Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?

E Diela XXV gjatë vitit – viti A

 

 

Leximi i parë   Is 55, 6-9

Njeriu që ka një zemër të ftohtë, që mban inate të thella, që nuk di të falë, mendon se Hyji e mat realitetin me metrin e tij. Metoda e Hyjit është e ndryshme.  Ai shkrin mëkatet tona siç shkrihet dëbora në diell dhe i harron.  Zemra e Hyjit është më e madhe se e jona.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër! Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje.  Sepse mendimet tuaja nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja, nuk janë udhët e mia – thotë Zoti. Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e mia janë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja! Fjala e Zotit.

 

 

 

Psalmi   145

 

Ref: Zoti është afër atyre që e kërkojnë

———————————–

Çdo ditë do të të bekoj,

dhe do ta lavdëroj Emrin tënd përgjithmonë e jetës.

Zoti është i madh e i lavdërueshëm,

e pashqyertueshme është madhëria e tij!

———————————–

Zoti është vetë butësia e mëshira,

i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

Zoti është i mirë për të gjithë,

i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

———————————–

I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,

dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,

të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

———————————–

 

Leximi i dytë   Fil 1, 20-27

Apostulli Pal tregon dëshirën e tij të qëndrojë me Krishtin në lavdi, por nëse është e nevojshme është gati të qëndrojë këtu mbi tokë për t’u shërbyer vëllezërve.  Nuk na takon neve të vendosim kur duhet të mbarojë shërbimi ynë ndaj vëllezërve. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit drejtuar Filipianëve

Vëllezër, Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdissha. Vërtet, për mua Krishti është jetë, dhe vdekja fitesë! Por në qoftë se jeta në trup më mundëson një veprimtari frytdhënëse, çka atëherë të zgjedh? Nuk po di! Jam ndërdyzash: dëshiroj të shkoj e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjë shumë, shumë më e mirë, por të jetoj në këtë trup është më e nevojshme për ju. Për tani e di se do të mbetem dhe do të rri në mesin tuaj për përparimin tuaj e në gëzim të fesë, që mburrja juaj për mua në Jezu Krishtin të shtohet, kur përsëri të vij ndër ju. Ju veç, jetoni në mënyrë të denjë të Ungjillit të Krishtit, që – kur të vij e t’ju shoh, ose larg prej jush – kur të dëgjoj për ju, të ndiej se jeni të qëndrueshëm në një shpirt dhe se, një zemre, luftoni të gjithë së bashku për fenë e Ungjillit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Hapi, o Zot, zemrat tona, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Mt 20, 1-16

Shëmbëlltyra e punëtorit në vresht na bën të kuptojmë mëshirën e Hyjit Atë. Kush është i thirrur në fillim në shërbimin e Ungjillit duhet të gëzohet për të tjerët që janë thirrur më vonë dhe ndoshta në fund të jetës së tyre në shërbim të Hyjit. Hyji thërret të gjithë, dembelë dhe aktivë, bujarë dhe të vonuar. Kisha nuk është pronë e besimtarëve që e përbëjnë, por është e Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet. E, si u godit me punëtorët nga një denar në ditë, i çoi në vreshtin e vet. Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa do të tjerë duke ndenjur të papunë në treg e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’ Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ Ata i përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’. Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën – fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar. Kur erdhën të parët, menduan se do të marrin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. Duke e marrë ankoheshin në zotshtëpinë e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’  E ai i përgjigji njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u godite me mua nga një denar? Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’. Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!” Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Jezusi na zbulon se logjika e tij është shumë e ndryshme nga ajo e jona Në vreshtin e tij ka hapësirë për të gjithë, e çdo orë mund të jetë ora e drejtë. 

Shëmbëlltyra e Ungjillit na flet për pronarin e një vresht që kërkon punëtorë për vreshtin e tij.  Ka punëtorë që fillojnë të punojnë në vreshtin e Zotit që nga orët e para të ditës, ose të tjerë që fillojnë të punojnë pasdite, por të gjithë marrin të njëjtë pagë. Janë lënë mënjanë ligjet e tregut dhe drejtësia njerëzore. Jezusi vendos në të njëjtin nivel mëkatarë dhe të drejtë: ja padrejtësia! Por Jezusi tregon se Hyji ka një mënyrë të vepruari të paparashikueshme, që nuk mund të gjykohet sipas kritereve njerëzore.  Mbretëria e tij është falas dhe ua ofron të gjithëve, edhe atij që arrin të punojë në momentin e fundit. 

“Pasi të keni bërë gjithçka që duhet të bënit, thoni: jemi shërbëtorë të pavlerë”. Të mjerët ne nëse prezantohemi në dyert e Mbretërisë, duke u mbështetur vetëm mbi meritat tona e duke pretenduar shpëtimin si një e drejtë që na takon. Por të mirën duhet ta bëjmë! Por duhet të dimë se të pasurit mundësi për të bërë të mirën është një hir, nuk duhet të mendojmë që e mira lind vetëm nga sforcimet tona. Sipas Jezusit shpëtimi është një dhuratë dhe jo një e drejtë. Dhe është një privilegj i madh të mund të qëndrosh gjithë ditën me Të e të punosh në vreshtin e tij. E rëndësishme është të dimë se ajo që ka më shumë vlerë, nuk është aq sasia, se sa cilësia, domethënë dashuria.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër dhe motra, Isaia profet sot na kujton që Zoti është gjithmonë afër atyre që e thërrasin. Të ngushëlluar nga kjo e vërtetë, t’ia drejtojmë Atij lutjen tonë plot besim.

L. Të lutemi së bashku duke thënë: O Zot, na dëgjo.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, klerin dhe diakonët, që duke larguar çdo inat dhe xhelozi si bijtë e të vetmit Atë, të dinë të jenë dëshmitarë të pajtimit dhe të paqes. Të lutemi.

L. Për punëtorët dhe punëdhënësit: që punëtori të angazhohet me zell dhe punëdhënësi t’i japë rrogën që meriton, duke ruajtur në mes tyre respektin dhe harmoninë. Të lutemi.

L. Për ata që janë të thirrur në vreshtin e Zotit, bëj që mos të lejojnë të kufizohen nga xhelozia dhe përbuzja e të tjerëve. Të lutemi.

L. Për ata që kërkojnë Zotin me zemër të sinqertë, që në çdo ngjarje të jetës, të ndjejnë praninë e Zotit, që të hapen në besim dhe të përjetojmë provaninë e tij. Të lutemi.

L. Për ne të pranishëm në këtë eukaristi, që të vetëdijshëm për dobësitë tona, të dimë t’i afrohemi mëshirës së Zotit për të qenë të denjë për dashurinë e tij, për të angazhuar më mirë energjitë tona në vreshtin e tij që ëdhtë Kisha. Të lutemi.

M. O Hyj Ati ynë, që u shfaqesh atyre që të kërkojnë dhe kanë nevojë për ty, dëgjoji lutjet e popullit tënd që mbështetet në ty dhe bëj që pasi të ketë punuar në vreshtin tënd duke dëshmuar dashurinë tënde, të marrë shpërblimin e amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: