“Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.”

E diela XXIX gjatë vitit – viti A

 

 

Leximi i parë   Is 45, 1.4-6 

Profeti i drejtohet popullit që të pranojë propozimin e mbretit Kiro, për t’u kthyer në Palestinë. Edhe një mbret pagan mund të bëhet për Hyjin një mjet çlirimi. Hyji mund t’i flasë ndërgjegjes së njerëzve edhe nëpërmjet personave të ndryshëm që nuk i përkasin besimit të krishterë. Ne besimtarëve, këta persona na shfaqin një mënyrë të re për ta jetuar besimin.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti për Kirin, të shuguruarin e vet: “Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt, për t’i vënë në ikje mbretërit, për t’i hapur para tij dyert; edhe dyert para tij s’do të mbyllen. Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit e të Izraelit, të të zgjedhurit tim, të thirra ty me emrin tënd, të shënova megjithëse s’më njihje. Unë jam Zot e tjetër s’ka: përveç meje Hyj tjetër s’ka! Të ngjesha në armë, megjithëse s’më njihje që të dihet prej lindjes në perëndim, se posë meje, askush tjetër s’është!” Fjala e Zotit

 

 

 

Psalmi  96

 

Ref: Ty, o Zot, të qoftë nderi dhe lavdia

———————————-

Këndoni Zotit një këngë të re!

Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!

Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,

ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!

———————————-

Sepse i madh është Zoti,

tejet i denjë për t’u lavdëruar,

më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!

Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve,

kurse Zoti e ka krijuar qiellin.

———————————-

Jepni Zotit, familjet e popujve,

jepni Zotit nder e fuqi,

jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!

Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij.

———————————-

Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!

Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”

Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;

i gjykon popujt me drejtësi.

———————————-

 

Leximi i dytë   1 Sel 1, 1-5

Shën Pali na kujton se Hyji na ka dashur.  Kur bashkësia themelohet mbi Krishtin, kur asnjë provë nuk prish shpresën e saj, dhe kur besimi dhe shpresa kthehen në sjellje vëllazërimi, drejtësie shoqërore, dashurie ndaj të gjithëve, atëherë një bashkësi e tillë bëhet shenjë e pranisë së Hyjit, shpallëse e Krishtit, shfaqje e Shpirtit Shenjt.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Pali, Silvani dhe Timoteu: Kishës së Selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot. Paçi hir dhe paqe! Gjithmonë i falënderohemi Hyjit për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë. Sepse, o vëllezër të dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, mbasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Shndritni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Mt 22, 15-21

Në Ungjill Jezusi pohon se ne kemi detyrime ndaj shtetit dhe detyrime ndaj Hyjit. Kisha nuk është një mbretëri afër mbretërive të tjera. Kisha nuk kërkon të ketë një hapësirë për vete në botë, meqënëse ajo është e pranishme në gjithë botën për t’ia ofruar botën Hyjit. Ajo nuk bën konkurrencë me shtetet e tjera, por hyn në historinë e njerëzve për t’i ndriçuar me dritën e Hyjit dhe për të qenë kripa e botës.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë. Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk këqyr ç’pozitë kanë njerëzit! Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatim apo jo?” Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha: “Shtiracakë, pse po më sprovoni? Ma tregoni monedhën e tatimit!” Ata ia sollën një denar. “E kujt është – u tha – kjo fytyrë e ky mbishkrim?” “E Cezarit!” – i përgjigjën ata. Atëherë Jezusi u tha: “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.” Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Nëse monedha i përket atij që ka të stampuar imazhin, edhe njeriu i përket Atij imazhin e të cilit përfaqëson: njeriu është monedha e Hyjit.

Farisenjtë e devotshëm “u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë” Jezusin. Farisenjtë dhe herodianët, armiq të betuar bien dakord kundër armikut të përbashkët: Mësuesit të Nazaretit. Ata me hipokrizi lavdërojnë Jezusin për ta tunduar dhe i thonë: “a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatim apo jo?”.

Nëse Jezusi është në favor të pagesës së taksave, do të akuzohet për pabesnikëri ndaj Zotit, i vetmi të cilit duhet t’i shërbehet; nëse nuk është në favor të pagesës së taksave, vihet kundër romakëve. Por ata që ishin kundër romakëve, i priste një fund i keq. “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.”

Jezusi kërkon monedhën e Romës, ku perandori është vizatuar si një Hyj, dhe deklaron t’i kthehen Çezarit monedhat e tij. Detyra jote është të paguash taksat e nuk mund të jesh njeri besnik nëse nuk paguan taksat, nëse mashtron njerëzit, nëse shfrytëzon vartësit e tu. Por për Jezusin gjëja e vetme e nevojshme është t’i kthesh Hyjit pasurinë e tij, domethënë njeriun e krijuar nën shëmbëlltyrën e tij. Gjithçka i përket Hyjit, që është Krijuesi. Dhe për këtë që në ndërtimin e qytetit tokësor, njeriu nuk mund të jetojë sikur Hyji të ishte i huaj në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Njeriu, që pretendon të ndërtojë një botë pa Hyjin, është i destinuar të falimentojë.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, sot së bashku me mbarë Kishën të shpërndarë nëpër botë, që e prezantojnë misionarët, ipeshkvijtë, kleri, diakonët, motrat dhe vullnetarët laikë, t’ia hapim zemrën tonë Ungjillit e t’i kërkojmë Atit forcën për të dëshmuar mbretërinë e Tij në vendet ku jetojmë.

L. Të lutemi së bashku: Ardhtë Mbretëria e jote, o Zot.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, klerin dhe diakonët që të nxisin vëllazërimin dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet popujve dhe Kishave të të gjithë botës. Të lutemi.

L. Për misionarët dhe misionaret, që janë nisur prej bashkësisë sonë, që të ndjejnë sa më afër bashkimin jetësor dhe mbështetjen në lodhjet apostolike. Të lutemi.

L. Për shoqërinë tonë, udhëheqësit e saj, që të nxisin të mirën e përbashkët duke i respektuar ligjet dhe të drejtat e të gjithë anëtarëve. Të lutemi.

L. Për të rinjtë e kohës sonë, që takimi me Krishtin e varfër e të përvuajtur t’i mahnisë dhe të nxisë në ta zgjedhje të forta e të vendosura për ekzistencën e tyre. Të lutemi

L. Për bashkësinë tonë, që t’i japë jetë përvojave të forta të bashkimit me Krishtin Mësues, që është origjinë e kuptim i çdo angazhimi misionar. Të lutemi

M. O Atë, ti që kënaqesh me lutjen e atij që e pranon fjalën Tënde, eja në ndihmë të dobësive tona dhe ndërsa punojmë për një njerëzim me të drejtë, bëj që të bashkëpunojmë për ndërtimin e mbretërisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpëndaje: