Pendohuni, Mbretëria e qiellit është afër!

E diela III e Kreshmëve – Viti C

 

 

Leximi i parë   Dal 3, 1-8.13-15

Moisiu është edukuar në shtëpinë e faraonit ku ka takuar idhujt egjiptianë.  I larguar në shkretëtirë praktikon besimin e hyjit të nomadëve.  Moisiu kërkon Hyjin e vërtetë, dhe Hyji i zbulohet Moisiut mbi malin Sinaj si “Ai që është” dhe i beson misionin të çlirojë Izraelin nga faraoni i Egjiptit.  Moisiu zbulon se Hyji i vërtetë është “Hyji me ne” dhe se secili prej nesh është një bashkëpunëtor i Hyjit drejt çlirimit.

 

Leximi prej Librit të Daljes

Në ato ditë, Moisiu po i kulloste delet e vjehrrit të vet, Jetros, priftit të Madianit. Duke e kullotur grigjën në shkretëtirë, arriti në malin e Hyjit, Horeb. Një engjëll i Zotit iu duk në flakën e zjarrit në midis të një kaçube. Ai pa se kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej. Moisiu mendoi: “Po afrohem të shoh këtë pse nuk digjet.” Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë, Hyji e thirri prej kaçube dhe i tha: “Moisi, o Moisi!” Ai përgjigji: “Urdhëro!” Ai tha: “Mos u afro këtu! Hiqi sandalet prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë!” Dhe shtoi: “Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit.” Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikojë drejt Hyjit. Zoti i tha: “E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrsëve të tyre. Dhe duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ai dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Kanaaneut, Heteut, Amoreut, Perezeut, Heveut dhe të Jebuseut.  Atëherë Moisiu i tha: “Kur të vij te bijtë e Izraelit t’u them: ‘Hyji i etërve tuaj më dërgoi te ju’. Po nëse më thonë: ‘Si e ka emrin?’; çka do t’u them?” Hyji i tha Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM!” Dhe Hyji i tha përsëri Moisiut: “Kështu thuaju bijve të Izraelit: JAHVÈ, AI QË ËSHTË, Hyji i etërve tuaj, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, dhe Hyji i Jakobit më dërgoi te ju. Ky është emri im i përhershëm, me këtë emërtim do të kujtohem prej breznie në brezni. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   103

 

Ref: Zoti ka mëshirë për popullin e vet

———————————–

Bekoje, shpirti im, Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im, Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

———————————–

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

———————————–

Zoti bën veç vepra të mira,

u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.

Synimet e veta ia zbuloi Moisiut,

bijve të Izraelit veprat e veta.

———————————–

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur. 

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,

aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.

———————————–

 

Leximi i dytë   1 Kor 10, 1-6.10-12

Besëlidhja e Vjetër përmban një histori, e cila që nga fillimi na çon drejt Jezusit dhe përgatit ardhjen e krishtërimit.  Përkujtimi i së shkuarës, siç ndodhi historia e hebrenjve në daljen nga Egjipti, i shërben besimtarit për të kuptuar si të veprojë dhe si t’i përgjigjet mirësisë së Hyjit.  Mes së shkuarës dhe së tashmes ka një vazhdimësi të një plani të njëjtë.

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, dua që patjetër ta dini: etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti. Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, mbasi qenë vrarë në shkreti. Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë së keqes, sikurse i lakmuan ata. Mos nynykatni si nynykatën disa prej tyre dhe ëngjëlli shfarues i vrau. Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull e u shkruan për mësimin tonë, për të cilët arriti mbarimi i kohës. Kush, pra, mendon se qëndron, të ruhet të mos rrëzohet! Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Kthehuni, se Mbretëria e Hyjit është ngjat!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Lk 13, 1-9

Jo vetëm faktet e rëndësishme të jetës së shkuar, por edhe faktet e jetës së përditshme na bëjnë të reflektojmë dhe na ftojnë të kthehemi.  Në shëmbëlltyrë, fiku edhe pse plot me gjethe, në realitet konsiderohet i kotë sepse nuk jep fryte.  Por fikut i jepet koha para se të pritet.  Në shëmbëlltyrë nënvizohet jo zemërimi i Hyjit, por mirësia e tij.  Feja e Hyjit të vërtetë nuk është themeluar mbi frikën, por mbi dashurinë.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. Jezusi u përgjigji: “A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit tjerë? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”  Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri e kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ Ai i përgjigji: ‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. Ndoshta në të ardhmën do të japë fryte. Po qe se jo, atëherë do ta presësh’!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

 Njeriu nuk është krijuar për të shkatërruar jetën e vet. E megjithatë në historinë e çdo dite ekziston një rezistencë e mistershme e njeriut ndaj Atij që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta.

Për këtë thirrja e Jezusit për kthim është për të gjithë urgjente dhe rrënjësore. Ai tregon dy fakte të kronikës së zezë: masakrën e një grupi galileas prej Pilatit dhe shkatërrimin e një kulle që ka shtypur tetëmbëdhjetë persona. Zakonisht mendohej se fatkeqësia është pasoja e mëkatit, për të cilin viktimat ishin më të fajshëm se të tjerët. Jezusi refuzon konceptimin se fatkeqësia është dënimi për mëkatin. “A mendoni se këta galileas qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? Jo, po ju them”.

Është urgjente të kthehemi sepse ka nevojë për fryte të mira, t’i japim një kuptim e një fytyrë të re edhe vdekjes, sepse fati i jetës janë pashkët, fitorja mbi vdekjen. Fatkeqësitë e disave duhet të shërbejnë për të pranuar në ngjarjet, edhe më të rënda, një sinjal që Hyji na ofron për të ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit. Jezusi, me shëmbëlltyrën e fikut, i pasur me gjethe, por pa fryte, na thotë: “Derisa je në kohë, kthehu!”, domethënë mjaft i ktheve shpinën Hyjit, por drejtoi Atij zemrën tënde.

Durimi i pronarit, i cili pret që fiku të prodhojë fryte, kujton durimin e Atit që nuk lodhet të ofrojë bijve të tij akoma mundësinë për t’u kthyer, e për të kryer gjeste dashurie gjithnjë e më të përsosura. Nuk mund të përfitohet nga mëshira e tij.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër fort të dashur, sot Zoti Jezus na ofron fjalë ngushëllimi të fortë.  E dimë mirë se sa e vështirë është të kthehemi, megjithatë nuk duhet të humbim guximin, sepse durimi i Zotit është gjithmonë i madh.  

L. Të lutemi së bashku, duke thënë: Rizgjoje, o Zot, ndërgjegjen tonë.

L. Që Kisha, e thirrur gjithmonë për t’u ripërtërirë, në këtë kohë Krezhmesh, të dijë të jetojë dhe të shpallë kthimin te Zoti. Të lutemi

L. Që njerëzit e angazhuar në çështjet shoqërore të punojnë me të gjitha fuqitë për të zvogëluar varfërinë, për të respektuar drejtësinë, për t’u garantuar qytetarëve një bashkëjetesë paqësore. Të lutemi

L. Që hebrenjtë dhe muslimanët, që besojnë në Zotin, të vetmin që iu zbulua Moisiut, të mund të marrin pjesë në njohjen e plotë të Jezu Krishtit, Zbuluesin e Atit.  Të lutemi

L. Që ne këtu të pranishëm të dimë të shohim në çdo ngjarje jo dënimin e Zotit, por një ngjarje për t’iu besuar Provanisë hyjnore.  Të lutemi

L. Rizgjoje ndërgjegjen e kësaj famullie: bëj që të lexojë nën dritën e Ungjillit faktet e jetës së përditshme dhe të bëhet për banorët e këtij vendi shenjë bashkëndarjeje dhe shprese.  Të lutemi

M. Na jep, o Zot, dijen e Ungjillit, derisa ngjarjet e gëzuara dhe të trishtuara të jetës të jenë për ne një rast i vërtetë kthimi.  Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: