Zemra e Jezusit, e hapur për të gjithë ata që vuajnë

Sep 15 • Meditimi i ditës

15 shtator 2016 – E enjte, Shën Maria Virgjër e Dhimbshme, MOMENTI I SHENJTË– Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Heb 5,7-9; Ps 31,2-6.15-16.20; Gjn 19,25-27, ose: Lk 2,33-35)

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Gjn 19, 25-27

 

25 Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. 26 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës:

“Grua, ja, yt bir!”

27 Pastaj i tha nxënësit:

“Ja, nëna jote!”

Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Madje edhe në momentin e vdekjes së tij, zemra e Jezusit është e hapur për të gjithë ata që vuajnë. Ai e njeh dhimbjen e Marisë dhe Gjonit dhe kërkon prej tyre të bëjnë vend në jetën e tyre për njëri-tjetrin.
  • Çfarë mund të mësoj nga Maria dhe Gjoni derisa Jezusi më thërret të jetoj më afër tyre? Jezusi kërkoi prej Marisë dhe Gjonit që të bëjnë vend në jetët e tyre për marrëdhënie të reja përkujdesjeje; a marr edhe unë nxitje të tillë – a jam i/e ftuar për të bërë të njëjtën gjë?

  

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »