Njoftime historike për shtetin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (I)

Nga Prof. dr. Jahja Drançolli

 

Parathënie

Familja princërore Kastrioti është dokumentuar për herë të parë në vitin 1368. Në mungesë të burimeve relevante zyrtare, edhe sot diskutohet për vendlindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Sipas kryeveprës së Barlecit, kushtuar jetës dhe veprave të Skënderbeut, origjinën e Kastriotëve duhet kërkuar në regjionin e Matit.[1] Ndërsa, historiani raguzan me origjinë arbërore, Jak Lukari në veprën Analet e Raguzës, shkruante se, familja e  Gjon Kastrirotit ka dalë nga “Kastrati, fshat në juridiksionin e Has-it në Arbëri, pak larg nga lumi Drin”.[2] Kjo dëshmi për origjinën Hasiane të familjës Kastrioti provohet tërësisht edhe nga Frang Bardhi në veprën e tij kushtuar Skënderbeut (1636),[3] si edhe nga një manuskript kishtar i shek. XVI, të publikuar në vitin 1892.[4] Në favor të kësaj shkon edhe njoftimi se emri i tyre vjetër ka dalë nga fshati Mazrek i Hasit. Janë ruajtur edhe burime të tjera që e kundërshtojnë tezën e prejardhjes hasiane të Kastriotëve duke kërkuar origjinën e tyre në Dibër, Kaninë ose në Mirditë.[5] Ashtu siç ndodhë zakonisht në gjenealogji me familje të mëdha, është derdhur shumë ngjyrë për ta përvetësuar origjinën e familjes Kastrioti. Megjithatë, deri më sot asnjë studiues serioz nuk e konteston origjinën arbërore të tyre; dhe se personaliteti i parë historik i kësaj familjeje është Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut, i cili prej kohësh zotërone fshatrat Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm, si dhe më vonë dy Dibrat.[6] Sipas burimeve relevante zgjerimi dhe fuqizimi i familjës Kastrioti nga selia tyre në Krujë, do të realizohen, sidomos në kohën e Gjon Kastriotit (? – rreth 1438/43), si dhe të birit të tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut. Në historinë dhe gjenealogjinë e shtëpisë së Muzakajve, të shkruar nga Gjon Muzaka (më 1512), despot i Epirit, si dhe nga biografët e tjerë thuhet se, Kastriotët i takonin elitës së familjeve më të respektuara të Arbërisë e të Epirit.[7]

Gjon Kastrioti diku rreth vitit 1400 u bë zot i Krujës. Nga një marrëveshje tregtare-doganore me Republikën e Raguzës (1420), ishin përcaktuar edhe kufijtë e Kastriotëve ç’prej Shfadaje në jug të Lezhës deri në Prizren. Në vitin 1426, Gjoni dhe katër bijtë e tij, Stanishi, Reposhi, Kostantini dhe Gjergji, i dhuruan dy fshatra Manastirit të Hilandarit. Dhurimi i fshtrave ishte shprehje diplomatike e një princi ambicioz, i cili duke bërë një sakrificë pronësore llogariste, që së bashku me fëmijët e tij do të hynte në zemër të despotit dhe kishës ortodokse, për ti pasur aleatë në luftëra kundër armiqëve të përbashkët.[8]

Gjoni Kastrioti dispononte një ushtri prej 2.000 kalorësve, si dhe gëzonte të drejtën e qytetarisë venedikase (1413); luftërat kundër osmanëve i kishte nisur që nga vitit 1388.  Përkundër përpjekjeve të Gjon Kastriotit për të formuar një aleancë me Republikën e Venedikut, dhe pas rënies së Krujës nën osmanët (1415), ai qe detyruar t’i dërgonte bijtë e tij  peng në oborrin e sulltanit. Çështja se kur u mor peng Skënderbeu, në historiografi përgjithësishtë ka disa pasaktësi; 9 vjeçar ose 18 vjeçar; dorëzimi ka mundur të ndodhë gjatë vitive 1423-1426. Atje, Gjergji ishte konvertuar në musliman dhe mori emrin Iskënder (nga Aleksandër), si dhe u edukua në shkollën e iç-ogllanëve. Në kushte të reja, ai qe i detyruar të merrte pjesë në fushata ushtarake kundër të krishterëve, për ç’arsye babai tij ishte detyruar të kërkonte falje nga Senatit i Venedikut (1428). Për veprat e tij ushtarake, ai qe nderuar me titullin bej, dhe kështu emri Skënderbej (Scanderbeg), do të bëhej i njohur në gjithë botën.[9]

Rreth vitit 1430 do të pranojë pushtetin e Sulltan Muratit II. Atëherë, mbi pjesën më të madhe të pronave të Gjonit do të vendosët administrata osmane e quajtur Sanxhaku Arvanid (1431/32); në pjesët e mbetura të tokave të veta ku nuk mund të depërtonin osmanët, edhe pse kishte pranuar vasalitetin, Gjoni do të mbetet edhe më tej zot i tyre. Mirëpo, gjatë viteve 1432-/35 kur në Arbëri kishin shpërthyer kryengritjet e mëdha, nuk flitet fare për  të. Ka të ngjarë se Gjoni, i kishte mbetur besnik sulltanit.[10] Në gjendje të palakmueshme nën osmanët, Gjoni do ti kthehet Republikës së Venedikut e të Raguzës ku përgaditej të bënte kthesë politike; nga marrëdhëniet e tia me Raguzën e Venedikun janë ruajtur disa burime zyrtare: një prej tyre, që mban vulën e 10 korrikut 1439, bën fjalë për shpalljen e djemëve të Gjonit për “qytetarë” të Raguzës.[11]

Gjon Kastrioti ishte martuar me Vojsavën,[12]  vajzë e kryezotit të Pollogut, me të cilën pati katër djem: Reposhi (murg në Manastirin e Hilandarit), Stanishi (i vdekur para vitit 1438), Kostandini (më 1439 mori të drejtën e qytetarit të Raguzës), dhe Gjergji (Skënderbeu) i famshëm, si dhe pesë vajza: Mara, Jella, Angjelina, Vlaica dhe Mamica, motra më e vogël e Skënderbeut, e cila qe martuar me Muzak Topinë (1445); pas vrasjës së tij në Betejën e Beratit (1455), Mamica morin qeverisjen në tokat e bashkëshortit me seli në fortifikatën e Petrelës. Katër bijat e tjera, u martuan të gjitha me princër arbër: Mara qe martuar me Shtjefën Cernojën e Zetës; Vlaica me Shtjefën Balshën; Angjelina me Vlash Arianitin; Jella (u bë murgeshë).[13]

Fëmijtë e Skënderbeut ishin Gjoni II (1454 – pas 1502) dhe Vojsava. Gjoni II, pas vdekjës së Skënderbeut (1468), qytetin e Krujës, iu kishte dhënë venedikasëve, dhe së bashku me nënën, Donika Kastrioti, bijë e Gjergj Arianit Komnenit (e martuar më Skënderbeun, 1451), ishin vendosur në feudet e Kastriotëve në Gargano të mbretërisë së Napolit (1474). Kishte tre fëmijë: Kostantini, Ferrante dhe Gjergji II Kastrioti i quajtur, Skënderbeu i Ri  (1476-?), i cili doli në skenën historike gjatë kryengritjejës së vitit 1499, që kishte rezultuar me sukses. Pasardhësit e Gjonit II Kastrioti u shuan në brezin e dytë. E fundit, që i përkiste kësaj dinastie me siguri ishte princesha e Shën Pjetrit, Irena, bija e princ Ferrantit, e martuar me Pietrantonio Sanseverino (1539), princ nga Bisignano.[14]  

 

  1. Formacionet e para shtetërore arbërore

Fillimet e formacioneve të para politiko-shtetërore arbërore i ndeshim gjatë shekujve të mesjetës së hershme, kohë kjo që përkon me themelimin e  themave të Durrësit, Nikopojës, Shkupit e të Dalmacisë. Në këtë kushte, burimet e kohës flasin për një “arkondi” me qëndër në Durrës, si dhe në tema të tjera respektive. Sipas burimeve të kohës nocioni “arkondi” nënkuptonte zakonisht formacionet politike provinciale në shkallë të një principate të formuar nën çati të Perandorisë Bizantine.[15]  

Është për të vënë re se, themat si njësi e pavarur shtetërore kishte shumë vështirësi t’i kundërvihej një presioni të vazhdueshëm që bëhej nga administrata e fuqishme e Bizantit. Në të vërtetë, kjo rrethanë nxiti dhe e çoi përpara bashkimin e njësive të tjera arbërore në një bashkësi më të madhe, proces ky që lehtësonte homogjenitetin etniko-kulturor, shoqëror, gjuhësor e fetar. Ky proces integrimi që u zhvillua gjatë shek. VII-XI e pasqyron fakti se pikërisht në atë kohë onomastika e vjetër etniko-administrative nis e zëvendësohet ose pasurohet me emra të rinj mesjetar. Këta janë emra të njësive të reja gjeografiko-etnografike, që mbështetën në emërtime të vjetra autoktone ilire-arbërore. Regjistrat e ipeshkëve përmbajnë një material interesant në këtë aspekt; ata na japin emra dioqezash, që mund të jenë krijuar mbi tgruallin e bashkësive të hershme krishtere, si p. sh. dioqezat e Hunavisë, Pultit, Arbanonit, e ndonjë tjetër.[16]

Lëvizjet e mëdha kryengritëse të viteve 1018, 1042 përfshinë, megjithëse nën udhëheqje të ndryshme politike, edhe themën e Durrësit, dëshmi kjo që shtypja shoqërore po bëhej gjithnjë më e ndjeshme dhe që ajo do të shkaktonte në konflikte jo vetëm të karakterit shoqëror, por edhe politik dhe adminsitratën qendrore. Së këtejmi, Michael Attaleiates, një kronist bizantin, njoftonte se, “bashkëluftëtarët e dikurshëm” të bizantinëve, që merrnin pjesë me ta në izopolitinë (Isopoliteais-term i së drejtës shtetërore),[17] ishin hedhur për kryengritje kundër Bizantit. Po ky autor ka njoftuar për pjesëmarrjen e arbërve në kryengritjen e Niqifor Brienit në vitin 1078, të drejtuar kundër perandorisë në fjalë.  Ky njoftim bën fjalë për një barazi politike të arbërve me bezantinë, dhe tregon se statusi i tyre ishte i atillë që nuk mund të identifikohej me pjesën tjetër të qytetarëve të bizantit. Në kushtet e një perandorie mesjetare, siç ishte Bizanti i shek. XI, nënshtetësia bizantine dhe përkatësia fetare e krishterë ishin kritere të mjaftueshme për tu njohur pa dallim që të gjithë banorët e atij vendi me emrin romaios, dhe kjo nenkuptonte edhe barazinë formale të tyre. Në këtë kontekst, theksimi Attaleiates i faktit që arbërit lidheshin me Bizantin me anën e izopolitisë, tregon se ata tashmë formonin një formacion politik, të cilin Perandoria e Bizantit ishte e detyruar ta trajtonte si një forcë të pavarur politike e të hynte në marrëveshje me të.[18]  

Pas njoftimeteve të Attaliates dhe më vonë të Anna Komnene, etnonimi Arbëresh (Ἀρβανιτῶν), këtej edhe treva ku jetonin arbërit, zuri të quhej në dokumente të kohës Arbëri (Ἀρβάνων).[19] Ndonjë historian bashkëkohor ka paraqitur të zvogëluar hapësirën gjeopolitike të arbërve dhe të Arbërisë, si dhe kohën e përhapjës së emrit kombëtar, duke e vendosur këtë etnonim vetëm në kuadër të kufirit politik të Shqipërisë aktuale. Në këtë kontekst është bërë përpjekje jo rrallë që shteti i Arbërit gjatë mesjetës të kërkohet në një trevë të ngushtë të Shqipërisë së sotme. Mirëpo, dokumentet e kohës provojnë se shqiptarët e mesjetës duhet parë në tërë arealin tonë etnik dhe duhet kuptuar se “vendbanimi i sotëm i shqiptarëve nuk është një trevë ekspansioni, por trevë restriksioni, përfundim i një ngushtimi të pandërprerë gjatë historisë”. I pari shtet arbëror, ku duhet kërkuar gjatë shekujve në vijim edhe rrënjët e shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, është formacioni politik i quajtur shteti i Arbërit i themeluar në vitin 1190. Shteti i Arbërit u formua në prapatokën e Themës së Durrësit. Nga pikëpamja territoriale mund të thuhet se shteti i Arbarërit ishte trashëgimtar i Arkondisë së Durrësit. Progoni, emri i kryetarit (arkondit ose princit) të shtetit është emër tipik me etimologji shqipe. Si i tillë, kishte pushtet të drejpërdrejtë brenda shtetit të tij, ndërsa në pjesën tjetër të shtetit sundonin feudalët vasalë, pothuajse të pavarur. Në marrëdhënie ndërkombëtare është quajtur “Magnus archon” (“arkond i madh” ose “princ i arbërve”).[20]

Formacionet politiko-juridiko shtetërore në Arbëri u zhvilluan fill pasi u shëmb perandoria e rasiane (serbe) e Dushanit (1355). Së këtejmi, anembanë trojeve arbërore u mëkambën formacione shtetërore arbrërore të pavarura, si p. sh. Principita e Shkodrës, Principata e Durrësit, Despotati i Beratit, Despotati i Artës, e ndonjë tjetër. Në shtete të përmendura  organet shtetërore, të administratës civile dhe ushtarake duke bërë një sërë ndryshimesh krijuan institucione të reja pothuajse të panjohura më parë në Arbëri. Në këtë kontekst, principatat ishin monarki feudale, ku pushteti më i lartë ishte në duar të sunduesit të principatës. Si të tilla, në aspektin e organizimit shtetëror zotëronin tipare sunduese të ngjashme me ato italiane dhe bizantine. Së këtejmi, Blash Matarangu nga viti 1365, mbante titullin e lartë të sevastokratorit; Karl Topia e quante vetën “Princips Albanie” (“Princ i Arbërit” ose “Zot i Arbërit”). Venedikasit e quanin “Princips Albaniae” (“Princ i Arbërisë”), ndërkaq kuria papnore e njihte me titullin “Kont i Madh i Arbërisë”. Ngjashëm me Karl Topinë, vetën e quante edhe Gjergj II Balsha (“Princ i Arbërisë” ose  “Autokrat i gjithë tokës së Zetës dhe të bregdetit”). Ndërsa,  Gjergj Strazimir Balshën, këshillat e Raguzës të vitit 1388 e quanin,  “dominum Georgium Stracimiri de Balsa”.[21] Marin Beçikemi, Balshën III madje e konsideronte për, “Rex Balsa” (“Mbreti Balsha”).[22] Në anë tjetër, kryezotët e familjës Muzaka dhe Shpata, mbanin edhe titullin e despotit, titull ky shumë i rëndësishëm në kierarkinë shtetërore bizantine. Princat ose despotet arbër të shek. XII-XV, duke qenë sundues të pavarur, zotëronin me oborre të veta, ku kuvendonin edhe feudalët e njohur të shoqëruar me administratën e tyre, si: protovestiari, nomiku, vojvoda, logoteti, e ndonjë tjetër.[23]

Derisa, themelimi i shtetit të Blshajve dhe i Topiajve, përkonte me dobësimin e Perandorisë së Bizantit në treva arbërore, si dhe shkatërrimin e shtetit të Dushanit në Ballkan, në anë tjetër, fuqizimi i shtetit të Gjon Kastriotit ngushtësisht ndërlidhet më disfatën osmane në betejën e Angorës në vitin 1402. Atëbotë, shtetit i Gjon Kastriotit i kishte siguruar vetës dalje në det për të siguruar vetës marrëdhënie të mira me Republikën e Raguzës e Republikën e Venedikut, si dhe qasje të afërt me trevat e pasura bujqësore e minerare të Kosovës (Peja, Prizreni, Prishtina) dhe Maqedonisë (Pollogu, Dibra, Ohri). Së këtejmi, shteteti i Gjon Kastriroti përveç së kishte arritur pozitë të rëndësishme gjeopolitike e gjeostrategjike në këtë pjesë të Ballkanit, është shquar edhe për nga rëndësia ekonomike. Burimet e kohës ofrojnë njoftime edhe për marrëdhëniet feudale, çështje kjo që mund të ilustrohet edhe sipas një aktdhurimi të vitit 1426 në të cilin thuhet: “Dhe këto fshatra (Radostushë e Trebisht të Rekës-J. D.) i kam dhuruar (Gjon Kastrioti, Hilandarit-J. D.), kështu që të jenë të lirë  prej çfardo punësh, të mëdha e të vogla, me të gjitha të drejtat  e dhënies së haraçit të mbretit dhe të qytetit, dhe të gjitha këto ua jap manastirit të shenjtë (Hilandarit-J. D.): të mos ketë as qefali, as zot, as  psarë e të mos japin të dhjetë as për drithë, as për verë, as për mjaltë, as dhuratë në para, as para për kullotë, as për të dhjetë bagëtish, kështu që kisha t’i marrë të gjitha të drejtat e saja sipas  zakonit të fshatrave në fjalë. Dhe për të thënë shkurt të jenë të lirë nga të gjitha punët e mia të mëdha e të vogla”.[24]/drita.info

– vazhdon –

 

————————

[1] Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, përkthimi na origjinali latinisht dhe hyrja nga S. I. Prifti (Prishtinë: Rilindja, 1989) : “[…] krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Emati”.

[2] Copioso Ristretto degli annali di Rausa/Ragusa, Venezia: 1605, 86; Ragusa: 1790,145-146: “Castrati villa nella giurisdizione in As in Albania, poco discosto dal fiume Drilon

[3] Frang Bardhi. Skënderbeu: Apologji, përkth. nga lat. Stefan I. Prifti (Shkup: 1968), 116, 121.

[4] P. Eusebius Fermendžin. Acta Bosnae: Potissimum Ecclesiastica, cum insertis editorum documentorum regestis, ab anno 925 usque ad annum 1752 (Zagrabiae: Monumenta SHSM, 1892),  560: “Castrioich de Castrioti in provincia Az in Epiro”.

[5] D. Radëshi. Principata e Kastriotëve. In: Buletin i Universitetit  Shtetëror të Tiranës. Viti XV, No. 4 (Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranësm 1961), 27-41.

[6] Idem; cfr. Andrea Angelo Comneno. Genealogia d’imperatori romani et constantinopolitani et de regi prencipi  (In Roma per Valerio Dorica, et Luigi Fratelli Bresciani, L’anno MDLI), 3-40.

[7] Charles Hopf.  Chroniques Greco-Romanes : Breve Memoria de li discendenti de nostra casa Musachi (Berlin : Librairie de Weidmann, 1873), 270-340 ; cfr. Andrea Angelo Comneno. Genealogia d’imperatori romani et constantinopolitani et de regi prencipi, 3-40.

[8] Alain Ducellier. L`Albaie entre Byzance et Venise, Xe-XVe siècles (London: Variorum Reprints, 1987), 119-136.

[9] J. Drançolli, Kastriotët; Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, In. Fjalori Enciklopedik i Kosovës I, (maket: 2017).

[10] Halil Inalcik. Hicri 835 Tarihli: Sûret-i Defter-i Sancak-i Arvanid (Ankara: Türk Tarih Kurumu Basimevi, 1987), XI-XXXVI.

[11] J. Drançolli, Kastriotët (maket).

[12] Nuk është ruajtur asnjë njoftim për datën e vdekjës së saj,

[13] Charles Hopf.  Chroniques Greco-Romanes, tabelet gjeneaologjike (appendix).

[14] Idem., cfr. J. Drançolli. Kastriotet (maket).

[15] K. Porfirogenit. De Thematibus, (Beograd: Mandala, 2014), 37-8, 69-71, 76-79; J. Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, (Pejë: Dukagjini, 2001), 64-65; D. Obolensky. The Byzantine Commonwealth: Eastern Europe, 500-1453, (New York: Praeger Publishers, 1971), 46, 70, 78, 99, 206, 209, 219; J. Ferluga. Vizantinska uprava u Dalmaciji. SAN, posebna izdanja, knj. CCXCI, Vizantološki Institut, knj. 6. (Beograd: 1957), 67,  81, 87, 101, 123, 139, 136, 138, 148;   I njëjti. Drač i njegova oblast od VII do početka XIII veka. In: GLAS SANU, CCCXLIII, odeljenje istorijskih nauka, knj. 5. (Beograd: 1986),  65-82, 93-95, 108-110.

[16] J. Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, 66.

[17] M. Attaliotae. Historia, Recognavit:  I. Bekkerus (Bonae: Impensis ed. Weberi, MDCCCLIII), 9, 18, 297; M. Attaleiates. The History, transl. A. Kaldellis and D. Krollis, (London: Harvard University Press-Cambridge, Massachisetts, 2012), chap. 3.1 5.2; J. Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, 66-67.

[18] Idem.

[19] Anna Comnena. Alessiade: Opera storica di una principessa porfirogenita bizantina.  A cura di G. Angello (Palermo: Palazzo Comitini edizioni,  2010), lib. IV, 8, 4; VI, 7, 7; XIII, 5.1, 2.

[20] J. Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, 68-72.

[21] Zgjerimisht për këtë çështje duhet konsulltuar: M. Blagojević, Državna uprava u srpskim srednjovekovnim zemljama, (Beograd: 1997), në më shumë vende; R. Mihalčić, Kraj srpskog carstva,  (Beograd: Srpska književna zadruga, 1975), 64-67, 125-135; Istorija Crne Gore, II, tom. 2,  (Titograd: 1970), 17-135; József Gelcich, Diplomatartium relationum Reipublicae Ragusanae cum Regno Hungariae (Budapest : 1887), 708, etj.

[22] Marini Becichemi Scodrensis. In Primum Plinii observationum librum collectanea, (Brixiae: MDIII), 76.

[23] J. Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, 77-81 ; A. Luarasi. Shteti dhe e drejta shqiptare në Epokën e Skënderbeut (Tiranë: Shtëpia botuese “Luarasi”, 1998), 42-49.

[24] Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëll. II (Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1962), 233-234.

Shpëndaje: