Festa e Kushtimit të Krishtit në tempull – Zoja e qirave (2 shkurt)

Nga Don Agim Qerkini

 

Vëllezër e motra,

Në festën e Kushtimit të Krishtit në tempull, Kisha kremton festën e një tradite të popullit hebre, të kushtimit në tempull të fëmijës së parë mashkull, në këtë rast, të Kushtimit të Krishtit. Fjala është e përmbushjes së 40 ditëve nga lindja, që llogaritej si kohë e pastrimit të gruas pas lindjes. Pra, 40 ditë pas lindjes së fëmijës mashkull, ndërsa 80 ditë pas lindjes së vajzës. Ligji parashihte që të kushtohet flija e falënderimit, në këtë rast, “një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash”, por jo që patjetër të sillej edhe fëmija në tempull. Megjithëse, Jozefi dhe Maria, nga dashuria e madhe për Jezusin, dhe falënderimi Zotit për të, shkojnë përtej Ligjit, duke e sjellë edhe Foshnjën në tempull. Kështu, Jozefi dhe Maria, e falënderojnë Zotin dhe luten për Të. Kjo përvojë e traditë e kremtimit të Kushtimit të Krishtit në tempull, deri para Koncilit të II të Vatikanit njihej si festë mariane.

Kjo festë, nga dëshira e shtegtarëve që vizitonin qytetin e shenjtë Jerusalemin, ka filluar të shënohet që nga shekulli IV. Më vonë i është shtuar edhe procesioni, gjatë së cilit në mënyrë simbolike, besimtarët i shkonin në takim Krishtit që po vjen, ashtu siç e kishin takuar në tempull Simoni plak e Ana profeteshë.

Ndërsa në Romë, kjo festë fillon të shënohet në shekullin e shtatë. Pasi që paganët romak gjatë muajit shkurt organizonin kalime në formë procesionesh, duke mbajtur tradita të ndryshme, të krishterët në anën tjetër, fillojnë procesione me qirinj në duar duke shprehur besimin e tyre në Krishtin, që është Drita e botës. Pastaj, me kohë është shtuar me atë rast edhe përvoja e bekimit të qirinjve, e njohur në ditët tona si festa e “Zojës së Qirave”, bazuar edhe në fjalët e Simonit: “Dritën që bën të të njohin Ty paganët” (Lk 2, 32).

Por, t’i kthehemi takimit të Simonit e Anës me Krishtin. Ata te dy, pleq të përshpirtshëm që e kishin fenë e gjallë, jetonin në pritje të Shëlbuesit të premtuar. Simonit, “Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Tempull” (rr. 26-27). Dhe natyrisht, një njeri me fe të madhe si ai, në Krishtin e njeh Mesinë. Prandaj galdon me gjithë shpirt: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe siç the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve” (rr. 29-31).

Përvoja dhe dëshmia e këtij njeriut të Zotit, na bën të mendojmë se sa rëndësi të madhe ka pritja me duresë dhe fakti që t’i besojmë Zotit. Ai është besnik dhe e mban premtimin. Ndërsa ne njerëzit, lodhemi dhe zhgënjehemi.

Në këtë kontekst, të bëjmë shkurtë një krahasim nga jeta e përditshme. Sigurisht që do të ju ketë ndodhur të keni takuar ndonjëherë çifte që për vite të tëra e kanë lutur Zotin të kenë fëmijë. Është pritje plotë lutje e pikëllim, flijim i madh për t’u bërë familje e plotë. E plotë në kuptimin e pritjes dhe lindjes së fëmijës aq të dëshiruar. Kjo është një pritje plotë sakrifica, por që duhet ta shoqërojë lutja po aq me shpresë, se Zotit nuk i bëhet “vonë” për t’i gëzuar dhe shpërblyer lutjet e njerëzve të përcjella me besim dhe kushtim Zotit.

Në Ungjill, mësojmë se si Simoni dhe Ana kanë pritur dhe janë lutur që Zoti t‘jua japë hirin e njohjes së Hyjit, gëzimin e takimit me të. Gëzimin e takimit me Zotin e bërë njeri. Kështu, edhe Simoni me Ana, prisnin takimin me Premtimin e Zotit që ju ishte bërë atyre prej kohësh. Ata shkonin në Tempull, ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti… me bindjen e plotë dhe se Zoti nuk do e linte afshin e shpirtit të tyre të paplotësuar, dhe kështu ndodhë.

Në këtë ditë të Kushtimit të Zotit në tempull, duhet të mësojmë nga qëndrueshmëria dhe besnikëria e Simonit dhe Anës të cilët nuk kanë hequr dorë nga shpresa se do ta takojnë Zotin, i cili do të vijë në jetën e tyre. Kështu do Zoti edhe sot, të depërtojë në jetën tonë dhe dëshiron ta mbajë premtimin e takimit të Tij me ne. Le të ushqehemi nga ky premtim dhe le t’i gëzohemi takimit me të.

Pastaj, fakti tjetër, pas gjithë asaj shprehje të gëzimit, Simoni do të profetizoj duke i thënë Marisë: “Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt” (rr. 34-35). Megjithëse, Jozefi dhe Maria, shpresonin se Atë do ta pranojnë të gjithë me gëzim. Krishti do të ngritë të rënit poshtë duke i shëlbuar të gjithë. Prandaj e pyesin veten, sigurisht plotë habi, si është e mundur që do të shkaktojë rrënim apo edhe do të jetë shenjë të cilës do të mund t’i kundërshtojnë njerëzit. Por, kjo do të shihet e do të vërtetohet në vazhdim, nga përvoja e punës së Krishtit me njerëz. Ndërsa, se një shpatë do t’ia tejshkojë shpirtin Marisë, është vërtetuar në shumë raste, së fundmi nga mundimet që Krishti pësoi dhe nga vdekja në Kryq. Vuajtje këto të Krishtit që padyshim Maria i ka përjetuar si shpata në zemrën e vet.

Ana profeteshë, na i kujton shumë gra të përshpirtshme të kushtuara Zotit, duke filluar nga Elizabeta, e cila e para e pati përshëndetur Marinë, e vetëdijshme se ajo bartë në kraharor Shëlbuesin e botës. Pastaj gratë të cilat e kanë shërbyer e ndihmuar Krishtin gjatë veprimtarisë së tij në botë. Gratë e Jerusalemit të cilat shprehnin keqardhje duke e vajtuar në rrugën e tij të Kryqit e duke i qëndruar pranë deri në vdekjen e tij. Edhe ato të cilat erdhën te varri në mëngjesin e Ngjalljes. Pastaj, ato të cilat gjatë gjithë historisë së krishterimit, i shërbejnë Krishtit dhe Kishës në mënyra të ndryshme.

Në këtë ditë feste të Kushtimit të Krishtit në tempull, le t’i kujtojmë në lutjet tona edhe të gjithë prindërit që me falënderim ndaj Zotit i pranojnë fëmijët e tyre, që duke u kujdesur për ta me shpirt flijues, ta lëvdojnë Zotin për dhuratën e jetës.

Shën Sofroni, në “Fjalimet” e tij na porositë: “…Të gjithë ne që e kremtojmë dhe e nderojmë me pjesëmarrje të thellë misterin e takimit të Zotit, të vrapojmë dhe të lëvizim drejt takimit me të bashkë me zellin e shpirtit. Askush mos të shmanget, askush mos të refuzojë ta bartë pishtarin e tij. Por le ta rrisim shkëlqimin e qirinjve që të tregojmë kështu vezullimin e atij që po afrohet dhe falë të cilit çdo gjë shkëlqen, pasi që plotësia e dritës së amshuar i ka shpërndarë errësirat e mjegullës…”

“O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, po të lutemi me përvujtëri, që, sikurse Biri yt i Njëlinduri në natyrën tonë njerëzore qe kushtuar në Tempull, ashtu edhe ne, të pastruar në shpirt, të të kushtohemi ty.” Amen./drita.info

Shpëndaje: