E Diela IV e Kreshmës – Laetare (C)
Leximi i parë Joz 5, 9 a. 10-12
Pas kalimit të lumit Jordan dhe hyrjes në tokën e premtuar fillon një fazë e re në historinë e shpëtimit dhe izraelitët kremtojnë Pashkët që paraprijnë Pashkët e krishtera. Në shkretëtirë hebrenjtë merrnin manën (ushqimin), dhuratë e Hyjit që Ai e jepte çdo ditë. Tani ushqimi që i ushqen është edhe fryt i punës dhe i vullnetit të tyre për ta bërë pjellore tokën e tyre.
Lexim prej Librit të Jozuehut
Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit.” Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Galgalë. Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerihonit, dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët. Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë. Të nesërmën, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit. Fjala e Zotit.
Psalmi 34
Ref: Zoti është afër atyre që e kërkojnë
———————————————–
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
———————————————–
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
———————————————–
Shikojeni atë e do të ndriçoheni,
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e
Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi
nga të gjitha vuajtjet e tija.
———————————————–
Leximi i dytë 2 Kor 5, 17-21
Krishti na ka pajtuar me Atin. Jeta e tij dhe mesazhi i tij kanë këtë domethënie për ne: hir, falje, bamirësi, paqe, nga ana e Hyjit drejt njeriut. Të gjithë këtë Jezusi na e ka dhuruar duke marrë dobësinë tonë. Ndërsa Jezusi nga një anë duke u bërë solidar me jetën tonë të mjerë na bën pjesëmarrës në vetë jetën e Hyjit.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja! Të gjitha e kanë burimin në Hyjin, i cili na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit. Sepse Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit. Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin. Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit. Fjala e Zotit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e kundër teje!’
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli Lk 15, 1-3.11-32
Shëmbëlltyra e djalit të humbur na bën të kuptojmë misterin e errësirës dhe të vdekjes që vepron në rebelimin ndaj vullnetit të dashurisë së Atit qiellor dhe nga ana tjetër madhështinë e pafund të mëshirës së tij për fëmijët që e tradhtojnë dhe e ofendojnë pa e kuptuar greminën në të cilën kanë rënë. Kisha ekziston sot falë mëshirës së Hyjit e nëpërmjet këtij veprimi dashurie Hyji ka themeluar popullin që jemi ne, të përbërë nga bij të humbur dhe dele të humbura.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.” Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Viniani unazën në dorë e sandalët në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen. Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda.
I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Çfarë provon Hyji kur na pajton me veten nëpërmjet Jezusit? Ҫfarë duhej të provonte njeriu pas mëkatit të tij? Këtyre pyetjeve u përgjigjet shëm-bëlltyra e “Atit të mëshirshëm”.
Djali i vogël i thotë të atit: “Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!”. Ai refuzon të jetë bir, të marrë të gjithë dashurinë e Tij, duke pretenduar se është pronar i vetvetes, si Adami në Eden. Mëkati më i rëndë i të riut nuk qëndron aq në shpërdorimin e trashëgimisë me prostitutat, por në prishjen e marrëdhënies së tij me atin qiellor e pastaj me atë tokësor.
“O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje!”. Duke lënë shtëpinë atërore, hyn në vdekjen; duke u kthyer tek Ati kthehet në jetë: “do ngrihem e do shkoj tek babai im!”. Djali i humbur vështron brenda vetes e vendos të kthehet më shumë për mallin që ka për shtëpinë, për ushqimin e bollshëm, se sa për mallin që ka për atin dhe familjen e tij. Por ati e pret: “ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap e mori n’grykë dhe e puthi”.
Ҫast kulmor: përqafimi atëror që fshin menjëherë çdo faj. E në shtëpi fillon festa e madhe për atë djalë. “Duhet të festojmë e të gëzohemi sepse ky djali im … ky vëllai yt kishte vdekur dhe u ngjall”. Si shkak i gëzimit atëror, i madhi, ndjen se ka të drejta më shumë, kërkon drejtësi, kërkon që fajtori të paguajë. Ndërsa fajtori sjell gëzim dhe festë, “i drejti” i vë të gjithë në siklet. Përpara Atit të dy kanë nevojë të kthehen.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, Zoti na do, na fal dhe na shpëton. Gëzimi i tij është të na japë jetën e vet. T’i besojmë premtimit që na jepet nga Krishti, Biri i tij. Të lutemi së bashku e të themi:
Na trego, o Zot, mëshirën tënde.
L. O Zot, bëj që Kisha të ushtrojë me besim shërbesën e pajtimit dhe t’i pranojë të gjithë me dashuri nëne. Të lutemi
L. O Zot, mbështeti ata që kanë detyrën të kujdesen për mirëqënien e njerëzve: që të jenë të vëmendshëm për më të varfërit dhe për ata që kanë më shumë nevojë. Të lutemi
L. O Zot Jezus, ne jemi larg nga shtëpia e Atit por ti ke ardhur për të na bërë të shijojmë mëshirën e Zotit. Të lutemi
L. O Zot, bëj që nga kjo Eukaristi të dimë të kalojmë në jetën e përditshme me vëmendje dhe solidaritet për vëllain dhe motrën tonë që kanë gabuar. Të lutemi
L. O Zot, një herë pasi kemi provuar mëshirën tënde, na jep hirin që të jemi të mëshirshëm kundrejt vëllezërve tanë. Të lutemi
M. O Hyj, Ati ynë, pranoji lutjet tona e bëj të gjithë bijtë e tu të kryejnë, të lirë nga mëkati, një ecje të së vërtetës, drejtësisë dhe të paqes për të arritur një ditë, që të këndojmë në amshim mëshirën tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)