Njoftime historike për shtetin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (III)

Apr 27 • Histori, Kulturë

Nga Prof. dr. Jahja Drançolli

 

  1. Organizimi shtetëror

Shumë kohë më parë, por edhe sot e gjithë ditën shtrohet pyetja se sa kishin rëndësi vendimet e Kuvendit të Lezhës me kontekstin e themelimit të një formacioni-politik, respektivisht themelimin e shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Shpjegime të para në këtë aspekt kanë ofruar ballkanologët  M. Šufflay dhe K. Jireček. Šufflay, i pari studjues që e zinte ngojë shtetin e Skënderbeut, këtë formacion politiko-shtetëror e konsideronte për shtetin e fundit në Ballkan pas rënies së Bizantit (1453), despotatit të Rashës (1459) dhe mbretërisë së Bosnës (1463).[1] Gjithashtu, edhe studjuesi tjetër, Jireček duke provuar ekzistimin e shtetit të Skënderbeut, atë e shihte për të fundin shtet në Ballkan.[2] Nga konstatimet e përmendura më sipër me plotë gojën mund të themi se, në Kuvendin e Lezhës u morën një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën politike e juridike të shtetit  në krijim të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, princërit pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman, një çështje për çka na njofton edhe Barleci. Ai theksonte që Skënderbeu “vendosi para së gjithash, se duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë […]”.[3] Në Kuvend u vendos të formohej bashkimi i forcave, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbërorë, të cilët pranuan të heqin dorë nga partikularizmi i mbjellur me kohë dhe të formonin, sipas traditave të lashta arbërore, një Besëlidhje, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e plotë të vendit, me një kryetarë të vetëm. Kryetar i saj u zgjodh, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Në të vërtetë ky ishte vetëm “Primus inter pares” (“i parë ndërmjet të barabartëve).[4] Sipas Martin Segonit Novobërdasit, biograf i parë i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut (1481) “[…] qe i njohur prej tyre princ i ligjshëm e thirrur mbret”.[5] Sipas Dh. Frëngut, ndërkaq Gjergj Kastriroti-Skënderbeu është zgjedhur për komandant të përgjithshëm.[6] Me fjalë të tjera sipas organizimit shtetëror, Skënderbeu përfaqësonte Kryetarin e Shtetit, që shoqërohet edhe më një aparat ekonomiko-financiar për menaxhimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të shtetit i kryesuar nga protovestiari. Ndërsa, për çështje diplomatike ekzistonte një tjetër aparat shtetëror i kryesuar nga kancelarë dhe nga konsujë, respektivisht ambasadorë. Përveç Kryetarit të Shtetit janë të njohura edhe këto organe qendrore shtetërore: Këshilli i Luftës, Kuvendi i Kryezotërinjëve, Këshilli i Lartë, si dhe organe të tjera, të cilat luajtën rol më rëndësi në ngritjen e aparatit shtetëror, që shtrihej në të gjitha vende të lira e të çliruara. Ato shtriheshin në jug nga rrjedha e lumit Devoll e Seman për tu zgjeruar në veri deri në trevat e Sanxhakut, Sjenicës, Zveçanit; në perëndim deri në brigjet e Adriatikut; në verilindje deri në Dardani Perëndimore, dhe në lindje deri në krahinën e Pollogut dhe në dy Dibrat. Aparati shtetëror në gjithë këtë hapësirë të lirë vepronte sipas modelit të shteteve mesjetare europiane.[7]

Këshilli i Luftës për objektiv kryesor kishte formimin e një ushtrie të përbashkët, përkatësisht të një ushtrie federale, që do të ishte në gatishmëri për të ndihmuar komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, Skënderbeun. Gjithashtu, në rast nevoje këshilli në fjalë do të ndihmonte sundimtarët arbër për mbrojtjen e zotërimeve të tyre. Në fillimet e veta ai përbëhej nga princat, që morën pjesë në Kuvendin e Lezhës, të cilët ishin zotuar se do të luftonin me forcat e tyre të armatosura. Veprimi i parë i Skënderbeut që të krijoj një ushtri jo të përbërë nga mercenarë, sikurse ishte zakon i kohës, por një ushtri të disiplinuar dhe të ushtruar si duhet. Kështu, u mblodhën rreth 8000 luftëtarë; 3000 ndër këta e përbënin gardën e Skënderbeut, me këmbësorë dhe kalorës të lehtë e të rëndë; 3000 u vënë nën komandën e Moisi Golemit, i cili do të mbronte kufijtë nga do të vinin osmanët. Skënderbeu zgjodhi edhe ushtri vullnetare, për t’i pasur të gatshëm në rast lufte. Së këtejmi,  Skënderbeu, sipas burimeve që zotërojmë mund t’i bënte ballë fuqive të sulltanit me forca prej 10.000-12000-15000 vetash.[8] Vendimet e Kuvendit të Lezhës favorizonin edhe ruajtjën e autonomisë së princave arbër. Andaj, secili sundues kishte trupa të veçantë për të mbrojtur zotërimet dhe interesat e veta dhe ruanin të drejtën të hynin në marrëdhënie personale me vende dhe forca të tjera jashtë kuadrit të Kryetarit të Shtetit. Por, kur u pa se me një ushtri aleatësh të pasigurt nuk mund  t’ i rezistohej inkursioneve të furishme të ushtrive osmane, Skënderbeu iu kushtua organizimit të një ushtrie të re.

Për shkaqe të rivalitetit, ka të ngjarë siç njoftonte Gjon Muzaka në “Kujtimet” e tij, Kuvendi Lezhës kishte krijuar edhe raporte pabarazie ndërmjet Skënderbeut e sundimtarëve të tjerë arbërorë, gjë që shihet nga pasazhi i mëposhtëm i kronistit: “Pasi mori Matin, principatën e të atit, u bë Zot i qytetit të Krujës […], që në pak kohë sonoi të zotëronte të gjithë vendin. Vuri në pranga Zot Gjonin dhe Zot Gojkon e Balshajve, që ishin dy vëllezër […], i mbajti në burg dhe u mori principatën e tyre që shtrihej midis Krujës dhe Lezhës e që thirrej vendi i Misisë. I mori dhe Moisi Komnenit principatën e tij, e cila ishte në Dibër […]. Dhe pas vdekjes së atit tim’, na rrëmbeu edhe neve Tomonishtën, domëthënë  Muzeqenë e Vogël, e po kështu ai veproi me Zotërit e tjerë të krahinave të Komit dhe të Randisës, që nuk mbroheshin fare, pse në duart e tij ishte ushtria për luftë dhe turku mund t’i sulmonin në çdo kohë”.[9] Nga ky njoftim i Muzakës, nuk mund të kuptohet se është fjala për ndonjë grabitje të pasurive nga bujarë të tjerë, ose për një politikë personale të Skënderbeut. Mbi të gjitha këtu kemi të bëjmë me një proces historik që kishte filluar të vepronte qysh nga kapërcyelli i  shekullit XII, me ngritjen e shtetit të Arbrit, proces i cili gjeti truall të përshtatshëm edhe gjatë viteve të luftës kundërosmane në krye me Skënderbeun, udhëheqësin më të indikuar për të realizuar atë me ritme më të shpejta edhe me duar më të sigurta.

Është për të vënë re se, vendimet e Kuvendit të Lezhës iu dhanë një mbështetje të fortë juridike e morale pozitave të Skënderbeut në marrëdhënie me sundimtarë të tjerë arbërorë. Ai diti t’i shfrytëzonte ato me mjeshtëri për t’i ngritur në një shkallë gjithnjë e më të lartë të drejtat e organeve qendrore, të udhëhequra prej tij,për të bashkuar sa më shumë krahinat e lira të Arbërisë. Pushtetin qendror e pranuan edhe shtresa feudale arbërore. Në të vërtetë kjo ishte një domosdoshmëri e kohës, meqë ishte e qartë se me politikën e zgjedhur të shpërndarjes së feudeve të vogla ushtarake, të pronave, për të cilat flet qartë biografi i heroit, Barleci, pushteti qendror, si kudo në Europë, te feudalët gjeti një mbështetje efektive politiko-ushtarake, shoqërore e kulturore fetare.[10]

 

  1. Ofiqi politiko-shtetëror

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu sipas njoftimeve burimore që zotërojmë qendronte në krye të piramidës shtetërore me të drejtat e një monarku mesjetar. Së këtejmi, burimet e kohës Fatosit tonë, që dalin nga  provenienca të ndryshme ofrojnë njoftime të shumta e interesante. Lidhur me këtë çështje duhet thënë se për shkaqe të politikës së ditës zyrat e kohës, Skënderbeun dhe luftërat e udhëhequra nga ai, në fillim i shikonin si lëvizje spontane dhe të paorganizuara. Si të tilla, gjatë viteve 1443-1448 Republika e Venedikut, luftërat arbërore kundër osmanëve në krye më Skënderbeun përpiqet t’i kanalizonte për ruajtjen i interesave të veta. Së këtemi, edhe burimet që dalin nga zyrat e Venedikut dhe nga zyrta e vendeve të tjera të ndikuara nga kjo republikë, nuk e shohin heroin tonë kombëtar në cilësi të një sunduesi të mirëfilltë të Arbërisë, por vetëm si një sundues të thjeshtë ose “Zot të Krujës”.[11]

Historiografia shqiptare duke ditur për tendencat e shteteve fqinjë, ju përkushtua edhe çështjës së pozitës politike-shtetërore, që zinte Shkënderbeu në shtetin e themeluar nën udhëhqjen e tij. Fillët e saj i ndeshim te biografët e moçëm arbër të heroit tonë kombëtar si të humanistët M. Barlici, Dh. Frëngu dhe Fr. Bardhi, të cilët e quajtën Skënderbeun, “Princ të Epirotëve” ose “Princ të Epirit”, në kuptimin “Princ të Arbërve” ose “Princ të Arbërisë”.[12]

Në mbështetje të buirimeve zyrtare, titullin e një shtetari të tërë Arbërisë ia ndau së pari zyra e Republikës së Raguzës, e cila më 17 maj 1447 e quante “domino Giorgio Castriotis de Albania” (“Gjergj Kastrioti, Zot i Arbërisë”).[13] Në vitin pasues kur Fatosi ynë kishte fituar zulm në Europë, zyra e Republikës së Venedikut, më 4 tetor 1448 e quan “Magnifico Scanderbego et aliis dominis Albaniae […]” (“I Madh Skënderbe dhe zotët e tjerë të Arbërisë”).[14] Po në këtë kohë nga zyra e Republikës së Raguzës doli një dokument ca më domëthënës për titullin e Fatosit tonë: “Domino nostro Scandarbech, dominus Albanensis” (më 20 tetor 1448: “Zoti ynë Skënderbeu, Zot i Arbërve”).[15] Po në këtë ditë, një vit më pas, më rritjen e pushtetet të vet feudal, zyra e Venedikut e quante “Zoti Skënderbe”.[16]  Ndërkaq,  zyra e shtetit të Milanos e quan: “Zot i Arbërisë”.[17] Po më këtë ofiq, zyra e Milanos e shënonte gjatë gjithë jetës së tij. Madje, sipas një dokumenti që mban datën 6 qershor 1461 të po kësaj zyre, Skënderbeu përveç ofiqit “Zot i Arbërisë” u cilësua edhe kapiten gjeneral i mbretërisë së madhe për pjesë të Greqisë.[18] Miku i Skënderbeut, mbreti i Aragonisë Alfonsi V, me rastin e marrëveshjës në Gajetë, më 26 mars 1451,  e quan “Zot të Krujës dhe të pjesëve të tjera të Arbërisë”.[19] Ky ofiq i Skënderbeut qarkullonte edhe në zyrat e papatit, duke filluar nga 13 prill 1451, kur në krye të Selisë Papnore  ishte pa Nikolla V.[20] Duhet thënë se të gjitha dokumentet që dalin nga kancelaritë e Selisë Papnore nga koha e papëve Nikolla V, Kaliksti III, Piu II, Fatosin tonë e njohin për “Zot të Arbërisë” (“Giorgio Castriota Scanderbeg Albanie domino”).[21]  Edhe pse na mungon ndonjë njoftim i drejtpërdrejtë, që kishte dalë nga zyra papnore e papës Pio II lidhur me kurorëzimin e Gjegj Kastriotit-Skënderbeut nga Selia e Shejtë, kjo tregon në njëfarë mënyre shpresat që ushqente populli i Arbërisë ndaj Piut II dhe Skënderbeut.[22] Më të qartë dhe më të guximshëm në këtë aspekt janë zyrat e shtetit të Mantovës. Që këtej, në një dokument të këtij shteti, që mban datën 11 gusht 1459, e quan Skënderbeun “Princ të Krujës dhe të pjesëve të tjera të Arbërisë” (“[…] quod terre et dominia dilecti filii nobilis viri Georgii Scanderbech, principis Croye et aliarum partium Albanie”).[23]

Afërsia territoriale dhe marrëdhëniet e mira shekullore midis Republikës së Raguzës bëri që personaliteti historik i Skënderbeu, pozita politike dhe lufta heroike e popullit arbër nën udhëheqjen e tij të zënë vend të rëndësishëm në veprat e kronistëve dhe të historianëve të moçëm të Republikës së Raguzës. Në këtë aspekt janë me interes edhe njoftimet për titullin ose ofiqin e Fatosit tonë. Këtej, sipas Anonimit të Raguzës (shek. XV), me 29 maj 1453 “Skënderbeu lëshon Atdheun e vetë, Arbërinë […]” (“Schenderbeg dallo suo paese de Arbania […]”), njoftim ky që provon titullin e shtetarit, si dhe shtetin e Skënderbeut.[24]   Të tilla njoftime ndeshim edhe te historiani tjetër i moçëm i Raguzës Nicolai de Ragnina (c. 1490-1552)), i cili në një vend të kronikës së tij shprehet: “Në Arbëri i doli prapa shpinës Skënderbeut,  Zot i këtij vendi”.[25] Këtu, është fjala për vitin 1453. Ndërkaq, Frat Serefino Razzi (1531-1613), e quan madje dukë të Arbërisë: “Në vitin 1453 sulltan Mehmeti […] pushtoi vise dhe përzuri prej shtetit të tij Skënderbeun, dukën e Arbërisë” (“[…] caccio primieramente dello stato suo Giouanni Schender duca dell’ Albania […]”).[26] I njëjti autor, në një pasazh tjetër, e quan Skënderbeun princ të Arbërisë: “Brenda vitit 1460 të shpëtimit tonë, përmes amabasadorit në emër të papës Pio II dhe Ferrantit, mbret i Napolit dhe i Sicilisë, të cilët ishin shumë të shqetësuar nga repartet ushtarake të dukës Giouanni dhe të Renato-s, mbret i Francës, ftuan Zotëri Gjergj Kastriotin e quajtur Skënderbe, princ i Arbërisë dhe ngadhnjyes i madh kundër kryelartësisë turke, në Itali për të ndihmuar kauzën e tyre për t’u mbrojtur nga trupat frënge, të cilat kishin shtypur shumë qytete të mbrtetërisë, duke ngujuar vetë mbretin Ferrante të rrethuar në Barletta. Ai dërgoi së pari një nip të tij me 5000 luftëtarë, një pjesë e të cilëve e mbanin shënjën e këtij princi […]”.[27] Me ofiqin princ, Skënderbeun e ndeshim edhe në “Kronikën e Raguzës” të autorit Giugno Restii (1669-1735), pothuajse të njëjtin njoftim e ndeshim edhe në burime zyrtare raguzane nga viti 1447: “Skënderbeu i Epirit, ky princ arbëror […]”.[28] Ska dyshim se Fatosi ynë, që në  vitin 1447 u bë i njohur në Republikën e Raguzës me ofiq të një shtetari të mirëfilltë, si “Zot i Arbërisë” ose “Princ i Arbërisë”.

Burimet bizantine, edhe pse ofrojnë njohuri interesante për epokën e Skënderbeut, ato për shkak të politikës superiore ndaj shtetit mesjetar të Arbërit, nuk ndalën në ofiqin ose titullin politik të heroit tonë kombëtar. Përjashtim në këtë aspekt bën kronisti Gjergj Sfranca,  i cili duke bërë fjalë për fushatën e Mehmetit II në Arbëri, tërthorazi njofton edhe për titullin  dhe shtetin e Skënderbeut: “Sulltani (Mehmeti II-J. D.), udhëheqësi i të pabesëve, erdhi kundër Arbërisë dhe pasi e ndoqi sundimtarin e saj Skënderin […]”.[29]

Ndryshe nga bizantinët, burimet osmane, në këtë aspekt janë shumë më përmbajtësore dhe domethënëse. Këtej, Kemal Pashazade ose Ibn Kemali (1468-1534), Skënderbeun e quan “sundumtar të arbërve” ose “mbret të arbërve”.[30] Gati njësoj rreth titullit politik të Skënderbeut shprehet edhe kronisti osman, Hoxha Saddedin ose Hoxha Sad-ed-din b. Hasan xhan b. Hafiz Muhammed Isfahani (1536-1599), i cili Fatosin tonë e quan “Iskenderi, sundimtar i arbërve”,[31] si dhe Mynexhimbashi ose Dervish Ahmet Dede b. Lutfullah (1631-1702), e quan “sundimtar i vendeve të arbërve” ose “sundimtar i Arbërisë”.[32] Njoftime të përafërta ndeshim edhe te kronistët e tjerë osmanë, si te, Oruçi ose Uruc bin ‘Ādil el-Kazzāz el-Edrenevī (mesi i shek. XV-fillimi shek. XVI),[33] Idris Bitlisi (?-1520),[34] Kronikat osmane anonime,[35] Aliu (1541-1600),[36] Mehmet Neshriu (fundi i shek. XV- 1520),[37] etj.

Në kontekst me kryqëzatën kundër osmanëve, ku Papa II e emroi Skënderbeun kryekomandant të Selisë Shejtë, Barleci, mes tjerash shkruante edhe për ofiqin shtetëror të Skënderbeut: “(Papa Piu II) do të pranonte së pari dhe do të ngrente në gradën e nderuar të kardinalit Pal Engjëllit, argjipeshkvin e Durrësit; pastaj do të shpallte mbret të epirotëve dhe të arbërve Skënderbenë […]”.[38] Ky pohim i Barlecit konfirmohet nga një njoftim zyrtar që mban datën 8 nëntor 1462. Dokumenti është një riprodhim i bullës së papës Piu II dhe titullohet “konsitucione të Pal Engjëllit, argjipeshkëv i Durrësit, publikuar në kishën e Trinisë së Shejtë të Matit, e hënë më 8 nëntor 1462”. Në pjesën mbas arengës (hyrjës) thuhet: “Dekreti i përgjithshëm i papa Piu II, lëshuar me kërkesën e kardinalit, argjipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëlli, sikundër sektit muhamedan, ashtu edhe në favor të të pathyeshmit Mbret të Arbërisë, zotit Skënderbe […]”.[39]

Në këtë kontekst duhet parë edhe titullin e përmendur më sipër të Skënderberut “Dominus”, titull ky që është i përafërtë me titullin mbret ose basileus (βασιλεύς), që ka qenë edhe titull i Aleksandrit të Madh, emrin e të cilit e mbante me krenari Skënderbeu. Madje, edhe  ngjyra e petkave të Skënderbeut ishte tipike mbretërore dhe imitim i ngjyrës së veshjës së Aleksandrit të Madh, që bante petka ngjyrë të purpurt. Këtë ngjyrë e preferonin edhe perandorët bizantinë në veshjën dhe në flamurin shtetëror të tyre. Burimet e kohës provojnë se Skënderbeu ka veshur edhe petka të purpurta. Të njëjtën ngjyrë ruante edhe fusha e flamurit tonë kombëtar.[40]/drita.info

 

[1] Milan Shufflay. Historija e Shqiptarëve të Veriut: Serbët e Shqiptarët (Prishtinë: Rilindja, 1968), 38-42; 237-238; cfr. A. Plasari, op. cit., 331.

[2] K. Jireček. Albanien n der Vergangenheit. In: Ilyrisch-Albanische Forschungen I. Band (Muchen und Leipzig: 1916), 82: “Fall von Byzanz, Serbien und Bosnien blieb Albaynien der letze größere christliche Staat der Halbinsel”; cfr. A. Plasari, op. cit., 331.

[3] M. Barleti, op. cit., 91-95. 

[4] K. Biçoku, Formimi dhe forcimi i pushtetit qendror nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, in: Studime për Epokën e Skënderbeut, III (Tiranë : Aklademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë-Instituti i Historisë, 1989), 21.

[5] A. Pertusi. Martino Segono di Novo Brdo vescovo di Dulscigno: Un umanista serbo-dalmata del tardo Quottrocento. Vita e opera (Roma: Istituto Storico Italiano per il Medio Evo. Studi Storici, fasc. 128-130, 1981), 143: “[…] fu da loro riconosciuto per legittimo principe e gridato re […]”.

[6] D. Franco. Gli Ilustri  et Gloriosi Gesti, 8 : “Et oltre di ciò ui creamo nostro General Capitano […]”.

[7] Kasem Biçoku, Skënderbeu, (Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, 2005), 152-154.  Cfr. A. Plasari, op. cit., 332-333; H. Ceka. Vërejtje mbi disa të dhëna topografike rreth luftave të Skënderbeut sipas Barletit. In: Buletin për shkencat shoqërore III (Tiranë: Botim i Instituit të Shkencave, 1952), 21-36.

[8] D. Franco, Gli Illustri et gloriosi gesti, 41, 46, 206 ; O. J. Schmitt, Skanderbeg, 92, 170, 181; A. Luarasi, Shteti dhe e drejta shqiptare në Epokën e Skënderbeut, 162-163.

[9] Gjon Muzaka, Memorje, 50.

[10] J. Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, 94.

[11] J. Radonić, (ed.).  Djuradj Kastriot i Arbanija u XV veku: Istorijska gradja (Beograd: Spomenik SKA XCV,  drugi razered 74, 1942), 9: më 14/XII/1447, “Illustri et potenti viro Georgio Castrioto alias Squenderbech, domino Croie provinciartumque Albanie, etc.”

[12] J. Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, 112-113.

[13] Državni Arhiv u Dubrovniku (DAD), Acta Consli Rogatorum. Regjistri X, fol. 102.

[14] Š. Ljubić, (ed.).  Listine o odnošajih izmedju Južnoga Slavenstva i Mletačke  Republike IX (Zagrabiae: Monumenta SHSM, 1890), 282-283.

[15] DAD, Acta Consli Rogatorum. Regjistri XI, fol. 14.

[16] Š. Ljubić, op. cit., 312.

[17] Djuradj Kastriot i Arbanija, 29.

[18] Idem, 123: “Domino Georgio Castriota alias Scanderbeg, Domino Albanie ac Generali capitaneo regie Maiestatis in partibus Grecie etc.“

[19] Djuradj Kastriot i Arbanija,  23-24.

[20] DAD, Lettere et commissione di Levante. Regjistri XV, fol. 166.

[21] M. Sciambra – G. Valentini – I. Parrino. Il “Liber Brevium” di Calisto III: La Crociata, L’Albania e Skanderbeg (Palermo: 1968), No. 235, 298, 301306, , 325, , 360-363, 384, 432.

[22] Athanese Gegaj, L’ Albanie et l’ Invasion turque au XVe siècle, 131-138. Cfr, përkthim shqip nga Dom Gjergj Gjergji-Gashi: Gegaj, At Athanas, OFM. Arbëria dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-1468) (Tiranë:Eurorilindja, 1995), 117;

[23] Djuradj Kastriot i Arbanija,  111.

[24] Sp. Nodilo, (ed.). Annales Ragusini Anonymi item Nicolai de Ragnina. In: Scriptores, vol. I (Zagrabiae: 1883), 62. Adi 29 maggio: “Fu caciato Ivan Schender beg dallo suo paese de Arbania et andò in Puglia con tutta sua famiglia, con aiuto di Ragusa”, (më tej për referim, Scriptores).

[25] Scriptores I, 257-259.

[26] F. S. Razzi OP. La storia di Ragusa (Ragusa: 1903), 100: ”Dell’anno 1453 voltando Moametto contra la Grecia, caccio primieramente dello stato suo Giovanni Schender Duca dell’ Albania”.

[27] Scriptores I, 102: “Intorno all’anno di nostra salute 1460, per Ambasciadori di Papa Pio secondo, e di Ferrante Re di Napoli, e di Sicilia i quali molto erano trauagliati dell’armi dal Duca Giouanni, e di Renato Re di Francia, fu chiamato il Signor Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Principe dell’ Albania […]”

[28] Sp. Nodilo, (ed.). Chronica Ragusina Junii Resti. In: Scriptores, vol. II, (Zagrabiae: 1893), 295: “[…] tutto il contrario di Scanderbeg, principe d’Epiro, il quale, perseguitato ed oppugnato dai Turchi, era mantenuto nello stato dal prodigioso suo valiore”.

[29] Georgii Phrantzae. Annales IV, cap. XIV, XXII (Bonn: 1838).

[30] S. Pulaha, (ed.). Lufta shqiptaro-turke në shek. XV: Burime Osmane (Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1968), 185-186, 196-198: “Në vendin e arbërve doli një njeri prej një fisi të vjetër mbretëror […] i njohur me emrin biri i Juvanit. Emri tij ishte Iskender […]” dhe “ Të gjithë e thërrasin me emrin tradhtari Iskender […]. Ai  shkoi dhe me lehtësi hyri në vilajetin e të atit, i cili në vendin e arbërve njihet me emrin nahija e ashpër e tokës së Juvanit. Populli i vendit të atyre anëve iu nënshtrua. Atë e nderuan duke thënë se ky  është djali i sundimtarit tonë. Në këtë mënyrë pushtoi vendin e sipërpërmendur dhe u bë mbreti tij”, njoftim ky që mban datën 871 sipas Hixhrit ose vitet 14661467 sipas kalendarit të krishterë.

[31] S. Pulaha, op. cit., 259: Viti 851 sipas Hixhrit (1447), “Hamza beu, i biri i xhaxhait, Iskenderit, sundimtarit të arbërve u paraqit në selinë e oborrit perandorak. Ai duke shfaqur pretendimet e separatistëve, të kokëfortëve arbër i paraqiti Portës së Lartë (faktin) se ata kishin kthyer shpinën sundimtarit të tyre Iskenderit”.

[32] Idem., 314-315: Viti 851 sipas Hixhrit (1447), “Meqenëse sundimtari i Arbërisë tradhtari Iskender ishte bërë tepër i pacipë, (sulltani) marshoi kundër tij […]”, dhe në vitin 871 – 872 (1466-1467), “[…] njëri prej sundimtarëve arbër, tradhtari i quajtur me emrin Iskendër, kishte ngritur krye dhe kishte filluar grabitjet në rrethet e Kalkandele-s (Tetovës).”

[33] Idem., 46, në veprën e titulluar,  Tevārīh-i  Āl-i ‘Osmān, ndeshim në këtë njoftim nga viti 851 sipas Hixhrit (1447): “Sundimtari i arbërve, Iskenderi u arratis. Vendet e tij u pushtuan, kishat i shembën dhe ua vunë zjarrin

[34] Idem., 151, 155, në vitin 852 (1448): “Arbërori Iskendër, i cili qe ngarkuar me detyrën për të ruajtur kufijtë e arbërve […]. Meqense disa nga ata pafe të pabindur u treguan kokëfortë dhe kundërshtuan dhënien e xhizjes së caktuar, i shkaktuan dëm pushtetit të Iskenderit”.

[35] Idem., 55, viti 851 sipas Hixhrit (1447) “Sundimtari i arbërve Iskenderi u arratis. Ai vilajet u muar, kishat u shkatërruan dhe në vend të tyre u bënë mesxhide

[36] Idem., 281, 284, viti 851 (1447):  “Pastaj ndoqi dhe dëboi nga vendi të mallkuarin e quajtur Iskendër, që konsiderohej si sundimtar i atyre të pafeve kokëfortë, (Iskenderi) duke ditur se nuk do të kishtte shpëtim nga kjo anë, u hodh në det me disa anije dhe shpëtoi me vështirësi […]

[37] Idem., 91-92, viti 870 sipas Hixhrit  (1465-1466): “Tregohet se qysh prej kohësh, Iskenderi, sundimtari I arbërve […]

[38] M. Barleti, Historia e Skënderbeut, 440.

[39] N. Jorga, (ed.). Notes et extraits pour servir à l’histoire des Croisades au XV-e siècle, vol. IV (Bucharest: Édition de l’Académie Roumaine, 1915), 194-195, 197. Cfr. J. Drançolli, Shteti Mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, 120.

[40] K. Biçoku, Skënderbeu, 155.

 

Pjesën II, mund ta gjeni këtu: http://www.drita.info/2018/04/25/njoftime-historike-per-shtetin-e-gjergj-kastriotit-skenderbeut-ii/

Pjesën I, mund ta gjeni këtu: http://www.drita.info/2018/04/22/njoftime-historike-per-shtetin-e-gjergj-kastriotit-skenderbeut-i/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »