Nga Tod Worner
Konvertimi në fe na ofron 7 arsye për t’u bërë katolik/e apo, nëse je tashmë, të qëndrosh besnik/e dhe me plotë gëzim katolik/e.
Në vitin 2010 e kam tronditur gruan time.
U bëra katolik.
Që nga koha kur filluam të takoheshin në vitin 1996 e në vazhdim, më pas martesa në shekullin 21, ky kokëmushku luteran bëhej i vrazhdë e nxirrte tym dhe argumentonte se përse NE nuk duhet të jemi katolikë. Edhe pse gruaja ime ishte e lindur dhe e rritur në fenë katolike, unë jepja arsyetime se pse duhet të bëheshim luteran, episkopal ose të pa përcaktuar në ndonjë bashkësi. Duhet të jemi të krishterë, arsyetoja, por jo katolikë. Dyshimet e mia përmbanin një listë krenare: Ngritja e Marisë në Qiell dhe shenjtërit, hierarkia e ngurtë e Kishës, natyra ekskluzive e Kungimit, nocioni i zgjedhjes nëpërmjet priftit, formaliteti i Meshës, e kështu me radhë. Isha i sigurt për drejtësinë e kauzës time. Por po e parafrazojë C.S. Lewis,
Një i ri që dëshiron të mbetet i palëkundur [luteran] nuk mund të jetë shumë i kujdesshëm në leximin e tij. Kudo ka kurthe …Zoti është, nëse mund ta them ashtu, shumë i paskrupullt.
Shikoni, çelësi i kthimit tim nuk ishte kapitullimi për hir të komunitetit. Nuk u bëra katolik pse gruaja ime ishte katolike. Nëse ndonjë gjë më ka bërë të gërmojë më tutje, ishte pikërisht kjo. Por, gjatë shumë viteve mora pjesë në meshë, diskutova me gruan time, bisedova me disa priftërinj, drekoja me shok katolikë, lexova Chesterton dhe Belloc, Papa Benediktin XVI dhe Papa Gjon Palin II, Thomas Merton dhe Evelyn Waugh. Lutesha. Shtroja pyetje. Peshoja. Por në fund, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, thjesht fillova të jem i sinqertë me Kishën Katolike. Mbase G.K. Chesterton e ka thënë më së miri,
Është e pamundur të qëndroni të drejtë përballë Kishës Katolike. Në momentin kur njerëzit pushojnë të mbajnë qëndrim kundër saj, ata ndiejnë tërheqje drejtë saj. Në momentin kur pushojnë të bërtasin kundër saj, ata fillojnë ta dëgjojnë me ëndje. Në momentin kur përpiqen të jenë të sinqertë ndaj saj, ata fillojnë ta duan. Porse kur kjo dashuri arrin një pikë të caktuar, fillon të merr madhështinë tragjike dhe kërcënuese të një historie të madhe dashurie.
Unë pushova së kundërshtuari dhe Kisha më tërhoqi drejt vetes. Dhe, në fund pas ca vitesh, më tërhoqi brenda. Në Vigjiljen e Pashkëve kur u pagëzova në Kishë, pas martesës dhe lindjes së vajzës sime, ishte momenti më i thellë i jetës sime. (Nëse dëshironi të lexoni më shumë për rrugëtimin tim deri në fenë katolike, kërko shkrimet e mia këtu dhe tek Aleteia, Patheos, Word on Fire dhe National Catholic Register).
Para tre vjetësh po shkruaja një shkrim për Patheos të titulluar, “Përse qëndroj në Kishën Katolike.”(e gjeni këtu: https://www.patheos.com/blogs/acatholicthinker/2015/05/why-i-am-not-leaving-the-catholic-church/). Ishte një artikull i shkruar spontanisht për t’ju përgjigjur një ankete të shkruar shumë vite me parë dhe komenteve që të lenin pafrymë duke raportuar se Kisha po vdes e vetme dhe lajmet standarde se katolikët e profileve të larta po e braktisin fenë e tyre.
Epo, sot në vitin 2018, jam edhe më se i sigurt në madhështinë e Kishës Katolike (dhe fakti që ajo e ka shndërruar rrënjësisht jetën time) që nga dita kur jam bërë pjesë e saj. Nëse nuk je katolik/e apo ndihesh i/e luhatshëm në fenë tënde, të ftoj t’i marrsh parasysh këto shtatë arsye për t’u bërë katolik/e apo, nëse je tashmë, të qëndrosh besnik/e dhe me plotë gëzim katolik/e.
- Feja Katolike është intelektualisht e fuqishme
Kushdo që thotë se katolicizmi është një përrallë për mendjelehtët, ata thjeshtë nuk i kanë bërë detyrat e shtëpisë. G. K. Chesterton na kujton se “Nuk ka asnjë tjetër institucion inteligjent të vazhdueshëm, që për dy mijë vjet ka bërë mendim për (procesin e) të menduarit.” Pyetni këdo nga intelektualët tuaj më të nderuar dhe ju siguroj se do të zihej ngushtë të përballet drejtpërdrejt me logjikën e Shën Tomë Akuini-t, mendjehollësinë e G.K. Chesterton-it, filozofinë e Etienne Gilson-it, urtësinë e mprehtë të Flannery O’Connor-it apo gjenialitetin e Papa Benediktit XVI. Veprat e Etërve të Kishës, shkrimet e shenjtërve, Katekizmi Kishës Katolike, enciklikat e papëve dhe nxitjet apostolike, veprat e literaturës katolike, filozofitë dhe apologjitë qëndrojnë të palexuara në rafte, ku thjeshtë presin të shpalosin gjenialitetin e besimit. Problemi i vetëm është se shumica e njerëzve që nuk e përqafojnë katolicizmin, nuk kanë tentuar asnjëherë të lexojnë ndonjërën nga këto apo koka tjera të ndritshme katolike. Siç do pajtohej padyshim edhe Chesterton, “[Katolicizmi] nuk i është nënshtruar provës dhe nuk është treguar i varfër; është konsideruar i vështirë dhe nuk është provuar.”
- Feja Katolike ka vizion të mprehtë për natyrën njerëzore
Feja Katolike njeh orekset e mia dhe i ndjen dëshirat e mia njerëzore për pushtet, nder, pasuri dhe kënaqësi. Po ashtu e di se duke u ngopur vetën me këto copëza të shijshme, vetëm sa do të më lërë bosh. Ashtu siç e ka vërejtur Shën Augustini, sipas thënies së tij të famshme: “Zemrat tona nuk gjejnë paqe deri sa nuk pushojnë në Ty.” Kisha na mëson atë çka Krishti ka mësuar: Ne jemi fëmijë të denjë të Zotit. Ishim të rënë (në mëkat). Jemi të shëlbuar. Është detyrë e vazhdueshme e Kishës që të na kujtojë se jemi thellësisht të veçantë (të paprekshëm në dinjitet), por të qenët tonë mëkatarë kërkon rrëfimin dhe përpjekjen e sinqertë për t’u përmirësuar. Kisha flet për shqetësimet dhe dëshpërimet, shpresën dhe gëzimin. Është e njohur me gjëra të përkohshme dhe me gjëra të përjetshme. Dhe dëshiron që me mijëvjeçaret e urtësisë e saj dhe me fuqinë e sakramenteve, të na prijë në rrugën drejtë Qiellit. Siç ka pohuar Chesterton “Përvoja e [Kishës Katolike] natyrshëm kap gati të gjitha përvojat; e në veçanti gati gjitha gabimet. Si rezultat i kësaj është krijuar një hartë në të cilën janë shënjuar qartë të gjitha rrugicat qorre apo rrugët e këqija, të gjitha rrugët që janë treguar të pavlera prej provave më të mira: nga dëshmitë e atyre që kanë kaluar nëpër to… Kisha Katolike e ka për detyrë kryesore të saj që t’i parandalojë njerëzit t’i bëjnë këto gabime të vjetra; për të mos i përsëritur e përsëritur pafund, sikurse bëjnë gjithnjë njerëzit kur lihen në fatin e vetvetes.”
- Besimi katolik është i hapur ndaj thyerjes
Njëra ndër kërkesat për t’u bërë pjesë e Kishës Katolike është të qenit i thyer. Nëse je krenar apo gënjen, ke zili, epsh, zemërim, tepron apo shpërdoron aftësitë tua, ti ke vendin në Kishën Katolike. Mëkati yt vjen me ty, por nuk ka pse të qëndrojë. Çlirimi ynë më i madh është të njohim gabueshmërinë dhe varësinë tonë nga Krishti për falje dhe forcë. Por është paradoksale. Në bindje, jemi të lirë. Në përulësi, lavdërohemi. Duke pranuar me dhimbje mëkatin tonë, çlirohemi prej tij. Je befasuar dhe indinjuar nga gabimet dhe mospërshtatjet në Kishën Katolike? E pra, vetëm kujtoje figurën e sikletshme të Shën Pjetrit… e ai u bë udhëheqësi ynë i zgjedhur prej Krishtit. Chesterton pati thënë me mençuri, “Fuqia më e madhe e shenjtërisë së krishterë ka qenë gjithmonë kjo – që edhe armiqtë më të këqij të shenjtërve nuk mund të thoshin asgjë më të keqe për ta nga se thanë [shenjtërit] për vetën e tyre… Supozojmë se një ateist i fshatit i vjen papritur e pa kujtuar një shtysë të shkuar në kishën e fshatit për t’i denoncuar të gjithë të pranishmit si shkelës të mjerë. Mbase mund të kishte hyrë brenda pikërisht në çastin kur ata po thoshin të njëjtën gjë.”
- Kisha Katolike është e guximshme
Kisha Katolike ka dal në mbrojtje të dinjitetit njerëzor – të të varfërve, të dëbuarve, të palindurve, personave me aftësi ndryshe, të sëmurëve, të moshuarve, (agimin, perëndimin dhe hijet e jetës) – kundër më të keqes që Djalli ka ofruar. Komunistët, nacionalsocialistët, anarkistët, eugjenistët, relativistët, materialistët, kapitalistët e ngurtë, kanë tentuar fshehurazi t’i fusin zotat e tyre të përçudshëm në altarin e njeriut. Por Kisha i ka kundërshtuar të gjithë (e në shumë raste edhe i ka përmbysur), që nga kritikat e Kardinal Mundelein ndaj Hitlerit e sfida e Shën Gjon Palit II ndaj komunizmit sovjetik deri te përgënjeshtrimi i Papa Benedikti XVI ndaj “diktaturës së relativizmit”. Kisha ka dal kundër – shpesh e vetme – ndaj modeleve çnjerëzore që shfaqeshin çdo ditë, duke u fuqizuar në lutje, rrëfim dhe eukaristi. Siç ka shkruar njëherë Chesterton, “Paradoksi i historisë është se secila gjeneratë kthehet nga shenjti që e ka kundërshtuar më së shumti.”
- Feja Katolike është transcendente
Kisha Katolike është një organizëm i gjallë, që merr frymë e nxitë te secili anëtar të ketë miqësi thellësisht personale me Krishtin. Nuk është një program politik apo një filozofi. Nuk është një leksion i historisë apo përrallë letrare. Është një lidhje themelore mes birit dhe Atit, krijesës dhe Krijuesit, që formëson dhe udhëheq secilin prej nesh çdo ditë (madje në çdo moment) drejtë përqafimit të përjetshëm dhe të dashur të Hyjit. Ashtu si do të shtonte Hilaire Belloc: “Ajo çka dua të them është kjo: … Kisha Katolike është eksponente e Realitetit. Është e vërtetë. Doktrinat e saj në çështje të mëdha e të vogla janë pohime të asaj që është… Përfundimi im – dhe ai i të gjithë atyre që e kanë parë ndonjëherë – është besimi. Bashkëpunuese, e organizuar, një personalitet, mësimdhënëse. Një gjë reale, jo teori. Ajo. “Kisha nuk krijon asnjë tentativë për të “bërë imanente eskatonin” (të sjellë parajsën në tokë) apo të krijojë ndonjë ideologji për të arritur sukses të përbotshëm. Kisha Katolike merret me të pashprehshmen, me të domosdoshmen jo materiale të besimit, shpresës dhe dashurisë. Sytë e Kishës janë të drejtuar kah shpëtimi i amshuar.
- Feja Katolike e përqafon misterin
Shën Pali pati shkruar, “Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe-faqas! Tani njohuria ime është e kufizuar, atëherë do të njoh plotësisht, sikurse jam i njohur.” (1 Kor 13,12). Ne jemi të krijuar për ta njohur Zotin dhe krijesën e tij – që me gëzim të vazhdojmë të kërkojmë njohuri më të shumtë. Por qëllimi nuk duhet të jetë arritja e plotë e njohurive. Për më tepër, besnikëria dhe bashkimi me Zotin është ajo që duhet ta dëshirojmë me afsh. Shkenca është mjet i mrekullueshëm, por ideologji e zbrazët. Përderisa Zoti ju ofron zgjidhje të enigmave nga kimistët, matematicientët dhe fizicientët, Ai po ashtu nxitë mahnitjen për misterin nëpërmjet syve të priftërinjve, poetëve dhe artistëve. Chesterton ka vërejtur, “Fakti i përgjithshëm është i thjeshtë. Poezia është e shëndetshme, sepse lundron lehtë në një det të pafund; arsyeja kërkon ta kalojë detin e pafund, dhe ta bëjë të fundmë. Rezultati është rraskapitje mendore… T’i pranosh të gjithat është një ushtrim, t’i kuptosh të gjithat është tendosje. Poeti dëshiron vetëm ekzaltim dhe zgjerim, një botë ku mund të shtrihet. Poeti kërkon vetëm të lartësohet për ta futur kokën në Parajsë. Kurse të logjikshmit kërkojnë ta fusin Parajsën në kokën e tyre. Dhe është një kokë që çahet në dysh… Sekreti i gjithë këtij misticizmi është ky; se njeriu mund t’i kuptojë të gjitha me ndihmën e asaj që nuk mund të kuptojë. Logjikët morbid kërkojnë të bëjnë gjithçka të qartë, dhe arrijnë të bëjnë gjithçka të misterioze. Mistiku lejon që një gjë të jetë misterioze, dhe çdo gjë tjetër bëhet e qartë.”
- Feja Katolike është e vërtetë
Kini parasysh se Katolicizmi, në esencë, pushon në qendërsinë e Krishtit. Nëse Zoti është i përsosur, Ai duhet të jetë përsosmërisht i drejtë dhe përsosmërisht i mëshirshëm. Nëse njeriu është fëmijë i denjë i Zotit, ai e meriton mëshirën e Tij, por po ashtu kërkohet edhe korrigjim sepse ligjet janë thyer dhe për mëkatin duhet paguar. Si mundet një Zot i përsosur të kërkojë drejtësi e njëkohësisht të shpërndajë mëshirë. Duke vdekur për fëmijët e tij. Në mundimin dhe kryqëzimin e Krishtit, borxhi ynë është paguar dhe mëshira na është dhuruar. Në kryqëzimin dhe ringjalljen e Krishtit – akti qendror i gjithë historisë së botës – gjenden të gjitha detajet intelektuale, të gjitha misteret e pashprehura, të gjithë shenjtërit, të gjithë sakramentet. Pikërisht në këtë të vërtetë të vetme mbështet katolicizmi, jeta, e përtejmja, kuptimi, qëllimi, dinjiteti dhe shpëtimi. Sepse, po që se rrëfimi i Krishtit është vetëm një alegori e bukur, thjesht një histori tërheqëse, vetëm një gërshetim morali i sajuar, atëherë siç do thoshte Flannery O’Connor për Eukaristinë, “Epo, nëse është thjesht një simbol, atëherë le ta marrin i qoftëlargu.” Feja Katolike është e vërtetë. Hulumtoje atë – vërtetësisht dhe sinqerisht – dhe do të mahniteni me atë që do të gjeni.
Ka mijëra arsye për t’u bërë apo për të qëndruar katolik. Por së pari, duhet të jesh i/e sinqertë me të.
Në momentin kur njerëzit pushojnë të mbajnë qëndrim kundër [Kishës Katolike] ata ndiejnë tërheqje drejtë saj. Në momentin kur pushojnë të bërtasin kundër saj, ata fillojnë ta dëgjojnë me ëndje. Në momentin kur përpiqen të jenë të sinqertë ndaj saj, ata fillojnë ta duan.
Bëhu i/e sinqertë dhe të siguroj, shumë shpejt, do të fillosh ta duash./drita.info
Marr nga: Why you should be Catholic (aleteia.org)
Përktheu: Ardiana Hashani