Si ta kremtoj sakramentin e rrëfimit

Dec 19 • Këndvështrime

Para se të hy në rrëfyestore

Përqendrohem në heshtje në prani të Hyjit. Nën dritën e Tij, shqyrtoj jetën time (mund të shërbehem me skemën që gjendet në këtë shkrim. Shiko më poshtë). Të pëshpëris me ata që i kem afër nuk më ndihmon, përkundrazi e pengoj tjetrin që të përgatitet. Pres në qetësi radhën time.

 

Brenda rrëfyestores

Përshëndes meshtarin. Nëse e shoh të arsyeshme prezantohem. Është një ndihmë për të kremtuar sakramentin si vëllezër. I rrëfej mëkatet e mia, mungesat dhe lëshimet, e nën dritën e Ungjillit mund t’i tregoj anët pozitive të jetës time. Pastaj i dëgjoj me kujdes fjalët e meshtarit. E pranoj pendesën, që është shenjë e vullnetit tim për të filluar një jetë të re. E shprehi pendimin tim edhe një herë me lutjen Puna pendimit. E pranoj zgjidhjen e mëkateve. Marr mbi vete detyrën të jam i dërguar që të shpall shëlbimin e Zotit me fjalë dhe me vepra.

 


SOT ATI IM MË PRET: DUA TË SHKOJ TEK AI

Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha të atit:

‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Atëherë shkoi…  Shpenzoi gjithçka pati… filloi ta sprovojë skamjen… erdhi ne vete e tha:  “Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O Atë, rashë në mëkat…”

Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi…  I Ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani…  sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall…”


 

Shqyrto mbi gjendjen tënd si mëkatar dhe mbi mëshirën e Zotit.

  • “Unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.” (Mt 9,13)
  • “Në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.” (Lk 15, 7)
  • “Në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve;por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.” (Mt 6, 14-15)
  • Zoja e Bekuar ka thënë në Fatima:” Është e nevojshme që njerëzimi të ndryshojë: të mos e fyejë më Zotin tonë, që tashmë është shumë i fyer”. (13.10.1917)

 

SHQYRTO NDËRGJEGJEN TËNDE që të kujtosh dhe të njohësh mëkatet e tua.

I – Duaje Zotin, Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde . . .

  • Kush është Zoti për mua?
  • Besoj në dashurinë e tij?
  • Çfarë vendi zë Hyji në jetën time? E dua më të vërtetë Hyjin, me gjithë zemrën time apo shqetësohem vetëm për gjëra materiale – punë, tregti, pasuri, mirëqenie të përkohshme?
  • E lexoj dhe e dëgjoj Fjalën e Tij, Ungjillin? E kultivoj fenë dhe formimin tim të krishterë duke marrë pjesë në katekizëm, duke lexuar Biblën, etj?
  • Lutem çdo ditë dhe a bëj që e gjithë familja ime të lutët? Marrë pjesë rregullisht në Meshë çdo të diele dhe festa apo mungoj pa asnjë arsye?
  • Ja paraqes Zotit punën, studimet, vuajtjet? Në vështirësi i drejtohem Zotit me fe dhe qëndrueshmëri apo i drejtohem faltoreve apo gjërave të tilla? Kam premtuar se do t’i plotësoj këshillat e tyre?
  • Bashkëpunoj në aktivitete pastorale të famullisë sime apo jetoj krejtësisht në larg tyre?
  • I kritikoj bashkëvëllezërit e mi në fe apo ironizoj punën e tyre në bashkësinë famullitare, ndërsa unë nuk jam i angazhuar në asnjë veprimtari?

 

II – …dhe të afërmin tënd por si vetveten!

  • I dua dhe i respektoj të moshuarit? Respektoj të mirat e të tjerëve? Kam refuzuar pa arsye që t’i ndihmojë të tjerët në nevojë? Ja kushtoj një pjesë të kohës sime të sëmurëve, të dëbuarve dhe katekizmit? Për aq sa më takon mua i mbroj të shtypurit, i ndihmoj të palumturit, të huajtë, ata të kombit tjetër?
  • Jam në gjendje të pajtohem me tjetrin dhe të fal?
  • Si burrë dhe grua: jemi besnik njëri-tjetrit dhe a duhemi me të vërtetë? A i pranojmë si dhuratë e Zotit fëmijët apo kërkojmë për t’i zhdukur përmes abortit? Shoh në tjetrin një prani dashurie dhe shërbimi apo vetëm një objekt për ta poseduar?
  • A këshilloj dhe a bashkëpunoj për të ndihmuar tjerët që mos të abortojnë?
  • E respektoj lidhjen dhe a i ndihmoj çiftet tjera në besnikëri?
  • Si babë apo nënë: jam i përgjegjshëm në edukimin dhe formimin e krishterë të fëmijëve të mi? Jam shumë kërkues dhe jo tolerant me mangësitë duk e krijuar grindje të panevojshme?
  • Si fëmijë: jam i dëgjueshëm dhe i respektoj prindërit e mi? A i ndihmoj në nevoja shpirtërore dhe materiale? I dua vëllezërit dhe motrat e mia?
  • I bashkë ndaj të mirat me të tjerët që janë më të varfër se unë? Jam dorështrënguar dhe egoist, duke dashur gjithmonë më të mirën vetëm për vetën time? A kam përvetësuar pronat e të tjerëve? Respektoj atë çka i përket shoqërisë? Jam xheloz ndaj atyre që kanë më shumë se unë?

Mëkatet – nuk janë vetëm një varg i thjeshtë mangësie, por janë gjithashtu edhe bashkëpunimi ynë më të keqen që është sot në botë përreth nesh: mosbesimi, mospërfillja, egoizmi, dhuna, erotizmi, përbuzja e të dobëtëve, racizmi, harrimi i të varfërve, gara shfrenuese për parà, sjelljet e turpshme, shpirti i dominimit, përfitimi në kurriz të tjetrit, etj. 

Çdo MËKAT personal e ka një DIMENSION shoqëror apo bashkësior, që peshon mbi Korpin e Krishtit të cilin e formojmë ne së bashku . 

Çdo MËKAT duhet të nxisë në ne një PENDIM të përvujtë e një kërkim të sinqertë për FALJE.

 


Në takimin tim personal me Meshtarin

e kuptoj se unë vlej shumë për Zotin.

Secili prej nesh është i VEÇANTË  para syve të Tij.


 

Sot, Ati im me pret: dua të shkoj tek Ai.

PUNA E PENDIMIT

O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë: se kam bjerrë parrizin, kam merituar ferrin. Por më fort po më vjen keq se Të kam fyer Ty, o e Mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë , o Zot! Më fal, o Zot! Po ta jap fjalën, se me ndihmën Tënde, nuk do Të fyej më kurrë. Amen

Zot Jezus, ti pëlqeje të të quanin mik i mëkatarëve, në saje të misterit të Vdekjes dhe të Ringjalljes Sate, më liro nga mëkatet e mia e ma dhuro paqen tënde, që të mund të sjell fryte të dashurisë, të drejtësisë dhe të vërtetës.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »