E Diela I e Ardhjes – viti B
Leximi i parë Is 63, 16-17.19; 64, 2-7
Profeti Isaia i drejtohet Hyjit me emrin –Atë – që është qendra e besimit tonë, sepse kështu Hyji u zbulua në Krishtin Jezus që ne e presim në Krishtlindje si vëllain tonë të bërë njeri si ne. Për këtë Hyji thërret secilin prej nesh të bëhet Bir në një besëlidhje dashurie. Ai na siguron mbështetjen e tij, ndërsa ne duhet të kemi besim në të, ta duam dhe t’i shërbejmë.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Ti, o Zot, je Ati ynë! Abrahami ne s’na njeh, Izraelit s’i kujtohemi; por ti, o Zot, je Ati ynë, shpëtimtari ynë: i amshueshëm është emri yt. Pse na bën të endemi, o Zot, larg prej udhëve të tua, pse na e ngurove zemrën që të mos të druam? Kthehu për dashuri ndaj shërbëtorëve të tu, për dashuri të fiseve të pronës sate! U bëmë tash një kohë të gjatë si ata, të cilët ti nuk sundon, asish, mbi të cilët s’u thirr emri yt. Ah, sikur ti t’i shqyeje qiejt e të zbritje, para fytyrës sate malet do të dridheshin, sikurse zjarri që i djeg krandet, dhe ujin e bën të vlojë – që armiqtë e tu t’i bësh ta njohin emrin tënd. Para fytyrës sate paganët do të dridhen kur të besh mrekulli që ne nuk i shpresonim. Ti zbrite e para fytyrës sate malet u dridhen! Qysh se ka zënë jeta fill nuk u ndie, kurrë me veshë nuk u dëgjua, askurrë syri nuk e pa, se një Zot, përveç Teje, të ketë vepruar ndonjë gjë të tillë për ata që shpresojnë në të. U ndihmon atyre që me gëzim zbatojnë të drejtën, edhe atyre që, në udhët e tua, të kujtojnë. Ja, ti u hidhërove, sepse ne mëkatuam; në udhët e dikurshme do të gjejmë shpëtim. Të gjithë ne kemi qenë porsi i papastri, si petk i ndytë të gjitha drejtësitë tona, të gjithë u vyshkëm porsi gjethi, të këqijat tona na tresin si era. S’është asnjë që e thërret emrin tënd, që të zgjohet e të mbështetet në ty, sepse e fshehe prej nesh fytyrën tënde dhe na lëshove në dorë të keqbërësisë sonë. Megjithatë, Ati ynë je, o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të tua. Fjala e Zotit.
Psalmi 80
Ref: Shndrite, o Zot, fytyrën tënde dhe na shpëto
————————————
Dëgjo, o Bariu i Izraelit,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe,
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë
për të na shpëtuar!
————————————-
Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
————————————–
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate,
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
————————————–
Leximi i dytë 1 Kor 1, 3-9
Të krishterët kanë marrë nga Hyji dhuratën e Krishti, kanë mësuar Ungjillin e tij dhe tani njohin mirësinë dhe besnikërinë e Hyjit. Këto dhurata rriten nga dita në ditë deri në shfaqjen e plotë të Zotit në ne. Ardhja na fton për një shpresë bashkimi të përkryer me Krishtin, të themeluar mbi përvojën e pranisë së tij që qysh tani ndriçon jetën tonë.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që jua dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka – në çdo dije. Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në ditën e Zotit tonë Jezusit. Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë. Fjala e Zotit.
Aleluja
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde, dhe na e jep shëlbimin tënd.
Aleluja
Ungjilli Mk 13, 33-37
Vigjëloni: është urdhri i Zotit. Vigjëlimi nuk është pritja e një të ardhmjeje të largët, por mikpritja e një të tashmjeje të gjallë: mbretëria e Hyjit është tashmë këtu. Të vigjëlosh do të thotë të lexosh të tashmen dhe të zbulosh amshimin. Nuk jemi kurrë mjaft zgjuar dhe të aftë për të pranuar Hyjin që gjendet shpesh aty ku ne me mençurinë tonë të varfër nuk e kishim parashikuar.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast. Me të do të ndodhë, si me atë njeri që, duke u nisur për rrugë, e la shtëpinë e vet dhe ua la në kujdes shërbëtorëve: secilit ia caktoi punën e vet e derëtarit i urdhëroi të rrijë zgjuar. Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes – që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur. Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!” Fjala e Zotit!
POROSIA
Sot për Kishën është viti i ri, sepse fillon viti i ri liturgjik në të cilin Krishti, i vdekur dhe i ngjallur për ne, na ofron shpëtimin akoma edhe për një vit. Gjatë këtij viti hiri do të kalojmë etapat e shpëtimit, misteret e jetës së Krishtit, të Virgjërës dhe të shenjtërve.
Kisha që nga fillimi ka kremtuar ardhjen e Krishtit, i cili ka ardhur nëpërmjet mishërimit, vjen në jetën e përditshme e do të vijë si gjykatës në fund të kohrave.
Ardhja, përgatitja për Krishtlindje, është një kohë pritjeje vepruese, që na mëson ta njohim e ta pranojmë në shfaqjet e përditshme të atij që kemi afër.
Nëse në leximin e parë Isaia flet për ardhjen e Zotit drejt njeriut, në ungjill Marku lajmëron se është e nevojshme një lëvizje e dytë, ajo e njeriut drejt Zotit të vet. Nuk shkohet drejt Zotit me dembelizëm e me indiferencë, por me veshët dhe sytë e hapur, sepse pronari mund të kthehet “në mbrëmje apo në mesnatë, kur këndon gjeli apo në mëngjes”, e do të gjykohemi.
Të presim Hyjin që vjen, por që është i pranishëm, është një rast për të jetuar çdo moment të jetës sonë në mënyrë të frytshme e pa vrapuar kot pas lodhjeve e shqetësimeve të kota, duke menduar se çdo ditë mund të jetë edhe e fundit. Qartësia e ardhjes së tij na siguron që nuk jemi vetëm e që dashuria e tij na shpëton e na bën të lumtur.
Ardhja është koha e lutjes, e meditimit personal dhe rishikim i jetës për t’u pastruar nga pabesnikëritë e përditshme dhe për të qenë shërbëtorë të të afërmit.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër dhe motra, në pritje të Krishtit që po vjen t’ia drejtojmë me besim lutjen tonë, duke i kërkuar Zotit për të gjithë të krishterët, dhuratën e vigjilencës, për të shikuar historinë tonë me sytë e besimit.
L. Të lutemi së bashku duke thënë:Eja, o Zot Jezus.
L. Për Kishën, në udhëtim drejt atdheut qiellor, që të dijë të jetë gjithmonë, për të gjithë njerëzit, një drejtuese e shndritshme dhe e sigurtë që të çon te Krishti shpëtimtar. Të lutemi.
L. Për qeveritarët, që të shndritur e të drejtuar prej Hirit të Zotit, të mund të gjejnë rrugët e drejta për të nxitur të mirën e vërtetë të popujve, për t’i ofruar gjithë botës, shpresën e një paqeje konkrete e të vazhdueshme. Të lutemi.
L. Për të rinjtë, shpresa dhe e ardhmja e njerëzimit, që me gatishmëri të madhe të dëgjojnë zërin e shpirtit e me vetëmohim të madh ta vënë jetën e tyre në shërbim të njerëzve më të varfër. Të lutemi.
L. Për bashkësinë tonë, që koha e Ardhjes së Krishtit të hapë zemrën tonë drejt shpresës, ta forcojë vullnetin tonë për t’u ripërtërirë e të shtojë angazhimin tonë për të jetuar Ungjillin në çdo kohë e rrethanë të jetës. Të lutemi.
M. O Zot, që në Krishtin, Birin tënd, ke plotësuar premtimin e shëlbimit të shpallur nga profetët, pranoje lutjen tonë të përvuajtur e plot besim, përtërije në secilin prej nesh, në çdo të pagëzuar zjarrin e misionit, që me gëzim të dimë të shpallim në botë dashurinë tënde atërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)