Sa jam i/e hapur për gjëra të reja?

Jan 15 • Meditimi i ditës

15 janar 2018  E hënë, MOMENTI I SHENJTË  Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Sam 15,16-23; Ps 50,8-9.16b-17.21.23; Mk 2,18-22)

 

Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në qetësinë në të cilën

e kuptoj madhërinë dhe kuptimin e pranisë sate.

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të përqendrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Lexoje pasazhin e Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh më tutje.

 

Mk 2, 18-22

 

18 Nxënësit e Gjonit dhe farisenjtë agjëronin. Erdhën disa dhe i thanë:

“Pse nxënësit e Gjonit e të farisenjve agjërojnë e nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

19 Jezusi u përgjigj:

“A thua mund të agjërojnë dasmorët derisa është me ta dhëndri? Për aq kohë sa është dhëndri me ta s’mund të agjërojnë! 20 Do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë!

21 Askush nuk e qep arnën e tirkut të pashkelur në petk të vjetër; përndryshe arna e tirkut të pashkelur e shqyen petkun e vjetër dhe e shqyerja bëhet më e madhe.

22 Askush nuk e qet verën e re në rrëshiqa të vjetër; përndryshe vera e re i shqyen rrëshiqat: vera derdhet e rrëshiqat prishen. Porse vera e re ‑ në rrëshiqa të rinj.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Në Palestinë festimi i një martese zgjaste një javë. Një privilegj për miqtë më të afërt të nuses dhe dhëndrit ishte të qëndrosh një javë me ta. Gëzimi është një shenjë e miqve të tyre.

A jam duke e gjetur gëzimin në njohjen se jam afër teje, o Zot?

  • Vera e re në rrëshiqa të rinj. O Zot, po ma bën me dije që mos ta mbylli mendjen time. Më sfidon që mos të qëndroj në shprehitë e vjetra dhe të jem i/e hapur për gjëra të reja. Ma jep çiltërsinë e zemrës dhe mendjes. Bëj që të besoj në thellësitë e Shpirtit tënd kreativ që i bën të reja të gjitha gjërat.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithçka dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hapi zemrën kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë e di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »