“VEPRAT E MËSHIRSHME TË TRUPIT”

Nga Don Robert Kola

 

Gjatë kohës së Kreshmëve, Kisha kërkon të meditojmë mbi: “Veprat e mëshirshme të trupit” dhe nxit sidomos ushtrimin e tyre ndaj tjetrit.

Katekizmi i Kishës, rreshton shtatë veprate mëshirshme të trupit. Ato janë:

“Me i dhanë me hëngër të uriturit.

Me i dhanë me pi të etshmit.

Me veshë të zhveshurin.

Me përbujtë shtegtarin.

Me pa të sëmurin.

Me pa të burgosurin.

Me varrosë të vdekurin.”[1]

Kur flitet për veprat e mëshirshme të trupit, Kisha në rend të parë, shquan dhe përfshin mëshirën e Hyjit. Mëshira është drita e hirit që shndrit rrugën e veprave të mëshirshme ndaj fytyrës së tjetrit. Vepra e mëshirshme pra, nuk mbaron thjeshtë në diçka, siç është lëmosha, veshja, ushqimi dhe strehimi, por mbaron dhe përfshinë dikën. Mëshira përfshin dhe përshkon personin. Sikur veprimi ynë të mbaronte vetëm tek veprimi, atëherë veprimi ynë do mbaronte në mburrje dhe nëpër lavdërimin tonë. Vepra do të mbaronte vetëm në një përmbushje të detyrës, e cilat nuk shërben për asgjë tjetër, pos për kënaqësi vetjake.

Papa Benedikti XVI, në Enciklikën: “Deus caritas est,” duke u nisur nga Letra e parë drejtuar korintianëve (1Kor 13, 3), ku, ndër të tjera Apostulli, veçon: “Po të ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë,”  – Papa Bendedikti XVI, shton me tutje: “Ky himen duhet të jetë Magna charta e krejt shërbimit kishtar; në të janë përmbledhur të gjitha reflektimet që, përgjatë kësaj Letre enciklike, kam zhvilluar mbi dashurinë. Veprimi praktik mbetet i pamjaftueshëm nëse në të nuk bëhet e perceptueshme dashuria për njeriun, një dashuri që ushqehet prej takimit me Krishtin. Pjesëmarrja intime vetjake në nevojën dhe në vuajtjen e tjetrit bëhet kështu një mënyrë për t’iu dhuruar atij: që dhurata të mos e përulë tjetrin, duhet t’i jap jo vetëm timen, por veten time, duhet të jem i pranishëm në dhuratë si person.”[2]

Mëshira e Hyjit është e mbjellë në mishin e njeriut. Hiri i Hyjit është sythi që bulëzon në mishin e njeriut dhe fryti i saj është dashuria. Mohimi i mëshirës së Hyjit, nuk është tjetër, pos mohimi i mishit të tjetrit. Kur mohohet hiri i Hyjit, mishi dhe trupi i tjetrit, bëhet pre e copëtimit dhe i shkatërrimit. E keqja vërsulet me se pari ndaj mishit dhe është aq e pamëshirshme sa nuk ngihet, pos duke asgjësuar dhe copëtuar mishin e tjetrit. A nuk e dëshmon këtë mynxyra e luftës, uria, emigrantët e braktisur, ku mishi i tjetrit copëtohet pa mëshirë!

Kur Shkrimi i shenjtë flet për mëshirën e Hyjit, përmes saj rrëfen dashurin, mirësinë, zemërdhembshurinë dhebutësinë e Tij. Me një fjalë, mëshira është rrëfimi i dashurisë së Hyjit. Këngën e kësaj mëshire e zbulon Shkrimi i shenjt. Qysh prej librit të Zanafillës, kur Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun, në shëmbëlltyrën e nëpër ngjasimin tonë (Zan 1, 26), dhe deri të libri i fundit i Zbulesës, ku lavdia e pambaruar e Hyjit shndrit përmes Fytyrës së Qengjit, që është Jezu Krishti (Zb 21, 23), shfaq zbulesën e mëshirës së pambaruar të Atit.

 

Fytyra e Jezu Krishtit shkëlqimi i mëshirës së Atit

Fytyra e Jezu Krishtit është rrëfenja e mëshirës së Atit. Porosia e Ungjillit është e përmbledhur në fjalën e tij, kur tha: “Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikur Ati juaj qëështë i mëshirshëm.” (Lk 6, 36)

Papa Françesku në Letrën Apostolike, duke folur rreth mëshirës, me rastin e mbylljes së Jubileut të Jashtëzakonshëm, mbi Mëshirëne Hyjit, e cila titullohet: “Misericordiae Vultus,” ndër të tjera, thotë: “Jezu Krishti është fytyra e shndritshme e mëshirës së Atit.”[3] Mëshira nuk është diçka, por është DIKUSH. Kisha thellësinë e misterit të Mishërimit, e kundron përmes fytyrës amnore të Marisë. Nga thesari i traditës së Kishës, po sjell vetëm një pamje nga predikimi i Shën Augustinit. Ai para bashkësisë së besimtarëve të vet, kërkonte që shikimi i tyre të lartësohej tek Virgjëra Mari dhe duke iu drejtuar Marisë, thua së është duke bashkë biseduar me Të, thotë: “Bëhet në ty, ai që të bëri ty, bëhet në ty ai përmes të cilit gjithçka është bërë: me saktësisht përmes të cilit është krijuar qielli e toka dhe gjithçka që është. Mishërohet në ty Fjala e amshuar dhe Ai duke pranuar mishin, nuk e braktisi hyjnoren. Fjala lidhet me mishin, Fjala bashkohet me mishin dhe shtroja e këtij bashkimi është kraharori yt.”[4]

Rruga e shenjtërimit të njeriut është mishi, të cilin ai e mori përmes Mishërimit nga kraharori i Virgjrës Mari.

Duke shqyrtuar me tutje misterin e Mishërimit, Shën Augustini, hetonte edhe shkëmbimin e mrekullueshëm që ndodhë në mes Fjalës së Mishëruar dhe natyrës sonë njerëzore. Rreth saj, thoshte: “Do ta shohim faqe-faqas. […] E Gjoni apostull në letrën e vet shton: Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet ai, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është (1 Gjn 3, 2). Ky është premtim i madh. Në qoftë se e do, ndiqe. Ti thua e dua, por nëpër cilën udhë duhet ta ndjek? […] Po e kërkon udhën? Dëgjoje Zotin që thotë më se pari: Unë jam udha. […] Udha për të shkuar ku? Tek e vërteta dhe jeta. Më se pari të tregon udhën që duhet të marrësh, e pastaj qëllimin që do ta arrish. ‘Unë jam udha, unë jam e vërteta, unë jam jeta’. Duke qëndruar tek Ati, ishte e vërteta dhe jeta; duke u shfaqur në mishin tonë, u bë udha.[5]

Poeti i ynë në veprën që i kushton Shën Terezës nga Kalkuta, e që mban edhe një titull të mrekullueshëm: “Katërmbëdhjetë pamjet e hirit,” prek ndër të tjera thellësinë e lutjes përmes të cilës shfaqët shkëlqimi ihirit dhe i mëshirës së Hyjit. Rreth saj, thotë:

 

“LUTJA nuk është

t’i kërkosh Hyjit

përmbushjen e një diçkaje vetjake,

siç kërkon fëmija i uritur gjirin e nënës

ose i varfëri lëmoshë në rrugë,

të lutesh domethënë

t’i jepesh krejtësisht Hyjit:

zemrën tënde ta vësh në zemrën e Tij

e ta qëndisësh me të rrahurit e saj.”[6]

Lutja është vatra e mëshirës. Ajo nuk kërkon diçka, por dikën. Kisha në liturgjinë e saj, në këngën e Udhës së Kryqit, këndon:

Nana e dashtun të lus pa pra

varrët e Birit tand pa nda

gjurma në zemër me m’i ba.[7]

Kisha kërkon që varra e pandarë në trupin e Krishtit, të bëhet gjurmë në zemrën tonë. Të besosh në Krishtin, do të thotë të përfshihesh nga varra e pandarë e trupit të tij. Çdo varrë e hapur e tjetrit kërkon të përmbushet me dashurinë e patregueshme të Krishtit të Kryqëzuar. Kraharori i shporuar i Krishtit është gurra nga i cili derdhet hiri i mëshirës së Hyjit. Varra e hapur e tjetrit përmes vuajtjes, dhimbjes, padrejtësisë dhe mizorisë është tabernakulli i pranishëmerisë së Jezusit.

Kisha në lutjen e saj drejtuar: “Shpirtit të Krishtit”, ndër të tjera lutet që të fshihemi në varret e Tij: “Nën varret e tua, më fsheh mua.”[8]

Varra e hapur në mishin e tjetrit është rruga që fal bekimin përfundimtar të Atit: “Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës. Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të me shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’ Të drejtët atëherë do t’i përgjigjën: Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti? Mbreti do të përgjigjët: Për të vërtet po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël e bëtë për mua.” (Mt 25, 34-40)

Agonia e Jezu Krishtit: përkryerja e dashurisë

Jezu Krishti në Kopshtin e Gjetsemanit, përshkohet nga mbarë agonia që përfshinë skllavëria e mëkatit e cila shtrihet edhe në“agonin e kozmosit,”[9] dhe lejoj të pësoj në mishin e tij gjithë llahtarinë e të së keqes, duke përputhur vullnetin njerëzor të lënduar përmes mëkatit me vullnetin e Atit. Liria dhe vullneti ynë lartësohet përmes Kryqit të Jezu Krishtit në dashurin e përkryer. Ai “duke na liruar (eleutheroo) nga bakeqsia e tmerrshme, na mësoise si përmes shumë mënyrave të bëhemi të ngjashëm me atë, qoftë sipas mënyrës së dashurisësë tij ndaj njerëzve (philanthropia), qoftë përmes dashurisë së përkryer të ndërsjellë me tjetrin.”[10]

Tani, po sjellë kundrimin e thellë dhe të rrallë, rreth Misterit të Mundimit të Krisht në kopshtin e Gjetsemanit, nga i lumi J. H. Newman. Jezu Krisht në Kopshtin e Gjetsemanit, qëndron përballë gjithë mëkatit që shtrihet në mishin e njeriut dhe merr mbi vetë mëkatin, që është kryer dhe do të kryhet në mishin e njeriut. Duke kundruar këtë mister tronditës, J. H Newman, rreth tij, thotë:

“Këtu, vëllezër, hetojmë, që kur Dashuria e gjithëpushtetshme mori natyrën njerëzore dhe hyri në rendin e krijesës dhe iu nënshtrua rendit të saj, menjëherë armiku i së mirës dhe i së vërtetës, duke përfituar nga kjo rrethanë e favorshme, u vërsul në mishin e Tij që mori dhe e mbërtheu për vdekje. Smira e farisenjve, tradhtia e Judës dhe tërbimi i popullit nuk ishin tjetër, pos vegël dhe shprehje e armiqësisë e sjellë nga mëkati mbi Pastërtinë e amshuar të cilën Ai përmes mirëdashjes së pambaruar ndaj njeriut filloi ta pranojë mbi vete. Mëkati nuk mund të prekte Madhërinë hyjnore të tij; mund ta sulmonte natyrën njerëzore të tij, në mënyrën sa Ai e lejonte. Në fund, vdekja e Zotit të mishëruar nuk mëson tjetër, pos kësaj: çka është mëkati në vetvete dhe çka ai është në çastin e vet, kur me tërë fuqinë e tij mësyn mbi natyrën njerëzore të Jezusit, kur lejoi që natyra e tij njerëzore të përshkohet nga tmerri dhe tronditja, qoftë dhe vetëm për një çast, para vdekjes.

Pra, në çastin më tmerrues u gjunjëzua Shpëtimtari i botës, i zhveshur prej mbrojtës së tij hyjnore, duke ndaluar dhe engjëjt të cilët në një thirrje të vetme të tij, me mijëra janë në gatishmëri; hapi krahët dhe shpalosi gjoksin, ashtu pa mëkat siç ishte, përballë sulmit të armikut të tij, një armiku fryma e të cilit ishte murtajë dhe agoni. Aty u gjunjëzua pa lëvizur, derisa keqbërësi dhe armiku i tmerrshëm mbulonte shpirtin e Tij, me mantel të qëndisur nga gjithë ajo që është më e urryera dhe më e hidhura në fajin njerëzor dhe e lejonte të sillej përqark zemrës së tij dhe vetëdijes së tij, duke përshkuar çdo ndjesi dhe pore të mendjes dhe përhapte mbi të murtajën e vdekjes, deri aq, sa arriti të ndjejë se paku në ato çaste, atë çka kurrë Ai nuk mund të ishte dhe që armiku me dëshirë do të gjakonte të bënte. Çfarë tmerri, kur Ai shikoi dhe gati nuk njohu vetveten dhe ndihej si një mëkatar i përlyer dhe i urryer nga gjithë ai ndijimi i gjallë i mëkatit që zbrazej mbi kokën e tij dhe rrëshqiste deri në skajet e veshjes së tij! Çfarë pikëllimi, kur pa që sytë e tij, duart e tija, këmbët e tija, goja e tij dhe zemra e tij, ngjanin si të ishin gjymtyrët e të Keqit, e jo të Hyjit! A janë këto duart e Qengjit të panjollë të Hyjit, njëherë të pastra  e tani të skuqura prej gjakut të mijëra krimeve të tmerrshme? A janë këto buzët e tija, që lartësojnë lutje, lavde dhe bekime, e tani thuajse të gatshme të lëshojnë mallkime të turpshme, bestemi e doktrinë djallëzore? Apo shikim i tij, tani i profanizuar nga çdo vizion i së keqes dhe nga tundimet idhujtarë, përmes të cilave njeriu ka hequr dorë nga adhurimi i Krijuesit? E veshët e tij, tani që tingëllojnë nga hingëllima e orgjive dhe e grindjeve dhe zemra e tij e ngurtësuar nga koprracia, dhuna dhe pabesia; e kujtesa e tij e ndrydhur prej secilit mëkat të kryer që nga rënia e njeriut, në çdo pjesë të tokës, që nga madhështia e gjigantëve antikë, nga shfrenimi i Pesë Qyteteve (shih: Zan 14, 8), nga kryeneçësia e Egjiptit, nga krenaria e Babelit dhe mosmirënjohja e Izraelit (…)

Kundërshtarë si këta, tani mblidhen rreth teje o Zot i bekuar, në miliona: vijnë në aradhe më të mëdha se të karkalecave, të grethave, të breshrit, të mushkonjave dhe të bretkosave, të dërguar kundër Faraonit. Të gjitha mëkatet tani qëndrojnë këtu, të atyre të  gjallëve dhe të vdekurve, të pa lindurve, të dënuarve dhe të shpëtuarve, të popullit tënd dhe të huajve, të mëkatarëve dhe të shenjtërve.”[11]

O mister i tronditës i mëshirës!

Jezus, rreka e lotëve s’ka të ndalur. Është lumë i dhimbjes që përshkon historinë e njerëzimit, por që ende nuk e njomë zemrën e njeriut.

Bëj, o Zot, që çdo lot i derdhur nga dhimbja dhe vuajtja të jetë vesë e Shpirti Shenjtë që shenjtëron jetën.

Jezus,  dënesja e zemrës është gjëmë që nuk depërton në zemrën e tjetrit.

Bëj, o Zot, që çdo psherëtimë e zemrës të bëhet jehonë e burisë së shëlbimit.

Mëshirona o Zot për çdo psherëtimë të zemrës!

Mëshirona o Zot për çdo lot të derdhur!

Bëj, o Zot, ti qajmë mëkatet tona. Amen./drita.info

——————————-

[1]SHUJTA SHPIRTËRORE, Përpiloi Don Gaspër Gjini, Drita, Ferizaj 1991, f. 33.

[2]BENEDETTO XVI, Hyji është dashuri, Volaj, Shkodër, 2006, (nr. 34).

[3]PAPA FRANÇESKU, Lettera Apostolica, Miseria et misericordia, f. 35.

[4] S. AUGUSTINUS, Semones 291, 6, Edizione latino-italiano, Volume XXXIII, Roma 1986, f. 203.

[5] SHËN AUGUSTINI, Nga traktatet mbi Gjonin, Liturgjia e Orëve II, f. 228.

[6]A. N. BERISHA, Ujëvarë drite në zemër. Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të GonxheBojaxhiut – NënësTereze, Fjala Hyjnore, Prishtinë (2008) 3, fq. 333.

[7]SHUJTA SHPIRTËRORE, Përpiloi Don Gaspër Gjini, f. 128.

[8] DON PREN KOLA, Kryqi. Shenja e papërmbysur e fitores së përkryer, Fjala hyjnore, Prishtinë – Vjenë, 2011, f. 153.

[9] H. U  VON BALTHASAR, Massimo il Confessore. Liturgia cosmica, Jaca Book, Milano 2001, f. 234.

[10]Shih: S. MAXIMI CONFESSORIS, Epistola 11, ad praepositam, de monialiquae de monasterio exierat, acpoenituerat, në PG 91, 453 A-C. CituarsipasT. FEDERICI, La liturgia dono divino della libertá, Ho Theologos, Palermo 1979, f. 47.

[11] J. H NEWMAN, DiscoursesAddressed to Mixed Congregations, New Edition, London 1897. Këtu ndjek përkthimin e bërë në italisht nga G. DE LUCA, John Henry Newman – Scritti d’occasione e traduzione, Roma 1975, f. 237-239. Kundrimi mban titullin: Dolori mentali di Nostro Signore durante la sua pasione, f. 224-243.

Shpëndaje: