Shën Sebastiani, martir (v. 304)

Jan 19 • Këndvështrime

 

Nga Don Lush GJERGJI

“Nëse ndokush do të vijë pas meje, lë ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje. Sepse, kushdo ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë”. (Mt 16, 24-25)

Të nisemi prej emrit të tij, që ka prejardhje greke dhe domethënë:  i nderuar, i çmuar, i dalluar. Dhe Sebastiani i kishte këto veçori në jetë, sidomos në vdekjen e tij martire, si do të shpjegojmë në vijim.

Sipas njohurive të deritanishme, Shën Sebastiani ka lindur dhe është edukuar në Milano. Babai i tij kishte prejardhje nga Galia, qyteti i Nabona, ndërsa e ëma ishte e Milanos. I riu Sebastiani, që populli ynë Shqiptar e quan Sh’Masjani, kur kishte dëgjuar për përndjekjet e rrepta ndaj të krishterëve të perandorit romak Diokleciani (248-305), ishte tronditur shumë dhe e kishte pyet Zotin dhe vetveten: çka duhet dhe mund të bëjë unë për t’i mbrojtur dhe përkrahur të krishterët në Romë dhe në rrethinë?

Përgjigja ishte e qartë dhe vendimtare: lutu, por edhe bënë diçka konkrete për ata! Kështu vendosi të shkonte në Romë, kuptohet vullnetarisht dhe lirisht, me shumë përgjegjësi dhe dashuri, që për së afërmi ta përcillte këtë gjendje tejet të rëndë dhe shumë të rrezikshme.

Së shpejti në Romë arriti të hynte në ushtrinë elitare perandorake, gjë që dëshmon se ishte i pashëm, i shëndoshë dhe shumë i bukur, por kishte edhe shkathtësi të spikatura në komunikim. Këto aftësi ia mundësuan që të bëhej udhëheqësi i kohortës së parë, që ishte legjioni i parë dhe më i afërt me Perandorin e Romës.

Sebastiani, si i tillë, kishte mundësi të depërtonte lirisht dhe në çdo kohë gjithkund. Lëvizjet dhe vizitat e tija të shpeshta nëpër burgje, kishin ra në sy dhe shpjegoheshin si kujdesi i tij për sigurinë e Perandorisë. Mirëpo ai pati qëllime dhe synime krejt tjera: t’i vizitonte, njihte për së afërmi, t’i përkrahte shumë të burgosur të krishterë, të cilët nuk kishin kurrfarë faji tjetër përpos të jenë nxënësit dhe dëshmitarët e Jezu Krishtit. Ai i përkrahte, këshillonte, ngushëllonte, u jepte zemër që mos të dorëzoheshin dhe dëshpërohen, sepse Zoti ynë Jezu Krishti e ka mundur Djallin, mëkati dhe vdekjen,  Ai është i gjallë!

Perandori Diokleciani pati besim të plotë në të riun Sabastiani. Sipas një tregimi historik: dy të rinj, Marku dhe Marcelini, ishin të burgosur si të krishterë. Ishin dënuar me vdekje. Babai i tyre mundohej t’i bindte që ta mohonin Jezu Krishtin, si kusht për çlirimin e tyre dhe faljen e dënimit me vdekje.

Dhe, ia kishte arritur këtij qëllimi. Ata duheshin të flijonin ndonjë fli zotave paganë.

Në këtë histori kishte ndërhyrë Sebastiani, i cili i kishte bindur të kundërtën, që t’i mbetnin besnikë Krishtit të ngjallur. Dhe si dëshmi për fuqinë e tij, kishte bërë një mrekulli, gruan e shefit të zyrës perandorake, e cila nuk fliste gjashtë vjet, ia kishte vërë duart mbi krye, e kishte bekuar me shenjën e Kryqit, dhe asaj iu kishte kthye mundësia e të folurit.

Kjo mrekulli pati ndikim të madhe edhe të zyrtarët e lartë të Dioklecianit, të cilët filluan të kenë simpati ndaj Sebastianit dhe krishterimit.

Diokleciani, kur kishte zbuluar se shefi i kohortës së tij ushtarake, Sebastiani, ishte i krishterë, ishte tronditur dhe në gjyq kishte thënë kështu: “Unë gjithmonë të kam konsideruar si ndër më të madhin në pallatin tim perandorak, e ti ke punuar tinëzisht, pas shpine, në hije!”.

Pas këtyre fjalëve qe dënuar me vdekje. Sebastianin e lidhën më një shtyllë në vendin Palatino, dhe e gjuanin me shigjeta në çdo pjesë të trupit. Pasi humbi vetëdijen, menduan se tashmë kishte vdekur, i mbuluar me shumë gjak dhe varrë, e gjuajtën në një përrua, që ta ngrënin bishat  e  egra.

Një grua e përshpirtshme, sipas traditës së krishterë, Shën Irena, shkoi dhe e mori trupin e tij, për ta varrosur me dinjitet dhe pietet.

Dhe, ia, befasia. Sebastiani ishte ende i nxehtë dhe gjallë. E mori në shtëpinë e saj, u kujdes për mjekim dhe shërim për disa kohë. Dhe për mrekulli ishte shëruar shpejtë dhe mjaft mirë.

Miqtë e këshillonin që ta braktiste Romën për t’i ikur perandorit Dioklecian. Mirëpo ai ishte i vendosur: dua t’i paraqitem edhe një herë atij Gjakësori dhe t’i them: kotë lufton kundër Zotit tonë Jezu Krishtit! Ti nuk ke të drejtë t’i përndjekësh dhe  dënosh me vdekje të krishterët!

Diokleciani, sa i habitur, aq më tepër i tronditur dhe hidhëruar, e kishte  dënuar me vdekje për të dytën herë. Dënimi ishte rrahja deri në vdekje. Kjo ndodhi në vendin Palatino, më 20 janar 304.

Kulti, nderimi për të ishte përhapur së shpejti në Romë, rrethinë, pastaj kudo në botë. Në Romë  ku është Kisha e “Shën Sebastiani -t” dhe “Katakobet”,  po ashtu me emrin e tij.

Ky Shenjtë nderohet shumë edhe ndër Shqiptarë, dëshmi kjo e lashtësisë dhe martirizimit të Kishës dhe Popullit tonë.

Shën Sebastiani është pajtori i zjarrfikësve, policisë, ushtrisë, si shërbimeve të ndryshme shëndetësore.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »