ku jetohej dhe ushqehej dashuria, bamirësia, bujaria dhe kujdesi për të afërmin”.

Don Lush Gjergji me këtë libër ka arritur të kondensojë në pak faqe një rrugëtim të gjatë të Nënës Tereze, duke përzgjedhur për lexuesit segmente më të

domosdoshme të veprimtarisë së saj, pa e lënduar autenticitetin e linjës biografike. Në vazhdim do të shohim se kjo linjë kalon brigje e oqeane, sidomos pas largimit nga vendlindja e saj, përmes Zagrebit, ku Gonxhe Bojaxhiu bën një jetë të rishtarisë, një përgatitje kjo për misionin rregulltar, për punën dhe jetën misionare. Stacioni i saj i radhës ishte Dublini, aty ku ajo kishte qëndruar tre muaj për të mësuar anglishten. Më pas Gonxhja kishte udhëtuar për Kalkutë dhe mbërrin më 6 janar 1929. Më pas e kishte bërë edhe një udhëtim Kalkutë – Darjeeling, sepse duhej të vazhdonte rishtarinë. Këtu emri i saj pëson transformim – nga Gonxhe në Maria Teresa, të cilën tashmë e thërrisnin, thjesht Motra Tereze e Krishtit Fëmijë.

Puna e parë për Motrën Tereze, shkruan autori, ishte shërbimi motër medicinale, përkujdesja për të sëmurët. Ajo ishte tejet e lumtur për t’i ndihmuar dhe shërbyer të tjerët. Më vonë, Motra Tereze ishte e angazhuar në studime, dhe njëkohësisht ishte edhe mësimdhënëse në shkollën e njohur St. Mary të Kalkutës.

Në shiritin e kohës, Nënën Tereze e shohim të lëviz sipas vullnetit të Hyjit, sepse vetëm atij ajo i përkulej, pa harruar edhe punët dhe shërbimet e përditshme që ajo i kryente. Për rrjedhojë motra Tereze e kishte vazhduar punën në mësimdhënie dhe së shpejti ishte bërë edhe drejtoreshë e shkollës. Midis viteve 1937 e 1938, ajo i kishte shkruar një letër nënës dhe motrës në Tiranë si vijon: “Më vjen keq që nuk mund të jem pranë jush, por je e lumtur, nënë e dashur, sepse Gonxhja jote e dashur është e lumtur… Kjo është një jetë e re. Jam mësimdhënëse, dhe kjo punë më pëlqen. Jam edhe drejtoreshë e tërë shkollës dhe këtu të gjithë më duan shumë…”.

Nënë Tereza duke qenë Misionare e Dashurisë, gjithë përkushtimin e saj ndaj të vetmuarve, të pastrehëve e të sëmurëve e kishte përqëndruar në Indi, apo siç thoshte ajo në “tokën e ëndrrave”. Duke zbërthyer misionin e Nënës Tereze, autori na e bën të përafërt edhe historinë e Indisë si dhe peripecitë politike, sociale e ekonomike nëpër të cilat kaloi ajo.

Rruga e shenjtërimit të Nënës Tereze kishte kaluar nëpër momente e sprova nga më të ndryshmet. Duke përshkruar këtë proces, autori na jep disa detaje mbi një udhëtim me tren të Nënës Tereze, e cila ishte nisur për ushtrime shpirtërore në Darjeeling, me ç’rast pati një përvojë të thellë shpirtërore. Pas ushtrimeve shpirtërore, autori transmeton fjalët e Nënës Tereze: “O Atë, e tëra ndodhi kështu: duke udhëtuar në tren për Darjeeling… e dëgjova zërin e Zotit. Ishte “thirrja në thirrje”, thirrja ime e dytë. Porosia ishte e qartë: duhej ta lija kuvendin e Loretos që të isha në gjendje t’u përkushtohesha plotësisht, me tërë jetën time, të varfërve”.

Koncizitetin përmbajtjesor të këtij libri e bëjnë edhe disa detaje interesante nga jeta dhe vepra e Nënës Tereze, të cilat autori me pedanteri i sjell, duke mbajtur llogari për ato më të qenësishmet, siç ishin: Shpërblimet kombëtare e

ndërkombëtare, Dëshmitë për Nënën Tereze, Përshpirtëria e Nënës Tereze, Urata, Eukaristia, Të ftuar në shenjtëri, Përshpirtëria mariane, Lumturimi i Nënës Tereze. Përmbylljen e librit autori e bën përmes një urate të vetë Nënës Tereze, nga goja e së cilës del një mesazh kuptimplotë: “Ti e di, o Zot, se unë i urrej armët. Unë dua të jem vetëm arma jote Për ta sjellë paqen në botë…”

Shkup, tetor, 2023

 

Prof. dr. Skender Asani

Don Fatmir Koliqi

(Teksti është parathënie e librit)

Shpëndaje: