15 këshillat e Papa Françeskut për të qenë të lumtur

Nga Isabella H. de Carvalho

 

Në një libër të botuar në nëntor të vitit 2022, Papa Françesku flet se si të arrijmë lumturinë dhe na kujton se Zoti, si krijuesi ynë, dëshiron më të mirën për jetën tonë. Libri tani për tani është i disponueshëm vetëm në italisht dhe titullohet “Dua që të jesh i lumtur: Njëqindfishi në këtë jetë”, (“Ti voglio felice. Il centuplo in questa vita”, Pienogiorno). Në kapitullin e parë, Papa Argjentinas ofron 15 “hapa drejt lumturisë”. I gjeni më poshtë!

 

  1. “Lexo brenda vetes”

Papa Françesku shpjegon se “jeta jonë është libri më i çmuar që na është dhënë” dhe pikërisht me ato faqe mund të gjejmë të vërtetën dhe lumturinë që e dëshirojmë dhe e kërkojmë. Papa citon Shën Augustinin, i cili thotë: “Kthehu brenda vetes; e vërteta banon në njeriun e brendshëm.” Ai i fton të gjithë, duke përfshirë edhe veten, të lexojnë jetën dhe udhëtimet personale “me qetësi”.

 

  1. “Mos harroni se jeni i/e veçantë”

“Secili prej nesh është, dhe është në këtë botë, që të ndihet i dashur në veçantinë e tij dhe të duam të tjerët siç nuk mund të bëjë askush tjetër në vendin tonë”, nxit Kreu i Kishës Katolike, duke shtuar se nuk duhet të ulemi në karrige, duke pritur të thirremi si rezervë e dikujt. Përmes veçantisë sonë ne mësojmë të duam. “Çdo person është i veçantë në sytë e Zotit,” dhe mbani mend “ne jemi në botë për të jetuar një histori dashurie, një histori dashurie me Zotin, për të përqafuar guximin e zgjedhjeve të forta, për të ndërmarrë rrezikun e mrekullueshëm të dashurisë,” shpjegon Papa.

 

  1. “Nxirreni në pah bukurinë tuaj”

Ipeshkvi i Romës shprehet se “bukuria është një nga mënyrat e privilegjuara për të arritur Zotin”, i cili është “pandashmërisht i mirë, i vërtetë dhe i bukur”. Kjo bukuri nuk është “sipas modës së botëve”, ose “e kthyer në vetvete”, ose “pajtohet me të keqen”, specifikon ai. Ai citon Narcisin dhe Dorian Grey si shembuj të atyre që kërkonin llojet e gabuara të bukurisë. “Unë flas për bukurinë që nuk zbehet kurrë, sepse është një pasqyrim i bukurisë hyjnore”, shpjegon Françesku.

 

  1. “Mësoni të qeshni me veten tuaj”

Në një botë që vazhdimisht na bën presion për të qenë të përsosur, Papa Françesku rekomandon “të shihesh herë pas here në pasqyrë dhe të qeshësh me veten!” “Do të të bëjë mirë”, shton ai.

 

  1. “Jeto një shqetësim të shëndetshëm”

Papa paralajmëron të mos bëhet “një Peter Pan që nuk dëshiron të rritet” dhe qëndron i mbyllur në dhomën e tij. Ai na inkurajon të jetojmë një shqetësim të shëndetshëm në “dëshirat dhe synimet” tona. “Ai shqetësim që të shtyn gjithmonë të ndryshosh, të mos ndihesh kurrë sikur ke ‘arritur’”, shpjegon ai.

 

  1. “Mësoni të kërkoni falje”

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në rolet tona si nëna, etër, miq, bijë, bija, etj. ndonjëherë nuk arrijmë të përmbushim pritshmëritë apo aspiratat tona dhe të të tjerëve. “Ne të gjithë jemi ‘në deficit’ në jetë,” shpjegon Papa. Megjithatë, ai shton se “ne të gjithë kemi nevojë për mëshirë” dhe në fakt na kujton se “Zoti gjithmonë ju del përpara dhe ju fal i pari”.

 

  1. “Mësoni të lexoni trishtimin tuaj”

Në një botë ku trishtimi shihet si “një e keqe nga e cila duhet shpëtuar me çdo kusht”, Papa Françesku ofron një pikëpamje tjetër. Ai e sheh trishtimin si një “thirrje zgjimi të domosdoshëm”. “Ndonjëherë trishtimi funksionon si një semafor, duke na thënë: është e kuqe, ndalo”, shpjegon ai, duke na bërë thirrje të përqafojmë këtë emocion thelbësor.

 

  1. “Krijo ëndrra të mëdha”

“Zoti nuk do që ne të ngushtojmë horizontet tona, nuk do që ne të parkojmë në anët e jetës, por të vrapojmë drejt qëllimeve të larta me gëzim dhe guxim”, nxit Papa. Për më tepër, përmbushja e ëndrrave të Zotit për ne duhet të ndodhë në jetën tonë të përditshme, jo vetëm në fundjavë apo pushime, nënvizon Papa. Të ëndërrosh është se si mund të përqafojmë bukurinë e jetës, thotë ai.

 

  1. “Mos i dëgjo ata që shesin iluzione”

Papa Françesku paralajmëron kundër atyre që “flasin për ëndrra dhe shesin iluzione”, pasi ata janë “manipulues të lumturisë”.

 

  1. “Bëhu revolucionar, shko kundër valës”

Në një shoqëri ku norma është të shijoni momentin dhe të mos shqetësoheni për marrjen e vendimeve konkrete dhe përfundimtare, Kreu i Kishës Katolike na kërkon të jemi “revolucionarë, të rebelohemi kundër kësaj kulture që në thelb beson se nuk jeni në gjendje të merrni përgjegjësi”. “Kini guximin të jeni të lumtur”, kërkon ai.

 

  1. “Merrni rreziqe, edhe nëse përfundoni duke gabuar”

Për të qenë të lumtur, Papa thotë se duhet të jemi aktivë në jetën tonë dhe të mos e vëzhgojmë atë “nga ballkoni” ose të jemi si “një makinë e parkuar”. “Mos e ngatërroni lumturinë me një divan”, thotë ai, duke na inkurajuar të rrezikojmë dhe të kapërcejmë frikën për të mos jetuar me një “shpirt të anestezuar”.

  1. “Ec me të tjerët”

Papa Françesku nënvizon rëndësinë e të pasurit një bashkësie dhe të marrëdhënieve të ngushta për të na lejuar të jemi të lumtur. “Ecni në bashkësi, me miqtë, me ata që ju duan: kjo ju ndihmon të arrini qëllimin tuaj. Dhe nëse bie, ngrihu”, thotë ai, duke thënë se rëndësia është të mos “mbetesh i rënë apo i rrëzuar”.

 

  1. “Jeto falas”

Papa Françesku na inkurajon të mësojmë nga Zoti, i cili “jep falas, deri në atë pikë sa ndihmon edhe ata që nuk janë besnikë”. Ai na bën thirrje që të mos matim vazhdimisht atë që japim dhe marrim në këmbim. “Neve na është dhënë jeta falas; ne nuk kemi paguar për të. Kështu që ne të gjithë mund të japim pa pritur asgjë”, shpjegon Papa.

 

  1. “Shiko përtej errësirës”

“Mos ndaloni së kërkuari dritën në mes të errësirës që kaq shpesh e mbajmë në zemrat tona dhe shohim rreth nesh,” na inkurajon Françesku. Ai na fton të “shikojmë lart” në mënyrë që të “kapërcejmë tundimin për të qëndruar të shtrirë në dyshemetë e frikës sonë”.

 

  1. “Mos harroni se jeni të përcaktuar për më të mirën”

Si këshillë të fundit, Papa Françesku na kujton sërish se “Zoti e do më të mirën për ne: do që të jemi të lumtur”. Zoti nuk na kërkon asgjë, por thjesht na lë në zemrat tona një gëzim “të plotë dhe altruist” dhe “të pashuar kurrë”./drita.info

 

Marrë nga: Pope Francis’ 15 tips to be happy (aleteia.org)

Përktheu: Adelina Palushi

Shpëndaje: