MODESTIA – RESULTAT I EDUKIMIT DHE E PUNËS SONË TË BRENDSHME

Nga M.Franciska (Suzana) Lekaj 

 

Jetojmë në një kohë tё tillё, ku konsumizmi, reklamimi, luksi, karriera, fama, zënë faqet e para të gazetave dhe tё mbarё mediave, duke u bёrё ato lajmet kryesore. Ndёrkaq, lihen mёnjanё, pёr tё mos thёnё nё harresё tё plotё, vlerat dhe virtytet e njeriut. Aq sa janё tё shumtё ata, qё jo vetёm i injorojnё ato, por edhe domethёnien dhe rёndёsinё e tyre. Njё realitet ky, qё mё befasoi dhe mё tronditi fort, aq mё tepёr kur teksa gjatё njё kёrkimi nё internet, pёr arsye tё tjera, mё del rastёsisht njё video nё tё cilёn, njё gazetar pyeste qytetarёt se çfarё ishte pёr ta modestia. Fatkeqësisht, pashё se një numër i madh i të intervistuarve, nuk dinin tё pёrgjigjeshin. 

 Gjё qё mё bёri tё ndalem dhe tё reflektoj mbi kёtё fenomen tё kohёve tona, ku duke i justifikuar nё njё farё mёnyre tё intervistuarit, qё injoronin totalisht cilёsitё e modestisё, vihet re se pothuasje askush nuk flet mё për vlerat, virtytet e njeirut, dhe aq më pak për modestinё nё veçanti. Kjo ndodh ndoshta, sepse jemi kaq të dhënë pas materializmit dhe konsumizmit, sa zgjedhim të flasim për gjithçka dhe pёr gjithkënd, dhe jo për vlerat dhe virtytet tona! Çka është me tё vërtetё për të ardhur keq! 

Kёshtu, mё erdhёn nё mendje kohёra tё largёta, ku modestia vlerësohej si një virtyt i lartë, dhe si e tillё flitej dhe shkruhej shumё pёr tё, edhe pse shoqëria nuk kishte mundësitё dhe kushtet që ka sot. Pavarёsisht kёsaj, nё ato kohёra vlerat dhe virtytet mbizotёronin nё edukimin e brezave, dhe ishin kudo të pranishme. Sot, duket qartë se një gjё e tillё nuk ёshtё mё prioritet i shoqёrisё dhe i zhvillimit tonё, çka vё nё pah  njё krizё tё thellё vlerash nё çdo aspekt tё jetёs shoqёrore dhe tё ndёrveprimit social, ekonomik dhe kulturor.  

Ja pse ndjehet mëse e nevojshme, qё në radhë të parë t’i themi dy fjalë  për modestinё, për të pasur njё ide tё qartё se për çfarë bëhet fjalë. 

Modestia është tipar i një personaliteti të caktuar, që shfaqet me përmbajtjen e vlerave e meritave dhe të kërkesave ndaj të tjerëve. Është tipar që mësohet gjatë jetës dhe përvojave të njeriut.1  Pra, modestia është të gjesh masën e duhur, apo si thotë një shprehje e njohur, të gjesh mesin e artë në çdo gjë: në qëndrim, në fjalë, në sjelle, në veshje, në të menduarit, në bindje, në  gjykim, nё vlerësim, në punë,  etj.  

 Të  jesh modest, do të thotë të mos mburresh me aftësitë e tua dhe t’i pranosh ato si meritë e jotja, por t’i pranosh si dhuratё e Zotit, si kontribut i familjes, i shoqërisë dhe si angazhim personal me veten tёnde. Pra, modestia është një qëndrim analitik ndaj vetvetes nё njё raport dhe marrёdhёnie tё ngushtё dhe reciproke me tjetrin, aq sa të shohë dhe kuptojё mirё kufijtë, tё metat dhe tё mirat e aftёsive dhe tё karakterit tё tij, nё mёnyrё qё ato tё mos bёhen  pengesë për të arritur çdo lloj suksesi nё shoqёri, profesion dhe nё jetё. 

Citimi i fjalёve tё Jezusit, na ndihmon për të kuptuar më mirë këtë veçanti tё modestisё, i cili  edhe pse ishte një njeri me plotëpushtet dhe dhunti zgjodhi të sillet me modesti, duke pranuar se është dikush tjetёr më i madh se ai, dhe se gjithçka e ka prej tij. “Përnjëmend , përnjëmend po ju them: Biri s’ mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç çka sheh se bën Ati; çka bën ai, po atë gjë e bën edhe Biri.” (Gjn 5,19) “Përse më thua i mirë?Askush s’është i mirë, përveç një Hyji të vetëm!”(Lk 18,19)   

Po ashtu, edhe Gjoni, që ishte nxënës i Jezusit, nuk mburrej dhe nuk i jepte nderim vetes sё tij, por thoshte: “Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. Është ai që po vjen mbas meje, por të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve”.( Gjn 1,26-27) Ndoshta, dikë mund ta bezdisё fakti qё citoj disa rreshta nga Bibla, por arsyeja ime ёshtё e thjeshtё, pa dashur kёtu t’i imponoj askujt qёndrimin dhe besimin tim fetar, se nё Bibёl gjejmë figura të ndritura që edhe pse kishin mundësi të vepronin ndryshe, ato preferuan dhe zgjodhёn modestinё, si njё nga vlerat mё tё vyera pёr njeriun. Padyshim qё modestia, na ndihmon të kuptojmë se është një virtyt që na afron shumë me zemrën e Jezusit,  i cili është i thjeshtë dhe zemërbutë.  

Fatkeqësisht në shoqërinë tonë, ky virtyt praktikohet dhe vlerësohet pak, aq sa duket se është harruar edhe si term, e nuk është çudi qё pastaj njerëzit mos tё dinë ta njohin, ta vlerёsojnё apo nё rastin mё tё keq ta injorojnё atё. Pёrpjekjet e individit sot, kanё si qёllim kryesor ekspozimin, lartësimin, glorifikimin e unit nёpёrmjet njё veprimtarie tё tepruar social-kulturore si qёllim nё vetvete, thjesht pёr t’u dalluar nga tjetri, dhe angazhohet pёrmes njё rivaliteti ambicioz dhe meskin për ta pёrulur, nënvlerësuar dhe pёrçmuar tjetrin. Frymё kjo, qё nuk mungon as në gjirin e familjes, pёr tё mos shkuar mё tej, nё punё, edhe në ambientet e ndryshme shoqërore.  

Modestia është i vetmi virtyt me të cilin njeriu mund të mburret. (Volter) 

Rrezikojmё kështu, jo se nuk po ndodh tashmё, që nё shoqëri duke mos ditur dhe kuptuar vlerën dhe rëndësinë e këtij virtyti, njerëzit modestё shpesh t’i shohim apo t’i gjykojmё si njerëz mendjemëdhenj, indiferentё, që e nënçmojnë dhe e përulin veten e tyre. Natyrisht qё gabohemi rёndё, pasi  modestia nuk ka të bëjë fare me përuljen, me nënvlerësimin e vetes sonё, të cilësive, arritjeve, aftësive, e sukseseve tona, dhe po ashtu, gabon rёndё kush pretendon tё kundёrtёn e kёsaj. 

Të jesh modest, do të thotë të dish ta pranosh veten tёnde me cilësitë, arritjet, sukseset dhe  dёshtimet e tua pa bërë bujё, dhe pa u lёvduar duke i qenë njёkohёsisht mirënjohës Zotit për gjithçka që ke arritur, dhe nga ana tjetёr duhet tё jesh mirёnjohёs ndaj personave dhe situatave që tё kanë ndihmuar të jesh ai qё je sot. Gjithashtu, duhet të kesh aftësinë, gatishmërinë dhe largpamёsinё e duhur për të njohur e pranuar  kufijtё dhe  dështimet e tua, duke e bërë  kёtё me një shpirt të lirë, të qetë, e pa pretendime.  

 Ndryshe nga përpjekjet tona për të shpalosur me çdo kusht madhështinë, suksesin, famën tonё, modestia na vë në shërbim të tjetrit, na bën më të ndjeshëm, të njerëzishëm, të durueshëm, empatikё dhe të sjellshëm. Kështu, njerёzit modestё nuk pretendojnë për nder, për dukje, pra pёr hipokrizi, por e jetojnë pa bujё dhe me qetësi pozicionin dhe rolin e tyre kudo që janë, ashtu sikur tё jenë vetëm, si në familje, ashtu edhe në punë, në shoqëri, në rrugë, në institucione të ndryshme,  etj.  

 Pra, modestia është e kundërta e arrogancës dhe e dukjes, e mund të shfaqet në forma të ndryshme. Forma kёto, që  nuk kanё të bëjnë vetëm me veshjen, paraqitjen e jashtme, por edhe me qëndrimet dhe qasjen tonё ndaj jetës. Me një fjalë, modestia ka të bëjë me të jetuarit me respekt ndaj vetes dhe të tjerëve, ka të bëjë me njё mendje të shëndoshë dhe të hapur. Sepse modestia është ajo cilësi e personit, që shfaqet sё pari në raport me veten tonё, e pastaj me të tjerët. Nëse individi nuk ndjehet sё brendshmi modest, aq më pak mund të ndjehet i tillё karshi tjetrit.  

Modestia është virtyti që kur e zotёrojnё, ka një efekt të fortë komunikues tek njerëzit. Ajo ёshtë e lidhur  me ndershmërinë dhe sinqeritetin. Është mënyra se si njerëzit prezantohen përpara tё tjerëve, duke treguar sesa tolerancë dhe respekt dinё tё tregojnë nё çdo situatё dhe me kёdo. Është virtyt që  kontribuon në ekuilibrin e jetës së personit.  Modestia nuk është dhe nuk duhet të jetë një qëndrim sipërfaqësor, por pjesë e personalitetit tonё. 

 Por, neve sё fundmi, si nё familje ashtu edhe nё shoqëri, duket se jemi mësuar dhe kemi arritur të besojmё gabim, se vetëm me arrogancë, dhunë dhe poshtёrim bëjmë dhe gjejmё zgjidhje pёr vёshtirёsitё dhe problemet tona qё ndeshim nё jetё. Në fakt nuk duhet të jetë kështu, dhe nuk është kështu, sepse njё sjellje e tillё, jo vetёm shkakton problematika dhe situata tё vёshtira nё dёmin tonё, por bëhet pengesë në zotёrimin dhe shfaqjen e modestisë. Arroganca nё tё kundёrt është ves, dhe jo virtyt.  E nga mungesa e modestisë, njeriu mund të bjerë në shumë kurthe dhe ngatërresa. Mund të jetë i padurueshëm, i papranueshëm, dhe ta fyejё e poshtёrojё me pa tё drejtё tjetrin. 

 

Disa karakteristika që e dallojnë një person modest  

Karakteristikat që e dallojnë një person modest, janë të shumta, por do përmend vetëm disa prej tyre.  Siç është cekur edhe më lart, një person modest dallon nga tё tjerёt qysh nga qëndrimi i tij,  flet pak dhe flet siç duhet, ka shprehi të qeta nё fytyrё. Atë që mendon e shpreh me hijeshi, pa e ngritur zërin. Nuk kërkon tituj nderi dhe nuk preferon të jetë superior ndaj tё tjerëve. Është koherent me veten e tij. Vepron siç mendon, dhe mendon siç vepron. Nuk punon me hipokrizi, që të bjerё në sy e për të marrë lëvdata, duartrokitje dhe miratimin e tё tjerëve.  

Ai e pranon veten e tij, ashtu siç është me pikat e forta dhe të dobëta që ka. Nuk i mohon talentet e tij, por as nuk pretendon tё ndërtojё kullën e Babelit. Pra, nuk mburret me zgjuarsinë dhe arritjet e tij. 

Gjithashtu, një person modest nuk u thotë të tjerëve si të sillen, por u tregon sesi të sillen. Nuk imponon vlerat e veta, por i praktikon ato. Nuk ka dëshirë të dominojё, nuk pretendon  të jetë i rëndësishëm dhe të garojё me ambicje pёrfituese. Nuk imponohet, nuk pret shpërblime, është i përmbajtur në gjithçka; në veshje, komunikim, qëndrim, etj. Nuk përdor njё fjalor vulgar, fyes. Nuk kërkon luks, famë, vëmendje, adhurim, porse e vetmja gjë që kërkon, është të jetë vetvetja.  

Njeriu modest nuk i nënçmon të tjerët, përkundrazi i lartëson ata. Është dëgjues i mirë, tolerant, i thjeshtë në komunikim, dhe nuk përqendrohet tek vetvetja. Më shumë pyet dhe dëgjon, sesa flet dhe mburret. Shpreh respekt për bashkëbiseduesin, mban kontakt të vazhdueshëm me sy (nuk e mban në dorë telefonin, dhe nuk e shikon atё teksa flet me tjetrin). Vlerëson shumëllojshmërinë njerëzore dhe vlerat shoqërore. Krijon lehtë marrëdhënie miqësore, dhe lejon qё të mësojё nga të tjerët. Është zemërbutë, dhe rrallë mund të konfliktohet me të tjerët, me shoqërinë, familjarёt, dhe kolegët. Nuk është i prirur të shohë dhe të gjejë mangësi tek tjetri, apo tek gjërat.  

Pavarësisht problemeve personale, mundohet të bëjë më të mirën e mundshme. Kujdeset për jetën e tij por nuk e tepron, është i rregullt, i disiplinuar, i vetёkontrolluar, i edukuar mirë dhe i thjeshtë. Reflekton paqe mendore dhe shpirtërore, pavarësi nga rrethanat, moral të lartë, sinqeritet dhe bujari.  

 Sigurisht, mund të ndodhë që ndёrsa lexojmë apo dëgjojmë këto karakteristika, themi me vete se sa të pakët janë njerëz të tillё. Por sidoqoftë, asnjёherë nuk ёshtë e  pamundur që të ushtrohet modestia, e këtë gjё mos e prit nga të tjerët, por fillo nga vetja jote, dhe fillo tani. Sepse aty ku modestia bëhet pjesë e personalitetit, virtyt i jetës, rritet vetëvlerësimi dhe pastaj  personi kontribuon për paqe dhe zgjedh mençurinё dhe urtinë si pjesë kryesore të jetës sё tij,  e jo madhështinë dhe famën, sepse: “Dituria e vërtetё karakterizohet nga modestia dhe heshtja”.(Napoleon Hill). Vetëm kështu, njeriu  është i aftë të respektojё vetitё dhe dinjitetin e çdo personi, dhe  kontribuon e ndihmon në mirëqenien e tij. 

  Sikur të gjithë të angazhohen nё ushtrimin dhe promovimin e modestisё, ta shpalosin dhe ta shfaqin atё duke e bërё pjesë të personalitetit  tё tyre, sa ndryshe do të ishte bota.  Ndaj, edhe pse jetoni në një vend dhe nё njё shoqëri, në të cilёn nuk vlerësohet ky virtyt,  mos ngurroni dhe mos kini frikё të jeni modestё, sepse është virtyti që e zbukuron njeriun, dhe është veshja më elegante e tij./drita.info

Shpëndaje: