JEZUSI: Duani njëri-tjetrin ashtu si ju desha ju!

E diela VI e Pashkëve – viti B

 

Leximi i parë   Vap 10, 25-27.34-35.44-48

Jezusi duke u ngjallur nga vdekja nuk është më Zoti dhe Mesia i një populli të vogël, por i të gjithë njerëzimit. Pjetri pranon centurionin Kornel, paganin e parë që hyn në krishterim. Hyji nuk bën dallime, u dhuron edhe paganëve të njëjtat dhurata shpirtërore të apostujve. Edhe sot Shpirti i Hyjit na nxit për të takuar ata që jetojnë larg nga Kisha, për të ecur së bashku me ta.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur Pjetri arriti, Korneli i doli para e, duke rënë ndër këmbët e tija, e adhuroi. Pjetri e ngriti në këmbë dhe i tha: “Çohu në këmbë se edhe unë jam vetëm njeri!” E, duke biseduar me të, hyri brenda, ku gjeti të bashkuar shumë njerëz. Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, shi përkundra – në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë.” Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë ata që po dëgjonin predkun. Besimtarët prej rrethprerjes që kishin ardhur me Pjetrin, u çuditën kur panë se edhe në paganë u ndikua dhurata, Shpirti Shenjt. Sepse i dëgjuan duke folur në gjuhë të ndryshme e duke madhëruar Hyjin. Atëherë Pjetri tha: “Vallë a mund ta ndalojë kush ujin të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?” Dhe urdhëroi të pagëzohen në emër të Jezu Krishtit. Atëherë iu lutën të qëndrojë me ta disa ditë. Fjala e Zotit.

 

Psalmi  98

 

Ref: Zoti ua dëftoi popujve drejtësinë e vet

—————————————–

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

—————————————–

Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet

ndaj shtëpisë së Izraelit.

—————————————–

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

—————————————–

 

Leximi i dytë   1 Gjn 4, 7-10

Hyji është i pari që do dhe prodhon dashuri në zemrën e njeriut. Hyji nuk na ka dashur vetëm që ta duam sërish, por që të mësojmë nga ai që të duam njëri – tjetrin. Është e nevojshme të mbushemi me dashurinë e tij për ta shpërndarë mbi njerëzit, vëllezërit tanë. Nëse i duam njerëzit pa interes dhe bujarisht, atëherë Hyji qëndron me ne. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull

Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij. Dashuria përmbahet në këtë: jo se ne e kemi dashur Hyjin, por Ai na ka dashur ne, dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duajë e te ai do të banojmë.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 15, 9-17

Fjalët e fundit të Jezusit drejtuar dishepujve të bashkuar në Çenakull para mundimeve, shprehin shpalljen e besëlidhjes së re të themeluar mbi dashurinë. Dashuria e Atit në Krishtin bëhet arsyeja e ekzistencës së popullit të ri që është Kisha. Dashurisë së Hyjit njeriu duhet t’i përgjigjet me një angazhim besnikërie. Dashuria duhet të bëhet udhëheqja e çdo veprimi të tij. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time! Nëse i mbani urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse edhe unë që i mbaja urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në të. Ju thashë këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë. Ky është urdhri im: duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju! Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni çka ju urdhëroj unë. Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim. Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë; dhe që Ati t’ju japë çkado të kërkoni në Emër tim. Këtë gjë ju urdhëroj: duani njëri-tjetrin!” Fjala e Zotit.

 

Porosia

Në përvojën e besimit të krishterë nuk është njerëzimi që ngjitet drejt Hyjit, por është Hyji i Jezusit që përkulet në njerëzimin tonë, deri në vdekje. Hyji është mes nesh për të na dashur e për të na mësuar të duam.

Sikurse Ati më ka dashur mua…” Ati është Ai aktori kryesor: nga dashuria e tij për Birin rrjedh dashuria për Jezusin dhe për dishepujt e tij. Jezusi zbulon dashurinë e amshuar të Atit, e dashurinë e tij, që dhuron jetën.

“Nëse i mbani urdhërimet e mia …”. Dashuria është bindja ndaj vullnetit të Jezusit: ai kërkon të qëndrojmë të bashkuar, duke iu bindur urdhërimeve të tij. Ai vendos një lidhje mes marrëdhënies së tij me Atin, dhe me dishepujt e tij. Sjellja e Jezusit është burim e shembull jete për dishepujt.

“Ky është urdhri im: duani njëri-tjetrin”. Nënvizohet aspekti etik i dashurisë e përjashtohet një interpretim abstrakt dhe mistik: të duash jo me fjalë as me gjuhë, por me fakte dhe në të vërtetë.

“Dashuria më e madhe që …” Dashuria e ka shtyrë Jezusin të vdesë mbi kryq; e duke parë dashurinë e tij, dishepujt do të gjejnë forcën për të qenë besnikë ndaj dashurisë vëllazërore.

Ju jeni miqtë e mi”. Vetëm kush beson dhe do, sipas urdhërimit të tij, bëhet mik i Jezusit. Lidhja e miqësisë me Jezusin rrjedh nga fakti që na ka thënë gjithçka që ka dëgjuar nga Ati. Nuk mund të duam atë që nuk njohim. “Ju nuk më zgjodhët mua”. Jezusi zgjedh falas miqtë e tij e dëshiron që ata të jenë një me të e të sjellin fryte.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Fjala e Zotit na kujton dashurinë e pafund të Hyjit për ne dhe angazhimin që kemi për të dashur njëri-tjetrin. T’i besojmë Jezusit që ndërhyn për ne e t’i drejtojmë Hyjit Atë lutjet tona.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Atë, burim jete e dashurie na dëgjo.

L. Që Kisha e përgjithshme dhe lokale të dëshmojë në botë dashurinë e Hyjit, me të njëjtin vrull që pati bashkësia e të krishterëve të parë. Të lutemi.

L. Që ata që kanë përgjegjësi civile të qeverisin në mënyrë të zgjuar e të punojnë për të mirën e të gjithëve. Të lutemi.

L. Që misionarët dhe njerëzit e shuguruar të jenë dëshmitarë të lajmit ungjilltar me jetën e tyre. Të lutemi.

L. Që të gjithë ne që marrim pjesë në këtë Eukaristi të dimë të mos bëjmë dallime mes njerëzve, por ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Hyji na deshi ne. Të lutemi.

M. O Atë, burimi i dashurisë, dëgjoi lutjet tona: përforco në ne dhuratën e ngushëllimit, që të zbatojmë urdhërimet e tua, të gatshëm t’i japim të drejtë shpresës që është në ne. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: