Të shartuar në Krishtin, japim shumë fryt!

E diela V e Pashkëve – Viti B

 

Leximi i parë   Vap 9, 26-31

Thirrja apostolike e Palit nuk varet as nga dymbëdhjetë apostujt, as nga bashkësia e Jerusalemit, por rrjedh plotësisht nga Hyji. Në Kishë duhet të mbizotërojë gjithmonë bashkimi në misionin e saj. Përderisa bashkimi nuk është kurrë një formë vetëm e jashtme, por një sjellje thellësisht shpirtërore, Ungjilli nuk mund të përhapet nëse shpallësit e tij nuk janë thellësisht të bashkuar mes tyre në Kishë, e cila ka për detyrë të rinjohë veprimet e Shpirtit në secilin prej anëtarëve të saj.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, kur Pali erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënës, porse të gjithë ia kishin drojën sepse nuk mund e besonin se me të vërtetë ishte bërë nxënës. Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi te apostujt dhe u tregoi se Sauli e kishte parë Zotërinë gjatë një udhëtimi, sesi Jezusi foli me të dhe sesi Sauli ka predikuar me plot guxim në Damask në Emër të Jezusit. Që atëherë shkonte e vinte bashkë me ta nëpër Jerusalem dhe predikonte me vendosmëri në Emër të Zotërisë. U drejtohej edhe hebrenjve që flisnin greqisht dhe diskutonte me ta, por edhe ata synonin ta vritnin. Kur e morën vesh këtë gjë vëllezërit, e përcollën deri në Cezare e së andejmi e nisën për Tars. Kisha, pra, ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën e Zotërisë dhe rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  22

 

Ref: Ty të lavdëroj, o Zot, në bashkësinë e vëllezërve

———————————————-

Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,

mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!

Ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej

kushtet. Do të hanë skamnorët e do të ngihen,

do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë:

‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’

———————————————-

Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti

mbarë skajet e tokës,

do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.

Sepse Zoti është mbret!

Ai sundon kombet!

———————————————-

Atë, vetëm atë do ta adhurojnë

të gjithë ata që pushojnë nën dhe,

para tij do të përmbysen të gjithë ata

që kthehen në pluhur.

———————————————-

Kurse shpirti im për të do të jetojë,

në shërbim të tij do të jetë fara ime,

breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin,

për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen:

“Kështu bëri Zoti!”

———————————————-

 

 

Leximi i dytë    1 Gjn 3, 18-24

“Zemra”, për Shën Gjonin është ndërgjegjja jonë, roja që kontrollon veprimet tona. Por, edhe pse ndërgjegjja na akuzon duhet gjithmonë të besojmë në dashurinë e mëshirshme të Hyjit që është mbi çdo ligj. Norma e vërtetë e veprimeve tona nuk është bindja ndaj ligjit, por aftësia jonë për të dashur, për të qenë të hapur ndaj nevojave të vërteta të të tjerëve. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull

Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë! Me këtë gjë e dimë a jemi prej së vërtetës. Dhe do ta qetësojmë zemrën tonë para Tij në qoftë se ajo na qorton për ndonjë send. Sepse Hyji është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e Tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. Ky është urdhri i Tij: që të besojmë në Emrin e Birit të Tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e Tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Banoni në mua sikurse edhe unë në ju, thotë Zoti: kush mbetet në mua jep shumë fryt.

Aleluja

 

 

 

Ungjilli   Gjn 15, 1-8

Vreshti është populli i Hyjit. Nga Pashkët e Jezusit do të lindë një vresht i ri, që do t’u japë forcë dhe gëzim të gjithë njerëzve. Për të sjellë fryte të mira, ne që jemi degët e vreshtit të Zotit, duhet të qëndrojmë thellësisht të lidhur me të, që është trungu nëpërmjet të cilit arrin në ne lëngu. Nëse nuk ekziston një lidhje jete, veprimet tona janë të thata dhe pa dashuri, dhe ne jemi të paaftë për t’u dhuruar verën e Ungjillit njerëzve të etur.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë më shumë fryt. Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë. Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet. Më këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Rrënjët e një peme thithin ujin e kripërat minerale (limfa) e nëpërmjet trungut ushqejnë të gjithë pemën. Ajo që rrënjët e trungu janë për degët, është Jezusi për ne.

“Unë jam hardhia e vërtetë”. Jezusi është hardhia e vërtetë e Ati vreshtari i saj. Kujdesi që vreshtari ka për hardhinë është i ngjashëm me atë që Ati ka për Jezusin e për Kishën.

“Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret”. Imazhi i hardhisë e bën akoma më të thellë e jetësore marrëdhënien që ekziston mes Jezusit dhe dishepujve. Themeli i jetës së krishterë është të bashkëndajmë të njëjtën jetë të Jezusit, duke qëndruar të bashkuar me Të, hardhia e vërtetë. Por jeta jonë në Krishtin bëhet e vërtetë kur Ati pret dhe krasit degët sterile të jetës sonë. Besimtari në dëgjesën besnike e të bindur ndaj Fjalës pastrohet e bëhet gjithnjë më i lidhur me hardhinë-Krishtin.

“Banoni në mua sikurse edhe unë në ju”. “Të banosh në” shpreh përkatësinë e anasjelltë të Jezusit e të dishepujve të tij, dhe është themeli i marrëdhënies së tyre, që është dashuria. Të banosh në Jezusin: ja çfarë Krishti i kërkon çdo bashkësie të besimit.

“Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt”. Jezusi na fton të banojmë në Të për të sjellë fryte. Të ndarë nga Jezusi jemi në vdekje e shkojmë drejt dënimit të amshuar. Kush pranon fjalën e Jezusit, pranon misterin e tij. Ati shfaq lavdinë e Tij në Jezusin e në ata që prodhojnë fryte falë bashkimit të tyre me Jezusin.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Atit, që gjithmonë na do dhe do të na mbush me gëzim me praninë e tij, t’ia drejtojmë lutjen tonë të përvuajtur e plot besim, që të na japë hirin për të vazhduar punën në vreshtin e tij që është Kisha.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Shikoje vreshtin tënd, o Zot.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët e diakonët: që gjithmonë e më shumë të bashkuar me Krishtin, hardhia e vërtetë, të mund të prodhojnë shumë fryte në ushtrimin e misionit të tyre. Të lutemi.

L. Për autoritetet politike e shoqërore: që të shndritur nga Shpirti Shenjt të tregohen të kujdesshëm drejt së mirës së përbashkët e të ndjeshëm ndaj nevojave të vërteta të njerëzve. Të lutemi.

L. Për prindërit dhe edukatorët: që të drejtojnë e të ndihmojnë fëmijët për të ecur në rrugën e drejtë. Të lutemi.

L. Për fëmijët që po përgatiten për Kungimin e Parë: që të jetojnë së bashku me familjet e tyre një përvojë të fortë me Jezusin, Buka e Jetës dhe të marrin pjesë çdo të diele me gëzim në tryezën eukaristike. Të lutemi.

L. Për ne këtu të pranishëm; që duke kremtuar e duke marrë pjesë në këtë Eukaristi, të gjejmë forcën për të dëshmuar Ungjillin e për të qenë nxitës të vërtetë të vlerave njerëzore e të krishtera të drejtësisë, të lirisë e të paqes. Të lutemi.

M. Pranoji o Zot, Ati ynë, lutjet tona. Ti që njeh nevojat tona, bëj të dalin në Kishë e veçanërisht në famullinë tonë, burra e gra, gjithmonë e më të gatshëm ndaj nevojave të bashkësisë e të Ungjillëzimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: