Takimi me Zotin na nxit të bëjmë vepra bamirësie

Nga Don Viktor Sopi

 

E dashura Shkëlqesi Imzot Doda, të dashur meshtarë, rregulltarë dhe motra të nderit, të nderuar të pranishëm.

Në kuadër të porosisë se Atit të Shenjtë papa Françeskut për këto Kreshme, jemi të ftuar për këtë kohë të përshtatshme shpirtërore të thellohemi në moton e Papës, të cilën moto e përshkon dëshmia dhe shkrime të Shën Palit, në letrën drejtuar Galatasëve 6,6-9: “Mos te lodhemi duke bëre mirë!

Kreshmët janë, siç pohon Papa: «Kohë e përshtatshme për përtëritjen e vetvetes dhe te bashkësisë. Kohë, që na hap rrugën drejt Pashkëve të Krishtit, të vdekur dhe të ngjallur».

Gjatë Kreshmëve jemi të thirrur “t’i përgjigjemi dhuratës së Zotit, duke e mirëpritur Fjalën e Tij, që e mbush me fryte jetën tonë.” Thirrja për të bërë mire – shkruan Papa – nuk duhet parë si barrë të rëndë, por si hir të veçantë. Ta bësh dhe ta mbjellësh të mirën për të tjerët, na çliron nga ankthet, duke na hapur njëherit horizontin e planeve dashamire të Zotit për ne.

Jezusi përdor shëmbëlltyrën “e farës, e cila kalbet në dhé, duke simbolizuar kështu misterin e vdekjes dhe të ngjalljes se Tij”. Ky vështrim i Atit te Shenjtë, hap një perspektivë sa eskatologjike dhe biblike po aq edhe konkrete shpirtërore.

Andaj dëshiroj të hedhim një vështrim këtyre dy aspekteve, teologjike-biblike dhe atij konkrete shpirtërore.

Ky mesazh i Papës për të bërë mirë, paraqet një nevojë të mrekullueshme për bashkësitë kishtare si dhe për jetën shpirtërore të secilit prej nesh. Madje, vetë nocioni bë-mirësi ngërthen në vete binomin fundamental: tologjik-biblik dhe atë konkret shpirtëror. Po i hedhim një shikim të shkurtër këtyre dy aspekteve të rëndësishme për thellimin tonë shpirtëror dhe kreshmor.

 

Vështrimi teologjik biblik

Joris-Karl Huysmans (shkrimtar francez) rrëfen me një rast: Kam udhëtuar shumë nëpër botë, kam studiuar shumë popuj dhe kultura, personalitete por edhe njerëz te thjeshtë… Me e mira që më ka mbetur në jetë janë dy gjera: Atë që Hyji ka bërë dhe ka krijuar për njeriun si dhe ajo që njeriu ka krijuar dhe ka bëre për Hyjin.

Dhe vërtet testament në historinë e njerëzimit mbeten intervenimet e Hyjin në jetën e njeriut, por edhe përcaktimet e njerëzve për Hyjin apo kundër tij. Po i kujtojmë vetëm disa personalitete biblike që na kujtojnë pasojat e të mirës dhe pasojat e largimit nga burimi i të mirës.

Burim i të mirës është vet Hyji, pra e mira vjen nga Hyji, ajo qëndron në Hyjin dhe si e tillë është e amshuar! Në këtë ideal, jemi të ftuar të gjithë. Pasojat si të pranimit ashtu edhe të mohimit, të mospërfilljes apo të përbuzjes së saj janë tepër të mëdhaja. Mjafton ta hedhim një shikim të momenteve me domethënëse të historisë njerëzore, ku e mira na del si shkak dhe arsye e ekzistencës sonë dhe e intervenimeve të Hyjit në jetën dhe historinë njerëzore.

Historia e Adamit: Në Adamin dhe Evën Hyji e thërret familjen njerëzore në bashkëpunim, duke ja kujtuar njëherit rreziqet dhe pasojat. Njerëzit e parë kishin gjithçka ju nevojitej për të jetuar mirë dhe të lumtur.

Ndërkaq largimi nga e mira, ata i degradon, i bënë të pasigurt, të pasinqertë, të frikësuar dhe në fund të dhunshëm (Kaini vret Abelin). Kështu që pasojat për përcaktim pa Zot-pa bamirësi, ishte katastrofave, gjë që edhe sot e kësaj dite ato rëndojnë mbi supet e pasardhësve të tyre.

Thirrja e Abrahami: jashtë çdo logjike njerëzore, Hyji i kërkon Abrahamit që ta braktis familjen e vet, pasurinë dhe mirëqenien që kishte… për të ndjekur rrugën e Zotit, e cila duket tejet e ndërlikuar dhe e paqartë. Mirëpo takimi me Hyjin, Abrahami na mëson se i tejkalon gjitha pritjet njerëzore, nuk krahasohet me asgjë tokësore. Madje ai është i gatshëm të çojë dorë edhe mbi të birin e tij Izakun…

Misioni i Moisiut: sipas egzegetëve, Mojsiu kishte vështirësi në të folur. Por që Hyji kërkoi të negociojë me Faraonin (mbretin) dhe që ta nxjerr popullin nga ajo gjendje e robërisë. Me këtë Moisiut i rrezikohej  jeta, kështu që ai i kërkoi Hyjit ta gjejë tjetërkënd për këtë mision. Por Hyji i tha unë qëndroj pas teje mos ke frikë… Përkulja dhe besimi i tij para Hyjit sjell shpëtimin e  popullit të tij. Moisiu pra – siç pohon Shën Nene Tereza – duke u bërë instrument në dorën e Hyjit, sjell gëzimin dhe lirimin nga robëria.

Pasiguria dhe fuqia e Jozefit dhe Marisë: Të dy ishin të hutuar dhe të frikësuar nga takimi me Hyjin. Nga ana tjetër, ata me vendosmëri i thanë Zotit PO, jo për ndonjë komoditet të jetës së tyre, por nga përjetimi krejt i veçantë i tyre nga takimi me Hyjin.

Dje kemi kremtuar Lajmerimin e Zotit/Zojën Nunciatë. Lajmi i Engjëllit për lindjen e Shëlbuesit paraqet rrezik enorm për jetën fizike si dhe për moralin, nderin e Marisë. Mirëpo, ajo nga ky takim përjeton gëzimin e Hyjit, por njëherit e merr edhe fuqinë shpirtërore për t’u përballuar me sfidat e jetës që do ta presin gjatë jetës se saj tokësore deri tek vdekja në kryq e të Birit të saj.

Takimi i Apostujve: Pjetri-Andreu, Gjoni-Jakobi dhe apostujt tjerë kishin jetën e qetë dhe standardin e mirë…, por në takim me Zotin ata bëhen njerëz të ri, të lumtur sa që nuk e patën aspak problem për të lënë gjithçka që patën për të jetuar në afërsi fizike dhe shpirtërore me Jezusin…

Gjitha këto takime të bashkëpunimit me të mirën kanë lënë pasojat madhështore për jetën e njerëzve. Por, përveç veprës se paraprindërve tanë me përmasa negative, vërejmë edhe tek Juda apostull. Largimi nga mirësia e Hyjit e sjell në terr të dendur, terr ky që e çon në humbje dhe më në fund në vdekje-vetëvrasje.

Derisa shkencëtarët (Albert Camus) analizojnë shekujt e fundit për arritjet e ndryshme të disa profileve shkencore; jemi dëshmitarë të shekullin 21. mund ta cilësojmë si shekull të krizave, të dhunës apo me një fjalë me thënë: shekull të frikës dhe i pasigurisë së gjithëmbarshme dhe globale.

Këto janë pra arsyet dhe qortimet për ne, që të jemi të kujdesshëm për takimet tona me Hyjin në sakramente, në lutje, në bamirësi dhe sidomos në raport më të afërmin tonë. Cilat janë rezultatet e këtyre takimeve tona? Papa në mesazhin tij kërkon që vërtetësinë dhe bukurinë e takimeve tona ta bëjme «jo përmes pasjes, por përmes dhurimit; jo përmes grumbullimit, por përmes bamirësisë, duke mbjell të mirën e duke i ndarë me të tjerët të korrat».

 

Aspekti praktik shpirtëror

A janë e mira dhe drejtësia imperativ në jetën tonë, në marrëdhënie tona ndërnjerëzore? Cili është parimi: E vërteta, mirësia…apo stigmatizojmë të vërtetën dhe promovojmë shpifjet, të pavërtetën…

Fjodor M. Dostojevski, duke folur mbi inkvizicionin në Spanje, pyetet: Nëse do vinte Jezusi në Sevila si do te sillej me inkvizitorët? Pyetja mund të bëhet për çdo kohë edhe për ne sot: Si do të reagonte Jezusi në rrethana tona, në ambiente tona, në kuvende e në famulli tona?

Në Italinë e mesjetës, një mbrëmje në një kuvend i bie ziles një i moshuar. Portieri duke mos e njohur mysafirin e pyet: çka dëshironi? Ja kthen mysafiri, paqe! I habitur vazhdon portieri: Po kush je? Dante Alegieri e tregon identitetin e vet.

Edhe sot bota ka nevoje që në ne të gjejë paqen, të reflektoj mbi Hyjin dhe jetën…

Kontesha angleze Lady Frey në një dite dimri ishte maskuar-veshur si lypsare për të kërkuar ndihmë dhe ushqim nëpër shtëpi. Dikush e përbuzte dhe e fyente, dikush mundohej sadopak t’i ndihmonte dhe në forma të ndryshme me ushqime. Një shërbëtor u tregua me i ndjeshëm dhe u mundua që ta pres sa ma mire lypsarin duke i afruar gjithçka kishte për veti.

Të nesërmen e njëjta konteshe i ftoi gjithë ata qytetaret ku kishte qenë në një drekë në pallatin e saj. Ne sallonin madhështor të përgatitur me shije secili kishte emrin dhe vendin e caktuar. Bashke me ushqimin erdhi edhe befasia e madhe. Secili e mori në pjatë atë që ia kishin dhuruar asaj si lypsare një dite më herët. Kurse shërbëtori që e kishte pritur ngrohtësisht dhe me zemër, e fitoi drekën mbretërore.

Pasojat e takimit të sinqert me Hyjin, vëren Papa Françesku, na nxisin në bamirësi dhe në lutje. “Kemi nevojë të lutemi – shkruan Papa – sepse kemi nevoje për Zotin. Mendimi sipas të cilit na mjafton vetvetja e nuk kemi nevojë për askënd tjetër, është tejet i rrezikshëm.

Askush nuk mund të shpëtoje vetëm dhe sidomos, askush nuk mund te shpëtojë pa Zotin, sepse vetëm misteri i Pashkëve të Jezu Krishtit të jep fitoren mbi ujerat e zeza të vdekjes, thekson papa Françesku. Nuk duhet te lodhemi – shton ne vazhdim Françesku – duke luftuar kundër lakmisë, kësaj ligështie që na shtyn drejt egoizmit dha drejt të gjitha të këqijave.

Mos të lodhemi kurrë duke bëre mirë. Kurrë, duke ia shtrire dorën të afërmit. “Ta praktikojmë lëmoshën me gëzim. Të përfitojmë nga këto Kreshme – na fton Papa – që të kujdesemi për të afërmin e të bëhemi të afërt për njeriun e plagosur nga jeta.” Kreshmët janë kohë e përshtatshme  “për ta kërkuar, e jo për të mos e kujtuar, njeriun që ka nevojë për dashamirësinë tonë. Për ta thirrur, e jo për ta braktisur, atë që vuan ne vetmi”.

Qëllimi im nuk është të flas me citate dhe teori, por qe bashke me ju te flas dhe te therras ndihmën e Zotit për të bërë më të mirën e mundshme që Ai e pret nga ne. Pret gjëra konkrete nga ne, pret shërbim, ndjesi, bamirësi dhe dashuri për njëri-tjetrin. Pikërisht këtë kërkesë të Hyjit veçanërisht e theksojnë apostujt, siç lexojmë tek Mt 25,31-47. Ta dëgjojmë:

Kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’

Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’

Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’

Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.

A besojmë që, një ditë, këtë jetë që e jetojmë është dhurate e Zotit ne gjakun e martirëve (martirizimi e përshkon tërë historinë dhe popullin tonë) dhe pikërisht kjo qëndresë e jona duhet të na shërbejë si virtyt para gjyqit të jetës: Unë pata nevoje për ty, për ndihmën tënde që të ma lehtësosh kryqin, por ti? Je i/e gatshëm të marrësh kryqin mbi supet tua dhe në jetën tënde?

Pra të mundohemi qe ta bartim barrën jo në mënyrë egoiste dhe frikshme, por të ballafaqohemi me gëzim dhe me guxim me nevojat edhe të afërmeve tonë të cilët na rrethojnë: kryqet e tyre, vuajtja, skamja…duke e pranuar atë dhe duke ia paraqitur Hyjit si dhurate të çmuar. Qoftë lëvduar Jezu Krishti!/drita.info

 

(Meditim në kohë të kreshmës për meshtarët, rregulltarët e rregulltarët dhe katekistët e Dioqezës Prizren-Prishtinë, i mbajtur në Qendrën BogdaniPolis në Prishtinë, më 26 mars 2022. Titulli është i redaksisë.)

Shpëndaje: