Dashuria shëruese e Zotit   

E diela V e Kreshmës – Viti C

 

Leximi i parë   Is 43, 16-21

Populli hebraik ka qenë internuar në Babiloni. Profeti ka për detyrë t’i kujtojë popullit mirësinë dhe besnikërinë e Hyjit, i cili ashtu siç kishte çliruar hebrenjtë nga skllavëria e Egjiptit, kështu tani do të çlirojë popullin e tij dhe do ta dërgojë në tokën e vet.  Hyji vetë do të hapë rrugën në shkretëtirën e historisë dhe do të japë shpëtimin. Ai do të bëhet, në Jezusin, “udha” për çdo njeri. 

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti që rrugë hapi nëpër det, shteg kalimi në ujëra të tmerrshme; që bëri të dalin karroca e kuaj, ushtri e kreshnikë se bashku; rrah ranë vdekur, kurrë më s’do të ngriten, u fikën si fitili, u shqimën. Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara, mos mendoni për çka ka kaluar, ja, po bëj një gjë të re: tani po lind! A s’po e shihni? Ja, po hap udhën në shretëtirë, e shtigje në vend të shkretë. Egërsirat do të më japin lavdi çakajt edhe strucat, se u dhurova ujë në shkretëtirë, lumenj në vend të shkretë, që t’i japë ujë popullit, të zgjedhurit tim, popullit që e trajtova për vete dhe që mua do të më japë lavdi. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   126

 

Ref: Punë të mëdha bëri Zoti për ne

————————————-

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

————————————-

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

————————————-

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

————————————-

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

————————————-

 

Leximi i dytë   Fil 3, 8-14

Pali, pas takimit me Krishtin, ka ndryshuar jetën e tij. Nëse më përpara ndiqte me pasion ligjin dhe burgoste dishepujt e Krishtit, tani ndjek me të njëjtën dashuri dhe me të njëjtin vrull Krishtin.  Ka fshirë gjithçka para syve dhe nuk sheh asgjë tjetër përveç Krishtit. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të – jo me drejtësinë time – me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe – që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve. Jo sikurse t’ia kisha arritur, as sikurse të isha bërë i përsosur, por vrapoj qeë, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus.  Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur; di vetëm kaq: harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus. Fjala e Zotit.

 

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, po që të kthehet e të jetojë.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Gjn 8, 1-11

Jezusi nuk pohon se mëkati i gruas kurorëshkelëse është një fakt pak i rëndësishëm, në të kundërt i deklaron asaj: tani e tutje mos mëkato më. Në sytë e Jezusit mëkati është pabesnikëri ndaj dashurisë së Hyjit, por nuk do t’i burgosë njerëzit në mëkatin e tyre, beson në mundësinë e kthimit për secilin prej nesh.  Na thërret në një dashuri të ripërtërirë, përtej egoizmit tonë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. Atëherë skribët e farisenjtë ia sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin. Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai u drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!” Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm – dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në midis. Jezusi u drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” “Askush, Zotëri!” – përgjigji ajo. “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por mbas tashit mos mëkato më!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në sjelljen shoqërore shpesh njeriu përdor dobësinë e të tjerëve për të pohuar fuqinë e tij. Farisenjtë në fakt sot pretendojnë të përdorin një grua të mjerë, që ka bërë kurorëshkelje, për t’i bërë një kurth Jezusit, që shfrytëzon rastin për të shfaqur mëshirën e Hyjit që bëhet i dukshëm në Të.

“Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?”. Pyetja është tinzare, nëse Jezusi deklaron se gruaja duhet të lirohet, vihet kundër ligjit të Moisiut, nëse thotë ta vrasin me gurë, mohon predikimin e tij të bazuar mbi faljen e mëkatarëve. Jezusi përgjigjet: “Cili prej jush është pa mëkat, të hedhë gurin e parë kundër saj”. Ai demaskon hipokrizinë e atyre që shohin në vëllanë vetëm të keqen e jo të mirën. Para se të shprehë një gjykim mbi gruan, secili duhet ta shprehë mbi vetveten. Jezusi nuk shkon kundër Ligjit, por bën të zbulojë në të detyrimin për të dashur të afërmin e për ta trajtuar me drejtësi.

“Grua, ku janë? Askush nuk të dënoi?” Jezusi e trajton me shumë respekt, jo si një objekt, por si një person të cilit i njeh dinjitetin, megjithëse është përlyer nga mëkati. “As unë nuk të dënoj” (꞊të fal). Jezusi nuk është liberal ndaj të keqes së tradhtisë: “Mos mëkato më!”. Duke falur i ofron mundësinë për të filluar një ecje të mirë, i dhuron paqen e bashkimin e plotë me Hyjin, i dhuron një mënyrë të re të jetuari, në besnikëri e dashuri.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Krezhmet, kohë e përshtatshme e shpëtimit tonë, po mbarojnë. Me zemër të përvuajtur dhe plot me besim t’ia drejtojmë Atit lutjen tonë. 

L. Të lutemi me besim e të themi: Ripërtëriji, o Zot, mrekullitë e dashurisë sate.

L. Për Kishën që të jetë në botë një shenjë e mëshirës së Hyjit Atë për bijtë e tij, në veçanti për ata që janë në vuajtje dhe në trishtim. Të lutemi

L. Për ata që kanë përgjegjësi në bashkësitë politike dhe shoqërore që të bëjnë ligje duke respektuar dinjitetin e çdo personi. Të lutemi

L. Për prindërit dhe nunët që t’u mësojnë fëmijëve të njohin dhe të duan Zotin. Të lutemi

L. Që pjesëmarrja në këtë Eukaristi të ushqejë besimin në Jezusin, Birin e Hyjit, i cili është mëshira e Atit. Të lutemi

M. O Hyj, mbrojtës i të varfërve, mos i zhgënje pritjet e atyre që të thërrasin: dërgoje Shpirtin tënd në ndihmë të dobësisë sonë, që të ripërtërirë nga dashuria jote, të mund të prodhojmë fryte të jetës së shenjtë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: