E diela IV e Pashkëve – viti B
Leximi i parë Vap 4, 8-12
Mrekullia e kryer nga Pjetri dhe Gjoni duke shëruar të paralizuarin është shenjë e fuqisë së Jezusit, ai Jezus që autoritetet fetare e kanë kryqëzuar dhe që Hyji Atë e ka ringjallur. Mrekullia është prova se Jezusi është gjallë dhe që kohët e fundit kanë filluar: do të thotë koha e kishës. Pjetri fillon predikimin e emrit të Zotit Jezus: kush beson në emrin e tij beson se fitorja e tij mbi vdekjen dhe mëkatin vazhdon akoma edhe sot. Kush është i pagëzuar bashkëpunon sot me Krishtin për shpëtimin e çdo njeriu.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në atë ditë, Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, tha: “Kryetarë të popullit dhe pleq! Pasi ju sot po na merrni në përgjegjësi për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua, le të dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’, e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.” Fjala e Zotit.
Psalmi 118
Ref: Guri i qitur jashtë përdorimit, u bë gur i këndit
————————————————-
Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në princa.
————————————————-
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar,
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit
ndërtuesit, erdhi e u bë guri këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
————————————————-
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Ti je Hyji im, ty të falënderoj;
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
————————————————-
Leximi i dytë 1 Gjn 3, 1-2
Ngjallja e Krishtit nuk është për të gjithë, por vetëm për ata që besojnë. Ata që refuzojnë t’i besojnë Krishtit mbyllen ndaj mundësisë për të njohur jetën e Hyjit të pranishme në besimtarët. Hyji na ka dashur aq shumë saqë mund të quhemi bijtë e tij dhe ka shpërndarë në ne bamirësinë e tij prej Ati. Nëse me të vërtetë jetojmë si bij të Hyjit dëshmojmë dashurinë e Atit dhe i ftojmë të tjerë ta njohin.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull
Fort të dashur, shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Fjala e Zotit.
Aleluja
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja
Ungjilli Gjn 10, 11-18
Jezusi, bariu i vërtetë që kujdeset për delet e tij (njerëzit e të gjitha kohrave) dhe i mbron nga “ujku” (djalli dhe mëkati) që gjithmonë i kërcënon. Jezusi është një bari që na lë të lirë ta zgjedhim dhe të vendosim. Ai është bariu i mirë që nuk kërkon interesat dhe lavdinë e tij; nuk është një kryetar që manipulon turmat: i propozon secilit miqësinë e Atit. Ai nuk pretendon të bëjë një grigjë të mbyllur dhe të përsosur, por kërkon delet e largëta dhe të sëmura.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele. Rrogëtari, – që s’është bari, të cilit nuk i përkasin dhentë – kur sheh se po vjen ujku, lë dhentë e ikën – e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: është rrogëtar dhe s’është në kujdes për dhen. Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për dele. Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm. Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Nëse njerëzit nuk i njeh nga përvoja, ata nuk janë të tutë; e ti i braktis përballë rreziqeve. Nëse njerëzit i njeh nëpërmjet dashurisë, ata janë të tutë e ti i mbron nga kërcënimet.
“Unë jam Bariu i mirë”. Jezusi pohon se është ai bariu i mirë ose më mirë bariu i bukur. Termi i përdorur nuk i referohet pamjes së Jezusit, por misionit dhe veprave të tij të mira, e mund të përkthehej edhe i përsosur dhe i vërtetë.
“Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet”. Jezusi është bariu i mirë: ai sakrifikon jetën e tij për të mirën e deleve e vihet në duart e Atit në favor të deleve, burrat dhe gratë e çdo kohe, për shpëtimin e tyre. Rrogëtari, i cili ka me delet një marrëdhënie interesi ekonomik, i shërbejnë për mirëqenien e tij.
“Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat”. Folja të njohësh tregon një njohje thelbësore ku është i përfshirë i gjithë personi e përvoja e tij konkrete. Njohja mes Jezusit e të tijve ka si themel njohjen mes Atit e Birit, bëhet fjalë për një njohje reale e të thellë, themeluar mbi dashurinë.
“Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time”. Marrëdhënia mes Jezusit dhe Atit është e lidhur me këtë dhuratë të vetvetes që është edhe urdhri i Atit. Ati do botën nëpërmjet Birit dhe dashuria e Birit për Atin shfaqet në bindjen deri në vdekje në kryq. Këtu Jezusi dhurohet krejtësisht e në liri të plotë për të na dhuruar jetën me bollëk, por këtu edhe Ati përgjigjet me ngjalljen, nëpërmjet së cilës Jezusi merr sërish jetën e tij të dhuruar.
Lutja e Besimtarëve
M. O Atë i shenjtë, të kërkojmë të mos mungojnë në kishën tënde apostuj të shenjtë, të cilët në dëgjimin e fjalës sate dhe me kremtimin e sakramenteve, të hapin rrugën e takimit me Ty. Ngjall në zemrën e të rinjve dëshirën për të qenë dëshmitarë të fuqisë së dashurisë sate.
L. Të lutemi së bashku e të themi: O Atë na prano në dashurinë tënde.
L. Për Papën, Ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët dhe të gjithë të kushtuarit, që të ndërgjegjësohen për madhështinë e dhuratës së thirrjes e të dinë të dëshmojnë me gëzim bukurinë e të dhuruarit plotësisht Krishtit dhe vëllezërve. Të lutemi
L. Që të gjitha komunitetet e krishtera të themeluara në sakrificë dhe lutje të mund të bëhen tokë frytdhënëse, në të cilën thirrjet mund të lindin e të zhvillohen. Të lutemi
L. Për të gjitha bashkësitë e dioqezës sonë, që së bashku me ipeshkvin e tyre të vazhdojnë duke i kërkuar Zotërisë së të korrave të dërgojë lajmëtarë të mirë e të shenjtë dhe mbarështues të eukaristisë. Të lutemi
L. Që familjet, në bashkimin e tyre të dashurisë e në besnikërinë reciproke me Zotin, të mund të kuptojnë se sa e madhe dhe e bukur është të shoqërojnë dhe t’u dhurojnë bijtë e tyre Zotit. Të lutemi
L. Për të gjithë ne, që të forcuar nga dëgjimi i fjalës së Hyjit e të gjallëruar nga buka e jetës, që të mos shkurajohemi përballë sakrificave e të mos i lëmë rrëmbimet dhe tërheqjet e botës të fitojnë, por me guxim të dëshmojmë bukuritë e thirrjeve tona. Të lutemi.
M. O Hyji, Ati ynë, dëgjoje lutjen tonë, e cila është frymëzuar nga Shpirti yt i Shenjtë; të tillë po ta paraqesim ty, nëpër Birin Tënd e Zotin tonë Jezu Krishtin, që jetën e mbretëron në shekujt të shekujve. Amen.
(ecclesia.al)